Dritëro Agolli: Edhe vetë lopët e dhitë qeshin me propagandën e cjepërve të demokratikëve

(Botuar me 5 Maj 1996 në KOHA JONE)

Intervistë me z.Dritëro Agollin

-Ndërsa fushata elektorale sa vjen e po bëhet më e ashpër, cilat janë shanset e PS për të fituar?

-Fushata elektorale me ashpërsinë e saj politike në Shqipëri ka 5 vjet që po zgjat, që në fillim të vitit 1991. Ka apo nuk ka zgjedhje për në Kuvendin Popullor, lufta si në fushatë vazhdon. Partitë me ushtarët marshojnë si në kryqëzata, ndeshen me njëra tjetrën dhe në këto kryqëzata në ballë është kryekalorësi, Presidenti iRepublikës. Tymi dhe flaka e këtyre kryqëzatave nuk na lejon të dallojmë fushatat elektorale. Prandaj unë nuk shikoj ndonjë dallim në ashpërsinë e fushatës elektorale, me ashpërsinë e zakonshme të cdo jave, cdo muaji e cdo viti. Ditë për ditë e vit për vit jemi si në zgjedhje me po ato ankthe dhe po ato ethe, me po atë zhurmë fjalimesh të PD dhe Presidentit përmes televizorit, radios dhe gazetave, me po ato lutje të hoxhallarëve dhe priftërinjve për demokratistët dhe për zyrtarët, me po ato këngë të bejtexhinjve dhe rapsodëve për lumturinë që na ka dhuruar pushteti i sotshëm. Janë po ato rrahje dhe ndalime të kundërshtarëve politikë, të deputetëve opozitarë dhe të gazetarëve.Janë po ato burra. Edhe lavdërimet, edhe premtimet janë gjithmonë si në fushatë elektorale. Vetëm se tani ashpërsia politike shoqërohet me këngë e valle, me daulle dhe me zurna. PD tani në fushatën elektorale na rreh dhe na bie me kopanin politik nën muzikën e rrokut dhe hulahupit, duke i prezantuar deputetët e saj. Një shprehje thotë se shumë fakte bëjnë një arsyetim. Në zgjedhjet lokale të 1992 PS fitoi shumicën e votave.Në fushatën e Referendumit për Kushtetutën më 1994, PS bashkë me opozitën gjithashtu fitoi. Logjika e thjeshtë të shpie në fitoren e PS dhe të opozitës në përgjithësi. Liderët e PD këtë e ndjejnë. Dhe më e ndjeshmja është muzika. Shoqërimi i mitingjeve të PD me muzikë është një tregues për të lehtësuar hidhërimin. Mobilizimi i artistëve dhe fetarëve, priftërinjve, hoxhallarëve, për të bërë një fushatë elektorale në dobi të PD shpreh frikë, ankth dhe pasiguri. Pasiguri shpreh vendosja e emrit të Presidentit në listën proporcionale të kandidatëve për deputet. Kjo do të thotë : “Nëse nuk jam President, jam deputet”. Doemos kjo është punë frike.

-Ju flisni për frikën e PD. A mendoni se shumë nga problemet e deritanishme do të mund të gjenin zgjidhje nga një tjetër forcë politike dhe a ka “frikë” PS se mund të bjerë në të njëjtat gabime të PD?

-Shqipëria është lodhur nga korrupsioni i administratës shtetërore, nga pasiguria e jetës, nga nxjerrja e bukës së gojës me mundim, nga 600 mijë pensionistë dhe qindra të papunë, nga prostitucioni, nga emigrimi, nga grabitja e pasurisë kombëtare, nga sistemi juridik i pamoralshëm dhe pa ndjenjë qytetare, nga rrogat e vogla dhe çmimet e larta, nga ryshfetet, nga vrasjet prapa shpine, nga hakmarrja, nga heqja prej pune të kundërshtarëve politikë apo të atyre që kanë një botkuptim të ndryshëm nga botkuptimi zyrtar. Është lodhur Shqipëria nga shkeljet e ligjeve, nga trillimi i dekreteve dhe ligjeve, sipas oreksit të pushtetarëve. Është drobitur nga tensionet politike të përhershme. Shqipëria e rrëzoi shtetin totalitar për të jetuar më mirë se c’jeton. Ne bëjmëm krahasime me të kaluarën dhe themi: “Tani kemi më shumë dhe jemi më të lirë”. Këtë asnjeri nuk e vë në dyshim. Por kishim mundësi të jetonim më mirë dhe më ndershëm, po të mos ishin të gjitha ato të këqija që përmenda më lart. Një forcë e re politike që do të vijë në pushtet, është fjala për PS dhe opozitën, do të qeverisë patjetër më mirë. Janë përralla në diell  ato të propagandës banale të PD, se po të vijnë socialistët në pushtet, do të bëjnë shtetëzime dhe do të ngrenë kooperativa bujqësore, duke tufëzuar bagëtinë. Unë besoj se edhe vetë lopët dhe dhitë qeshin nëpër fshatra me propagandën e cjepërve të PD dhe thonë : “O cjepër të PD, na lini rehat të kullosim!”. Në ekonominë e tregut lopët janë më të mençme se sa disa agjitatorë dhe gazetarë të PD. Dhe po ta dinin lopët se qumështin e tyre e pijnë edhe këta gazetarë e agjitatorë, me siguri do të bënin grevë uie…

-Flitet se brenda PS kanë filluar që tani zërat për ndarjen e posteve në qeverinë e ardhshme. Cili mund të jetë “maketi” i një qeverie “hije” socialiste apo me bashkëpunim?

-Termi “qeveri hije” u shkon pucistëve dhe komplotistëve, fjala vjen Pinocetit, Mubutit, Aminit. Ata ndërtonin “qeveri hije” dhe bëni puce, sic ka ndodhur në Amerikën Latine, në Afrikë, apo në vitet 60 në Greqi me kolonelët e zinj. Në shoqërinë pluraliste, ku jetojmë ne, në prag të zgjedhjeve për në Kuvendin Popullor, cdo parti që ka shpresë të fitojë paramendon edhe antarë të qeverisë së ardhme, ashtu sic paramendoi deputetët. Paramendimit të deputetëve nuk mund t’i thuash “deputet hije”. Një parti serioze ashtu sic mendon për programin dhe platformën elektorale, mendon edhe për qeverisjen. Kështu që qeveria jonë nuk është “hije” por është reale dhe e prekshme, është trup fizik.  Ne atë e kemi projektuar që në paraqitjen e 115 kandidatëve për deputet, që janë ekonomistë, juristë, inxhinierë, mjekë, shkrimtarë, gazetarë, fizikantë, matematicienë. E marrim më të zotin nga këta, – e bëjmë Kryeministër, ministër, kryetar të Shikut, kryetar të kontrollit, rektor të Universitetit. Ne nuk jemi aq budallenj  sa të mos mendojmë se cfarë do të bëjmë nesër. Pastaj ne nuk kemi vetëm hambarin e deputetëve nga do të dalin thasët e ministrave. Po ata që zoti Berisha i quajti genocidistë dhe i hoqi me ligjin e firmosur prej tij, i hoqi nga lista e deputetëve? Të paktën nja dhjetë nga ata do të bëhen ministra, pasi ligjin antikushtetues të ashtuquajtur antigenocid, ne do ta shfuqizojmë që ditën e parë të mbledhjes së Parlamentit. Sa për “zërat” për ndarjen e posteve në qeverinë e ardhshme, këto janë zëra që hyjnë në folklor. Në Shqipëri ka shumë mbledhës folklori që hulumtojnë vecanërisht këngë të trilluara, jo të vërteta. Në PS ju siguroj se nuk ka asnjë fërkim për ndarje postesh. Kujt nga socialistët do t’i mbetej qejfi, fjala vjen, po të bëhej Shkëlqim Cani Ministër i Financave? Askujt! Sikur unë të lajthitja dhe të pranoja të bëhesha Ministër i Kulturës, kush do të më kundërshtonte? Askush! Pra, në PS ka figura të atilla, që nuk kundërshtohen. Pastaj në PS ka një moral tjetër jashtë karrierizmit. Them në përgjithësi pasi raste të karrierizmit duhet të ketë. Jemi njerëz që mbartim mbi shpinë të djeshmen dhe të sotmen, të mirat dhe të këqijat. Për mua qeverisja më e mirë është në koalicion me disa forca politike. Vetëm atëherë do t’i vijë qetësia, përparimi dhe qytetërimi Shqipërisë.

-C’do të thotë për PS një vizitë në Amerikë para zgjedhjeve?

-Kavajën dhe Amerikën PD i quan si dy çifligjet e saj. Po të shkojnë socialistët në Kavajë dhe Amerikë, PD tërbohet, mbulohet nga sikleti në djersë, fillon e kruhet dhe i hipin xhindet. Nga vizita e delegacionit të PS në Amerikë, PD ende nuk e ka zënë gjumi, sepse është një parti me mentalitet provincial: atje ku shkon vetë, nuk duhet të shkojnë të tjerët. Amerika ka shumë gradacela. Një gradacelë me 100 e ca metra lartësi, mund t’i fut brenda të gjithë anëtarët e PD, PS, PR, AD, PDNJ, PDD, bashkë me shoqatat e antikomunistëve, të vllehëve, të arixhinjve, të jevgjitëve, të artistëve e me radhë. Vetëm një kat i kësaj gradaceleje i mbledh të gjitha kryesitë e këtyre partive. Kështu që nuk ka pse të bëhet xheloze PD. Doemos vizita e delegacionit të PS në Amerikë në prag të zgjedhjeve ishte një gjë e mirë. Amerikanëve u interesojnë marrëdhëniet e ngrohta me Shqipërinë, u intereson stabiliteti në Ballkan dhe në Mesdhe, u intereson përparimi dhe demokracia në vendin tonë, pa e djathta a e majta të vijë në pushtet, aq u bën. Ndërsa në opinionin provincial vizita e delegacionit të PS në Amerikë hoqi një perde të rreme se gjoja socialistët nuk i duan Shtetet e Bashkuara, ashtu sic u hoq kjo perde edhe në Kongresin e Dytë të PS, kur erdhën 22 delegacione të huaja nga Evropa dhe Ballkani, madje edhe nga Izraeli. Atëherë ra edhe slogani: “Nuk i do nj’ajo Evropë, nji kta socialistët, o hej!”.

– Nga figurat e djegura të PS, shumë pak prej tyre ju kthye e drejta e kandidimit. Sa mendoni do të ndikojnë “provokimet” dhe “lojërat” e PD në thithjen e elektoratit tuaj?

-E drejta për t’u kandiduar ju kthye 5 kandidatëve, mes të cilëve, Shaqir Vukajt, Ndre Legisit, Spartak Brahos, Vladimir Metanit dhe Zamira Cakes. Por mund t’u kthehej të gjithëve po të kishte objektivitet në drejtësinë tonë. Eleminimin e disa figurave nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe marifete të tjera ju me të drejtë i quani “provokime” dhe “lojëra” të PD. Por për çudi këto “provokime” dhe “Lojëra” e kanë afruar dhe shtuar elektoratin tonë.  Njerëzit e shohin me sytë e tyre se sa e pacipë, se sa hileqare dhe se sa sadiste është elita e partisë në pushtet dhe thonë: “për inat të kësaj nuk do ta japim votën”. Kjo ka gjykatat në dorë,  RTV në dorë, Shikun në dorë, policinë në dorë, paratë në dorë, na dashka edhe votat”. Sa më shumë “provokime” dhe “lojëra” të bëjë PD, aq më tepër shtohet elektorati i PS dhe i opozitës.  Elita e PD hoqi 78 përqind të deputetëve të mëparshëm të saj, jo pastaj të kursente të tjerët. Ajo shkurtoi një radhë politikanësh të rinj që në këto 4 vjet e mësuan politikën në shkollën e Parlamentit, fituan një përvojë në diskutime dhe debate, filluan të flasin me gjuhën e profesionistit. Edhe politikani ka profesion, si ekonomisti dhe inxhinieri. PD e shkatërroi universitetin 4-vjecar të Parlamentit, nga dolën politikanët e rinj, duke mësuar profesionin politik.  Është një lloj si të shkatërrosh ekonomistët! Nuk i shikon populli këto bëma të PD? Atëherë si mund t’ja japë asaj votën? Por, që t’i kënaqë disa, i ka futur në listën proporcionale në vendin e 70, 80, 105! Dale se na mbushe mendjen!… Me marifetet e Berishës për t’i hequr nga parlamenti i ardhshëm figurat e rëndësishme elektorati socialist nuk pakësohet, por sic thashë,shtohet për t’i vënë në vend këto figura dhe për ta mbrojtur nderin e tyre. Kjo do të jetë “hakmarrja” e madhe e elektoratit kundër Berishës. Socialistët nuk e rritin vlerën e kandidatëve për deputet si PD, që kur i prezanton në popull kandidatët e saj dy merita ju cilëson: “është familje antikomuniste dhe zotëron gjuhë të huaja”. Këto dy merita theksohen aq shumë, sa theksimi kthehet në komedi absurde, sic ndodhi në Kukës me prezantimin e Maxhun Pekës nga PD, që në regjimin socialist ka qenë diplomat e ambasador në disa vende: në Vietnam, në Algjeri, në Francë dhe drejtor në Ministrinë e Jashtme. Ndërsa prezantuesi thoshte : “Ka lindur nga një familje antikomuniste”.

-Në këto zgjedhje kanë kandiduar shumë gazetarë, ndërmjet të cilëve edhe drejtuesit e “Koha Jonë”, N.Lesi dhe A.Frangaj. Si do ta prisnit fitoren e tyre?

-Në vitet e pluralizmit, vecanërisht këto 4 vitet e fundit, gazetarët janë shquar si figura shoqërore e politike, ndoshta më shumë se cdo individ tjetër në sferat e jetës së vendit.  Ata edhe pa qenë në politikë e kanë marrë emrin “deputet” të një parlamenti mbarëkombëtar jashtë mureve të Parlamentit. Prandaj ata e meritojnë plotësisht të zgjidhen direkt nga populli si përfaqësues të tij në Kuvendin Popullor, sepse do të dinë t’i mbrojnë interesat e tij edhe verbalisht në tribunën e Parlamentit, edhe me anë të shtypit.  Dy ndër këto figura të rëndësishme të publicistikës që janë zgjedhur për kandidatë, N.Lesi dhe A.Frangaj, plotësojmë “qemerin” e plotë të godinës së parlamentit të ardhshëm. Mendoj se ata do të zgjidhen patjetër deputetë.

-Ju si socialist, sikur të ishit në zonën e tyre, a do t’ua jepnit votën?

-Edhe pse socialist, unë me gjithë qejf do të votoja për Lesin dhe Frangaj, sepse ata kanë mbrojtur me kurajo civile dhe mundime të mëdha të drejtat e njerëzve, edhe pse janë goditur shumë nga organizmat shtetërore, megjithatë unë kam besim se lezhjanët do të votojnë për ta.

-A mendoni se do t’i mungoni jetës politike, apo më shumë ju meriton fusha e letrave?

-C’do të thotë t’i mungosh jetës politike? Ne me jetën politike jetojmë përditë. I mungon jetës politike vetëm kur vdes. Ju mund të thoni se do t’i mungoj jetës së parlamentit, por jo jetës së politikës. Po kjo intervista që po bëjmë ne të dy nuk është politike? Po në një roman ku zihen apo luftojnë dy personazhe për një cështje morale apo kombëtare nuk është politike? Politikë nuk është vetëm parlamenti. Madje jashtë parlamentit mund të bësh ndonjëherë politikë shumë më të madhe dhe shumë më të ndershme. Unë njoh parlamentarë që në 4 vjet nuk kanë folur asnjëherë. E cfarë politike paska bërë ky? Për mua nuk bëhet fjalë jashtë apo brenda politikës. Unë jam gjithmonë brenda kësaj kalaje. Ai që thotë se nuk merret me politikë shpreh katër të këqija: është frikacak, është sahanlëpirës, është ambjentues, me statuskuonë dhe është gënjeshtar. Është frikacak, pasi nuk ka qejf t’i hapë  vetes telashe me administratën shtetërore. Është sahanlëpirës, pasi do të rrijë indiferent për të përfituar nga shteti. Është ambjentues me statukuonë, pasi nuk dëshiron transformime; ha një copë bukë dhe mirë shkon cdo gjë. Është gënjeshtar, pasi merret me politikë të fshehur, ose është përkrahës i pushtetit dhe këtë nuk e quan politikë. Ky politikë quan kundërshtimin. Shkruan artikull në “RD”, shan njërin apo tjetrin, flet kundër shkrimtarëve socialistë dhe thotë : “Nuk merrem me pollitikë”…

Intervistoi Jonila Godole

SHKARKO APP