Dritëro Agolli flet për “Koha Jonë” Opozita, tradhtare e revolucionit demokratik

(Botuar me 23 Maj 1997 në KOHA JONE)

Dritëro Agolli flet për “Koha Jonë”: Opozita, tradhtare e revolucionit demokratik

Agolli në këtë intervistë jashtë letërsisë, shfaq opinionin personal për shumëçka ndodh së fundi në Shqipëri. Nuk është dakord me Nanon, kur e trajton popullin si zborist. Qeveria e Pajtimit Kombëtar i duket teatrale dhe e përdorur nga Berisha në vend të kleçkës që pastron dhëmbët. Fino, si politikani më i mirë i këtyre muajve, kur të mos jetë më kryetar qeverie, mund të bëhet kryetar partie. Komitetet popullore i kujtojnë Rilindjen dhe Luftën Nacionalçlirimtare. Ndërsa për Berishën, Agolli mendon se për t’u hakmarrë ndaj varfërisë së fëmijërisë së tij, ka vendosur të sundojë përjetësisht. Duke qenë se është politikani më energjik i Ballkanit, po të ishte socialist do i mundësonte PS-së pushtet 75-vjeçar. Kur Sali Berisha të bjerë nga froni, 8 milionë shqiptarë do ta dënojnë më shumë se çdo tjetër diktator dhe vetëm atëherë Shqipërisë do i buzëqeshë paqja. 

Si po e përjetoni mbylljen në shtëpi pas orës 21 të mbrëmjes?

Kjo gjendje në Shqipëri nuk më dëshpëron, as alarmon, përkundrazi më bën optimist, pasi mendoj se më në fund populli im u ngrit dhe ia theu hundët Sali Berishës e pushtetit të tij. Ky popull që bëri një revolucion demokratik, tregoi se kërkon një demokraci të drejtë, aq sa lejojnë demokracitë borgjeze. Dhe unë, brenda kësaj atmosfere të të revoltuarve e ndjej veten më mirë se në kohën e Sudes dhe të Meksit. Pastaj, kjo situatë nuk më duket as mbyllje, as gjendje e jashtëzakonshme e vërtetë, përderisa Sali Berisha dhe Leka Zogu po bëjnë fushatë elektorale. Në ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme thuhet se ndalohen të takohen dhe të rijnë bashkë më shumë se katër veta. Ndërsa Sali Berisha, që ka firmosur këtë ligj, takohet dhe rri me disa qindra veta. Prandaj unë këtë gjendjen e jashtëzakonshme e marr si shaka dhe dal ndonjëherë në mes të natës për ndonjë shëtitje para pallatit tim atje te gropa e Hajdinit, ku këndojnë bretkosat.

Fatos Nano i quajti krismat (në emisionin Pinoku, pas një “shakaje” të Gad Larner) dëshirë e shqiptarëve për të kujtuar ditët e zborit. Ju do kishit një tjetër definicion?

Ma merr mendja se Fatos Nano nuk ka qenë ndonjëherë nëpër zbore, pasi ai ka pasur një punë të tillë, që nuk e besoj ta detyronin të bënte stërvitje me armë. Madje, mendoj që edhe kur ka qenë student nuk ka kapur ndonjë lloz pushke me dorë. Prandaj, ato që thotë për zboret tingëllojnë pak artificiale në gojën e tij. Ai duhet ta dijë mirë se në zboret e atëhershme nuk mund të qëlloje me llastike dhe jo pastaj me pushkë! Edhe stërvitjet bëheshin me pushkë druri. Nga i paska dëgjuar ky Fatosi, këto të shtënat e zborit? Apo, bjeri t’i biem komunizmit, se kjo na shpëton, siç e shpëtoi Sali Berishën. Kryetarit të një Partie të madhe, siç është Partia Socialiste, një shaka e tillë pa kripë dhe banale, që përputhet me mendimet e Sali Berishës nuk i ka hije. Mbase Fatos Nano vuan nga dëshira, si shumë intelektualë për të shprehur sentenca politiko-filozotike nën shembullin e politikanëve të mëdhenj, Abraham Linkolni, Çurçilli, Kenedi e ndonjë tjetri… Ndërsa unë mendoj ndryshe. Me këto krisma, që filluan në Vlorë, askush nuk duhet të qeshë. Ato janë krismat e lirisë, krismat për ta bërë zap Sali Berishën dhe për t’i treguar atij se sovran është populli. Sali Berisha popullin e quan sovran kur kërcet duart, por kur kërcet pushkët ai e quan bandit. Ndërsa Fatos Nano, pak më ndryshe se Sali Berisha, popullin e quan zborist. Kush qesh popullin, qan veten…

Qeveria e Pajtimit Kombëtar, kë ka arritur të pajtojë deri tani?

Qeveria e Pajtimit Kombëtar deri tani nuk ka arritur të pajtojë as dy shtëpi që kanë grindje me njëra-tjetrën dhe jo pastaj një popull të tërë. Për aq kohë sa sundon Sali Berisha, gjithë këto qeverira me lloj-lloj emrash nuk vlejnë asnjë qindarkë. Ato Berisha i përdor si kleçka për të pastruar dhëmbët, veçanërisht, kur ha mish. Sali Berisha kërkon që Qeveria e Pajtimit Kombëtar me Bashkim Finon në krye t’i vendosë atij qetësinë, t’ia rregullojë tavolinat në lulishte, t’i sigurojë Fanta e Coca-Cola, t’i gjejë ndonjë buqetë me lule dhe pse jo, ndonjë shportë me qershi, pasi në qershor është kulmi i pjekjes së qershive. Deri tani Bashkim Finos i ka mbetur vetëm një kompetencë, lëvizja e karriges së tij nga një qoshe në tjetrën, ndërsa Qeveria e Pajtimit Kombëtar ngelet të jetë një qeveri teatrale, e cila na zbavit në këtë kohë të mërzitshme. Të kuptohemi, unë kam shumë respekt për Bashkim Finon dhe e quaj politikanin e drejtuesin më të mirë dalë kohët e fundit në horizontin e politikës shqiptare. Me njerëz si Finoja çdo parti mund të mburret. Nëse nesër, ai nuk ka për të qenë kryetar qeverie, e meriton të jetë kryetar partie.

Komitetet e shpëtimit të jenë, a të mos jenë? Ju kujtojnë ndonjë emër të ngjashëm në histori?

Komitetet e shpëtimit verifikojnë dhe matin demokracinë. Këto komitete që simbolizojnë demokracinë më të drejtë në Shqipëri, jo vetëm duhet të ekzistojnë deri ditën e votimit, por dhe të marrin pjesë në numërimin e votave. Komitetet janë populli sovran. Komitetet e shpëtimit treguan: E para; As pushteti, as opozita nuk ishin në gjendje t’ia zgjidhnin popullit problemet ekonomike dhe politike. Atëherë populli tha: “Ju jeni të paaftë, të mykur e të vjetruar dhe unë do të përpiqem t’i zgjidh vetë problemet”. Krijoi kështu komitetet popullore në një kohë, kur nuk ekzistonte, as pushteti, as opozita në shumë rrethe të vendit, ne një kohë që nuk kishte as polici, as ushtri, as gjykata, as administratë. Këto komitete në Vlorë, në Tepelenë, në Gjirokastër, në Sarande, në Përmet e me radhë i dolën zot vendit dhe vunë rregull. Veç për një gjë të jemi të qartë, turbullirat e kohëve të fundit nëpër këto qytete i nxitën bandat e Sali Berishës, që të diskretitonin komitetet.

Duhet të dini se në Fjalorin e Gjuhës Shqipe është termi “komit” dhe “komitet”. Këta “komitët” dhe “komitetet” kanë qenë që në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe ishin kryengritësit. Më 1913 në Luftën Ballkanike u vra patrioti i madh Gani Butka. Atëherë i kënduan këtë këngë: E, ka dy-tre vjet, o Gano, që bën komitet, Medet, o Gano medet!… Fjala “komitet” në këto vargje është shkruar 82 vjet më parë. Kështu që, mua këto komitete më kujtojnë edhe Rilindjen edhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. E dyta; Komitetet e shpëtimit treguan se edhe pushteti, edhe opozita nuk kanë besim tek populli, por kërkojnë ushtritë e huaja për të vendosur qetësinë. Pushteti dhe opozita, duke thirrur ushtritë e huaja u rreshtuan kundër komiteteve dhe nuk u besuan atyre vendosjen e qetësisë. Me këtë, opozita, Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Aleanca Demokratike e ndonjë tjetër e tradhtuan lëvizjen e vërtetë demokratike, apo më mirë të themi revolucionin demokratik. Dhe pas kësaj tradhtie, si çdo tradhtar i lutet sundimtarit për të rregulluar ndonjë ligj, këto parti po i luten Sali Berishës për t’i vënë ndonjë mballomë ligjit elektoral, që të parakalojnë më 29 qershor duar plot e ballin lart. E treta; Komitetet e shpëtimit treguan sa falsive dhe të gënjeshtërta kanë qenë zgjedhjet e 26 majit të 1996 dhe zgjedhjet e tjera, kur asnjë deputet i këtyre krahinave nuk guxoi t’u afrohej, të bisedonte dhe të qante hallet. Të vinte për vjellë, duke parë në Kuvendin Popullor, deputetët e Vlorës, Tepelenës e Sarandës tek flisnin për hallet e popullit. Këta deputetë të majmë e të pacipë kishin edhe guximin të flisnin e të merrnin edhe poza në ekranin e televizorit, në vend që “të qanin me thes në kokë”, siç thoshte Naim Frashëri.

Cili është Berisha sipas jush?

Sali Berisha është një malësor me shkolle. Ai ka lexuar libra, ka shfletuar enciklopedira dhe ndonjë biografi të shkurtër të personaliteteve historike. Mban mend ndonjë thënie të tyre, por edhe ato i ngatërron e ia vesh si kau pelës, siç tha më 1994 për Naim Frashërin: “Ky laik i madh dhe ky bektashi i madh”. I ziu nuk e di, se po të jesh laik, nuk je bektashi! Kjo ndodh ngaqë mjaft gjëra i ka mësuar përmendësh falë vullnetit dhe smirës së tij për të kapërcyer nga malësor në qytetar. Etja për mësim është e mirë, por duke jetuar në fëmijëri me paditurinë, i izoluar mes maleve dhe duke pasur marrëdhënie më shumë me dhitë dhe dhëntë, sesa me kukullat e pinokët, ai, kur erdhi në kryeqytet, i vuri vetes detyrë të hakmerrej ndaj varfërisë së fëmijërisë së tij. Luftoi me mish e me shpirt. U bë mjek i dëgjuar. S’i mjaftoi kjo. Donte të kalonte në një linjë tjetër, në linjën e partisë. U bë sekretar partie. Donte akoma më shumë. Dhe mund te bëhej anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, por nuk u bë. Atëherë erdhi çasti i përmbysjeve të mëdha. Ajo që ai ëndërronte u bë realitet. U bë kryetar i PD-së dhe pastaj kryetar i shtetit. Si kryetar shteti ai bëri çudirat më të mëdha. Me parullat e tij antikomuniste në sheshe, në oborre, në kisha e në xhamira tundi vendin.

Nga thirrjet ngjirej dhe pinte vezë të shoqëruara me mollë. Shkulte flokët, kur shikonte se në ndonjë nga qytetet nuk e prisnin mirë. Thyente gotat, filxhanët dhe taburetkat e vogla, ku vihen tavllat e duhanit, kur humbte ndonjë fushatë si ajo e referendumit për Kushtetutën. Mblidhte agjentët e SHIK-ut, të Ministrisë së Brendshme dhe simpatizantët e PD-së dhe fshehurazi i udhëzonte se cilin duhej të rrihnin, të digjnin e të vrisnin dhe cilin duhej ta shtypnin me makinë. Thërriste tinëz njerëz që kishin të bënin me firmat “Gjallica”, “Vefa”, “Shqiponja”, е të tjera duke i udhëzuar që t’i kërcënonin deri në zhdukje të plotë, po të mos jepnin para për PD-në. Ftonte artistë në udhëtimet e tij, duke i detyruar të lidhnin në kokë një shami të kaltër me emblemën e PD-së e me fjalët “Vizion 2000″. I merrte për dore hoxhallarët, dervishët, baballarët dhe priftërinjtë në tribuna për t’u lutur për PD-në, siç ndodhi në referendumin për Kushtetutën, kur këta fetarë, që pretendojnë që janë jashtë politikës, i thanë se “zoti e ka bekue Kushtetutën”. Merrte vesh se bëhej synet ndonjë djalë i ndonjë pishtari të demokracisë dhe shkonte atje për të parë xherahun sesi ia pret lafshën djalit të pishtarit… Pastaj u bë komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Pastaj i iku ushtria. Pastaj dha urdhër të hapen depot e armëve. Pastaj u bë Shqipëria shoshë… Dhe tani Sali Berisha është njeriu me i paturpshëm që ka parë populli shqiptar, Ai, fjala vjen, nuk ka turp të thotë se ministri i mbrojtjes Safet Zhulali dhe guvernatori i Bankës Luníku ishin emëruar në këto poste nga socialistët. Ai nuk ka turp të thotë se ushtria ishte e socialistëve. Ai nuk ka turp të thotë se meqë ky njeri ka mbiemrin, fjala vjen, Agolli, është i vëllai i Dritëro Agollit, siç ia beri Fatmir Zanajt kur tha në miting në Fier se Zani i Vlorës është i vëllai socialistit Fatmir Zanaj. Është njeri që nuk njeh turpin, që nuk përfill nderin, që nuk respekton logjikën, që zhytet vetëm në absurdin e pafund. Niset tani për fushatë elektorale. Mbledh njerëz rreth qyteteve, nëpër fshatra. Nuk e nxjerr shaminë në xhepin e vogël të xhaketës dhe nuk e lidh kravatën. Ky njeri është presidenti më i çuditshëm dhe më absurdi që mund të ketë në këtë planet. Thonë se njeriu është i tmerrshëm kur ka tre pasione: dashurinë, bixhozin dhe sundimin. Sali Berisha ka pasion sundimin. Ai kërkon të sundojë. Do të bëjë të pamundurën të fitojë sërish në zgjedhjet që vijnë, sepse do të rrahë, do të vrasë, do te vjedhë. Të gjitha do t’i bëjë… Po nuk iku ai nga skena politike, Shqipëria kurrë nuk qetësohet. Ai duhet të largohet si shokët e tij afrikanë dhe amerikano-latinë Mobutu e Pinoçeti. Derisa të jetë Sali Berisha, komitetet e shpëtimit nuk duhet t’i hedhin armët.

A duhet dhe a do të ketë zgjedhje?

Zgjedhje duhet të ketë. Unë nuk besoj se zgjedhjet do të përmirësojnë demokracinë shqiptare, por megjithatë duhen. Veç me ligjin e miratuar në Kuvendin Popullor, sipas porosive të Sali Berishës, këto zgjedhje nuk ka pse të bëhen, pasi përfundimi do të jetë ai i 26 Majit të vitit të kaluar. Dhe opozita nuk ka pse të humbë kohë, duke bërë një fushatë të kotë. Nuk ka pse të rrihet kot së koti nga bandat e tij. Më mirë t’i thotë Sali Berishës: “Bëje vetë fushatën, zgjidh vetveten dhe tungjatjeta”!

Ku mbaron faji i Berishës dhe fillon i opozitës?

Opozita jonë është një opozitë qulle, është një axhem-pilaf, që edhe me këtë ligj të Sali Berishës, me ndonjë ndryshim të vogël, do të pranojë të shkojë në votime për të marrë nja dhjetë deputetë, pasi 130 do t’i marrë Sali Berisha. Opozita do të kënaqet edhe me dhjetë. Pastaj nga këta dhjetë nja katër do të pendohen dhe do të kalojnë nga ana e Sali Berishës. Dhe opozita do të mbetet me gjashtë. Vërtet gjashtë, por esencë Strasburgu! Duhet thënë më në fund se një situatë e tillë kaq e favorshme për fitoren e opozitës do të vijë në Shqipëri pas njëqind vjetësh. Edhe tre për qind të kishte Sali Berisha, nga kjo situatë do të fitonte 98 për qind të votave, pasi ai, thuaj si të duash, është nga politikanët më energjikë jo të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit. Ta kishin Sali Berishën socialistët, do ta mbanin pushtetin 75 vjet të plotë. Po më mirë që nuk e kanë!

Në ç’vit e parashikoni çudinë shqiptare; paqen, mirëkuptimin, zhvillimin?

Kryengritja kundër regjimit të Berishës tregoi se paqja në Shqipëri do të vijë shpejt. Por; unë mendoj se paqja e qëndrueshme në Shqipëri varet nga komitetet e shpëtimit kombëtar. Nëse këto komitete nuk do lejojnë që lëvizja për demokracinë e vërtetë të kthehet në kaos dhe anarki, atëherë paqja do të vijë më shpejt. As pushteti, as qeveria nuk mund ta sjellin paqen pa komitetet që janë të përhapur në gjithë Shqipërinë. Janë gjepura ato që thotë Sali Berisha se komitetet janë vetëm në Jug të Shqipërisë. Ai kështu do të thotë, sepse është një nga përçarësit më të mëdhenj të popullit shqiptar, që njeh historia deri më sot. Kur të rrëzohet ai nga froni do të mblidhen tetë milionë shqiptare për ta dënuar. Unë nuk e di sa do të jetë dënimi, por ma merr mendja se do të jetë më i madhi se i të gjithë diktatorëve që ka parë Shqipëria. Atëherë do të vijë paqja… Intervistoi: Rudina Xhunga

SHKARKO APP