Edi Rama: Albanese come Jim
(Botuar me 19 tetor 1996 në KOHA JONE)
Nga Edi Rama
Vetura u ndal në sheshin përpara pallatit të sportit “Pianella” të Kantusë. Ndërkohë që miku im po parkonte automjetin, unë vështroja anepërqark atij sheshi ku për dekada me radhë kishin zbarkuar kampionët më të mëdhenj të parketit e ku sportdashësit e zjarrtë të basketbollit kanturin kanë kremtuar sa e sa trofe të skuadrës së tyre legjendare. Qëkur s’mbahet mend, sheshi “Pianella”-s është bërë epiqendra e emocioneve të së shtunës së atij qyteti të vogël e të qetë, i cili ka gjetur te basketbolli dashurinë, krenarinë dhe ëndrrën e tij. Nga salla e lojës dëgjohej vetëm përplasja e rrallë e topit të portokalltë dhe tek-tuk britma e ndonjë lojtari apo bilbili i trajnerit të skuadrës së invalidëve të qytetit, e cila po stërvitej atë mëngjes për ndeshjen e ardhshme të kampionatit.
Miku im i mirë Alfredo Marson, menaxheri i skuadrës, që me pasionin e tij për të ndihmuar rehabilitimin e invalidëve sponsorizon jo vetëm skuadrën e tyre të basketbollit por edhe një qendër të madhe riaftësimi dhe integrimi social, më ftoi ta ndiqja atë stërvitje. Isha i pushtuar nga një kuriozitet i dyfishtë teksa hyja në atë sallë, jo vetëm sepse nuk kisha parë kurrë se si invalidë luanin basketboll duke bërë numra të hatashëm me topin e me karrocat e tyre por edhe sepse, qysh nga koha kur jepja edhe unë kontributin tim prej basketbollisti mediokër në parketin shqiptar, trashëgoj një interes të veçantë për jetën sportive, gjë që më bëri t’i përgjigjem me entuziazëm ftesës së Alfredos për të vizituar “Pianella”-n. Duke kaluar në korridorin e ngushtë midis ndenjëseve, u ndalëm për një çast përpara një burri, i cili rrinte ulur dhe ndiqte stërvitjen, “Ky është Edi, një mik nga Shqipëria”, i tha atij Alfredo duke më prezantuar me të.
Me siguri do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën time shprehja e veçantë e fytyrës së burrit të moshuar që m’u drejtua, “Albanese come Jim?!”, e që pastaj, pa pritur përgjigje, shtoi me njëfarë nostalgjie, “Era forte Jim, Fortissimo!”. Në çdo rast tjetër në dhe të huaj sigurisht që do të nxitoja të pyesja se për cilin Xhim bëhej fjalë, i bindur që bashkëfolësi mund të më merrte për bashkatdhetar të ndonjë hajduti apo kaçaku të mundshëm të një filmi western që quhej Xhim Albanezi por, vendi ku ndodheshim dhe mosha e thyer e tjetrit, i cili, i veshur me uniformë shërbimi dukej se punonte prej kohësh në atë sallë, nuk më lanë të nxitohem.
Sado e papritur, në mendjen e tij nuk kishte mbetur një fortissimo gangster albanese, siç do të ketë ndodhur rëndom, fjala vjen, me ruajtës të rendit publik italian, pronarë hotelesh, konduktorë trenash, shitës çikërrimash e prostituta të mashtruara keqas, ose edhe me filantropë, priftërinj apo organizata bamirësie, të cilët vitet e fundit kanë pasur papushim rastin të takohen me plot shqiptarë “të fortë” mbresëlënës. Për fatin tim të mirë, kësaj radhë nuk bëhej fjalë për ndonjërin syresh, shqiptari që i kishte mbetur në mend bashkëfolësit tim qe Agim Fagu!
Mjeshtri ynë i sportit më kishte krijuar mundësinë që, më në fund, dikush, diku larg Shqipërisë, të mos sforcohej për të përmbajtur rrudhjen e buzëve teksa dëgjonte shqiptimin e fjalës fatale “Albania”. U ndamë nga i moshuari dhe zumë vend ca më tej në ndenjëset e rehatshme të sallës, ndërkohë që Alfredo vazhdoi aty ku tjetri e kishte cekur bisedën. Dëgjoja zërin e mikut tim që më fliste për albumin historik të basketbollit në Kantu, ku ndër të tjera shkruhej edhe për njërën nga mrekullitë e Agim Fagut, “Viti 1968 … Tirana … Partizani-Oransoda e Kantusë 68-68, dhe, duke bredhur vështrimin nëpër fushë, përpiqesha të shihja me sytë e fantazisë sfidën e shqiptarit “të vogël” përballë murit gjigant të basketbollistëve italianë, midis të cilëve gjendej asokohe edhe ylli amerikan Mike Lyn.
E vështirë të jesh “Albanese come Jim”, sepse, për mua që e njoh nga afër, sfidat e atëhershme sportive të Agim Fagut nuk kanë gjë tjetër veçse shprehje të esencës së Gimit si njeri, e vështirë t’i përgjigjesh pozitivisht asaj pyetjeje, aq më tepër kur, sot e gjithë ditën, e sheh nga afër “Jim” -in që nuk pranon të humbasë” përpara askujt dhe për asgjë. E gjithë jeta e tij është një vrapim në vijë të drejtë që nuk njeh pengesë, alternim dhe aq më pak shtrembërim.
Në kohën kur aftësitë e tij i kishin stërkaluar kufijtë e Shqipërisë, në kohën kur nuk kishte asnjë parket të Evropës ku të shkelte pa lënë gjurmë, në kohën kur klubet e elitës evropiane të basketbollit do të donin ta kishin mes tyre, ai, “il fortissimo Jim”, i nënshtrohej një stërvitjeje të pabesueshme në kushte që nuk do t’i pranonte qoftë edhe për një ditë as më mediokri i sportistëve evropianë, pranonte në heshtje ironinë e hidhur të fatit që në vend të një jete përrallore i varte në qafë medaljet e prodhuara nga artistikja “Migjeni”, shtrëngonte dhëmbët duke përsosur talentin e tij në terrenet e mbuluara me qymyrin e zi të skëterrës së komunizmit real dhe duke i lënë trashëgim mitin e pathyeshmërisë skuadrës së tij gjithmonë kampione.
Në kohën kur pakkush do të guxonte ta bënte, Agim Fagu reagoi publikisht ndaj miqësisë së përjetshme shqiptaro-kineze, në kohën kur pakkush do të guxonte ta mendonte, kapiteni fitimtar i ekipit kombëtar të Shqipërisë sfidoi arrogancën hakmarrëse të oficerëve prepotente të Ministrisë së Mbrojtjes duke e braktisur në mes ëndrrën e rinisë së tij për arsye bindjesh morale dhe duke u larguar përgjithnjë nga fusha e basketbollit për të mbetur një idhull i pazëvendësueshëm në zemrat e dashamirësve të tij të panumërt.
Largqoftë që në këto kohëra të mbushura me vërtetime persekucioni dhe me dëmshpërblime morale dhe jo vetëm morale, ndonjë lexues dashamirës i keqkuptuar apo ndonjë lëçitës dashakeq kujton që, megjithë sa shkrova, dëshiroj ta nxjerr Agim Fagun të persekutuar! Përmes këtyre radhëve desha vetëm të tregoj për një çast të jetuar bukur larg atdheut, një çast që përmes legjendës së “Jim” -it më bind edhe njëherë se atdheun e bëjnë njerëzit.