Edi Rama: Ismail Kadare nuk e ka kaluar ndonjëherë pozën e shtirur intelektuale

(Botuar me 7 Maj 1996 në KOHA JONE)

-Intervistë me Edi Ramën-

Kohët e fundit Presidenti Berisha, në kërkim të aleatëve për zgjedhjet e reja, i ndau shqiptarët në aleatë të demokracisë nga njëra anë dhe në aleatë të frontit të kuq nga ana tjetër dhe bëri apel për të ndaluar kthimin e komunizmit në Shqipëri. Si e gjykoni këtë dhe në cilin krah e ndjeni veten sot, një muaj përpara zgjedhjeve?

Apeli i Presidentit më kujton apelet që na lëshonte në zbor, që pa gdhirë, një Osman-Osman, komandanti i bazës ushtarake të Mamurrasit, i cili për çdo mëngjes na bënte thirrje me një altoparlant shurdhues që të bënim aleancë të fortë për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga armiku i jashtëm. Të kishe një komandant si Osmani në kohën kur mijëra Osmanë klithnin në altoparlantin e propagandës komuniste, midis tyre edhe Presidenti i sotëm Sali Berisha, kjo ishte asokohe në logjikën e mbrapshtë të gjërave. Sipas asaj logjike, komandant Osmani ushqente kalamajtë e tij duke bërë sikur Shqipërinë mund ta merrte turku e t’i vinte zjarr e duke klithur nëpër kodrat e rreshkura të Mamurrasit “shqiptar mos rri po duku shqiptar!” Ama të kesh një President të zgjedhur me votën e lirë si Sali Berisha që shuan etjen e tij të pasosur për pushtet duke dashur të jetë njëkohësisht edhe kreu i shtetit ku e vunë shqiptarët, edhe kreu i gjykatave ku e ka vënë vetë veten, edhe kreu i policisë ku e shtyn zakoni i vjetër i sekretarit të organizatës bazë të partisë së punës, edhe kreu i Radio Televizionit ku e nxit pasioni fëminor për të dalë përnatë në televizor, edhe kreu i partisë së re ku aderoi me teserën e të vjetrës në xhep, edhe kreu i shkallës ku banon në kërkim të dimensionit njerëzor, pra, shkurt një president që e përbuz sistematikisht misionin e tij madhor të rojtarit të Kushtetutës duke u bërë shkelësi shembullor i saj tamam në kohën kur Shqipëria kërkon një identitet evropian, do të thotë që de facto të mos kesh as shtet që funksionon e as president që garanton funksionimin e tij. Shteti i sotëm shqiptar është një klan anarko-stalinist që nuk ka se si të gëzojë respektin real të kurrkujt me dy mend në kokë, as në Shqipërinë e vogël ku jetojmë e aq më pak në Evropën e madhe ku duam të integrohemi, ndërsa presidenti Berisha është as më shumë e as më pak sesa kumbari i këtij klani, një subjekt me aktivitet të zgjeruar jashtë çdo kontrolli e autokontrolli. I bindur rrethe përqark me verbërinë e ca kokave të ndryshkura në oborrin e uzinës së komunizmit dhe i armatosur me këmbënguljen karakteristike të diletantit, ky kumbar që shquhet mbi të gjitha për moszotërimin e gjuhës amtare, nuk dyshon asnjë sekondë se mund t’i hapë luftë jo vetëm sistemit të sofistikuar filozofik të Karl Marksit por edhe ritmit të kohës që e ka lënë mbrapa kaherë. E kur këmbëngulja tek e veta e këtij presidenti të njëanshëm degjeneron deri në një apel të përnjëmendtë me synimin që të mbledhë rreth vetes ca shqiptarë kundër ca shqiptarëve të tjerë, atëherë do të thotë liri dhe të drejta të rrezikuara për të gjithë ata që nuk i përgjigjen apelit, apo që, ca më keq akoma, dalin haptas kundër tij. Në këto 4 vjet, Sali Berisha dhe partia e tij kanë vepruar dukshëm në disfavor të idealit të një Shqipërie Evropiane. Me politikën e tyre arbitrare e të çoroditur ata e kanë minuar rrezikshëm terrenin rrëshqitës të tranzicionit duke hapur nga të katër anët precedentë antidemokratikë. Imagjinata ime nuk më ndihmon të kuptoj se çfarë mund të ndodhi në pragun e finishit të mandatit të tyre, sepse, në fjalët që thonë dhe në veprimet që kryejnë, nuk më ngjan se ndihet as vullneti më i vogël për ta pranuar humbjen e sigurt që i pret e për ta dorëzuar pushtetin paqësisht si rezultat i verdiktit të zgjedhjeve. Në qofshin vërtet të lira dhe të respektuara si të tilla zgjedhjet që kemi në prag do të jenë guri më i rëndë në themelet e një shteti demokratik shqiptar, i cili do të kalonte një provë shumë serioze duke afirmuar si mekanizëm të funksionimit të vet sistemin e alternativave politike që shkëmbejnë vendet në bazë të vullnetit të shtetasve, shprehur përmes votës së lirë. Ndërsa në të kundërt, pra në rastin që klani në fuqi do të kërkojë ta dhunojë vullnetin e popullit me manipulime e grabitje të votave, atëherë këto zgjedhje do të jenë pa asnjë dyshim precedenti më i rrezikshëm antidemokratik që ky klan plot vese të trashëguara nga e kaluara i hap të ardhmes së afërt të Shqipërisë.  Në çfarë krahu e ndjej veten?! Padyshim në krah të kundërt me Sali Berishën dhe me të gjithë ata që e ndjekin pas.

Pra Edi Rama rreshtohet me frontin e kuq?!

Nëse të jesh kundër Sali Berishës dhe klanit të tij do të thotë të rreshtohesh me frontin e kuq, atëherë përgjigja ime është e prerë: Po! Por nuk më duket se gjërat qëndrojnë tamam kështu, sepse duke mos qenë një viktimë e marksizmit autokton apo si i thonë e enverizmit, siç është Sali Berisha dhe ata që e ndjekin pas, unë nuk jam aspak i prirë t’i ndaj njerëzit në pishtar të demokracisë dhe në zjarrfikës të saj. Termi “fronti i kuq” është një nga ato fantazma që barku i pashtershëm i enverizmit vazhdon të pjellë edhe pas vdekjes së diktatorit në historinë e mendimit politik shqiptar, është një term që tenton të përmbledhë e të përjashtojë me forcë nga jeta aktive grupe të mëdha shqiptarësh, vetëm e vetëm sepse nuk aderojnë në projektin për diskriminimin e mendimit alternativ të ndërmarrë nga Partia Demokratike dhe nga kryetari i saj. Si për një ironi të hidhur të fatit, 6 vjet pasi inicioi lëvizjen për përmbysjen e komunizmit, pjesa më e emancipuar e rinisë shqiptare gjendet sot peng në kufijtë e mendjes së ngushtë të ca komunistëve të ricikluar dhe të lakenjve të tyre jo të pakët, dalë nga shpellat apo skutat e diktaturës. Për të gjithë ata të rinj të cilët përpiqen sinqerisht dhe seriozisht të identifikohen si qytetarë të Evropës në një Shqipëri Evropiane, Atdheu që ju ofron politika e Partisë Demokratike është një korridor gjithnjë e më i ngushtë konvikti, pa ajrosje, pa ujë e pa drita, ku të përvëlohen sytë nga tymi i bishtukëve të demokracisë, ku të shurdhohen veshët nga zhurma e daulleve dhe çiftelive të propagandës zyrtare, ku të shpohen hundët nga era e haleve të palara të diktaturës, ku të mpihen shqisat e të veniten dëshirat. Nuk mund të ketë një të dytë shtet shqiptar të dalë nga zgjedhje të lira që t’i ngjajë kaq shumë sa ky i sotmi diktaturës në sjelljen brutale karshi të vërtetës në diskriminimin total të mendimit alternativ, në terrorizmin e fjalës së lirë, në manipulimin e paskrupullt të informacionit dhe të fakteve; nuk mund të ketë një të dytë administratë shqiptare të një shteti të prezumuar si demokratik që ta konkurrojë sa kjo administrata e sotme vetë diktaturën në sjelljen arrogante karshi frymës së përparimit, në pozimin e pareshtur të injorancës në vend të argumentit, në ngritjen në piedestal të provincializmit dhe të antikulturës;  nuk mund të ketë një të dytë politikë të një Shqipërie të lirë ku të stimulohet më verbërisht se sa përmes politikës së sotme tek ne vesi i vjetër shqiptar i agresionit ndaj së bukurës, ku në 4 vjet të refuzohet me shqelma vdekjeprurës çdo koncept i ri i organizimit të qytetit të jetës sociale e kulturore të tij, ku të bubërrojnë tejembanë krijesat më monstruoze të përdhunimit estetik, ku pluhuri dhe gropat të shtohen përditë nga të katër anët e ku kafsha e porsazbritur nga mali të kafshojë pa kurrfarë gajleje në mes të rrugës së këmbësorëve, cilëndo vajzë me hire që ja ngre përpjetë leshtë e palarë… Rrallëherë mund të ndodhin në historinë e një vendi përplasjet që ndodhin pareshtur në Shqipëri midis interesave të përjetshme të kombit dhe interesave fare të përkohshme të klanit drejtues, i cili porsa merr fuqinë e trajton tokën amtare si të ishte një banket i shtruar prej një ambasadori të huaj, ku gjithçka të zë syri, kryesisht pemë dhe bar, pa llogaritur vezët, qafët, kofshët e gjokset e pjekura të shpezëve, të bagëtive të imta e të trasha bashkë, përfshirë edhe llapën e veshit të ndonjë kolegu bashkëpërtypës gjendur pranë, u dashka magazinuar me ngut në një stomak që nuk thotë kurrë jo dhe që e sfidon sistematikisht rrezikun potencial të pëlcitjes përfundimtare. Kur rastësisht e mori vesh se isha shqiptar, një stjuardesë që kishte pasur fatin t’i shërbejë delegacionit të Ministrisë sonë të Mbrojtjes, teksa me Ministrin në krye, ky fluturonte për kushedi se në ç’pikë strategjike të globit, më tregoi me një të përmbajtur gazi se si feldmareshalët shqiptarë e kishin mbyllur sillën e shërbyer prej shoqërisë ajrore duke gëlltitur edhe pecetat freskuese, të cilat serviren për të pastruar buzët dhe duart. Sa për të sjellë këtu njërin ndër shumë shembujt e shëmtimit moral, do të dëshiroja të bëja pyetjen:  A ka më turp se sa fakti që as shoqata e ish të burgosurve politikë, as ato dy a tri lidhjet e shkrimtarëve që ekzistojnë, as ndonjë forum intelektual apo grup intelektualësh “të pavarur”, pra asnjë organizatë apo subjekt i prononcuar si përkrahës i proceseve demokratike, pavarësisht nga egërsia apo bindjet e diskutueshme antikomuniste, nuk e ngriti kurrë zërin për burgimin politik të Fatos Nanos? Turp! Një mijë herë turp për të gjithë “përkrahësit pa parti” të këtyre proceseve të shumëpritura! Mjaft të jesh kundërshtar politik i partisë në pushtet që ne, ish të burgosur politik nën një regjim despotik, lidhje shkrimtarësh, intelektualësh apo çfarë dreqin jeni, të të lënë të vdesësh në burg për motive të ulëta politike! Dhe ku?! Në kushtet e një regjimi të ardhur në fuqi me votën e lirë të popullit! Pra, duke ju rikthyer pak më lart, më ha mendja se përveç njerëzve të lidhur apo më mirë të përlyer me korrupsionin politik, ekonomik dhe moral të pushtetit të demokratëve, përfshirë këtu edhe ca menderë intelektualë që ushqejnë fëmijët e tyre me bukën e hidhur të gënjeshtrës, fare pak mbeten ata që besojnë sinqerisht në marrëzinë e frontit të kuq. Kundërshtarët politikë të Berishës janë të majtët e Nanos, e këtu ka padyshim edhe një tufë “të kuqsh” që gjithsesi nuk përbëjnë shumicën në Partinë Socialiste, centristët e Cekës si edhe të djathtët e Kalakulës. Midis tyre ka nuanca të mjafta dalluese edhe pse në këtë moment ata të gjithë i bashkon aversioni patologjik ndaj politikës antikomuniste të komunistit Sali Berisha. Por mos harroni se Presidenti Berisha ka përballë sot një formacion të madh kundërshtarësh natyralë që i tejkalon kufijtë e formacioneve politike, një formacion të madh njerëzish të arsyeshëm e të etur për drejtësi, i cili shtrihet gjer edhe brenda Partisë Demokratike, në kërkim të një ripërtëritje morale të kombit shqiptar, larg politikës autoritare të numrit një, larg fantazmave të së kaluarës dhe praktikave totalitare, larg zërit të sirenave të patriarkalizmit. Siç e shihni ka boll hapësirë të pakontaminuar nga ngjyra e kuqe për t’u pozicionuar kundër Berishës.

Të ndalemi pak te të majtët e Nanos dhe te “të kuqtë” brenda formacionit të tij. A shpresoni se në rast fitoreje kryetari Nano do të mund të ndahej nga kjo tufë e frikshme?

Së pari, uroj sinqerisht që pas këtyre zgjedhjeve Fatos Nano të dalë më në fund nga qerthulli i absurditetit ku e ka izoluar me zinxhirët e arrogancës shtetërore lufta e verbër politike e Berishës, i cili ka nxitur kundër kryetarit të opozitës personalisht dhe opozitës në përgjithësi të gjitha atavizmat e urrejtjes tribale që gëlojnë në mendjen shqiptare. Si çdo shqiptar normal edhe unë jam i bindur në pafajësinë e Nanos, po ashtu nuk dyshon në vlerat e tij intelektuale dhe në frymëzimin e tij pro perëndimor. Sidoqoftë, në rast se gjërat rrjedhin normalisht dhe Fatos Nano do të rikthehet aktivisht në politikë, mendoj se nuk do ta ketë aspak të lehtë ta orientojë andej nga duhet dhe ta mbajë integralisht të angazhuar për një Shqipëri moderne makinën politike të Partisë Socialiste, ndaj të cilës personalisht ruaj rezerva. Këto rezerva të miat nuk kanë të bëjnë me lidhjet e saj me të kaluarën pasi e gjithë politika e sotme shqiptare është një vazhdim i së kaluarës (sa qesharak dhe i kotë është kryeplaku Godo në pretendimin e tij për t’u prezantuar si virgjëreshë antikomuniste), por me dominimin e frymës kolektivisti në partinë e socialistëve shqiptarë, me lidhjen jetike që ajo parti ka me historinë dhe kulturën e mediokritetit. Nejse, preferoj të mos zgjatem në këtë pikë sepse nuk është as koha e as vendi. Si opozitar, Fatos Nano ka qenë deri më sot një figurë e spikatur dhe ka merituar me qëndrimet dhe fjalën e tij të shkruar respektin e gjithkujt me dy mend në kokë, ndërsa si burrë shteti mbetet për t’u vënë në provë, sikundër edhe krejt opozita shqiptare.

Pra ju thuajse e pohoni hapur që ardhja e socialistëve në pushtet, jo vetëm si pjesë e një koalicioni, por qoftë edhe si forcë e  vetme, nuk do të ishte një katastrofë…

Jo “thuajse”, unë e pohoj hapur dhe me bindje se asnjë forcë opozitare me partinë e Berishës, as qendra liberale e Cekës, as e majta e Nanos, e bile as e djathta naive dhe pasionale e Kalakulës, nuk do të mund kurrsesi ta administronin këtë vend në mënyrë më katastrofale sesa forca pa krahë e pa këmbë që ka për kokë Berishën. Pra, në rast se shqiptarët votojnë për kthimin në opozitë të partisë së Dhjetorit 90 si një forcë e lindur nga ideja e progresit dhe e degraduar në një hamalle, ajo çka mbetet hëpërhë jetike për ardhmërinë e demokracisë në Shqipëri nuk është as për rikthimin e ish komunistit Fatos Nano në pushtet dhe as rikthimi i ish komunistit Tritan Shehu në opozitë, por domosdoshmëria që ish komunisti Sali Berisha të mos e shqelmojë sovranin popull si të qe gomar për dru. Do të thosha se i vetmi rezultat i këtyre zgjedhjeve që mund të quhet me plot gojën katastrofë është një fitore me dhunë e Partisë Demokratike, gjë fort e mundshme, që do t’i jepte formë ekzistencës në Shqipëri të një regjimi eksesesh të mundshme vetëm për një regjim fashist, por që nga ana tjetër do t’i fuste përfundimisht në rrugën e konfrontimit me organet e drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kësaj katastrofe. Në krahasim me këtë ngjarje fare të padëshiruar për pjesën dërrmuese të shqiptarëve çdo rezultat tjetër do të ishte shumë më i pranueshëm, përfshirë këtu edhe mundësinë teorike të fitores në rrugë legale nga ana e vet Partisë Demokratike. Duke qenë i ndërgjegjshëm për trashëgiminë e varfër kulturore dhe për nivelin e ulët mendor që dominon sot në botën shqiptare nuk kam si të mos e di që shumëçka nga gomarllëqet e pushtetit të djeshëm apo të sotëm do të vazhdojë të përsëritet nesër edhe në një pushtet eventual të së majtës apo të një koalicioni të qendrës së majtë. Por, bindja që me Berishën në krye Shqipëria eksperimentoi në 4 vjetët që shkuan variantin më karikaturesk të demokracisë, më shtyn të mendoj se, në rast se vjen në pushtet koalicioni i qendrës së majtë, do të ketë së paku, një fije më të qëndrueshme përgjegjësia në trajtimin e avantazheve, të problemeve dhe të plagëve që ka hapur liria.  Pikërisht në këtë kontekst fare të përcaktuar, them se çdo qytetar i angazhuar për fatin e tij dhe të shoqërisë shqiptare jo vetëm nuk duhet të trembet nga ardhja në pushtet e së majtës PS apo edhe shumë më mirë e një koalicioni të qendrës së majtë (PS + PAD), por, sipas mendimit tim modest, nuk duhet të hezitojë që me votën e tij të kontribuojë në realizimin e së dytës.

Ndërkohë, disa intelektualë, midis të cilëve edhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare, këmbënguli publikisht të kundërtën, duke argumentuar se socialistët janë të parinovuar…

Sa për ata “disa intelektualë” që këmbëngulin publikisht në të kundërtën, sinqerisht nuk e di për kë flisni. Ndërsa për Ismailin do të çuditesha sikur të ndodhte ndryshe, jo vetëm sepse tashmë u thye në moshë duke u përpjekur t’i reformojë nga brenda pushtetet e deformuara të Shqipërisë, por edhe sepse opinionet e tij politike nuk më duket se e kanë kaluar ndonjëherë pozën e shtirur intelektuale. Një pozë e mbajtur gjatë në kohë, që kur shkruante me pseudonimin Gent Arbana në “Zërin e Popullit” apo në “Dritën e Partisë” e deri kur filloi të firmoste artikujt në mbështetje të Perestrojkës së vonuar të Ramiz Alisë, për të mos folur fare pastaj për artikujt dhe intervistat e kohës së ekzilit që janë dëshmi të një niveli të dobët intelektual, dhe mbi të gjitha moral, jo vetëm se përshkohen nga një konformizëm pervers me pushtetin, që fshihet pas mjegullës së një preokupimi të sforcuar për çështje madhore të kombit, por mbi të gjitha për frymën e rëndë autoritare ku, përmes adoptimit të ca aksiomave të universit letrar kadarejan, thuhen gjëra tepër arbitrare e të mërzitshme. Le ta marrim fjala vjen rinovimin, këtë mit të madh të tranzicionit. Duke qenë se nuk është më nënkryetar i frontit demokratik, post të cilin e la pasi iku refugjat në Francë, Ismaili i jep të drejtë  vetes t’i gjykojë ish sivëllezërit e tij të mbetur në Partinë Socialiste si “të parinovuar” dhe shkon deri në formulimin e një fraze që, për nga prepotenca, të kujton Pilo Peristerin, kur zbriste ndonjëherë përposhtë nga vetëndjerja olimpike majë kodrave të Shën Prokopit në realitetin e vrazhdë të Uzinës së Autotraktorëve dhe përpiqej të eksitonte klasën dembele punëtore duke kumtuar, “ata nuk duhet të rikthehen në pushtet!”. Paskëtaj Ismaili shton edhe se, “ata nuk janë ndarë me të kaluarën”! Mirë Pilo Teneqja që e kishte me bejlerët e agallarët, kundër të cilëve ishte ngritur qysh në të ritë e tij e kishte rendur pas Enverit, po Ismaili me kë e ka gjithë këtë distancë të mënyrës  urdhërore?! Aq më tepër po të ndalesh një çast e të mendosh se një pjesë e drejtuesve të sotëm të Partisë Socialiste vijnë nga radhët e eurosocialistëve, të cilët luanin me kopaca kur Ismaili shkruante “Dimrin e madh”, disa të tjerë, ndër të cilët edhe kryetari Nano, dëgjonin Bitëllsat dhe Rolling Stonsat, kur Gent Arbana nuk linte gjë pa thënë kundër Xhoisit, Kamysë apo shkrimtarëve disidentë rusë, e bile socialisti plak Servet Pëllumbi, njëlloj si Ismaili e Saliu, nuk ishte veçse një bistak i njomë buzë rrapit madhështor të partisë, kur me kohë ky i kishte shtrirë rrënjët në krye të udhës ku mbinin shtrëngatat e komploteve kundër Shqipërisë socialiste! Natyrisht, ka një masë përcaktuese drejtuesish që, si në çdo parti tjetër, edhe aty stimulon fuqishëm mediokriteti, por ama nga banda e shqiponjave që për 50 vjet fluturuan lart mbi kokat tona nuk ka mbetur më kurrkush as në kryesinë e kësaj partie dhe as në zemrën e pjesës dërrmuese të botuesve të saj, dhe ndoshta prandaj e kanë kaq të vështirë ta kuptojë se kujt i takon koncepti “rikthim në pushtet”. Ndërsa koncepti “rinovim” është një pikënisje false prej ku starton Ismaili për të argumentuar sentencën e tij peristeriane, duke kujtuar me naivitet se të flasësh me koncepte është njësoj si të shkruash letërsi midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës! Në fushën e ideve politike, po ashtu si Sali Berisha, shkrimtari i dëgjuar përvijohet edhe një herë dishepull, mendjelehtë e krejt i pavetëdijshëm i marksizmit autokton, sepse, siç e ceka me fjalë të tjera pak më lart, në mungesë të plotë provash gjykon negativisht në turn një grup të madh individësh të ndryshëm për nga mendimet dhe mosha. Pastaj, nuk e di se si e neglizhon shkrimtari faktin që, po ta marrim si të mirëqenë konceptin e “rinovimit”, atëherë na del se Partia e Punës u shndërrua në socialiste pak më parë se sa shqiptarët paganë të “Kështjellës” simbol i kahershëm i rezistencës ndaj social-imperializmit, të shfaqeshin tani vonë në Francë në koleksionin e veprave të plota të Ismailit si mbrojtës të krishterimit, apo shumë më parë se sa plaka Nurihan të na shfaqet befas  ndonjë natë si martire e revolucionit seksual. Njeriu që e mëshiron këmbë e krye atë pjesë të administratës së vjetër komuniste që i rezistoi tranzicionit pa u rimbarkuar në anijen e Partisë Demokratike është Servet Pëllumbi,  por më thoni ju lutem se për cilën arsye vallë Serveti qenka i parinovuar në raport me Saliun dhe me vetë Ismailin!? Apo pse nuk iku nga partia mëmë, dhe nuk u vetëshpall disident për të vazhduar pastaj t’i shërbejë partisë bijë të këmbës së djathtë me po të njëjtat metoda, me po të njëjtin fjalor, me po të njëjtën hipokrizi që e karakterizon sojin e këtyre ish komunistëve të etur për triumfe të mëdha historike dhe konsensus mbarëkombëtar e mundësisht ndërkombëtar!? Pra, si përfundim, po të përdorim konceptim e pakuptimtë të rinovimit, Ismaili, Saliu dhe Serveti janë të tre bashkë një trigon nga brumi i “të parinovueshmëve”. Ashtu si doktor Saliu në rolin e Presidentit të Republikës nuk i jep asgjë politikës, ashtu edhe letrari Kadare në rolin e opinionistit nuk i jep asgjë atyre që lexojnë me sytë e mendjes. Si njëri si tjetri i vjedhin kohë të çmuar profesionit duke u marrë me diçka që nuk e bëjnë dot për vete formimin e tyre shumë të kufizuar politik.

Shumëkush priste kandidaturën tuaj për t’u zgjedhur në Parlamentin e ardhshëm? A u tunduat nga ideja e një aventure të tillë?

Jo, asnjëherë. Politika ime është antipolitike, pra ajo nuk ka të bëjë gjëkundi me politikën si zanat.

Dhe në mbyllje një pyetje për të shuar përpara kohe kuriozitetin për qëndrimin tuaj mbas një fitoreje të mundshme të së majtës. Do të mbështesni të majtën, do të vazhdoni të kritikoni pa kompromis duke kontribuar në një rast të tillë për rikthimin e partisë së Berishës në pushtet, apo ndaj mundësisë së dytë do të preferoni heshtjen?

Duke qenë se shteti, edhe atë më të përkryerin e konsideroi sidoqoftë një armik natyral të individit, nuk më duket interesant flirti me të. Përpjekja ime e shkruar kushtëzohet thjesht nga refuzimi im total ndaj padrejtësisë dhe injorancës, pra ajo nuk lidhet asfare me ndonjë vullnet për të mbështetur të majtën apo të djathtën. Asnjë forcë politike nuk më intereson në mënyrë shumë të veçantë, e, nëse flas për to, këtë e bëj vetëm me besimin që ndryshimet politike të ofruara nga një moment i dhënë historik mund të kontribuojnë në përmirësimin e koncepteve që ka shoqëria për drejtësinë dhe kulturën. Sa për Sali Berishën ai as ka qenë dhe as nuk është armiku im personal, por vetëm presidenti i radhës i vendit, ku, fatkeqësisht unë figuroj si shtetas dhe si i tillë, fatmirësisht, mund të ushtroj në këtë moment zgjedhjesh të drejtën dhe detyrën time karshi shoqërisë duke shprehur sinqerisht në publik opinionin shumë negativ që kam për Presidentin. Për një të ardhme më të mirë të të gjithëve, të fitimtarëve dhe të të humburve uroj që ëndrra e demokracisë të triumfojë mbi tentacionet e djallit të së kaluarës tonë të përbashkët dhe që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të jetë pasqyrë besnike e vullnetit të shumicës! Të tjerët hëpërhë kanë më pak rëndësi.

SHKARKO APP