Edi Rama: Për një PS të bashkuar

(Botuar me 14 dhjetor 2003)

Edi Rama: Për një PS të bashkuar

-Kriza jonë si pjesë e krizës së partive politike shqiptare, është krizë e arratisjes së politikës nga realiteti i përditshëm shqiptar, e largimit të udhëheqësisë së partisë nga anëtarësia dhe mbylljes së saj në guaskën e një politikë pa përmasa njerëzore…-

Pas një procesi parakongresual të tensionuar e të cenuar në thelbin e vet demokratik, jemi sot këtu për të marrë disa vendime të rëndësishme për të ardhmen e partisë dhe për ecurinë e punëve të Shqipërisë në katër vjetët që vijnë. I vetëdijshëm për rëndësinë e veçantë të këtyre vendimeve, unë dua t’ju kujtoj qysh në fillim se çdo anëtar i këtij Kongresi përfaqëson këtu sot shumë më shumë sesa vetveten, aspiratat dhe opinionin e tij, bile edhe shumë më shumë sesa vullnetin e 123 anëtarëve të partisë që çdonjëri prej nesh përfaqëson si delegat.

Ju, të dashur delegatë, keni sot barrën e rëndë të përfaqësimit të aspiratave, problemeve, halleve, sakrificave dhe vullnetit të asaj shumicë absolute shqiptarësh, të cilët, në qershorin e vitit 1997, e pagëzuan PS-në si përfaqësuesen e tyre e që, dalëngadalë, vit pas viti, po largohen prej saj, duke e tkurrur përqindjen tonë të popullaritetit në minimumin historik të 12 tetorit të shkuar. Jam këtu për t’ju folur jo në emër të ndonjë grupi, klani, shumice a pakice aritmetike në forumet ekzistuese të PS-së, po në emër të së vërtetës së pamohueshme se ju të dashur delegatë, ju socialistët e thjeshtë të jetës reale dhe askush tjetër, ju qytetarët plot halle e ambicie të një Shqipërie që sot i ka sytë tek ky kongres, mund dhe duhet t’i thoni ndal konsumimit të mëtejshëm të pushtetit të socialistëve nga grupe, klane, shumica apo pakica, që krijohen e rikrijohen në nomenklaturën e partisë sipas orekseve të njërit e të tjetrit për pushtet personal e që pastaj e fusin të tërë familjen tonë politike në ethe paralizuese. Ne mund e duhet t’u themi ndal të gjithë atyre të cilët përpiqen të na përdorin si mish për top në funksion të një lufte të brendshme që po e rraskapit PS-në prej dy vjetësh e gjysmë dhe që, ju siguroj, nuk ka gjasa të pushojë nesër, nëse nuk ndalet prej nesh sot. Ju mund e duhet t’i thoni ndal me fuqinë e Shqipërisë që përfaqësoni, kujtdo që e trajton investimin tuaj të sinqertë njerëzor, moral e politik për PS-në si një kapital personal, të cilin mund të vazhdojë ta shpërdorojë duke na çuar të gjithëve si një tufë delesh në opozitë -paçka se në opozitë do të heqë keq çdo socialist e qytetar i thjeshtë shqiptar, por jo çdo pushtetari sotëm socialist.

PS në krizë komunikimi

Më ndjeni nëse do të dal përtej rolit të ustait të rifiniturës së fasadës së PS-së, rol të cilin ma përcaktoi dje miku im Pandeli Majko, dhe do të shtroj para jush tezën se: Një krizë qeverisjeje që shfaqet në mungesën e një vizioni qeverisës të lexueshëm për qytetarin, në ritmin shumë të ulët të reformave, në zvarritjen proverbiale të vendimmarrjes, në fragmentimin e papranueshëm të buxhetit të shtetit, në deformimet e sistemeve arkaikë të vjeljes së të ardhurave, në përtacinë e padurueshme të një administrate të çmotivuar, në demagogjinë e demoduar të krahasimeve me vitin 1997.

Një krizë strukturore e mishëruar në mungesën e vullnetit për të analizuar, kuptuar e pranuar se mungesa e kohezionit në PS nuk është mungesë e disiplinës formale po mungesë e mekanizmave statutorë që do të inkurajonin e garantonin, Mendimin Ndryshe, duke mos lejuar njëherë e mirë Veprimin Ndryshe. Një krizë komunikimi e cila prej dy vjetësh e gjysmë, e ka drobitur ndjeshëm PS-në, ka cenuar rëndë imazhin e saj publik dhe ka varfëruar në mënyrë të vazhdueshme jetën politike në Shqipëri, duke e kthyer politikën në një zanat aspak të respektueshëm për shumicën e shqiptarëve. Do të ishte dritëshkurtësi me pasoja të pallogaritshme që të mos kuptonim e pranonim bashkërisht se kriza që po kalon PS-ja nuk është rezultat i prirjeve apriori armiqësore të individëve të ndryshëm në udhëheqësinë e partisë karshi njëri-tjetrit. Aq më pak kjo krizë është rezultat i veprimtarisë antiparti të ndonjë grupi të identifikuar si pakicë bllokuese e shumicës sonë në Kuvendin e Shqipërisë. Ta interpretosh kësisoj krizën tonë do të thotë, as më shumë e as më pak, po ta lejosh të thellohet e të na copëtojë si forcë politike.

Kriza jonë është në thelbin e vet pjesë e krizës së përgjithshme të politikës shqiptare dhe shprehje e të vërtetës se Shqipëria na ka lënë mbrapa, se qytetari shqiptar ecën përditë e më përpara nesh, se shoqëria jonë e re e gjen gjithnjë e më pak veten tek politika primitive e akuzave të ndërsjella, e premtimeve boshe dhe e vizioneve të munguara, pjesë e padallueshme e së cilës është bërë për fat të keq dita-ditës edhe alternativa jonë. Kriza jonë si pjesë e krizës së partive politike shqiptare, është krizë e arratisjes së politikës nga realiteti i përditshëm shqiptar, e largimit të udhëheqësisë së partisë nga anëtarësia dhe mbylljes së saj në guaskën e një politike pa përmasë njerëzore, e deformimit dhe tjetërsimit të vullnetit të anëtarit të partisë e të simpatizantit të saj në procesin е përfaqësimit, e mosmishërimit të aspiratave të qytetarëve shqiptarëve në betejat tona rëndom bizantine, si pasojë e mungesës së debatit real, analizës profesionale, përgjegjësisë politike, demokracisë së brendshme në parti dhe, veçanërisht, mospranimit me kokëfortësi e pa asnjë argument të qëndrueshëm të institucionalizimit të Mendimit Ndryshe.

Të legalizohet mendimi ndryshe

Platforma ime e ndryshimeve statutore, të cilën i’a propozova për diskutim e votim këtij Kongresi – e që çuditërisht u asgjësua me një fjalë goje qysh gjatë leximit të raportit nga kryetari i partisëundërtua mbështetur pikërisht mbi nevojën për t’i dhënë një përgjigje sa më të përshtatshme e të menjëhershme në planin organizativ sfidës së ndryshimit thelbësor. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se pakica bllokuese e dhjetorit të vitit 2001, e cila udhëhiqej nga kryetari aktual i partisë, përgatiti një referendum në parti pikërisht për të institucionalizuar Mendimin Ndryshe, për të sanksionuar parimin Një anëtar, Një votë e për të bërë edhe ndonjë tjetër hap të guximshëm reformues. Gjëra këto që u harruan sapo pakica e atëhershme u bë shumicë dhe i la vendin një tjetër pakice bllokuese të shumicës sonë në parlament.

Institucionalizimi i Mendimit Ndryshe përmes pranimit të Platformave Integruese të Votuara është ilaçi më i mirë për sëmundjen që na është shfaqur e s’po na ndahet qysh në fillim të këtij mandati të dytë. Nëse sot ngurrojmë ta marrim këtë ilaç duke iu trembur rrezikut të efekteve të tij anësore, nuk ka pikë dyshimi se haraçin e këtij ngurrimi jetik do ta paguajmë dita-ditës me mungesën e një debati të hapur e frutdhënës, me mungesën e një ekuilibri të natyrshëm e parimor mes shumicës e pakicës në parti, me mungesën e një fuqie ekzekutive të garantuar e mbështetur njësoj nga të gjithë, me mungesën e atij bashkimi të domosdoshëm të të gjitha forcave të qendrës së majtë rreth një projekti të besueshëm politik, i cili do të mund të emanciponte politikën duke e bërë Partinë Socialiste një model zhvillimi e pikë referimi për shoqërinë e re shqiptare. Të fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri duke u dëshmuar shqiptarëve se ne jemi aq të fortë sa të kurohemi e shërohemi duke qeverisur, përmes korrigjimit rrënjësor të filozofisë sonë qeverisëse, përmes korrigjimit rrënjësor të metodologjisë sonë të punës, përmes korrigjimit rrënjësor të komunikimit tonë me qytetarin e me njëri-tjetrin.

Dhe mbi të gjitha përmes rivendosjes në themelin e Shtëpisë sonë të Përbashkët të arsyeve themelore të bashkëjetesës sonë. Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë për ne. Ne vetë duhet të përkushtohemi me mish e me shpirt për t’ia arritur. Duke besuar tek forca jonë e përbashkët. Tek solidariteti ynë. Tek puna jonë. Tek bashkëpunimi dhe partneriteti mes nesh. Kjo është baza e bashkëjetesës sonë, e cila nuk mund të kuptohet jashtë shanseve e përgjegjësive të barabarta, jashtë të qenit të drejtë me gjithsecilin dhe besimit të shëndoshë tek gjithsecili. Të fillojmë ta shkruajmë kapitullin e ri duke u provuar shqiptarëve se opozita skandaloze që kemi përballë është një alternativë e pavlefshme. T’ua provojmë këtë të vërtetë jo vetëm me fjalë, por në radhë të parë me modesti intelektuale përpara shqiptarëve e me vepra konkrete në interes të qytetarëve tanë. Duke u fokusuar me përparësi tek puna, puna dhe vetëm puna.

Dilemat e Nanos, muhabet pa lidhje

E dëgjova dje me shumë vëmendje fjalën e kryetarit të partisë që, bazuar në një vlerësim të propozimeve të oponentëve e të konkurrentëve të tij, e klasifikoi për demagogji apo populizëm empirik konkurrimin me të. Duke mos i besuar dot plotësisht veshëve në dëgjimin e tezave mbi të cilat Kryetari e mbështeste këtë klasifikim, e lexova fjalën e tij falë broshurës së përgatitur enkas. Me kujdesin që të mos e shfrytëzoj dobësinë evidente të tezave në fjalë për të dhënë një përgjigje prej populiste empirik, do të provoj t’i përgjigjem shumë shkurtimisht përpara jush Kryetarit lidhur me pretendimet e tij të shtruara në formë dilemash. “Ata”, domethënë edhe unë, para se të shprehin padurimin e tyre, duhet të provojnë të përgjigjen përpara jush nëse Qeveria nevojitet të nxisë investimet që punësojnë sa më shumë njerëz apo investimet e teknologjive të larta që kanë nevojë për pak punonjës?”, tha dje Kryetari.

Kjo është një dilemë që i ngjan një muhabeti pa lidhje, jo vetëm sepse aktualisht Qeveria nuk nxit asnjë lloj investimi në teknologji të larta, por sepse në realitetin shqiptar ku,  më falni për thjeshtëzimin, makinat e përdorura e të papranueshme për standardet mjedisore të Bashkimit Evropian janë më të favorizuara se makinat e reja, nuk ekziston gjëkundi në formën e ndonjë politike meraku i shtetit për teknologjitë e larta. “Ata”, vazhdoi Kryetari, “le të na ndihmojnë për të zgjedhur mes nevojës për rritje të shpejtë të Prodhimit Kombëtar dhe nevojës për një shpërndarje sa më të drejtë të këtij Produkti”. E kam sinqerisht të vështirë ta ndihmoj Kryetarin, sepse përsëri shqetësimi është pa lidhje. Në një sistem të prapambetur fiskal si i yni që, siç do ta prek edhe më poshtë, nuk është në gjendje të sigurojë efiçencën optimale në mbledhjen e të ardhurave, nuk ka kushte për ekzistencën e kësaj dileme.

Pra ne nuk jemi në fazën që mund të zgjedhim kujt t’i japim përparësi, por në stadin që duhet të punojmë për përmirësimin e të dyjave.”Le të na bindin”, shtoi më tej Kryetari, “nëse na leverdis më mirë të kemi një papunësi 3% dhe inflacion 30% apo papunësi 3% dhe inflacion 3%”. Në këtë pikë jo vetëm zgjedhja duket pa lidhje me ndonjë fill arsyetimi të mundshëm e shkencor, por edhe vete kryetari nuk besoj kurrsesi se e sheh në mënyrë kaq empirike raportin papunës inflacion, pasi këto të dyja nuk janë madhësi lineare ku ulja e njërës sjell automatikisht ngritjen e tjetrës. Ky mendoj se është një lapsus i hartuesve të fjalimit. Propozimet e mia nuk janë as demagogjike, as populiste dhe as empirike. Ato janë propozime të thjeshta, plotësisht të arsyetuara shkencërisht e politik për një shpejtësi shumë më të madhe në reforma. Ato janë arsye e mjaftueshme për të kërkuar, me padurim e pa u shkurajuar, reformimin e sistemeve tona të mbledhjes, ndarjes dhe shpenzimit të të ardhurave./Edi Rama/

SHKARKO APP