Edi Rama: Shqipërisë i duhet alternativë e re
(Botuar me 1 GUSHT 1996 në KOHA JONE)
-Intervistë me Edi Ramën-
Kohët e fundit gazeta “Albania” ju ka vënë në shënjestër të një vargu të gjatë akuzash të përsëritura e fyese. A ju preokupojnë këto akuza?
Edi Rama: Mendoj se rreth kësaj teme ka një keqkuptim të përgjithshëm që fillon te trajtimi i “Albania” si gazetë. Në fakt, “Albania” nuk është gazetë, por vrima e jashtëqitjes së pushtetit. As inicialet e saj të panumërta nuk janë emërshkurtime gazetarësh, por firma motopompash të vjetra të ndërmarrjes së vdekur komunale, të cilat thithin përditë jashtëqitjen e pushtetit nga vrima në formë Ylli dhe pastaj e shtyjnë pa karar duke ndotur ambientet publike. Pra, siç shihet, nuk janë të “akuzuarit” e “Albania-s” që duhet të preokupohen por vetë pushteti që nuk ka marrë masat e duhura për të garantuar një proces dinjitoz jashtëqitjeje.
Atëherë, do të vijmë te tryeza e dialogut midis partive, organizuar nga presidenti Berisha në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet e reja lokale. Cili është mendimi juaj për këtë tryezë ndaj së cilës pati reagime shumë kontradiktore?
Kam përshtypjen se opozita socialiste, e cila mori përsipër përgjegjësinë që të ulej në atë tryezë do ta paguajë shumë shtrenjtë iniciativën e saj për të filluar muhabetet me presidentin Berisha. Muhabet pa kushte mund të ketë, bile për orë të tëra, kurse dialog pa kushte nuk ka, aq më tepër në pozita kaq të pabarabarta sa ç’janë kundrejt njëri-tjetrit opozita dhe Sali Berisha, pala që u grabit më 26 maj dhe që u rrah barbarisht më 28 maj dhe njeriu që përshëndeti me entuziazëm grabitjen dhe barbarinë e atyre ditëve!
Duke vendosur disa kushte për hapjen e një dialogu që do të garantonte lirinë e zgjedhjeve të reja lokale, liderët opozitarë do të siguronin një dialog në pozita të barabarta me pushtetin dhe nuk do katandiseshin përgjatë kangjellave të Presidencës, si një tufë sakatësh që lypnin lëmoshë. Ndër kushtet e domosdoshme për hapjen e dialogut midis pushtetit dhe opozitës, përveç atyre që u sugjeron revolta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, do të ishin jetike për ecurinë e demokracisë në Shqipëri, kushti i hapjes së një procesi hetimor për ushtruesit kryesorë të dhunës dhe torturave barbare ndaj pushteteve më 28 maj si dhe shkarkimi i menjëhershëm i drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit, i cili e ka kthyer Radio Televizionin shqiptar në një mjet torture psikologjike për qytetarët.
Por, për habinë e madhe të shumëkujt, pikërisht në ditët kur ndaj kryetarit të socialistëve, Fatos Nano, u vendos masa speciale e izolimit dhe kur udhëheqës të ndryshëm të opozitës, përfshirë këtu edhe personalitete të PS, filluan të thirren në hetuesi për mitingun e “Paligjshëm” të 28 majit, dy nënkryetarët “konstruktivë” Pëllumbi dhe Luani u ulën dhe ia morën muhabetit me presidentin, me Godon, me Selfon, me Melon, me Laçon, me Laron, me Balon dhe me të gjitha kafshëzat e buta shtëpiake të pallatit presidencial.
Paçka se nga tryeza e “dialogut” ishin përjashtuar sipas stilit primitiv të protokollit të atij pallati drejtuesit e Polit të Qendrës dhe të Partisë së Djathtë Demokrate, sepse në fakt ishin të vetme krijesa të pyllit të pluralizmit shqiptar që nuk do të harmonizoheshin kurrsesi me hedhje-pritjet e muhabetit të shtuar nga Laçua te Larua, muhabeti rrodhi vaj.
E sikur të mos mjaftonte kjo, menjëherë pasi u çua buzagaz nga tryeza, Pëllumbi apo si vazhdojnë ta quajnë nuk e di për çfarë arsyeje “Profesori”, deklaroi shumë i kënaqur në ekranin e torturës psikologjike shqiptare, se dialogu filloi dhe se pas një debati “e lagu s’e lagu Balua bishtin”, ishte përcaktuar data e zgjedhjeve të reja lokale ashtu siç e kishte kërkuar opozita!
Në fakt presidentit i duhej data dhe jo dialogu, por që t’i tregonte njerëzisë brenda edhe jashtë se në Shqipëri, ka dialog midis forcave politike, thirri në tryezën e tij Pëllumbin, Luanin, shokët më radhë dhe vendosi së bashku me ta datën e zgjedhjeve ose më saktë datën e rrahjes së ardhshme të opozitës, pra nga ajo tryezë socialistët nuk morën asnjë garanci tjetër përveç datës së saktë se kur do të hanë drurin tjetër.
Dhe këtë Pëllumbi Profesor e quan mirëkuptim midis dy forcave më të mëdha politikë! Bile, ca më keq, kur me plot të drejtë Neritan Ceka shfryn se “tryeza e organizuar nga Presidenti ishte një tryezë skllevërish”, Pëllumbi Servet gjen kurajën të kuturiset nën numrin shumës e të përgjigjet se “socialistët paskan taktikat e tyre”!
Marksi ishte i pakënaqur nga filozofët që vetëm interpretonin botën, sepse ai donte që ata ta transformonin atë. Por, për fat të keq, pseudofilozofët e materializmit historik që të nxitur prej Marksit i hynë përpunimit të taktikave transformuese të botës, nuk bënë tjetër veçse i grahën njerëzit e shkretë drejt qorrsokakut. Servet Pëllumbi nuk bën aspak përjashtim nga ky grup i madh miopësh, taktika e vetme efikase e të cilëve ka qenë të gjejnë nga një kolltuk shefi për prapanicën e tyre dhe, në pritje të krijimit të kushteve për fillimin e Revolucionit të Përbotshëm Proletar, të puthisen përjetësisht pas kolltukut qoftë edhe në kundërshtim me ligjet e dialektikës.
Pa dashje hyjmë në atë që mund të quhet tema e ditës: Polemika e hapur në Partinë Socialiste pas mocionit të Nanos. Shumëkush mendon se nuk ishte koha që Nano ta hidhte një bombë të tillë, bile ka zëra që duan të hedhin dyshime mbi kryetarin e Partisë Socialiste. Po ju si e shihni mocionin Nano në kontekstin kohor aktual?
“Prit se nuk është koha”, ka qenë prej kohësh kredoja politike e shqiptarit, i cili, për t’i ikur ballafaqimit me problemet zinxhir që dalin nga prekja e së vërtetës, ka preferuar të ngopet me iluzionin se gjërat rregullohen vetë. Kur të vijë koha duke mbetur kësisoj skllav i këtij iluzioni fatal dhe duke e shtyrë gjithnjë për më vonë angazhimin për të ardhmen e vet. Nëse historia jonë është e mbushur me gropa shqiptarëngrënëse, kjo pikërisht sepse asnjëherë nuk ka gjykuar se ka qenë koha e duhur për të menduar e për të vepruar për sheshimin e atyre gropave. Sipas të njëjtës logjikë simetrike, jo vetëm nuk po mbushen, por po shtohen edhe gropat nëpër rrugët e Shqipërisë. Pasi siç duket edhe për të marrë me to nuk ka ardhur ende koha e duhur. Në të vërtet, koha për të vënë gishtin në plagë është gjithmonë dhe, si në çdo rast kur gishti vihet drejt e në plagë, edhe mocioni i Nanos mendoj se ishte në kohën e duhur. Vetë reagimi i ashpër që ai ndeshi në disa koka të palavdishme të Partisë Socialiste flet qartë për kumbimin aktual të ideve të shprehura në mocion. Sa për zërat që hedhin dyshime mbi Nanon mendoj se në rastin më të mirë janë pjesë e korit të paranojë që ka mbërthyer shoqërinë tonë, e cila pas çdo lëvizje politike, nga çdo drejtim, që ajo vjen, sheh Sali Berishën, a thua se të gjithë në Shqipëri janë si maçoku i matufepsur Godolaço apo si konia plakë Meloselfo, kafshëza politike që nuk bëjnë as gëk as mëk pa ua përkëdhelur më parë kurmin e leshtë Presidenti ynë! Unë nuk kam pritur mocionin për të parë te Fatos Nano reformatorin e së majtës shqiptare. Që kur Nanoja mori përsipër ta nxjerrë nga fundi i detit të turbullt e plot dallgë të tranzicionit anijen e mbytur të Partisë së Punës t’i përvishet reformimit të plotë të saj në përmbajtje e në formë dhe, falë një vullneti të fortë politik, të ngjallë shpresat e qindra mijëra shqiptarëve te një alternativë realisht e mundshme ndaj politikës dritëshkurtër të Partisë Demokratike, kam shpresuar te ai. Nënvizoj këtu vullnetin politik, sepse fare mirë, Fatos Nanoja mund të hidhej symbyllazi në trapin e Partisë Demokratike e të nisej së bashku me plot piratë të tjerë ish-komunistë në kërkim të “Amerikës”. Por në vend të këtij kapërcimi të shpejtë e pa kurrfarë morali politik në krahun tjetër, megjithëse i lidhur me historinë famëkeqe të Partisë së Punës shumë më pak sesa ajka e komunistëve antikomunistë të Partisë Demokratike, ai mori fillimisht mbi vete përshtypjet e zemëratës së akumuluar të njerëzve për mizorinë e 50 vjetëve duke e filluar reformën e tij me hapa të ngadaltë, por të matur shumë. Dhe pikërisht kur ajo gërdallë, që kishte qenë anija më e frikshme e luftës së klasave në të gjithë Detin e Kuq të komunizmit evropiano-lindor, nisi të çlirohej nga peshat e rënda të së kaluarës duke vështruar përherë e më me këmbëngulje drejt brigjeve të Perëndimit dhe të joshte kësisoj në bordin e saj njerëz të ndershëm e kryesisht të rinj shqiptarë të zhgënjyer nga shpërdorimi vulgar i Ëndrrës së Dhjetorit, piratët e Partisë Demokratike morën peng kryetarin reformator.
Të gjithë menduan atë çast se Sali Berisha, pre e etjes së pakontrolluar për pushtet absolut, padashje ngriti me duart e veta mitin e Fatos Nanos. Të gjithë kujtuan se me atë hap Sali Berisha ua çeli socialistëve rrugën drejt pushtetit, por përveç Sali Berishës, të gjithë gabuan!
Popullariteti i Nanos u rrit dita-ditës duke e tejkaluar ndjeshëm popullaritetin në rënie të lirë të presidentit, por, në vend që të çonin përpara projektin reformues të kryetarit të burgosur, “Profesori” dhe kompania e vjetër u mjaftuan me kapitalin moral që u dha burgimi politik i numrit një të partisë. Duke iu përveshur partizançe Sali Berishës dhe duke e zhvilluar fushatën e ndërkombëtarizimit të çështjes Nano me një gjuhë të trashë që në veshët e mprehtë e skeptikë të perëndimit demokratik tingëllon si jehonë e zërave të urryer të së shkuarës diktatoriale, nënkryetarët skematikë të Partisë Socialiste e kthyen partinë në një çekan të mërzitshëm që vetëm godiste, vend e pa vend, imazhin e Berishës në pritje për të marrë pushtetin e për të goditur vetë Berishën.
Fatos Nano ishte ndër të parët që e kuptoi këtë dhe ngriti zërin. Jo më kot ai përmend në mocion bllokimin nga ana e kryesisë të korrespodencës së tij me partinë. Nano duket se ndjen që, ose i jep sot dhe menjëherë goditjen përfundimtare konservatorëve demagogë në krye të partisë së tij, ose kurrë nuk do të mundet ta vërë në zbatim vizionin e tij politik në partinë aktuale të socialistëve shqiptarë. Deri më tash, i detyruar edhe nga kushtet ekstreme të ekzistencës Nano ka pranuar të bashkëjetojë me katër nënkryetarët, ndoshta edhe me shpresën e fitores së zgjedhjeve, e për pasojë me mundësitë e mëdha që do t’i japë fitorja për t’i kryer nga jashtë mureve të burgut ndryshimet e mbetura në mes të rrugës. Tani e mbrapa, ai ka kuptuar që çdo zgjatje e kësaj bashkëjetese është sterilizuese pa përcaktuar më parë përgjegjësitë e secilit për ngrirjen e procesit të reformës së partisë dhe për humbjen dramatike të 26 majit, do të thotë bashkëfajësi në kurriz të vetë partisë e të elektoratit të saj. Dhe hë për hë, kryetari socialist nuk është bashkëfajtor me kryesinë.
Nga ana tjetër, ajo që të çudit fare është kur pasi kanë humbur zgjedhjet falë, në një farë mënyre, edhe gabimeve të njëpasnjëshme që kanë bërë me ato taktikat e tyre sterile katër klasikët e mediokritetit komunist shqiptarë në kryesinë e Partisë Socialiste, mendimet e të cilëve të marra së bashku nuk vlejnë sa koleksioni i veprave të Enver Hoxhës, që jo vetëm nuk ndjejnë përgjegjësinë më të vogël për humbjen dhe për çoroditjen e plotë të elektoratit të madh socialist, por janë kapur vetëm pas hajdutit të votave dhe nuk kanë kurajën t’i kundërvihen mocionit të Nanos me tezën traenveriste të rinovimit nga poshtë.
Saliu nuk pyet më për Amerikën e për Këshillin e Europës dhe thotë se zgjedhjet do të bëhen shekullin tjetër, kryesia e Partisë Socialiste po mpreh shpatën për në kongresin e dytë, në letrën e tij të fundit Fatos Nano flet për politikën shqiptare si për një kënetë ku janë zhytur të gjithë njerëzit e kërkojnë zgjidhje për të dalë nga e gjithë kjo amulli. Cila do të ishte një zgjidhje e mirë?
Pikësëpari, siç e theksova edhe herën e fundit që folëm bashkë unë jam i prirë të mendoj se Sali Berisha nuk është burimi i problemeve tona të mëdha, por mishërimi i tyre. Shoqëria jonë është në një fazë krize të thellë morale, hapja e haurit të errët ku u vetizolua për gjysmë shekulli s’ka bërë tjetër veçse e ka evidentuar këtë krizë, e ka bërë të prekshme, të dukshme, të kuptueshme dhe jo vetëm në fjalët dhe grimcat e tepruara të Sali Berishës dhe të administratës së tij, por edhe tek sjellja e shumë prej të njohurve e të afërmve të gjithsecilit prej nesh, të cilët, nga dje sot, kanë ndryshuar aq shumë sa nganjëherë nuk arrijmë t’i njohim më. Pra, kush më shumë e kush më pak, të gjithë ne shqiptarët jemi në potencë haxhinj, enverë e salinj “të pazbuluar”. Mjaft të na jepet rasti dhe, secili në mënyrën e tij i shfaqin menjëherë të gjitha mangësitë karakteristike të individit shqiptar, ndër të cilat ato më të frikshmet fare mua më duken flirti i përditshëm me gënjeshtrën, mungesa e solidaritetit dhe paaftësia për dialog. Kështu që pas kësaj nuk është e vështirë të kuptosh as pse një shqiptar i quajtur Haxhi Qamili i tha me krenari konsullit francez në Korçë se “për sa kohë të kishte Kavajën dhe Shijakun me vete nuk pirdhte për interesat e Francës”, as pse një tjetër shqiptar i quajtur Enver Hoxha i hapi luftë Moskës dhe Pekinit duke i quajtur antikomuniste dhe duke e pagëzuar Tiranën si farin e komunizmit botëror, as pse një i tretë me emrin Ramiz Alia këmbëngulte se “Shqipëria s’është as Perëndim as Lindje”, as pse 1/4 të cilit thonë se Sali Berishës i ka hipur në kokë të hapë sherr ideologjik me Amerikën dh me mbarë botën demokratike e ndoshta ta pagëzojë ndonjë ditë Shqipërinë të vetmin vend antikomunist të botës, e kështu me radhë … Deri te shpata që Sanço Pançot e kryesisë së Partisë Socialiste kanë nxjerrë nga milli i enverizmit e që po e mprehin edhe njëherë situatën. Një “deus ex machina” për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë morale nuk ekziston, duhet kohë dhe vullnet për ta emancipuar kulturën shqiptare e cila sipas meje vazhdon të ushqejë te ne shpirtin e së keqes. Ndërsa për të krijuar një alternativë të re e më të emancipuar në politikën tonë lypset veçanërisht vullneti politik i atyre individëve përparimtarë që mund ta çlirojnë vetveten nga marrëzia e madhështisë, marrëzi shekullore e kombit tonë që bën çdo shqiptar të ndihet në potencë një lider kombëtar. Si hap të parë për të shkuar drejt formulimit të kësaj alternative, hap i mundshëm teorikisht por sot për sot thuajse i paimagjinueshëm praktikisht, pikërisht për arsye të marrëzisë, që sapo përmenda, do të më dukej me vlerë organizimi i një Konvente Kombëtare të të gjithë atyre forcave politike dhe individëve të veçantë që janë jo vetëm kundër arbitraritetit politik dhe prapambetjes së thellë kulturore që mishëron fryma e vjetër – fryma e Sali Berishës, e Servet Pëllumbit, e Sabri Godos, e Tedor Laços, e Hysen Selfos dhe qindra kuadrove të tjerë të prodhuar në kullrat e Kombinatit Metalurgjik “çeliku i partisë” apo në gangot e sigurimit të shtetit, por që kanë njëkohësisht ndërgjegjësimin e mjaftueshëm për të kuptuar se në Shqipërinë e sotme primitive ndarja reale politike nuk duhet bërë thjesht midis të djathtës e së majtës në kuptimin klasik të këtyre koncepteve, por midis frymës së vjetër dhe frymës së ndryshimit, e cila duhet të plazmohet nëpërmjet konvergimit moral e politik të mbartësve të saj dhe duhet të krijojë një forcë reaguese efikase duke u mbështetur te një frymëzim i përbashkët liberal i këtyre individëve dhe i njerëzve të shumtë që padyshim do t’i ndiqnin pas në një rast të tillë.
Ashtu siç nuk shoh ndryshime esenciale që të mund t’i dallojnë nga njëri-tjetri kuadrot e lartpërmendur të frymës së vjetër, të cilët si në pozitë dhe në opozitë, si të ngulur djathtas, si të rrasur majtas, bëjnë variacione rreth temës së enverizmit, ashtu nuk shoh ndryshime esenciale që mund t’i ndajnë përballë domosdoshmërisë së një iniciative të vërtetë politike Fatos Nanon, Neritan Cekën, Gramoz Pashkon, Arben Imamin, Kastriot Islamin, Blendi Gonxhen, Pandeli Majkon, Maqo Lakrorin, Skënder Gjinushin dhe të gjithë ata individë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, të cilët gjithmonë nëse do të arrinin secili të mundnin psikozën e liderit për t’i dhënë prioritet zgjidhjes së problemeve alarmante të Shqipërisë, përmes një konvente kombëtare mund t’i jepnin jetë një lëvizjeje të re politike, një alternative të re, ku secili mund të kontribuonte efektivisht pa qenë domosdo një lider në pritje që Amerika t’ia zbulojë gjeninë politike e ta vërë në vend të Sali Berishës. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më aspak nevojën për forca politike që lindin nga ndarjet në dysh e më tresh të partive dhe as për parti të kthyera në shoqata të ngushta miqsh, ku s’ka kurrfarë fryme kritike, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do t’i hyjë kurrë në punë një opozitë e grimcuar si kjo e sotmja që në të shumtën e kohës dergjet kafeneve e që as votat e veta nuk i mbron dot nga rrugaçët e pushtetit, e në fund të fundit Shqipëria e vogël nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që edhe ata pak njerëz të hairit që ka në politikën e saj primitive të qëndrojnë të hapërdarë nga e djathta në të majtë për të shuar sipas radhës oreksin e paezaurueshëm të Sali Berishës.
Një lëvizje e dalë jo nga çarja e ndarja, por nga grupimi i disa partive, nga bashkimi i forcave më përparimtare, i energjive më pozitive, i vullneteve më të qëndrueshme, një pol i koordinuar i disa partish apo pse jo i shndërruar në një parti të vetme dhe të pasur në alternativa të brendshme, ku në vend që të bëjnë të gjithë rolin e liderit, politikanët e spikatur opozitarë të zgjedhin sidoqoftë një lider të vetëm, të ndajnë detyrat e shumta që dalin nga vënia në funksionim e një force politike me të vërtetë të fortë e demokratike e të takohen më shpesh me njerëzit e thjeshtë, ja çfarë mund të ishte një e re e mirëpritur, një hap i vërtetë përpara që patjetër do të na ndihmonte të dilnim nga kriza e thellë morale ku jemi zhytur. Apo mos vallë nuk na ka ardhur ende koha?