Edmond Laçi: Reportazh për emigrantët kuqezi në zemër të Athinës
(Botuar me 6 Janar 1998 në KOHA JONE)
Nga Edmond Laçi-
ATHINË – Shqiptarët më në fund së bashku, me dëshirë. Bashkëjetesa e “detyruar” në Shqipëri, për herë të parë është përsëritur, ndoshta kurrë më parë në të gjithë globin në një tjetër kryeqytet të botës. Pikërisht aty ku që prej kohësh ruhet ekskluziviteti i kryeqytetit të refugjatëve kuqezi, Athinë.
Ka mjaftuar vetëm një ftesë e botuar në faqet e “Koha Jonë”, që çdo ditë shitet me mijëra kopje në Greqi, që 700-800 emigrantë shqiptarë të bashkohen brenda një salle, edhe pse vetëm për të festuar Vitin e Ri. Por edhe të çmallen me njëri-tjetrin, të dehen duke kërcyer, të përloten me këngë shqiptare dhe…si rrallëherë të harrojnë deri edhe frikën e kthimit në Kakavijë. Viti i Ri i shqiptarëve të Greqisë vetëm për këtë nuk ka pse të harrohet lehtë.
Një vit më parë kur Kombëtarja e Shqipërisë luante me atë të Greqisë në Stadiumin Olimpik të Athinës, kemi parë që afro dyqind tifozët shqiptarë u rrethuan me një kordon të hekurt policësh. Dikush atëherë, madje edhe nga shtypi grek, tha se më tepër nga frika e grindjeve midis tifozëve me flamur të ndryshëm, policia ruajti shqiptarët nga njëri-tjetri. Prova vonoi, por më në fund u dha të drejtë shqiptarëve. Vorio-epiriotë të kamur, të vërtetë apo të rremë, shqiptarë me punë e pa punë, studentë, klandestinë e familjarë, u derdhën për herë të parë, duke ditur se aty do të gjejnë vetëm shqiptarë si ata, drejt njërës prej ish-kinemave më të mëdha në zemër të Athinës. Të gjithë njësoj kishin paguar nga katër mijë dhrahmi, ose dy mijë lekë të reja shqiptare, me rrobat dhe me dëshirën e tyre më të re.
Të ardhur me këmbë, të tjerë me papaq, por edhe me “Mercedes”, të gjithë kanë hyrë brenda sallës së njohur të buzuqeve, “Armenaki”, të zhveshur nga gjithçka, vetëm me “rrobat” e gjuhës së tyre të rrallë dhe të flamurit që vetëm ata e kanë. Edhe pse pa harruar të bëjnë zhurmë, të zënë vendet e të tjerëve dhe nganjëherë të thonë fjalët që zakonisht të gjithë ne i përdorim edhe kur s’nxehemi. Ajo sallë kinemaje me rreth pesëqind vende, më në fund i fali pronarit grek shansin të krenohet me rekordin e 2 janarit ’98, kur 700-800 klientë mundën jo vetëm të hanin, por edhe të kërcenin e këndonin në pronën e tij. Një rekord, që do mbahet mend gjatë në Greqi edhe për faktin që një ambasador, ai i Shqipërisë u detyrua të priste për afro 30 minuta që të zinte vend. Kastriot Robo, për të nderuar festën e madhe të shqiptarëve, kishte ardhur mes emigrantëve, duke thyer kështu tabutë e diplomacisë së vjetër. Këtë herë malli i shqiptarëve për të qenë bashkë ka mposhtur gjithçka protokollare. Kronika e një nate unikale si ajo e Vitit të Ri të shqiptarëve të Athinës, për secilin që jeton apo ka provuar të jetojë në dhé të huaj, kuptohet. Të gjithë e ndjejnë ç’do të thotë një valle dasme pesë vjet pa u dëgjuar, apo edhe një humor thuajse i harruar, interpretuar nga të mëdhenjtë Koço Devole, Agron Llakaj apo Luftar Pajo. Këtë natë në sallë ishin edhe Pranvera Veizi, Miss Tele-Bingo, Alqi Boshnjaku, Filip Çakuli e mjaft artistë të tjerë nga Shqipëria. Ndaj edhe pjesa e organizatorëve grekë, sikurse mjeshtrit e ftuar të buzuqit, e kuptuan se kishte ardhur momenti të pranonin gjithçka pa u mërzitur, kur pas disa minutave këngë greqisht, salla shpërtheu në thirrjet “Duam shqip!”.
Një flamur i madh shqiptar mbuloi skenën dhe dhjetëra të tjerë që i afroheshin për të bërë fotografi, e kthyen atë pjesë të Athinës… në Shqipëri, ose më mirë në një Shqipëri të vogël me shqiptarë që, më në fund rrëfyen se kanë shumë nevojë për të dhe ngrohtësinë e saj. “Gëzuar” në shqip vlente pothuajse sa thyerja e gotës, ndërsa malli për gjithçka, puthi krejt instinktivisht deri edhe burrin me bashkëshorten e tij. Korçarë, mirditorë, tiranas, lezhjanë, vlonjatë… shoqëruan me zë të gjitha këngët e trevave të tyre, paçka se këngëtaret edhe ata refugjatë, shumë herë s’e mbanin mend tekstin origjinal. Mjaft herë përfaqësuesi i “Koha Jonë” në Athinë është detyruar të ndërpresë këngën e në mikrofon t’u lutet bashkëkombësve të kërcejnë me radhë, sepse atë natë ishte mjaft e vogël jo vetëm ajo sallë, por e gjithë Athina. Çdo notë muzikore nga instrumentistët shqiptarë ato orë ishin këngë, çdo këngë ishte valle dhe çdo valle ishte kërcim e festë. Prandaj ndoshta për herë të parë në karrierën e tyre, kuzhinierët grekë s’janë shqetësuar pse shumë tavolina mbetën sikurse ishin shtruar, me pjatat plot. Apo edhe pse vera me emër e Greqisë preferohej më pak nga rakia e sjellë me vete fshehtas. Festa e shqiptarëve ka vazhduar gjatë, madje shumë më gjatë se ajo natë, sepse me dhjetëra aparate fotografike e kamera, patjetër janë fiksuar për t’u ruajtur si hajmali, sa herë i merr malli për Shqipërinë, por edhe sa herë afendikoi shan në punë.
Një dasmë në Shqipëri, të nesërmen fillon e diskutohet. Ndaj edhe një e madhe si ajo me shqiptarët në Athinë nuk mund t’i shpëtojë përjashtimit. Duke biseduar me gazetarin e BBC në Athinë dhe një ish-koleg të “Sportit Shqiptar” në një bar pranë sheshit të shqiptarëve “Omonia”, një emigrant mesoburrë e i fisëm tha se festa mund të shkonte edhe më mirë. Gjithkush nga ata që ka provuar ç’është hera e parë, natyrisht e di se e dyta është edhe më e mirë. Veçse këtë radhë hera e parë është shumë. “Ajo do të ishte pak vetëm po të përsëritej edhe një herë tjetër”. Një përgjigje që nuk e jep vetëm goja e një gazetari, por e të gjithë shqiptarëve të Greqisë, madje të të gjithë botës, aty ku të merr malli jo vetëm për flamurin tënd, por edhe për një “Mirdita” nga një i panjohur i dheut tënd. Të mësuar me kronikat e zeza kur shqiptarët vrasin e grabisin jo vetëm të huajt, por edhe njëri-tjetrin, “dasma” e Athinës ka falur shumë më tepër se një natë. Në radhë të parë ka falur për të parët e Shqipërisë, sepse një ide e botuesit të “Koha Jonë” ka mundur t’ia kalojë dhjetëra konferencave apo takimeve në mbyllura nëpër ambasada. Ka falur mësimin tjetër për pritësit e shqiptarëve që, edhe pa u ruajtur me policë, 700-800 prej tyre, vetëm mund të gëzojnë e të duan njëri-tjetrin. Por edhe një mësim për shqiptarët që, gjaku i tyre s’mund të bëhet ndryshe sado t’i vijnë përqark globit. Dikush nga organizatorët s’kishte harruar të thërriste atë natë edhe dy regjisorët grekë të filmit që mori çmimin e parë në Festin e Selanikut. Pikërisht në këtë film kishin luajtur gjenitë e teatrit e kinematografisë shqiptare, Kadri Roshi e Margarita Xhepa. Pa mundur të vinte atë natë, Roshi në telefon bashkë me urimin për Vitin e Ri u solli emigrantëve edhe një tjetër: “Ju presim sa më shpejt në Atdhe”. Një artist i madh dhe një prind i moshuar gjithmonë kërkon më të mirën për “fëmijët” e tij…
EDMOND LAÇI, Athinë 03/01/1998