Ekskluzive/George Soros: Kush e mori në qafë Rusinë?

(Botuar me 25 mars 2000 në KOHA JONE)

Ekskluzive/George Soros: Kush e mori në qafë Rusinë?

Shembja e perandorisë sovjetike më 1989 dhe e Bashkimit Sovjetik më 1991 ofruan një mundësi historike për ta shndërruar këtë pjesë të botës në shoqëri të hapura; por demokracitë perëndimore nuk arritën ta përballonin gjendjen ashtu siç duhej dhe e tërë bota po vuan pasojat. Bashkimi Sovjetik dhe më vonë Rusia kishin nevojë për ndihmë nga jashtë sepse një shoqëri e hapur është një formë më e sofistikuar e organizimit shoqëror sesa një shoqëri e mbyllur. Në një shoqëri të mbyllur ka vetëm një konceptim sesi duhet organizuar shoqëria, versionin zyrtar, i cili imponohet me forcë. Në një shoqëri të hapur qytetarëve jo vetëm u lejohet por edhe u kërkohet të mendojnë vetë dhe ka rregulla institucionale që u japin mundësi njerëzve me interesa të ndryshme, me përvoja e formime të ndryshme dhe me opinione të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe. Sistemi sovjetik ishte me sa duket forma më tërësore e më e plotë e një shoqërie të mbyllur që ka shpikur ndonjëherë njeriu. Ai depërtonte praktikisht në të gjitha aspektet e jetës: jo vetëm politike dhe ushtarake, por edhe ekonomike dhe intelektuale; në kulmin e agresivitetit të tij ai u orvat të cenonte madje shkencat e natyrës, siç e tregoi rasti i Lisenkos. Kalimi drejt një shoqërie të hapur kërkonte një ndryshim revolucionar të regjimit, i cili nuk mund të kryhej pa ndihmë nga jashtë. Ishte kjo intuitë që më nxiti të ngutesha dhe të krijoja fondacionet e shoqërisë së hapur në njërin vend pas tjetrin në ish-perandorinë sovjetike.

Por shoqërive të hapura të Perëndimit u mungonte aftësia depërtuese për ta kuptuar thelbin. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara ndërmorën Planin Marshall; pas shembjes së sistemit sovjetik, ideja e një nisme të ngjashme ishte e papërfytyrueshme. Unë propozova diçka të afërt me të në një konferencë në pranverën e 1989-ës në Postdam, që atëherë ishte ende në Gjermaninë lindore, dhe më tallën në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Printe në të qeshurat William Waldegrave-i, një i dërguar i Ministrisë së jashtme të Margaret Thatcher-it.

Margaret Thatcher-i ishte një mbrojtëse e vendosur e lirisë dhe kur vizitonte vendet komuniste ngulmonte të takohej me disidentët, por ideja që një shoqëri e hapur është e nevojshme të ndërtohet dhe që ndërtimi mund të kërkojë, dhe ta meritojë, ndihmën nga jashtë ishte me sa duket tej arsyetimit të saj. Si fundamentaliste e tregut, ajo nuk besonte në ndërhyrjen e qeverisë. Në fakt, ish vendet komuniste ishin tepër prapa që të kujdeseshin për veten. Disa morën për përpjetë; të tjerë s’e bënë dot.

Ka shumë analiza autokritike të veprimeve dhe akuza të vazhdueshme në lidhje me Rusinë. Janë shkruar artikuj që shtrojnë pyetjen: Kush e mori më qafë Rusinë? Jam i bindur që ne, demokracitë perëndimore, jemi në një masë të madhe përgjegjës dhe që mëkatet e lënies pas dore i bënë administratat e Bushit dhe Thatcher-it. Rezultatet e kancelarit të Gjermanisë Kohl janë më të përziera. Edhe në ofrimin e kredive edhe në dhënien e ndihmës në të holla, Gjermania ka qenë kontribuuesja më e madhe financiare ndaj Bashkimit Sovjetik dhe më vonë ndaj Rusisë, por Kohl-i nxitej më shumë nga dëshira për të blerë pranimin në heshtje të ribashkimit të Gjermanisë sesa për të ndihmuar Rusinë të transformohej.

Unë ngul këmbë se sikur demokracitë perëndimore të ishin angazhuar realisht Rusia do të kishte hyrë pa lëkundje në rrugën drejt një ekonomie tregu dhe një shoqërie të hapur. E kuptoj se pohimi që bëj, bie ndesh me pikëpamjet mbizotëruese. Ai është në kundërshtim me faktet, sepse, në realitet, përpjekjet për reformë ekonomike ishin dështime të mjerueshme. Do të duhej të besoje në efikasitetin e ndihmës së jashtme, që të pohoje se rezultati mund të kishte qenë i ndryshëm, por ndihma e jashtme ka lënë një kujtim të keq dhe ideja që ndërhyrja qeveritare mund të ndihmojë realisht një ekonomi shkon kundër paragjykimit mbizotërues fundamentalist për tregun. Kështu vëmendja u përqendrua në atë që u bë shkak që punët të shkojnë keq. Por ishte pikërisht paragjykimi fundamentalist për tregun ai që duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatin. Ai luftonte kundër një angazhimi të vërtetë të çiltër për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik dhe më vonë Rusinë. Ka pasur një angazhim të vërtetë nga ana e qeverisë së Kohlit për të ndihmuar Gjermaninë lindore, por ai kishte shtysën e dëshirës për ribashkim; për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik nuk kishte një motiv të tillë të ngjashëm. Njerëzit kishin mjaft simpati, por ajo sa kishte filluar.

Shoqëritë e hapura të Perëndimit nuk besonin në shoqërinë e hapur si një qëllim i dëshirueshëm, synimi drejt të cilit do të përligjte një përpjekje shumë të madhe. Ky ishte zhgënjimi më i madh dhe gjykimi i im i shtrembër. E humba fillin nga retorika e luftës së ftohtë. Perëndimi dëshironte të mbështeste tranzicionin me fjalë por jo me para dhe çfarëdo ndihme dhe këshille të jepej ajo futej në rrugë të shtrembër prej paragjykimit fundamentalist për tregun. Sovjetikët dhe më vonë rusët ishin shumë të etur për këshillat e jashtme dhe i thithnin ato. Ata e kuptonin se sistemi i tyre ishte i kalbur dhe prireshin të hyjnizonin e ta kthenin në idhull Perëndimin. Ata bënë po atë gabim që bëra edhe unë: mendonin se Perëndimi ishte çiltërsisht i interesuar.

Ngrita një fondacion në Bashkimin Sovjetik në fillim të vitit 1987. Kur Gorbaçovi i telefonoi Saharovit në Gorki, ku ishte syrgjynosur, dhe i kërkoi “të rifillonte veprimtarinë e tij patriotike në Moskë” e kuptova se ishte duke u bërë një ndryshim revolucionar. Përvojat e mia i kam përshkruar gjetiu. E rëndësishme këtu është se më 1988 propozova të ngrihej një grup ndërkombëtar i posaçëm për të studiuar krijimin e një “sektori të hapur” në ekonominë sovjetike dhe disi për habinë time, sepse atëherë isha një menaxher financiar i panjohur, propozimi im u pranua nga zyrtarët në BRSS.

Ideja ime ishte të krijohej një sektor tregu brenda ekonomisë së komanduar, të zgjidhej një industri si ajo e përpunimit të ushqimeve, e cila do t’ua shiste konsumatorëve prodhimet e saj në treg dhe jo me çmime të komanduara (me një sistem të përshtatshëm për të kaluar nga çmimet e komanduara në çmimet e tregut). Ky “sektor i hapur” pastaj mund të zgjerohej shkallë-shkallë. Shumë shpejt u bë e qartë se ideja ishte jopraktike për shkak se ekonomia e komanduar ishte tepër e sëmurë dhe e dobësuar për të ushqyer embrionin e një ekonomie tregu. Pra, problemi i kalimit të çmimeve nga një natyrë në tjetrën nuk mund të zgjidhej. Por edhe një ide mendjelehtë e tillë që vinte prej një burimi të parëndësishëm u mbështet në nivelin më të lartë. Kryeministri Rizhkov urdhëroi krerët e institucioneve më të mëdha, Gosplan, Gosnah etj. Të merrnin pjesë. Është e vërtetë që isha në gjendje të tërhiqja ekonomistët perëndimorë si Vasili Leontief dhe Romano Prodi të merrnin pjesë nga ana perëndimore. Më vonë mblodha një grup ekspertësh perëndimorë që u jepnin këshilla grupeve të ndryshme të ekonomistëve rusë që po përgatitnin programe konkurruese të reformës ekonomike.

Atëherë e rregullova që autorët e projektit kryesor rus për reformën ekonomike, të ashtuquajtur Plani Shatalin, të udhëhequr nga Grigori Javlinski, të ftoheshin në mbledhjen e 1990-ës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashingon. Gorbaçovi hezitonte për planin dhe më në fund vendosi kundër tij. Ai u ndal befas prej dy çështjesh: privatizimit të tokës dhe shpërbërjes së njëkohshme të Bashkimit Sovjetik krahás formimit të një bashkimi ekonomik. Unë ende jam i mendjes që Plani Shatalin do të kishte siguruar një tranzicion më të disiplinuar sesa bëri rrjedha reale e ngjarjeve.

Menjëherë pas kësaj, Gorbaçovi u rrëzua nga pushteti, Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Boris Jelcini u bë President i Rusisë. Ai ia besoi ekonominë Jegor Gajdarit, kreut të një instituti kërkimesh ekonomike, i cili pat studiuar teorinë makroekonomike nga teksti mësimor Standard i Rudi Dornbusch-it dhe Stan Fischer-it. Ai u rrek të zbatonte politikën monetare në një ekonomi që nuk u bindej sinjaleve monetare. Ndërmarrjet në pronësi të shtetit vazhdonin të prodhonin sipas planit edhe sikur të mos paguheshin për këtë. Mbaj mend që i telefonova Gajdarit në prill të 1992 për t’i vënë në dukje se borxhi ndërmjet kompanive po rritej në një përqindje që ishte e barabartë me një të tretën e GNP-së (Prodhimit Kombëtar Bruto). Ai e njihte problemin por vazhdoi të mos e përfillte.

Kur Gajdari dështoi, u bë një veprim i ngathët balancimi dhe më së fundi Anatoli Çubaisi, kreu i një instituti tjetër kërkimor, doli si zëvendëskryeministër i ngarkuar për ekonominë. Ai i dha përparësi kalimit të pronësisë nga shteti në duart e privatëve. Ai besonte se, sa të kalonte prona e shtetit te pronarët privatë, pronarët do të fillonin të mbronin pronën e tyre dhe procesi i shpërbërjes do të ndalej.

Kjo nuk eci. Një skemë për shpërndarjen e letrave me vlerë të cilat qytetarët mund t’i përdornin për të blerë kompanitë që ishin pronë e shtetit u bë një katrahurë që synonte shpronësimin e aseteve të shtetit. Drejtuesit shtinë në dorë kontrollin duke mashtruar punëtorët për letrat e tyre me vlerë apo duke ua blerë për së liri. Ata vazhdonin t’i derdhnin jashtë fitimet dhe shpesh asetet në kompani holding me bazë në Qipro, pjesërisht për t’iu shmangur taksave, pjesërisht për të paguar pjesët që shtinin në dorë dhe pjesërisht për të krijuar asetet e tyre jashtë vendit sepse nuk kishin besim në atë që po ndodhte në vendin e vet. Pasuritë viheshin brenda një nate, ndërkohë që kishte edhe një mungesë të skajme parash dhe krediti, si në rubla ashtu edhe në dollarë.

Prej këtyre kushteve kaotike filluan të lindin bazat fillestare të një rendi të ri ekonomik. Ishte një formë e kapitalizmit, por një formë shumë e çuditshme dhe ajo erdhi në jetë me një ecuri të ndryshme nga ajo që do të pritej në kushte normale. Privatizimi i parë ishte privatizimi i sigurimeve shoqërore dhe në një farë mënyre ai ishte më i suksesshmi. Ushtri të ndryshme private dhe mafía u krijuan dhe, ku mundën, shtinë në dorë kontrollin. Administratat e ndërmarrjeve shtetërore formuan kompani private, kryesisht në Qipro, të cilat bënë kontrata me ndërmarrjet shtetërore. Vetë fabrikat punonin me humbje, nuk paguanin taksa, krijuan prapambetje në dhënien e pagave dhe në shlyerjen e borxheve ndërmjet kompanive. Rrjedha e parave thithej në Qipro.

U formuan banka të reja, pjesërisht nga kompanitë shtetërore dhe nga bankat shtetërore, pjesërisht nga grupet tregtare që kishin lindur para pak kohe. Disa banka bënë pasuri duke manovruar me llogaritë e agjencive të ndryshme shtetërore, duke përfshirë Thesarin.

Pastaj, lidhur me skemën për privatizimin e kompanive shtetërore nëpërmjet shpërndarjes së letrave me vlerë, lindi një bursë para se të krijoheshin siç duhet mekanizmat për regjistrimin e aksioneve dhe të kryerjes me eficiencë të transaksioneve dhe shumë kohë përpara se ndërmarrjet, aksionet e të cilave tregtoheshin, të fillonin të silleshin si kompani. Një kulturë e shkeljes së ligjeve u rrënjos shumë kohë përpara se të dekretoheshin ligjet dhe rregullat e përshtatshme. Masat që buronin nga skema e privatizimit me letra me vlerë nuk e forcuan as shtetin as vetë kompanitë. Së pari, drejtuesit duhej të konsolidonin kontrollin e tyre dhe të kujdeseshin për borxhet që kishin marrë në procesin e shtënies në dorë të kontrollit; vetëm pas kësaj ata mund të fillonin të krijonin fitime brenda kompanive.

Madje edhe atëherë, ishte më e leverdishme t’i fshije fitimet sesa t’i deklaroje megjithëse mund të shpresoje ta rritje kapitalin duke shitur aksione. Këto masa mund të karakterizoheshin me të drejtë si kapitalizëm plaçkitës, sepse mënyra më efektive për të grumbulluar kapital privat, në qoftë se s’kishte thuajse kurrgjë për të filluar, ishte të përvetësoje asetet e shtetit. Natyrisht, kishte disa përjashtime. Në një ekonomi të dëshiruar për shërbime kishte mundësi të bëje para në mënyrë pak a shumë të ligjshme, duke i ofruar ato; fjala vjen, të merreshe me riparime a meremetime ose të drejtoje hotele dhe restorante.

Ndihma e huaj iu la në një shkallë të madhe dy institucioneve financiare ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, sepse vendet perëndimore nuk kishin dëshirë të financonin para nga buxhetet e tyre. Kam qenë kundër kësaj mënyre veprimi për arsye se Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte institucionalisht i papërshtatshëm për këtë punë. Ai vepron duke i detyruar qeveritë të nënshkruajnë një letër deklarimi ndërmjet kërkesash të tjera, do t’u përmbahen kushteve për kontrollin e stabilitetit të monedhës dhe të buxhetit qendror; në qoftë se qeveria dështon në përmbushjen e kushteve, ai pezullon pagesat.

Kur një vend nuk ka një qeveri efektive, praktikisht kjo metodë garanton që programi do të dështojë. Kjo ndodhi në Rusi. Qeveria qendrore nuk ishte në gjendje të mblidhte taksat dhe e vetmja rrugë për të përmbushur objektivat për paratë në qarkullim ishte të hiqte dorë nga përmbushja e detyrimeve buxhetore. Prapambetja në pagimin e pagave dhe borxhet ndërmjet kompanive u rritën në nivele të pamenaxhueshme. Unë argumentoja se ishte e nevojshme një mënyrë më e drejtpërdrejtë, më depërtuese e kapjes së problemit, dhe ajo duhej të ishte pranuar energjikisht në atë kohë. Por kjo donte të thoshte të financoheshin realisht para dhe demokracitë perëndimore iu shmangën kësaj perspektive.

Kur Fondi Monetar Ndërkombëtar e rriti në 15 miliardë dollarë huanë ndaj Rusisë, unë argumentoja në një artikull të botuar në The Wall Street Journal më 11 nëntor 1992 se paratë duhet të caktohen për pagesën e ndihmave të sigurimeve shoqërore dhe se pagimi i fondeve duhej të kontrollohej pa lëshime. Për shkak të zhvlerësimit të rublës, pensionet ishin vetëm 8 dollarë në muaj, kështu që të hollat do të mjaftonin për të paguar të gjitha pensionet. Propozimi im nuk u mor seriozisht në konsideratë sepse ai nuk i shkonte për shtat mënyrës së veprimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Krijova Fondacionin Ndërkombëtar të Shkencës me 100 milionë dollarë (shpenzimet përfundimtare arritën 140 milionë dollarë). Veprimi ynë i parë ishte t’i jepnim 500 dollarë secilit nga rreth 40000 prej shkencëtarëve më të mirë me shpresën se kjo do t’i nxiste ata të qëndronin në Rusi dhe të vazhdonin punën shkencore. Kjo na shkoi vetëm 20 milionë dollarë dhe u lejoi këtyre shkencëtarëve të mbijetonin për një vit.

Kriteret për përzgjedhjen e shkencëtarëve ishin të hapura, transparente dhe objektive: kërkohej të citoheshin tri herë punimet e tyre në botimet kryesore shkencore. Shpërndarja u krye brenda pak muajsh, me një përqindje shpenzimesh më pak se 10 për qind dhe skema siguronte pagesën në dollarë të çdo përfituesi në mbarë ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo shërbeu si një provë se propozimi im për kontrollin e shpenzimit të fondeve ishte praktik. Pjesa tjetër e të hollave u shpenzua për të mbështetur kërkimin në bazë të një procesi recensionimi të barabartë, ndërkombëtarisht të organizuar, në të cilin merrnin pjesë shkencëtarët më të famshëm të botës. (Boris Berezovski kontribuoi me 1.5 milionë dollarë për grante udhëtimesh për arsye të vetat. Ky ishte i vetmi kontribut rus). Të gjitha fondet u dhanë në më pak se dy vjet.

Arsyet e mia për mbështetjen e shkencëtarëve ishin komplekse. Dëshiroja të tregoja se ndihma e huaj ishte e suksesshme dhe zgjodha shkencën si fushën ku do ta vërtetoja këtë sepse mund t’i varja shpresat edhe në përkrahjen e komunitetit shkencor ndërkombëtar, ku kishte njerëz të tillë që dëshironin të dhuronin kohën dhe energjinë e tyre për të vlerësuar projektet kërkimore. Por mekanizmi i shpërndarjes së ndihmës për nevoja të ngutshme mund të funksiononte edhe për pensionistët po aq mirë sa dhe për shkencëtarët.

Kishte argumente të tjera në favor të ndihmës shkencëtarëve. Gjatë regjimit sovjetik shumë nga mendjet më të zonja hynë në institutet kërkimore ku mendimi i pavarur tolerohej më shumë sesa në pjesën tjetër të shoqërisë sovjetike dhe ato krijonin shkencë, e cila ishte në pararojë të arritjeve njerëzore. Ishte e një lloji disi të ndryshëm nga shkenca perëndimore, më spekulative, më pak e përparuar në rrafshin teknik, me përjashtim të disa fushave prioritare. Shkencëtarët ishin gjithashtu në ballë të reformës politike. Andrei Saharovi ishte veçanërisht i mirënjohur dhe i admiruar, por kishte edhe shumë të tjerë. Përveç kësaj, ekzistonte një rrezik që shkencëtarët bërthamorë mund të josheshin prej shtetesh që u shmangen standardeve normale. E tërë sipërmarrja ishte një sukses i bujshëm dhe i dha fondacionit tim një emër të mirë të paarritshëm. Pati shumë sulme kundër nesh sepse angazhoheshim në shumë programe që ishin objekt polemikash. Për shembull, ne organizuam një konkurs për tekste të reja të çliruara nga ideologjia marksiste-leniniste dhe u akuzuam se helmonim mendjet e studentëve.

Në një rast Duma kreu hetime për akuzat se ne po blinim për së liri sekretet shkencore, por i tërë komuniteti shkencor u ngrit për të na mbështetur dhe Duma u dha fund me një shprehje mirënjohjeje. Kur them se historia do të kishte ndjekur një rrjedhë të ndryshme në qoftë se demokracitë perëndimore t’i kishin ardhur në ndihmë Rusisë pas shembjes së sistemit sovjetik, mund të bazohem në shumë dëshmi mbështetëse. Përfytyroni çfarë ndjenjash të tjera do të kishin rusët sot për Perëndimin sikur Fondi Monetar Ndërkombëtar t’u kishte paguar pensionet kur ata po vdisnin urie!

Unë u përmbajta për të investuar personalisht në Rusi, pjesërisht për të shmangur çdo konflikt interesash por kryesisht se nuk më pëlqente ajo që shihja me sy. Megjithatë, nuk u përzihesha menaxherëve të mi financiarë që dëshironin të investonin dhe gjithashtu miratoja pjesëmarrjen e tyre në një fond investimi që drejtohej nga rusët, në kushte të njëjta me investitorët e tjerë perëndimorë.

Mora pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në janar 1996, ku kandidati komunist për president Gennadi Zjuganov, u prit mirë prej komunitetit të biznesit. U takova me Boris Berezovskin dhe i thashë atij se po të zgjidhej Zjuganovi ai nuk do të ishte i sigurt në Rusi. I kërkova atij të përkrahte Grigor Javlinskin, të cilin e konsideroja të vetmin reformator të ndershëm ndër kandidatët, por isha naiv. Nuk e kuptoja në ç’shkallë ishte ngatërruar Berezovski në allishverishet e ndyra me familjen e Jelcinit. Sipas deklaratave të tij publike, paralajmërimi im për sigurinë e tij, u bë një vatër ku u përqendrua mendimi i tij. Ai u takua me biznesmenët e tjerë kryesorë rusë, që merrnin pjesë në konferencën e Davosit dhe formuan një sindikatë për të punuar për rizgjedhjen e Jelcinit.

Ja si u bënë ata oligarkë. Ishte një vepër e shënuar e inxhinierisë politike: Jelcini e filloi garën me një përqindje të opinionit në favor të tij më të ulët se 10 për qind dhe ata arritën që ai të rizgjidhej. Fushata u drejtua nga Anatoli Çubaisi. Nuk i di hollësitë, por mund t’i përfytyroj me imagjinatën time. Kur një nga ndihmësit e Çubaisit u kap duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë e Rusisë, selia e kryeministrit dhe e qeverisë së tij, me rreth 200.000 dollarë në një valixhe, jam i sigurt se nuk ishin para të fituara në kumar.

Oligarkët zhvatën një çmim të rëndë për mbështetjen që i dhanë Jelcinit. Ata morën aksione në kompanitë shtetërore më të vlerësuara si siguri për huatë që i dhanë buxhetit të shtetit sipas një skeme famëkeqe “hua për aksione”. Mbasi Jelcini fitoi zgjedhjet, këto kompani u vunë në shitje në ankand dhe oligarkët i ndanë ato mes tyre. Çubaisin e njoh mirë. Sipas mendimit tim, ai është një reformator i vërtetë që do t’ia shiste shpirtin djallit me qëllim që të luftonte atë që ai e quante kërcënimi i kuq e i kafenjtë, një kombinim i nacionalizmit dhe i socializmit, i cili, siç besonte ai, do ta sundonte Rusinë, me gjithë që ai bëri diçka për ta parandaluar. Pas rizgjedhjes së Jelcinit u ngarkua sërish me ekonominë, por kishte vështirësi të kontrollonte oligarkët. Unë pata marrë shumë zemër kur Jelcini solli në qeveri Boris Nemcovin, guvernatorin reformist të Nizhni-Novgorodit dhe e trajtonte atë si birin e vet të adoptuar. Çubaisi u njollos prej zgjedhjeve, por Nemcovi ishte i pastër: Ai mund të qëndronte i vendosur aty ku Çubaisi nuk mund ta bënte. E mora këtë si një sinjal se regjimi i Jelcinit nën drejtimin e Çubaisit dëshironte vërtet të largohej prej kapitalizmit plaçkitës drejt kapitalizmit normal. Defiçiti buxhetor dhe rezervat monetare u mbajtën brenda disa kufijsh dhe taksat e prapambetura filluan të mblidheshin. Inflacioni dhe përqindjet e interesave ranë. Të drejtat e aksionistëve u respektuan më mirë dhe bursa u gjallërua vrullshëm. Monedha e huaj u derdh në bursë dhe në instrumentet e debitit. Huamarrësit rusë mund të merrnin hua pesëvjeçare vetëm me 250 pika bazë mbi përqindjen ndërbankare të Londrës.

Pikërisht në këtë sfond ngjarjesh vendosa më 1997 të merrja pjesë në shitjen në ankand të Svjazinvestit, kompanisë shtetërore të telefonave. Më mundoi marrja e këtij vendimi. Isha i ndërgjegjshëm për korrupsionin tejet të përhapur në Rusi. Do të kishte qenë më e lehtë t’i mbaja duart e mia të pastra duke ngulmuar në filantropinë, por e ndjeja që Rusia kishte nevojë më shumë për investime të huaja sesa për filantropi. Në qoftë se Rusia nuk mund ta bënte tranzicionin prej kapitalizmit plaçkitës në kapitalizmin normal, e tërë filantropia ime ishte e kotë. Kështu vendosa të marr pjesë në një ofertë konkurruese çmimi për Svjazinvestin që doli se do ishte fituesja. Ky ishte i pari ankand i vërtetë, në të cilin shtetit nuk ia hodhën. Megjithëse ne paguam një çmim jo të vogël, paksa nën 2 miliardë dollarë, nga të cilat thuajse gjysma ishin nga kapitalet e mia, unë llogarisja që ky investim do ta provonte se ishte shumë i leverdishëm në qoftë se tranzicioni drejt një kapitalizmi normal do të kryhej. Për fat të keq kjo nuk ndodhi.

Ankandi u kthye shpejt në një përleshje tepër të dhunshme e të tërbuar ndërmjet oligarkëve, në një zënkë hajdutësh. Disa nga oligarkët mezi prisnin të bëhej tranzicioni drejt vendosjes së ligjshmërisë ndërsa të tjerët bëheshin pengesë për këtë sepse ishin të paaftë të punonin në mënyrë të ligjshme. Kundërshtari kryesor i ankandit dhe i rezultatit të tij ishte Boris Berezovski. Ai ishte betuar ta shkatërronte Çubaisin mbasi aleatët e tij i humbën zgjedhjet. Pata një numër bisedash me zemër të hapur me të por nuk ia dola mbanë t’ia ktheja mendjen. I thashë që ai ishte i pasur dhe pasuria e tij teorikisht vlente miliarda. Aseti i tij më i madh ishte Sibnefti, një nga kompanitë te mëdha të naftës në botë. A i duhej kurrgjë tjetër veçse të forconte pozitën e tij. Në s’mundte ta bënte dot vetë, i duhej te merrte në punë një bankier për investime. Ai më tha se nuk e kuptoja, Nuk ishte çështje sa i pasur ishte por sa mund të matej me Çubaisin dhe me oligarkët e tjerë. Ata kishin bërë një marrëveshje dhe duhet t’i përmbaheshin asaj. Ai duhet të shkatërronte ose të shkatërrohej. Isha dëshmitar nga afër i një spektakli të habitshëm historik në të cilin oligarkët e fuqishëm u përpoqën të përmbysnin rezultatet jo vetëm të ankandit por edhe të tërë përpjekjes së qeverisë për të kontrolluar oligarkët. Po vështroja si përlesheshin njerëzit në një barkë, ndërkohë që vetë barka po rrëshqiste drejt një ujëvare.

Si pjesë e fushatës së akuzave dhe kundërakuzave, Berezovski zbuloi se Çubaisi pat marrë 90000 dollarë prej një kontrate për një libër fiktiv, që në fakt ishte një pagesë e oligarkëve të tjerë për shërbimet e tij si drejtues i fushatës së Jelcinit. Çubaisi u dobësua dhe u hutua ngaqë ishte i detyruar vazhdimisht të mbronte veten. Mbledhja e taksave kërkonte ndërhyrjen e tij vetjake që të ecte përpara dhe të ardhurat nga taksat ranë. Pati një rënie të rrezikshme tëposhtë të ekonomisë kur filluan të ndjehen pasojat e krizës aziatike të 1998-ës. Ajo arriti kulmin kur Rusia nuk plotësoi detyrimet për pagimin e borxhit të saj të brendshëm në gusht 1998, gjë që tronditi tregjet financiare ndërkombëtare.

Efekti ndaj ekonomisë ruse ishte më pak rrënues se ç’pritej në atë kohë. Mospagimi i bonove të thesarit i solli lehtësi buxhetit; kthimi në nivelin e mëparshëm i çmimeve të naftës ndihmoi bilancin fiskal dhe tregtar; zhvlerësimi i njoftuar prej Jelcinit në verë të 1998-ës çoi në rritjen e kërkesës për prodhimet e vendit. Pas goditjes fillestare të shkaktuar nga kolapsi i sistemit bankar, ekonomia preku fundin dhe filloi ta rimarrë veten. Bankat dhe oligarkët pësuan humbje të rënda, por brenda një viti GNP-ja ruse ishte më e lartë sesa pat qenë para krizës financiare. Edhe kreditorëve të jashtëm iu ofruan marrëveshje që ata i gjetën të leverdishme për t’i pranuar.

Evolucioni politik dhe social i Rusisë ka qenë shumë më pak i kënaqshëm. Familja e Jelcinit, nën drejtimin e Boris Berezovskit, po kërkonte një pasardhës të Jelcinit, i cili do t’i mbronte ata nga ndjekjet penale pas zgjedhjeve. Më në fund e gjetën një të tillë në personin e Vladimir Putinit, drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurimit (FSB). Në verë të 1999-ës, ai u bë kryeministër dhe u caktua si kandidat i Jelcinit për presidencën. Ndodhi një acarim i beftë i veprimtarisë terroriste çeçene. Kur Shamil Basajevi, një nga komandantët terroristë çeçenë, shkeli Dagestanin fqinjë, Putini reagoi fuqimisht. Forcat e sigurimit sulmuan terroristët dhe Putini lëshoi një ultimatum, që njoftonte se Dagestani do të pastrohej prej terroristëve rreth 25 gushtit. Data objektiv u arrit. Popullsia ruse iu përgjigj marrjes në dorë të situatës nga ana e Putinit me entuziazëm dhe popullariteti i tij u ngrit në qiell. Atëherë ndodhën një varg shpërthimesh të mistershme në Moskë, në të cilat godina të tëra me apartamente banimi u hodhën në erë dhe rreth treqind vetë u vranë kur ishin në gjumë.

Në panikun që pasoi, dyshimi dhe zemërimi u drejtuan kundër çeçenëve; këtë e ndihmoi një fushatë e orkestruar me kujdes në shtyp dhe në televizion. Putini invadoi Çeçeninë dhe zgjedhjet e Dumës u mbajtën në një atmosferë histerie lufte. Shumë pak kandidatë guxuan t’i kundërviheshin invazionit.

Grigori Javlinski ishte ndër këta të paktë. Ai e mbështeti fushatën antiterroriste në Dagestan, por e veçoi atë nga invadimi i vetë Çeçenisë. Popullariteti i partisë së tij, Jablloko-s, ra vërtikthi dhe mezi e kaloi pragun e 5 përqindëshit të votave që kërkohej për t’u përfaqësuar në Duma. Një parti qeveritare e sajuar me ngut, Uniteti, pa një program koherent, zuri vendin e dytë pas komunistëve, me 23 për qind. Bashkimi i Forcave të Djathta, i udhëhequr nga Çubaisi, Kirijenkoja dhe reformatorë të tjerë, e pranoi Putinin dhe arriti një kuotë mjaft të mirë me 8.6 për qind. Primakovi, i cili, kishte përkrahjen e kryetarit të Bashkisë së Moskës, Luzhkov, që pat qenë konsideruar kandidati favorit për president, pati një humbje vendimtare; partia e tyre mori vetëm 13 për qind.

Duke shfrytëzuar momentin e krijuar nga fitorja në zgjedhjet parlamentare, Jelcini njoftoi dorëheqjen e tij në vigjilje të Vitit të Ri, duke siguruar përnjëmend zgjedhjen e Putinit si pasardhës të tij. Primakovi u tërhoq nga gara.

Ngjitja fenomenale e Putinit prej humbëtirës kishte një ngjashmëri të frikshme me atë bëmë të inxhinierisë politike me të cilën u rizgjodh Jelcini më 1996. Nga përvoja e gjatë me Berezovskin, unë shoh dorën e tij në të dy operacionet. Për herë të parë jam takuar me të, lidhur me kontributin e tij prej 1.5 milionë dollarësh në Fondacionin Ndërkombëtar të Shkencës, kur drejtori ekzekutiv i Fondacionit, Aleks Goldfarbi, ma paraqiti. E kam përshkruar bisedën tonë të mirënjohur në Davos. Më pas, Berezovski mëtonte se ishte kjo bisedë që e shtyu të formonte një sindikatë për rizgjedhjen e Jelcinit. Gjatë vitit 1996, patëm një numër diskutimesh shumë të çiltra rreth fushatës zgjedhore. Më duhej të dija si vepronte ai.

Më pas u bëmë kundërshtarë në ankandin e Svjazinvestit por vazhduam të flasim me njëri-tjetrin. U përpoqa ta ktheja atë nga kapitalist plaçkitës në kapitalist normal. Ai u rrek të më shfrytëzonte në fushatën e tij për të shtënë në dorë postin e presidentit të Gazpromit, organizmit më të fuqishëm tregtar në Rusi. Në qershor 1997 më ftoi në Soçi për t’i bërë vizitë Çernomërdinit, i cili kishte qenë president i Gazpromit para se të bëhej kryeministër dhe pastaj më ktheu në Moskë me aeroplanin e tij privat. Ai më tha se edhe Çubaisi edhe Nemcovi mbështetnin kandidaturën e tij. Nuk i besova, prandaj pyeta Nemcovin. Ai këtë e dëgjonte për herë të parë. “Vetëm po të kalojë mbi kufomën time” ishte përgjigjja e tij.

Më pas hëngra një drekë me Berezovskin në “klubin” e tij, i cili ishte zbukuruar, në mënyrë të ndërgjegjshme a jo, ashtu si do ta paraqiste Holivudi një limer takimesh të mafias. Isha i vetmi mysafir. Nuk i thashë ç’tha Nemcovi por i tregova që e kisha pyetur Nemcovin dhe se ai pretendonte që nuk dinte gjë që Berezovski kërkonte të bëhej president i Gazpromit. Kjo e tërboi Berezovskin dhe zemërimi i tij më shtiu të ngjethurat në trup. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës e ndjeja se mund të më vriste. Nuk e tha këtë, por më la të kuptoja që e ka tradhtuar atë. Kjo ishte një pikë kthese në marrëdhëniet tona. Ne vazhdonim t’i flisnim njëri tjetrit; në një rast Berezovski erdhi me aeroplan në Nju Jork pikërisht që të më shihte, por që atëherë përpiqesha t’i rrija larg.

Siç e thashë, grindjet mes oligarkëve dhe konfliktet ndërmjet Berezovskit dhe Çubaisit, në veçanti, ishin një episod i çuditshëm, ndonëse jo aq i çuditshëm sa ngritja e Putinit në rangun e pasardhësit të Jelcinit. Berezovski e shihte botën nëpër prizmin e interesave të tij vetjake. Ai nuk e kishte zor t’ia nënshtronte te ardhmes së vet, fatin e Rusisë. Besonte çiltërsisht se ai dhe oligarkët e tjerë e kishin blerë qeverinë duke paguar për rizgjedhjen e Jelcinit dhe se qeveria e kishte shkelur ujdinë duke lejuar të bëhej një ankand i vërtetë për Svjazinvestin. Ai ishte i vendosur ta shembte përdhe Çubaisin që e kishte tradhtuar. Kur e paralajmërova se po rrëzonte tendën që kishte mbi krye, u përgjigj se s’kishte rrugë tjetër; po të shfaqte ndonjë dobësi nuk mund të mbijetonte.

Nuk mundja ta kuptoja këtë në atë kohë, por duke hedhur sytë prapa ajo merr një domethënie të përsosur. Berezovski nuk mund ta bënte dot kalimin në një situatë ku veprohet në mënyrë të ligjshme; i vetmi shans mbijetese për të, ishte t’i mbante njerëzit të ngërthyer në rrjetën e marrëdhënieve të paligjshme që kishte krijuar. E mbante mbërthyer Jelcinin për shkak të favoreve të paligjshme që kishte rregulluar për familjen e Jelcinit. Për shembull, ai kishte bërë dhëndrin e Jelcinit menaxher të Aeroflotit, të ardhurat në valutë të fortë të së cilës çoheshin jo aty ku duhej por në kompaninë zvicerane të quajtur Forus, e cila, siç më shpjegoi, kishte kuptimin “për ne” (for us). Kjo i jepte mundësi të kishte pushtet mbi Jelcinin, të cilin nuk e kishte askush nga oligarkët e tjerë. Berezovski e kishte nën kontroll edhe Çubaisin, dhe kur erdhi çasti vendimtar ai nuk nguroi ta shfrytëzonte këtë. Të 90000 dollarët që Çubaisi kishte marrë në formën e një kontrate për një libër fiktiv u bënë shkak i rënies së tij të përkohshme. Kjo është perspektiva që do të jetë pasojë e situatës së tanishme. Berezovski dhe familja e Jelcinit po kërkonin një rrugë për të përjetësuar imunitetin që gëzonte në kohën e presidencës së Jelcinit. Ata provuan shumë rrugë, disa fare qesharake. Në një çast, me nxitjen e Berezovskit, Jelcini informoi presidentin e Dumës se do të emëronte kryeministër Nikollai Aksionenkon, por Çubai si ndërhyri dhe në dokumentin zyrtar që iu dërgua Dumës emërohej Sergei Stepashini. Më pas Stepashini u hoq nga detyra.

Situata e Berezovskitu bë e dëshpëruar kur plasi skandali i pastrimit të parave të paligjshme ruse në bankat amerikane më 1999 dhe ai e kuptoi që nuk mund të gjente strehim në Perëndim. Me një mënyrë a një tjetër ai duhej të gjente një pasardhës të Jelcinit që do ta mbronte atë. Atëherë u përvijua plani për të paraqitur kandidaturën e Putinit. Duke udhëtuar me aeroplan prej Soçit në Moskë më 1997, Berezovski më pat rrëfyer që i kishte paguar dhe i kishte të qëruara hesapet me komandantët ushtarakë antirusë në Çeçeni dhe Abhazi. Kështu, kur udhëheqësi çeçen Shamil Basajev shkeli Dagestanin, nuhata diçka të keqe. Mendova një provë për ta kontrolluar këtë hamendje: a do të tërhiqej Basajevi brenda afatit të caktuar nga Putini? Ashtu veproi. Por edhe pse kështu ndodhi, nuk mund të jem krejt i bindur që shpërthimet në ndërtesat me apartamente të Moskës mund të jenë pjesë e një plani për të përligjur luftën. Do të ishte tepër djallëzore. Por nuk do të ishte e vetmja; historia ruse është e mbushur me krime të kryera nga agjentë provokatorë, që nga Azevi, spiuni i periudhës cariste, deri te vrasja e Kirovit, e cila u përdor për të përligjur spastrimet e Stalinit, por, megjithëkëtë, do të përbënte një klasë më vete.

Ende nuk mund ta përjashtoj këtë. Nga pikëpamja e Berezovskit shpërthimet kanë një domethënie të përsosur. Sulme të tilla jo vetëm do të ndihmonin të zgjidhej një president, i cili do t’i siguronte imunitet Jelcinit dhe familjes së tij, por do t’i jepte mundësi edhe atij, Berezovskit, të kishte pushtet mbi Putinin. Deri më sot, asnjë dëshmi, nuk ka dalë në shesh që ta kundërshtojë këtë teori.

Ndërsa ne mund të mos e gjejmë kurrë të vërtetën për shpërthimet e Moskës, s’ka dyshim që lufta në Çeçeni ishte ajo që i dha shtysën Putinit drejt fitores. Këtë e shoh si një gjë të trishtueshme. Ndërmjet viteve 1994 dhe 1996, gjatë luftës së mëparshme çeçene, popullsia ruse hidhërohej kur shihte shkretimin dhe vuajtjet e shkaktuara prej invazionit në Çeçeni. Protestat e nënave të ushtarëve të rekrutuar dhe e veprimtarëve për të drejtat e njeriut, si Sergei Kovaljovi, ndihmuan për të arritur një marrëveshje nëpërmjet negociatave. Këtë herë reagimi i popullsisë ruse ndryshon fort nga qëndrimi i saj pesë vjet të shkuara. Pa dyshim, terroristët çeçenë duhet të mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë. Ata kapnin punonjës të ndihmave dhe gazetarë, i mbanin për t’i liruar me shpërblim dhe shpesh herë edhe i vrisnin. Fred Cuny, heroi i Sarajevës, kështu vdiq. Është vështirë të ketë mbetur ndonjë që të guxojë të angazhohet për të ndihmuar çeçenët ose për t’ia bërë të njohura opinionit publik mizoritë që kanë pësuar ata.

U bë një manipulim mjeshtëror i ndjenjave të publikut kundër tyre. Është fakt që qëndrimi i popullsisë ruse është shumë i ndryshëm nga ai i pak vjetëve të shkuara. Në fillim të kohës pas Gorbaçovit, rusët kishin një neveri për dhunën. Në fakt, shumë pak gjak u derdh në ditët e para dhe, në raste të rralla kur u vranë njerëz, në Tbilis, në Lituani dhe më vonë kur u rrethua Duma në tetor 1993, opinioni publik u kthye kundër atyre që përdorën forcën. Tani jo. Me zgjedhjen e Putinit president në mars, rusët do të ngatërrohen më shumë se kurrë në gjakderdhjen në Çeçeni.

Ka një teori sipas së cilës një viktimë që është keqtrajtuar mizorisht mund të joshet nga dhuna. Modeli duket se përputhet e u shkon për shtat shumë kriminelëve të dhunshëm dhe ngjan që zbatohet edhe për dhunën etnike. Serbët prej një kohe të gjatë e konsideronin veten viktima dhe Milosheviçi mundi ta shfrytëzojë këtë ndjenjë në ndjekjen e një politike të pastrimit etnik. Diçka e ngjashme duket se ka ndodhur në Rusi.

Putini do të përpiqet të rivendosë një shtet të fortë dhe mund t’ia dalë mbanë. Për shumë arsye ky do të ishte një zhvillim i dëshirueshëm. Siç na ka mësuar përvoja ruse, një shtet i dobët mund të jetë kërcënim për lirinë. Që të funksionojë një ekonomi tregu është e domosdoshme që të ketë një pushtet, i cili t’i bëjë të detyrueshme rregullat. Duke kryer kalimin prej kapitalizmit plaçkitës në një kapitalizëm normal, Putini mund të drejtojë një rimëkëmbje ekonomike; investimet e mia në Rusi – duke përfshirë edhe atë të Svjazinvestit – më në fund do të shlyheshin.

Por shteti i Putinit s’ka të ngjare të ndërtohet sipas parimeve të një shoqërie të hapur, me shumë gjasa ka të bazohet mbi demoralizimin, poshtërimin dhe zhgënjimin e popullit rus. Ka të ngjarë që ai të vazhdojë të shfrytëzojë ndjenjën e tmerrit që kanë njerëzit kur ndërtesat e banimit hidhen në erë dhe të kërkojë të vendosë autoritetin e shtetit brenda vendit dhe lavdinë e Rusisë në botë. Parashikime të përpikta s’mund të bëhen, por duket e besueshme që qeveria e re do të jetë autoritare dhe nacionaliste. Është kuptimplotë që një nga lëvizjet e para të Putinit ishte të hidhte poshtë aleancat në Duma me partitë e Javlinskit, Gajdarit dhe Çubaisit dhe të bënte një ujdi për të siguruar mbështetjen e komunistëve.

Një gjë e kam të qartë: ne po përballemi me një perspektivë e cila mund të ishte shmangur sikur shoqëritë e hapura të Perëndimit të ishin angazhuar vetë më vendosmërisht e pa lëkundje për parimet e një shoqërie të hapur.

Në fjalimin e vet të lamtumirës Jelcini i kërkonte ndjesë popullit rus: “për faktin se shumë nga shpresat tona nuk u ndërtuan, për gjerat që ne na dukeshin të thjeshta por dolën të vështira e të mundimshme”. Unë dëshiroj të lyp ndjesë për faktin që nuk isha në gjendje të përligj shpresat e disa njerëzve që besonin se ne do të ishim të zotë të turreshim përpara nga një e kaluar e hirtë totalitare dhe e amullt drejt një të ardhme me të ndritshme e të pasur. Vetë besoja në këtë. Por nuk u arrit diçka e tillë. Nga një aspekt isha tepër naiv. Jelcini nuk e zuri në gojë që ai dhe shumë të tjerë e mbështetnin besimin e tyre te Perëndimi por Perëndimi nuk vepronte sipas shpresave të tyre pa dyshim të tepruara. Unë mund të flas vetëm për vete. Në fillim mendoja se shtetarët perëndimorë thjesht nuk e kuptonin ç’po ndodhte. Që Gorbaçovi dëshironte ta ndryshonte sistemin ishte tepër e bukur për ta besuar, kështu që ata kërkonin ta vinin në provë. Ata i vinin pengesa dhe kur Gorbaçovi i kapërcente, i vinin pengesa më të larta. Më në fund iu desh të pranonin se ndryshimi ishte real, por ndërkohë e humbën krejt respektin për Rusinë si superfuqi. Nisën t’i trajtonin rusët si lypës. Gjetën para sipas Aktit Nunn – Lugar për t’i ndihmuar ata për çarmatimin bërthamor, por jo shumë për ndonjë gjë tjetër. Mbaj mend që një ekonomist rus më ka thënë se harxhoi pesë orë me Sekretarin e Shtetit James Baker, kur po shkonte me aeroplan për në Seattle më 1990, duke i lypur ndihmë, por pa dobi.

Sjell ndërmend gjithashtu Aleksandër Jakovlevin, që ishte forca kryesore shtytëse në shpinë të Gorbaçovit, që më pat thënë, shumë më vonë, sa i poshtëruar ndjehej në marrëdhëniet e tij të punës me amerikanët. Me keqardhje më duhej të nxirrja përfundimin që Perëndimi nuk kujdesej shumë për shoqërinë e hapur si një koncept universal. Sikur të kishte vepruar kështu, procesi i tranzicionit do të kishte qenë shumë i dhimbshëm për Rusinë, me shumë çrregullime dhe zhgënjime, por të paktën do të kishte ecur në drejtimin e duhur. Rusia mund të ishte bërë një demokraci e vërtetë dhe një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç u bë Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore dhe Planit Marshall. Por nuk është kjo perspektiva me të cilën përballemi sot.

Fondacioni im mbetet shumë aktiv në Rusi dhe ka një mbështetje të fortë prej shoqërisë ruse. Ne krijuam tridhjetë e dy qendra kompjuterash në universitetet provinciale ruse. Kjo ka ndihmuar të zhvillohet Interneti në Rusi, informacioni i drejtpërdrejtë nëpërmjet tij po lind si një alternativë ndaj një shtypi gjithmonë e më tepër të druajtur. Në shumë nga programet tona të kohëve të fundit, ne ngulmojmë për bashkim fondesh me pushtetin vendor. Për shembull, ne po pajisim me libra pesë mijë biblioteka vendore dhe kërkojmë 25 për qind të çmimit të tyre vitin e parë, 50 për qind vitin e dytë dhe 75 për qind të tretin dhe po e marrim realisht atë. Kur deshëm të futnim një program reforme arsimore në gjashtë qarqe, pesëmbëdhjetë nga to ofruan të vinin fonde për t’i bashkuar me tonat. Unë mbetem i angazhuar për të mbështetur punën e fondacionit për aq kohë sa ai të ketë mbështetjen e shoqërisë ruse dhe të lejohet të funksionojë. Aspirata për një shoqëri të hapur është një flakë që nuk e shoi dot as terrori i Stalinit. Jam i sigurt se ajo do të mbetet e gjallë në Rusi cilado të jetë e ardhmja e saj./George Soros/

 

 

SHKARKO APP