Elton Metaj: Amerikanët, duam Korridorin Tetë

(Botuar me 16 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Elton Metaj-

TIRANË – Realizimi i Korridorit të Tetë merr një tjetër shtysë nga pala amerikane. Naftësjellësi Burgas – Vlorë, rrjeti hekurudhor shqiptar dhe Porti i Durrësit kanë qenë pikat për të cilat është diskutuar midis përfaqësuesve të agjencive të ndryshme amerikane dhe delegacionit shqiptar të kryesuar nga zv/ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sadedin Çeliku, gjatë vizitës në SHBA. “Në fund të muajit maj do të prezantohet projekti përfundimtar i naftësjellësit ndërkontinental Burgas – Sofje – Shkup – Vlorë me një vlerë prej 826 milionë USD”- tha dje për “Koha Jonë”, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Ilia Çili. Ky projekt është hartuar nga kompania amerikane AMBO dhe në Stamboll të Turqisë do të zhvillohet një takim me vendet prodhuese të naftës e gazit të Azisë Qendrore dhe vendet nëpër të cilat kalon korridori transkontinental Nr. 8. Prezantimin e projektit para botës financiare për palën amerikane do ta bëjë z. Holbruk. Gjithashtu lidhur me Korridorin e Tetë, që është një iniciativë amerikane, një projekt i veçantë i është kushtuar rrjetit hekurudhor shqiptar. Agjencia Amerikane për Tregtinë dhe Zhvillimin (TDA) i ka dorëzuar ambasadës amerikane në Tiranë kopjen e Marrëveshjes së Grantit për të bërë efektiv një transh prej 1. 6 milionë USD. Vlefta prej 1. 6 milionë USD përbën transhin e dytë të të gjithë shumës së dhënë nga qeveria amerikane për transportin dhe do të përdoret për pajisje për sistemin e telekomunikimit të hekurudhës shqiptare. Shuma e plotë e dhënë falas nga qeveria amerikane për Shqipërinë është 10. 3 milionë USD, nga të cilat 2. 3 milionë USD tashmë janë në dispozicion të palës shqiptare për t’u përdorur. Akti përfundimtar do të jetë firmosja së shpejti nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Gaqo Apostoli dhe Ambasadorja e SHBA-së, Mariza Lino i Marrëveshjes së Grantit. Ndërkohë për projektin e Portit të Durrësit që do të financohet nga Banka Botërore, palës shqiptare i është premtuar se paratë do të jenë efektive në muajin shtator të këtij viti. “Kontrata prej 23 milionë USD, e nënshkruar para pak kohëve me BB, është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe do t’i paraqitet Bordit të Drejtorëve. Gjithashtu përfaqësuesi i BB ka rekomanduar krijimin e një njësie jashtë ministrisë për manaxhimin e Projektit të Portit të Durrësit”, sqaron drejtori Çili. Gatishmëria e qeverisë dhe agjencive amerikane për financimin e realizimit të Korridorit Ndërkontinental Nr. 8 tashmë pret zbatimin konkret të projekteve të financuara nga pala shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama

ELTON METAJ

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?