Emin Barçi: “Koha jonë” dhe socialistët

(Botuar me 18 gusht 1996 në KOHA JONE)

Nga Emin Barçi-

“Pyetjes se “Koha jonë” është bërë tendencioze ndaj PS, nuk mund t’i japë përgjigje që t’u kënaqë të gjithëve… Por ju kuptojeni vetë”, tha dje nënkryetari socialist Servet Pëllumbi në mbledhjen e konferencës së PS të kryeqytetit. Përpara kësaj përgjigje të S. Pëllumbit, gazetarët e “Koha jonë” janë penguar dhe keqtrajtuar nga liderët socialistë dhe disa komunistë që partinë më të afërt legale kanë gjetur PS. Pyetjes së mundshme të lexuesve sepse ne jemi penguar të hyjmë në konferencë ne nuk mund t’i japim përgjigje, por “ju e kuptoni vetë”…

Ndërkohë gazetarët e radiove, Zërit të Amerikës dhe BBC, të gazetave “Albania” dhe “RD” lejohen të hyjnë brenda në sallën ku po zhvilloheshin punimet e konferencës, të incizojnë zërin e qetë dhe ulërimat e nënkryetarit Pëllumbi.

Po dje, një diskutant citohet të ketë thënë: “Koha jonë” po shkatërron zërin e popullit me 13 mijë kopje”.

Ai ka bërë thirrje që liderët socialistë të flasin vetëm për gazetën e partisë së tyre, që ta shpëtojnë nga falimentimi. Por liderët socialistë edhe pa këtë këshillë të “bazës”, që nga publikimi i mocionit Nano, rreth një muaj më parë, kanë vendosur një embargo informative dhe deklarative ndaj “Koha Jonë”. Një mbledhje e kryesisë së PS i është kushtuar vetëm analizës së gazetarëve politikë të “Koha jonë”, duke i ndarë në të SHIK-ut dhe në të majtë. Pas bllokadës 4-vjeçare informative nga PD, pas burgimeve, dhunës, poshtërimeve e akuzave për komunistë agjentë të Sigurimit dhe shërbimeve të huaja nga shteti, gazetarët e “Koha Jonë” duhet të përballojnë dhe komunistët që militojnë në PS. Ky sulm që vjen nga një pjesë shumë e vogël e PS-së na gëzon, pasi vërteton më së miri se gazeta “Koha Jonë” është kryesisht e pavarur. “Koha Jonë” e ka pasqyruar me vërtetësi dhe shpejtësi debatin që lindi në PS pas mocionit Nano duke cituar, si mbështetësit e kryetarit të burgosur dhe kundërshtarët e tij. Shifrat kokëforte tregojnë se baza socialiste zgjodhi gazetën tonë për t’u informuar rreth asaj që ndodh me partinë e tyre. Ndërsa një socialist ankohet: “Koha Jonë po shkatërron Zërin e Popullit që është katandisur në 13 mijë kopje”. Shkakun pse gazeta “Zëri i Popullit” ka vetëm gjysmën e tirazhit të “Koha Jonë”, liderët socialistë ta gjejnë brenda strukturave të tyre. Socialistët e thjeshtë mund të vazhdojë të informohen saktë, shpejt, dhe me objektivitet nga “Koha Jonë” për çka ndodh në PS dhe jashtë saj. Berisha dhe regjimi i tij na kanë stërvitur të marrim informacion edhe kur ndokush nuk dëshiron./Emin Barçi/

 

SHKARKO APP