Emin Barçi: Kulaçi dhe kërbaçi

(Botuar me 27 Shkurt 1998 në KOHA JONE)

Nga Emin Barçi

Pas ngjarjeve në Shkodër, Kukës, Berat dhe Tiranë, perëndimi duket se ka vendosur të zbatojë me Shqipërinë politikën e kulaçit dhe kërbaçit. Dje, Komisioni Evropian i akordoi qeverisë shqiptare një ndihmë prej 5 milionë ECU (kulaçi), duke theksuar se do të ketë edhe fonde të tjera, nëse Shqipëria bën përparime në reformat e nisura ekonomike dhe administrative (kërbaçi). Po dje, ministri i Jashtëm gjerman Kinkel, pasi theksoi se ngjarjet e Shkodrës nuk janë fotografia e gjithë Shqipërisë (kulaçi), nuk harroi të kujtojë shqiptarët se janë vetë fajtorë për çka ndodh në vendin e tyre (kërbaçi).

Nxitimi i perëndimit për të përkrahur qeverinë e kryeministrit Nano, nga njëra anë është e merituar nga ky i fundit. Nga ana tjetër, kancelaritë janë të detyruar të mbështesin stabilitetin në Shqipëri, pasi një krizë e re si ajo e marsit ’97 do të krijonte sërish probleme për gjithë komunitetin ndërkombëtar.

Lidhur me trazirat e Shkodrës, kryeministri italian Prodi u shpreh i sigurt se ngjarja ishte e lokalizuar dhe e organizuar vetëm nga disa dhjetëra persona. Por 72 orët që vijuan, plotësuan kuadrin e rishfaqjes në miniaturë të dramës “pranverë ’97”. Një ngarkesë tritoli la pa ujë të pijshëm 40 mijë banorët e Kukësit. Banditë me kallashnikovë bënë masakër në mes të Beratit, duke detyruar 50 mijë banorët e tij të mbyllen nëpër shtëpi në mes të ditës. Së fundi në kryeqytet, të burgosurit tentojnë lirinë si një vit më parë.

Pavarësisht se nga pikëpamja gjeografike ngjarjet janë të shpërndara, në mendjet e gjithë shqiptarëve për katër ditë rresht është rikthyer pasiguria e jetës që u përjetua në pranverën e kaluar. Ai besim që kjo qeveri kishte filluar të ushqente te shtetasit e vet, brenda katër ditësh u lëkund ndjeshëm. Siguria për jetën nuk do të dijë nëse sulmi organizohet nga Serbia apo Saliu. Paqja e qytetarëve nuk lidhet me ashpërsinë e deklaratave të drejtuesve të rendit, apo edhe e deklaratave të drejtuesve të rendit, apo edhe të vetë kryeministrit, i cili mbrëmë e cilësoi PD, si maternitet të krimit, pasi ky i fundit ngriti krye deri në frikësim. Në kushtet që po përjeton vendi, një vizë për jashtë shtetit mbetet partia apo zgjidhja më e preferuar për shqiptarët.

Ndërsa perëndimi po dënon nxitësit moralë dhe politikë të dhunës që këto ditë ka shpërthyer në Shqipëri dhe po mbështet qeverinë e koalicionit pa rezerva, shqiptarët duan të dinë se deri kur do të vazhdojë ky qëndrim. Ndihma me fjalë dhe deklarata mund të vazhdojë edhe pafund, por Shqipërisë i duhen investime, kredi, korridore, naftësjellës, punë dhe para. Edhe nëse kancelaritë e perëndimit do të ftonin investitorët e tyre të vraponin në Shqipëri, gropat e tritolit, plumbat e kallashit, gjuhët e flakës, trembin edhe një dollar investim. Ndaj kulaçi dhe kërbaçi perëndimor për Shqipërinë është shumë i thjeshtë dhe i detyruar nga vetë ne: “Jeni të mirë, por paratë tona te ju janë të rrezikuara”.

 

SHKARKO APP