Emin Barçi: Nano, tani dora e fortë

(Botuar me 24 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Emin Barçi

Berisha përfundimisht ra në rrjetën e Nanos. Pas shumë muajsh deklarimesh paqësore, pas shumë ftesash për dialog dhe gjithëpërfshirje, dje Nano deklaroi se shteti do t’i japë përfundimisht përgjigje ligjore të gjitha tentativave për konflikt. Lideri i opozitës, me veprimet e tij anormale, i dha mundësi dje kryeministrit që përpara Trojkës evropiane ta quajë PD “grupim politiko-terrorist”.

Deklaratat paqësore të Nanos menjëherë pas zgjedhjeve si dhe thirrjet e perëndimit për “pajtim kombëtar”, u morën nga Berisha si dobësi e pushtetarëve të rinj dhe ringjallje e përkrahjes ndaj PD nga perëndimi. Pak ditë pas zgjedhjeve, Berisha dhe disa qindra fansa të tij, për rreth 40 ditë rresht bllokuan qendrën e Tiranës, duke e quajtur veten manifestues për demokraci. Kur kuptuan se askush nuk po marrosej pas tyre, ndryshuan taktikë. Filluan serialin e grevave të urisë, braktisjen e parlamentit dhe thirrjet për acarim të situatës, deri në tentativën për grusht shteti të armatosur që dështoi në Shkodër. Vetë kryeministri dje e ka akuzuar “kriminelin me imunitet politik” se po hedh në erë ujësjellës dhe kabina elektrike, e se po bën thirrje për mosdorëzimin e armëve.

Ndërsa shtypi dhe baza e koalicionit qeveritar prej muajsh po kërkojnë veprimin energjik të shtetit, herë Nano, herë Majko e herë Islami, me deklaratat e tyre dukej se kishin vendosur që Berisha me pasuesit e tij edhe mund të vrisnin, hidhnin në erë, merrnin peng njerëzit e pushtetit, por për hir të politikës asnjëherë nuk do të ndëshkoheshin. Po krijohej përshtypja se asfiksia po orientohej nga perëndimi, pasi në Shqipëri nuk mund të përballohej një krizë e dytë pozitë opozitë. Pikërisht dje, Nano i tha Evropës ato që shqiptarët prisnin prej kohësh, por me shpresë të humbur se do t’i dëgjonin nga goja e kryeministrit. Ai dje tregoi se tolarenca e shtatë muajve të fundit e pushtetit ndaj opozitës, ka qenë rrjeta për të peshkuar të sëmurin për pushtet – Berishën, për ta paraqitur atë edhe në Evropë ashtu siç e njohin në Shqipëri. Nano bindi dje Evropën se Berisha me veprimet e tij ka shkëputur vëmendjen e njerëzve nga hallet e përditshme, duke i detyruar të kërkojnë së pari: “a do arrestohet apo jo krimineli me imunitet politik”.

Vetë Nano thotë se opozita destruktive “nuk do të na shtyjë të përdorim burgjet kundër kundërshtarëve”, por ai qartazi thekson se shteti dhe institucionet që po ngrihen, do t’i japin përgjigje ligjore atyre që kërkojnë konflikt. Më në fund, kryeministri qartas ia lëshon “topin” Berishës, prokurorisë dhe gjykatave. Vetëm pak javë në parë Dini i dha Nanos leksionin e “qeverisjes me dorë të fortë, pa iu nënshtruar presioneve të rrugës”. Ndërsa dje, Trojka evropiane i bëri të qartë Berishës se “askujt nuk duhet t’i shkojë ndër mend ideja e zgjedhjeve të reja”. Pjesa e parë e “lojës” mbaroi.

SHKARKO APP