Emin Barçi: Nano mes Vlorës e Rinasit
(Botuar me 19 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Emin Barçi:-
Kryeministri Nano vlerësoi më shumë qiellin e Rinasit sesa detin e Vlorës. Ai nuk do të marrë pjesë në mbylljen e fushatës elektorale të Aleancës për Shtetin. Liderë të përbërësve të Aleancës, menjëherë akuzuan kryeministrin se është frikësuar ndaj ballafaqimit me vlonjatët si rezultat i dështimit të politikave qeveritare për këtë qytet. Por Nano duket se sot nuk ka ndërmend të frikësohet nga sherret politike, të cilat gjithmonë përfundojnë me personazhin “Berisha”. Në të kundërt, Nano ka vendosur të mos merret me këtë personazh, qoftë edhe për hatër të Vlorës, por të ngrejë në qiellin e gjithë Shqipërisë aviacionin luftarak, duke llogaritur të trembë Millosheviçin dhe t’i japë zemër Kosovës e gjithë shqiptarëve.
Edhe nëse Nano do të kishte preferuar të shkonte në Vlorë, pak shanse do të kishte që të “demaskohej”. Megjithëse minore për nga shtrirja, kjo fushatë nuk u mor fare me hallet e përditshme të njerëzve, por me analizën e politikës së madhe kombëtare e ndërkombëtare. Kandidatët për kryetarë komunash të fshatrave të varfër shqiptarë, nëpërmjet kësaj fushate duhet ta konsiderojnë të kryer trajnimin për kryeministër, ministër financash apo të jashtëm. Opozita, duke kuptuar me vonesë se humbi lojën diplomatike ndaj problemit të Kosovës, kaloi në ekstremin e luftës.
Duke imituar Isa Boletinin e Vlorës në Progër të Devollit, Sali Berisha lexoi pretencën e “tradhtarëve” dhe “hajdutëve” të kombit. Nga ana e vet, koalicioni qeveritar, duke shfrytëzuar me mjeshtëri këtë lojë të dobët të kundërshtarit të vet, e spostoi vëmendjen në të kaluarën, duke rikujtuar shkatërrimin e vendit dhe vrasjen e mijëra vetëve me protagonist Berishën ish-president.
Në këtë mënyrë, kjo fushatë elektorale, nga fushatë e luftës së programeve për ngritjen dhe funksionimin e pushtetit të shkatërruar lokal, u kthye si në lojën: çel e mbyll… Berishën.
Që në janar të këtij viti, kryeministri Nano paralajmëroi kabinetin e tij se nuk do pranojë më të përdoret emri i Berishës si argument për mosecjen e punëve sipas programeve. Fushata që sot mbyllet, tregoi se jo vetëm që paralajmërimi i kryeministrit nuk është konsideruar, por Berisha u përdor deri në absurd. Dëshmi për këtë është Vlora, ku për kryetar Bashkie pretendentët më të mundshëm janë dy socialistë (njëri i deklaruar i pavarur). Megjithëse koalicioni i PD është jashtë garës së Vlorës, në Sheshin e Flamurit liderët e Aleancës për Shtetin “dërrmojnë” Berishën. Trashëgiminë e absurdit të fushatave elektorale shqiptare, këtë herë do ta shurdhojë uturima e avionëve./Emin Barçi/