Emin Barçi: Qeveria përgjegjëse e fajdeve

(Botuar me 27 nëntor 1996 në KOHA JONE)

Nga Emin Barçi-

Para një jave “Grunjasi” nëpërmjet arratisjes deklaron falimentimin duke groposur rreth 13 milionë dollarë të 30 mijë fajdexhinjve. Në mes të panikut presidenti Berisha i deklaron FMN-së se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë dhe se fajdetë janë të garantuara në investime. Parlamenti bie dakord të ngrejë një komision hetimi për këto firma. Sudja arrin të premtojë 170 %  në pesë muaj, por dje ka shpallur pezullimin e aktivitetit. Ndërsa numri 1 i ekonomisë shqiptare, Ministri i Financave Bode, si një fëmijë i pafajshëm dje deklaroi: “Është kapitalizëm. Firmat edhe falimentojnë”.

Mbrëmë një grua e ve në shkallët e Sudes, filloi funeralin e shtëpisë së “ngujuar” me fajde. Pyetja jonë por dhe e qytetarëve të thjeshtë prej disa ditësh është: Kush e ka radhën? Deri tani vetëm qeveria ka dhënë përgjigje për pjesën e vet: “Firmat edhe falimentojnë”! Si mundet një qeveri të kalojë kaq lehtë tragjedinë ekonomike të qytetarëve të vet? Dhe a është vërtet qeveria duarlarë para kësaj që po ndodh? Ministri i financave në parlamentin e javës së kaluar kërkoi të tallej keqas me shqiptarët. Ai deklaroi se “fondacionet bamirëse nuk janë objekt kontrolli i Ministrisë së Financave”.

Sipas kësaj deklarate, në bazë të ligjit që njeh Bode, çdo mashtrues mund të ngrejë një firmë bamirësie dhe të marrë para aq sa të ngopet. Por Bode gënjen rëndë dhe me zarar. Bode e di shumë mirë se bamirësit, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, janë të detyruar të deklarojnë pasurinë. Në këto kushte, Bode ose paraardhësit e tij duhet t’i kishin kërkuar në bazë të ligjit Sudes, Xhaferrit, Popullit dhe të gjithë bamirësve deklarimin e pasurisë. Nëse kjo do të ishte bërë, njerëzit do ta kishin bërë vetë hesapin e riskut. Por Bode dhe shteti janë dy herë mashtrues. Ku kanë parë ministrat tanë bamirësi për milionerë? Vetëm një nga klientët që dje ishte gozhduar te dera e Sudes, kishte depozituar 150 milionë lekë. A mund të quhet tahmaja e këtij njeriu objekt bamirësie? Së dyti bamirësitë sipas ligjeve shqiptare nuk kanë qëllim përfitimin ekonomik. Bode dhe qeveria e dinë shumë mirë se thuajse askush nuk ka marrë para në dorë duke treguar barkun bosh ose trupin me plagë.

Bode dhe qeveria janë tre herë mashtruese. Po në parlamentin e javës së kaluar, Bode deklaroi se edhe në kompanitë fajde, shteti nuk e njeh gjendjen e tyre, pasi “fajdetë nuk janë të përfshira në bilanc”. Në ligjin shqiptar mbi kontabilitetin është e përcaktuar qartë se “firmat janë të detyruara që në bilanc të pasqyrojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet”.

Pavarësisht nga ato që Bode thotë sot, një gjë është e qartë; pas përfundimit të aventurës me fajde ose Bode do të hedhë në gjyq drejtuesit e firmave të falimentuara për “mashtrim në bilanc”, ose qytetarët do t’i kërkojnë paratë qeverisë duke e akuzuar për “moszbatim ligji”. Sipas analistëve ekonomikë, në skemat piramidë janë mbyllur rreth 2 miliardë dollarë. Në cilën nga historitë: në atë të Çamërisë apo në atë të Kuvajtit baba i ka treguar Berishës se 2 miliardë dollarë brenda një viti mund të bëhen 4 , 6 apo 8? Gjithsesi ai e garantoi FMN-në. Por FMN nuk e lidhi edhe këtë herë besën me të./Emin Barçi/

SHKARKO APP