Emin Barçi: “VEFA”, si Rajshtagu

(Botuar me 29 Shkurt 1996 në KOHA JONE)

Nga Emin Barçi-

Berisha ka vendosur të krijojë VEFASHTAG (Rajshtag). Pa mbushur 1 orë pas atentatit kriminal ndodhur pranë dyqanit të firmës VEFA në rrugën e Dibrës. Presidenti shqiptar në rolin e kryehetuesit dhe kryespecialistit të autobombave, deklaron se atentatin e ka kryer sigurimi dhe forcat politike të mbështetura prej tij. Të ndaluar gjashtë punonjës të “Koha Jonë” dhe asnjë socialist. Ndërsa zv/Prokurori i Përgjithshëm Fatos Dervishi, të hënën, pas Berishës deklaroi se specialistët janë duke hetuar dhe asgjë nuk dihet ende. Por mbrëmjen e së hënës të zezë në vend “të shoqërohej” në polici gjithë Partia Socialiste, u shoqërua stafi i gazetës “Koha Jonë”. Hitleri për të marrë pushtetin në Gjermani, me njerëzit e tij dogji godinën e Parlamentit që quhet Rajshtag dhe eliminoi të gjithë kundërshtarët politikë duke vendosur diktaturën fashiste më të egër në historinë e njerëzimit. Por Shqipëria, sipas deklaratave të Presidentit dhe PD është në demokraci. Gjithsesi po në vazhdën e deklaratave prej kryehetuesi, presidenti, duke orientuar një hetim politik, përjashton nga hetimet firmën VEFA. Por njerëzit e thjeshtë nuk e besojnë që xhelozia ekonomike nuk vendos bomba. VEFA është ndoshta firma më e fuqishme e biznesit shqiptar. Si e tillë ajo po konkurron gjithë biznesmenët. Lokali që sot zotërohet nga VEFA, më parë ka qenë nën zotërimin e një biznesmeni nga Maqedonia. A mund të përjashtohet hakmarrja e këtij biznesmeni ndaj konkurrencës VEFA? Thuajse në të gjithë tenderat e shpallur nga shteti Vefa me ofertat e saj, ka dalë fituese, duke i hequr kështu firmave të tjera mundësinë për të fituar miliona dollarë. Nëse një teser e kuqe partie vlen më shumë se milionat  dollarëve që posedon Vefa, atëherë Presidenti i Republikës me hamendjet e tij i cili dje u mbështet së fundi dhe nga Prokuroria, ka të drejtë. Për rastësi makina që mbante brenda vdekjen nuk ishte e regjistruar në Shqipëri, por në Pulja të Italisë. Pse të mos jenë koncesionarët italianë kërcënues të Vefa, por opozita? VEFA ka ekskluzivitet për tregtimin në Shqipëri të shumë mallrave italiane. Por siç dihet këtë ekskluzivitet e ka marrë nga Greqia dhe jo nga Italia. Vendi ku mafia ka lindur dhe përditë vepron është mësuar me autobomba si ajo që zhduku gjykatësin Falkone. Por dje fillimisht Presidenti i Republikës dhe hetuesit shqiptarë përjashtuan mundësinë e përzierjes së mafias së huaj në krim. Specialistët e kriminalistikës e quajnë skandaloze përjashtimin e firmës më të madhe shqiptare nga hetimet e autobombës. Arrestimi i Ylli Polovinës, gazetarit që paralajmëronte në përgjithësi vendosjen e autobombave në Shqipëri, më 29 Nëntor 1995, është një pikë tjetër që të çon në përfundimin se gjaku i të vrarëve dhe të plagosurve,do të shfrytëzohet nga pushteti blu. Gjetja e artikullit të Polovinës në një gazetë të vogël vetëm pak orë pas shpërthimit të krijon përshtypjen se dikush në shtet e ka ditur se do të ketë një autobombë dhe e ka ruajtur gazetën për ta paraqitur menjëherë në TV, si nisjen e krimit. Kapja e Polovinës nga shteti është njësoj sikur të çoheshin në qelitë e policisë të gjithë punonjësit e uzinave ushtarake të vendit që prodhojnë lëndë plasëse dhe që shkaktuan vdekjen e 40 të vdekurve dhe 47 të plagosurve. Pas arrestimit të Polovinës mbeten të arrestohen të gjithë ata që e kanë emrin Ylli, si ylli komunist dhe të gjithë ata gazetarë që guxojnë të thonë se opozita e sotme, e cila etiketohet nga pushteti, pas zgjedhjeve do të vijë në pushtet. Së fundi, “Koha Jonë” që u shoqërua e gjitha në polici, nuk ka pasur asnjëherë veturë italiane Fiat Tipo ngjyrë blu. Të tillë nuk kanë pasur as rojet dhe shoferët e saj që shteti nuk i kurseu për t’i mbajtur nëpër qeli. Por Fiat Tipo me ngjyrë blu. Për koincidencë të rastit janë autoveturat më të përdorura nga policia shqiptare. Dhe pa targa, vetëm makinat blu të policisë guxojnë të qarkullojnë. Ndërsa Presidenti dhe shteti mendojnë se krimi është politik. Natën e tragjedisë stafi i “Koha Jonë” u transferua me zyra tek komisariati nr. 2 i policisë./Emin Barçi/

SHKARKO APP