Enkel Dëmi: Nano frikë nga Berisha, anullon mitingun e PS
Botuar me 4 shtator 1998 në KOHA JONE)
Nga Enkel Dëmi-
Anulohet mitingu i Partisë Socialiste i lënë për ditën e diel. Lajmi i marrë dje në orët e vona të natës ka krijuar habi. Sekretarët e PS, të thirrur nga kryetari i tyre, Kryeministër, janë detyruar të heqin dorë nga revanshi i rrugës. Meqë demokratët janë të palejuar nga policia të dalin në shesh, sipas shefit të Qeverisë në shesh nuk kanë pse bëjnë përjashtim socialistët që janë në pushtet.
Ky lajm ka krijuar gjithsesi mërzi në radhët e socialistëve, por reagimi i tyre nuk e ka lëvizur Nanon nga qëndrimi i tij. Kryeministri është mjaftuar me aktivitetet e organizuara për nder të Nënë Terezës, që të japë mesazhet e tij “të paqes”. Me këtë rast Nano ka për të përdorur filozofinë e tij që të sulmojë demokratët, të cilët gjithsesi sot do të jenë në shesh.
Vendimi i Nanos mbetet për t’u vlerësuar në është i drejtë apo jo. Kur, mendon se PD do të dalë në shesh dhe nuk do t’i lërë fjalë pa i thënë, apo që në Lazarat gjendja është jashtë kontrollit, një reagim i socialistëve mund të kishte vlera acaruese. Por, historia nuk mbaron me kaq. Mendimi i Kryeministrit është qytetar, por problemi në Shqipëri qëndron gjetkë. Vështirë se militantët e partisë së tij, të kuptojnë idenë e kryetarit të tyre për të mos e tensionuar edhe më tej gjendjen.
Në këtë moment këta militantë nuk duan t’i shpëtojnë modës së rrugës dhe për këtë janë të mprehur paq. Berisha që ju tregon dhëmbët përditë në shesh dhe para Kryeministrisë i nervozon, ndaj ata kërkojnë t’i kthejnë reston. Por, Nano nuk do. Kjo për ta do të thotë se ai ka frikë dhe mbi të gjitha që nuk përballon dot njeriun e PD. Vetë demokratët sot do të jenë të lumtur. Ata kanë arritur ta fusin Nanon në kafaz dhe ta shajnë mbarë e prapë poshtë dritares. Kjo për ta është e dyta fitore. Të parën e arritën, kur sulmuan rezidencën qeveritare, të dytën tani që nuk po e lënë të dalë në shesh. PD ka të drejtë, gjithmonë sipas mentalitetit të saj, të dalë në rrugë dhe ta ndjejë veten zot.
E fundit është që ndoshta sot policia me gjithë mend nuk ka për të lejuar miting. Kjo do të thotë që shkopi i gomës mund të përdoret, ndaj Nano është tërhequr për të respektuar këtë shkop. Gjithsesi Kryeministri i vendit ka marrë një vendim duke lënë mënjanë reagimin e momentit. Kjo natyrisht që do t’i kushtojë më tepër se të gjithëve atij vetë në shpinë. Ai për të gjitha palët ka për t’u quajtur frikacak dhe këtë gjë ai duhet ta ketë marrë parasysh./Enkel Dëmi/