Enkel Dëmi: Zëri i radio “Koha” një vit me ju

(Botuar me 1 korrik 1998 në KOHA JONE)

-Në 29 qershor 1997 filloi transmetimet radio KOHA-

Nga Enkel Dëmi-

Këtu e një vit më parë në Shqipëri bëheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pas një katrahure të madhe, shqiptarët shkonin të votonin dhe ishin mjaft kuriozë të dinin, nëse vota e tyre do të respektohej. Pikërisht ditën e diel të zgjedhjeve, më 29 qershor, dy gazetarë, Ilir Gjini dhe Alban Dudushi bënin një emision pa ndalesë në një radio private, ku informonin rreth zgjedhjeve, ecurinë e tyre, merrnin intervista dhe tregonin para gjithkujt se kush fitonte në këto zgjedhje.

Kjo radio emetonte në 98.1 megaherc dhe quhej Radio Koha. Kush kujton ditën e atyre zgjedhjeve aq të përfolura, natyrisht që në vesh do t’i ketë mbetur edhe ndonjë sigletë e Radio Koha, e cila padyshim është sot mjaft prepotente në tregun e mediave elektronike duke qenë ende kokëfortë për të mbetur radio me audiencën më të lartë në Shqipëri.

Që në kohën, kur ajo u bë radioja më e preferuar për shqiptarët kanë rrjedhur mjaft ujëra. Kanë hyrë e dalë njerëz në këtë radio, janë hapur dhe mbyllur emisione, por mbi të gjitha publiku vetëm sa është shtuar. Të flasësh pas një viti për një radio është vështirë, vetëm se nuk përmend dot gjithçka dhe mund të harrosh ngjarje, njerëz, por thelbi mund të tregohet. Ai është fare i thjeshtë dhe qëndron në sloganin e kësaj radioje: “Radio Koha, radio e lajmit të fundit”.

Pra, megjithëse ka shkuar një vit Radio Koha është po ajo, e lajmit dhe e informacionit më të fundit, kudo që ai të gjendet. Kështu pak rëndësi ka patur se kush ka punuar për të, Koha ka mbetur radio e lajmit, pavarësisht se ka patur momente që mund ta ketë tradhtuar atë. Megjithatë shqiptarët e morën vesh plagosjen e Azemit nga Radio Koha dhe gjithçka ndodhi në atë ditë. Kur Vejsiu me shokë hynte në grevë urie para TVSH i vetmi burim komunikimi me ta ishte, Radio Koha. Po kështu ndodhi me gjullurdirat e Shkodrës, burgut të Tiranës, apo së fundi në zgjedhjet e pjesshme lokale, minutë pas minute, vetëm në Radio Koha. Tani që ka sosur një vit janë shtuar mjaft konkurrentë të tjerë, dikush në një kioskë, dikush i kompjuterizuar, të gjithë tentojnë të bëjnë radio, pavarësisht se jo të tërë ia dalin mbanë. Kuptohet, tashmë është më e vështirë të mbijetosh, kur FM është mbushur plot me konkurrentë të të gjitha llojeve, por ama një lajm po të dish ta japësh mund të të garantojë jetë. Dhe Radio Koha di ta japë një lajm, të bëjë një emision, paçka se aparaturat e saj mund të ishin edhe më të mira, apo dikush vjen dhe kërcënon.”Koha” është krejtësisht e pavarur, duhet të ekzistojë falë reklamave që transmeton, pa asnjë financim tjetër, nga ndonjë parti, shoqatë, apo biznes. Ajo thjesht duhet të shesë valët e saj që të jetë e shpërblyer financiarisht. Të shesësh valët e tua jo për të gjithë është e kuptueshme, sepse valët nuk janë banane, por gjithsesi janë mall. Të marrësh reklamë në Shqipëri nuk është njësoj si gjetkë, ku klientët të ndjekin nga pas, por gjithsesi bashkëpunimi i biznesit nuk ka munguar në këtë radio. Falë këtij bashkëpunimi ajo është ende në transmetim. Së fundi, Koha ka vetëm një vit që është në transmetim dhe pas një viti pa tjetër që do t’i bëhen dy. /ENKEL DEMI/

SHKARKO APP