Eno Popi: Ana Oxa, 15 këngë në Shqipëri për Nënë Terezën
(Botuar me 3 shtator 1998 në KOHA JONE)
Nga Eno Popi-
Emra të njohur të muzikës italiane si Amedeo Minghi, Ivana Spagna, Katia Ricareli, Andrea Bocelli, Al Banno, Romina Power, Cristina Parodi, Maurizio Costanco, Gino Pauli, Ivana Spagna, Whitney Huston, Kabir Bedi, si dhe orkestra dhe kori i dioqezës së Romës, do të interpretojnë përmes një lidhjeje direkte në sallën “Pali VI” të fondacionit “Zonja e Këshillit të mirë”, një nga organizatorët e këtij aktiviteti.”Shfaqja do të jetë një katekizëm i vërtetë televiziv, i bazuar në dëshmi, kontribute të Nënë Terezës të filmuara në celuloid, pjesë muzikore të pabotuara dhe që do të ekzekutohen nga artistë të mëdhenj të cilët do të lidhen direkt me ekranin e madh të vendosur në sallën e shfaqjes”- thanë organizatorët.
Nëpërmjet lidhjes së drejtpërdrejtë televizive me Italinë, artistët Amedeo Minghi dhe Ivana Spagna do të interpretojnë dy pjesë të kompozuara nga Marcello Marochi të titulluara “Një njeri i ardhur nga larg” dhe “Nënë Tereza”. Ndërsa Katia Ricareli do të këndojë një pjesë të shkëputur nga “Forca e fatit” e Xhuzepe Verdit. Pjesët do të shoqërohen me pamje të jetës së Nënë Terezës, momente të takimeve të saj me Papën, materiale filmike të përgatitura në Kalkutë etj. Gjithashtu pjesë e këtij spektakli në përvjetorin e vdekjes së shenjtores së pashpallur Nënë Tereza, do të jetë edhe fjalimi i nuncit apostolik në Shqipëri, Ivan Dias. Shfaqja, e cila do të regjistrohet nga stacioni televiziv italian i Mediasetit, Canale 5, do të transmetohet në këtë kanal televiziv, në datën 8 shtator dhe më pas do të shpërndahet në botë nga qendra televizive e Vatikanit dhe nga “Telepace”.
Në përkujtim të njëvjetorit të vdekjes së shenjtores “Nënë Tereza”, kjo shoqëri televizive do të vë në funksionim kanalin e tij televiziv Canale 5 i cili do të organizojë në Vatikan një “in memoriam” madhështor ku do të marrin pjesë emrat më të njohur të artit, muzikës dhe spektaklit italian e botëror. Rreth orës 21, këta artistë do të shijojnë përreth 60 minuta “live”, këngët e këngëtares së njohur italaine Anna Oxa e cila do të jetë e pranishme po atë ditë në Tiranë në një koncert të sajin për 3000 vetë. Këngët më të mira të kësaj këngëtareje, të cilat do të këndohen direkt nga vendi ku lindi shenjtorja shqiptare, “Nënë Tereza”, do të transmetohen drejtpërdrejt nga Tirana në Vatikan e më pas dhe në vendin ku mbylli sytë shenjtorja në Indi, nga “Mediaset servis”, i cili pritet të mbërrijë të premten në Tiranë. Këtë lajm e konfirmoi për “KJ” organizatori i kësaj iniciative, me mbështetjen e Vatikanit, Etore Barela. Kështu shumë italianë nga shtëpia e tyre në valët e “Canale 5” do të kenë mundësi që të ndjekin këngëtaren Anna Oxa në një koncert me sukseset e saj më të mëdha direkt nga vendi fqinj Shqipëria.
TIRANË – Anna Oxa, “vajza e Qazimit prej Kruje” dhe një ndër yjet e muzikës italiane do të shkelë për herë të dytë tokën shqiptare ku do të japë një koncert “live” me 15 këngë, të cilat do t’i kushtohen tërësisht shenjtores shqiptare Nënë Terezës. Dita e shtunë do presë në pjesën përpara kantierit të spitalit “Zonja e Këshillit të mirë”, yllin e muzikës italiane e cila do të japë gratis një koncert madhështor ku do të këndojë 15 këngë live, ku përveç këngëve me karakter fetar dhe predikues, do të jenë dhe këngë të tjera nga më të të njohura të repertorit të saj.
Këtë lajm e bëri të ditur dje për “KJ” organizatori i kësaj iniciative, Etore Barela, i cili u shpreh për gazetën se “Kjo iniciativë i takon fondacionit “Zonja e Këshillit të mirë” i cili bën të mundur ardhjen e këngëtares së madhe italiane Oxa në Shqipëri për të përkujtuar përvjetorin e parë të vdekjes së Nënë Terezës. Anna Oxa-as ne i kërkuam të vinte dhe ajo u tregua menjëherë e gatshme dhe pa asnjë detyrim financiar do të këndojë për 3000 shqiptarë dhe për të gjithë botën. Ne sjellim Oxan për herë të dytë në Shqipëri, duke ditur dhe fansat e adhuruesit e shumtë që ka ajo në Tiranë.
Anna Oxa, këngëtarja e lindur në Itali dhe një ndër këngëtaret më të njohura në vendin fqinj, origjinën e saj të vërtetë e ka nga Shqipëria, ndaj dhe ardhja e saj në Tiranë nuk është një rastësi.
Koncerti i këngëtares së madhe italiane do të bëhet i mundur nga fondacioni “Zonja e Këshillit të Mirë” i cili në kryeqytet do të ftojë të gjithë fansat e Oxa-s dhe adhuruesit e muzikës italiane të ndjekin falas për rreth dy orë surprizat që ka përgatitur ky koncert që organizohet në përkujtim të shenjtores shqiptare “Nënë Tereza”, e cila mbylli sytë një vit në parë.
Në kuadrin e këtij përvjetori jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali do të organizohen “tubime përkujtimi” të cilët do të kenë emrat më të njohur të botës së spektaklit, filmit dhe muzikës. Mijëra spektatorë do të kenë mundësi të shijojnë këngët e kantautores së njohur Anna Oxa, e cila do të dhurojë zërin e saj për bashkëkombësit. Anna Oxa ka marrë pjesë për herë të parë me zërin e saj në një aktivitet muzikor në vitin 1980, e pikërisht në festivalin e këngës Italiane, atë të Sanremos. Çmimi i fundit që Ana ka marrë në vendin e vet ka qenë ai në vitin ’96, kur ajo fitoi në Sanremo vendin e 3, të cilin ia kishte kushtuar krejtësisht Shqipërisë. Ajo është një ndër këngëtaret më të pëlqyera dhe të dëgjuara në Itali dhe për shumë italianë ajo mbetet, ndër këngëtaret e para të cilat futën frymën e re në muzikën italiane. Këngët e saj tepër të njohura, të cilat kanë shënuar suksese në vite dhe i kanë dhënë Oxa-as një emër të madh në muzikën Italiane janë: “Donna con te”, “Storie”, “Il Nome” etj. të cilat veç suksesit në muzikë kanë shënuar dhe rekorde në shitje. Kënga më e pëlqyer e Oxa-as është “Donna con te” (një këngë që dikur i ishte dhënë për ta interpretuar një tjetër ylli të muzikës italiane, Patty Pravo), e cila jo vetëm që ka qenë për një kohë të gjatë në majat e klasifikimeve italiane, por ka qenë gjithashtu një nga këngët që ka shënuar edhe kulmin e saj në diskografinë italiane.
Koncerti i këngëtares së madhe italiane në Tiranë do të transmetohet dhe në të gjithë botën në sajë të shoqërisë televizive italiane, Mediaset. Gjithashtu shoqëria e fuqishme e Berluskonit do të bëjë të mundur dhe lidhjen direkt nga Shqipëria me Vatikanin ku Oxa do të këndojë për një orë resht mes shikuesve të shumtë dhe emrave më të njohur të artit. Koncerti, i cili do të jepet falas për shqiptarët, të cilët do të dëgjojnë 15 këngë LIVE nga Anna Oxa, pritet të ndiqet gjithashtu nga miliona shikues në botë.
Në këtë periudhë kur shumë nga artistët shqiptarë kanë preferuar më mirë të japin koncerte jashtë Shqipërisë, këngëtarja me famë italiane do të ndryshojë atmosferën kryeqytetase duke sjellë në të atmosferën e muzikës italiane, aq të njohur e të pranishme në mjediset shqiptare. Deri tani janë dhënë disa koncerte në Shqipëri nga emra të huaj. Këngëtarët Al Banno e Romina kanë qenë të parët italianë të cilët kanë ardhur në Tiranë. Më pas kantautori Toto Cotungo ka shkelur tokën shqiptare me një koncert të tijin e së fundmi kantautori Nicola di Bari do të ishte këngëtari më i fundit italian që do të vinte në Shqipëri. Koncerti i madh i Oxas do të ndiqet nga rreth 3 mijë vetë, një shifër tepër e vogël në raport me kërkesat e fansave të saj në Shqipëri, por është e pamundur një pjesëmarrje më e gjerë, për shkak të mundësive të pakta që ofron mjedisi ku do të mbahet koncerti. /ENO POPI/