Entela Bejkollari: Tajvani, gjiganti i ri i Azisë

(Botuar me 15 maj 1999 në KOHA JONE)

Nga Entela Bejkollari-

“Tajvani ka marrë rreth 1.5 bilionë dollarë nga SHBA si ndihmë ekonomike dhe teknike deri në vitin 1965

Tajvani (ty Wahn) është një ishull malor në detin e Kinës së Jugut, rreth 140 km larg brigjeve kineze. Kanë qenë kinezët që i kanë vënë këtë emër ishulli, që do të thotë “gji me tarraca”. Bukuria e egër e pyjeve të ishullit i shtyu marinarët portugezë të quanin ishullin “Ilha Formosa”, që do të thotë “ishulli i bukur”. Pas marrjes së pushtetit në Kinë nga ana e komunistëve në 1949, qeveria Nacionaliste kineze u shpërngul në Tajvan. Chiang kai-shek, presidenti Nacional, e quajti Tajvanin kryeqytet të Republikës së Kinës. Qeveria Nacionaliste kontrollon gjithashtu edhe disa ishuj të tjerë në ngushticën Formosa, ndër të tjerë grupet e ishujve Matsu, Peskados dhe Kuemaj.

Qeveria

Qeveria Nacionaliste kineze është e bazuar në Kushtetutën e adoptuar në vitin 1946 në Kinë. Ekzistojnë 5 forma të pushtetit: ekzekutiv, legjislativ, juridik, kontrollues dhe ekzaminues. Çdo njëra prej tyre drejtohet nga një këshill.

Presidenti

Kryeson Këshillin Ekzekutiv, është personi më i fuqishëm i Tajvanit. Presidenti zgjidhet nga Asambleja Kombëtare, funksionet kryesore të së cilës janë zgjedhja e Presidentit dhe ndryshimi i kushtetutës. Asambleja Kombëtare ka rreth 750 anëtarë, shumica e të cilëve janë anëtarë “jetëgjatë” të zgjedhur në vitin 1947 në Kinë. Pjesa më e madhe e ndryshimeve ligjore kryhen nga Këshilli Legjislativ, që ka rreth 280 anëtarë. Edhe shumica e anëtarëve të këtij Këshilli janë zgjedhur që në 1947 në Kinë. Kur ndonjë prej tyre vdes, zakonisht vendi mbetet bosh. Disa anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe Këshillit Legjislativ zgjidhen nga populli i Tajvanit. Këshilli Juridik është gjykata më e lartë e Tajvanit. Këshilli i Kontrollit rishqyrton veprimtarinë e zyrtarëve të qeverisë dhe ka të drejtën e shkarkimit. Këshilli i Ekzaminimit formulon teste që përdoren për të marrë në punë, apo për të ngritur në detyrë punonjësit e institucioneve qeveritare. Megjithëse Tajvani drejtohet nga Qeveria Nacionaliste kineze, ai administrohet si një provincë e Kinës. Presidenti zgjedh një guvernator provincial, që zgjidhet për një kohë të pacaktuar. Populli zgjedh anëtarët e Asamblesë provinciale çdo katër vjet. Gjithashtu me votën e popullit zgjidhen edhe drejtuesit e konteve dhe qyteteve.

Popullsia

Pothuajse e gjithë popullsia e Tajvanit jeton në 1/3 e ultësirës perëndimore të ishullit. Shumica e popullsisë është kineze, paraardhësit e të cilëve kanë ardhur në këtë ishull nga zonat Fukien dhe Guangdongut të Kinës. Më shumë se 1.5 milionë banorë kanë ardhur në Tajvan pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Kinë. Rreth 2% e popullsisë nuk ka origjinë kineze, por janë nga Indonezia dhe Filipinet. Këta njihen me emrin Aborigines. Shumica e kësaj pjese të popullsisë jeton në rezervatet në male. Rreth 1/5 e popullsisë së Tajvanit merret me bujqësinë. Fermat janë të një madhësie vetëm 0.8 deri në 1.2 hektarë, por fermerët jetojnë mirë, sipas standardeve aziatike. Shumë prej tyre përdorin biçikletat, motoçikletat, si dhe shumë pajisje shtëpiake. Shumica e shtëpive të tyre janë të ndërtuara me tulla, me çati të mbuluara me tjegulla dhe oborre të shtruara me çimento. Një vakt tipik tajvanez përfshin oriz, të servirur me zarzavate dhe mish, apo peshk. Fermerët dhe njerëzit e tjerë që punojnë nën rrezet e diellit përdorin kapela karakteristike prej kashte. Shumica e njerëzve në Tajvan veshin rroba të stilit perëndimor. Tajvanezët flasin disa dialekte të gjuhës kineze. Por, pothuajse të gjithë përdorin gjuhën kineze veriore (Mandarin), dialekti zyrtar i gjuhës kineze. Rreth gjysma e popullsisë tajvaneze praktikojnë një besim fetar tradicional që përmbledh Budizmin, Konfucianizmin dhe Taoizmin. Rreth 42 % e popullsisë janë budistë, dhe 8% janë të krishterë. Rreth 90% e popullsisë mund të lexojë dhe shkruajë. Ligji kërkon që fëmijët të mbarojnë 6 vite të shkollës fillore dhe tre vjet të shkollës së mesme.

Sipërfaqja dhe klima

Tajvani së bashku me ishujt Peskadores ka një sipërfaqe 36.000 kilometra katrorë. Kjo zonë nuk përfshin grupet e ishujve Matsu dhe Kuemoi, të cilat janë pjesë e provincës Fujian, që është pjesë e Kinës. Male të mbushura me pyje shtrihen nga veriu në jug dhe zënë rreth gjysmën e Tajvanit. Maja më e lartë është 3.997 metra mbi nivelin e detit. Në shumë pika përgjatë bregut lindor, malet bien pingul mbi det. Disa lumenj kalojnë nëpër këta male. Në pjesën perëndimore të Tajvanit, malet shndërrohen në kodra dhe nivel më të ulët. Tajvani ka një klimë nëntropikale, me verëra të nxehta dhe të lagështa, ndërsa sasia e reshjeve mesatare arrin masën 250 milimetra në vit. Temperaturat mesatare variojnë nga 27 gradë celsius në verë dhe 18 gradë në dimër. Në verë ka edhe erëra të forta dhe shira të rrallë, ndërsa në veri shirat janë më të dendur dhe koha është më e ftohtë në veri të vendit. Pothuajse çdo vit ndodhin tajfune, me shira shkatërrimtarë dhe erëra të forta.

Ekonomia

Tajvani ka pak burime natyrore, përveç pyjeve të tij. Pemë të ndryshme përbëjnë lëndën vlefshme drusore, si dhe prej tyre prodhohet bambu, letër etj. Ekonomia e Tajvanit varet shumë nga manifakturimi dhe tregtia e huaj. Fabrikat tajvaneze prodhojnë makina llogaritëse, e veshje dhe tekstile, mobilie, hekur dhe çelik, mallra plastike, ushqime të konservuara, anije, këpucë, pajisje sportive, sheqer, televizorë dhe radio, pajisje elektronike si dhe lodra për fëmijë. Shumë nga prodhimet e tyre eksportohen, veçanërisht televizionet, radiot, pajisjet plastike dhe lodra. Tregtia e Tajvanit kryesisht kryhet me SHBA, Japoninë dhe Hong Kongun. Vetëm një e katërta e sipërfaqes së Tajvanit mund të përdoret për bujqësinë. Fermerët kanë kthyer në tarraca shumë kodra për të krijuar më shumë fusha për të kultivuar oriz. Fermerët mund të marrin deri në tre prodhime nga e njëjta sipërfaqe. Prodhimet kryesore janë bananet, qitrot, frutat, misri, ananas, oriz, sheqer, patate, çaj dhe zarzavate. Fermerët mbajnë në shtëpitë e tyre shpendë të ndryshëm. Ndërsa industria e peshkimit merret me prodhimet e oqeanit si karkaleca dhe peshk ton. Qymyri është minerali kryesor i Tajvanit, megjithëse në burime të vogla. Bakri, ari, gazi natyror, nafta, kripa dhe sulfuri janë disa nga burimet e tjera natyrore të këtij ishulli. Tajvani ka një sistem të mirë të rrugëve, madje ka edhe një tren ekspres që lidh Tapein me Kaohsiungun. Në 30 vetë, 1 ka makinë. Sistemi i autobusëve është i shkëlqyeshëm. Qeveria ka ndërtuar disa hekurudha. Kaohsiung dhe Chilung janë portet kryesore të vendit, ndërsa në Taipei është një aeroport ndërkombëtar. Në Tajvan botohen rreth 30 gazeta të përditshme.

Historia

Aborigines kanë qenë banorët e parë të Tajvanit. Kinezët e parë kanë ardhur nga kontinenti në fillim të 1500, por shpërnguljet masive nuk kanë filluar deri në vitin 1600. Tregtarët holandezë kanë mbajtur të pushtuara portet e Tajvanit nga 1624 deri 1661. Ata janë larguar pas luftës së bërë nga kinezi Koxinga i dinastisë Ming. Pushtuesit Manchu e shtynë dinastinë Ming në kontinent, dhe Koxinga shpresonte ta vendoste aty dinastinë. Ai donte që ta përdorte Tajvanin si një bazë për të sulmuar Manchutë. Por Manchutë e pushtuan Tajvanin në 1683 dhe e administruan si një pjesë të Kinës. Në 1895, Japonia vuri kontrollin e saj mbi Tajvanin si rezultat i luftës së parë Kinë – Japoni. Japonezët sollën zhvillime tek bujqësia dhe industria e Tajvanit dhe zgjeruan rrugët e tij. Kina e mori përsëri Tajvanin pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në 1945.

Në 1949, komunistët kinezë mundën forcat nacionaliste të Chiang Kaishek dhe morën nën kontroll edhe Kinën. Chiang e zhvendosi qeverinë e vet në Tajvan më 8 dhjetor 1949. Të dyja qeveritë e konsiderojnë Tajvanin provincë të Kinës. Të dyja pretendojnë se janë sundueset e të gjithë Kinës, dhe kanë deklaruar për të marrë territorin e palës tjetër. Pas fillimit të luftës së Koresë në 1950, SHBA deklaruan se do ta mbrojnë Tajvanin ndaj sulmeve të mundshme nga Kina. SHBA dhe qeveria nacionaliste nënshkruan një traktat të mbrojtjes reciproke në 1954. Komunistët kinezë kanë sulmuar vazhdimisht Matsun dhe Kuemoin gjatë viteve ’50. Sulmi ndaj Kuemoit në 1958 bëri që forcat ajrore dhe detare të SHBA-së të patrullonin në ngushticën e Formosës.

Tajvani ka marrë rreth 1.5 bilionë dollarë nga SHBA si ndihmë ekonomike dhe teknike deri në vitin 1965. Atë vit, Tajvani deklaroi që ekonomia e tij mund të qëndronte më vete. Por ai ka vazhduar të marrë ndihmë nga SHBA. Në fillim të viteve ’70, Tajvani ka shprehur shqetësimin e vet për marrëdhëniet e përmirësuara midis SHBA dhe Kinës komuniste. Në 1971, SHBA deklaroi se do të favorizonte anëtarësimin e Kinës në OKB. Por SHBA gjithashtu thanë se Kina Nacionaliste mund të mbante vendin e vet në OKB. Në tetor 1971, OKB përjashtoi Nacionalistët dhe pranuan Kinën. Në 1972, presidenti Nikson vizitoi Kinën, ndërsa trupat amerikane filluan të tërhiqen gradualisht nga Tajvani. Gjatë viteve ’70 disa shtete u dhanë fund marrëdhënieve të tyre diplomatike me Tajvanin dhe vendosën lidhjet e tyre me Kinën komuniste. Traktati i dyfishtë i mbrojtjes ndërmjet dy shteteve u mbyll në 31 dhjetor 1979. Por SHBA ra dakord të vazhdonte furnizimin e Tajvanit me ndihma ushtarake. Gjithashtu, të dy vendet ranë dakord të vazhdonin marrëdhëniet jo zyrtare nëpërmjet organizatave jo qeveritare. Tregtia midis Tajvanit dhe SHBA ka vazhduar pa ndërprerje. Presidenti Chiang Kaishek vdiq në 1975. Djali i tij Chiang Chingkuo është kryeministri i parë në 1972. Ai u bë udhëheqësi më i fuqishëm pas vdekjes së të atit. Ai u zgjodh presidenti i Tajvanit në 1978 dhe u rizgjodh në 1984. Nën presidenti Lee Teng-hui ishte presidenti që e pasoi. Taipei është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Tajvanit. Ai shtihet mbi brigjet e lumenjve Hsintien, Keelung dhe Tanshui në pjesën veriore të ishullit. Taipei dhe zonat përreth përbëjnë qendrën komerciale, kulturore dhe turistike të Tavanit.

Ndërtesat më të njohura të Taipeit janë: Salla memoriale e Chiang Kai-shek, tempulli Lungshan, i cili mendohet të jetë tempulli më i vjetër budist, dhe Grand Hotel, i cili i ngjan një pallati të Kinës antike. Muzeu Kombëtar përmban një koleksion të mrekullueshëm të artit kinez. Taipei ka dyqane të mëdha dhe markete ekzotike. Gjithashtu në këtë qytet janë përqendruar shumë universitete. Në 1967 Taipei aneksoi qytetet e Chingmeit, Mucha, Nankang, Neihu. Si rrjedhojë qyteti u rrit në sipërfaqe nga 67 në 272 kilometra katrorë. Taipei është një nga qytetet më të populluar të botës. Strehimi është një nga problemet kryesore. Në Taipei janë ndritur shumë ndërtesa të larta, pa marrë parasysh ligjet e zonave. Gjithashtu një problem shqetësues mbetet edhe trafiku i rënduar. Që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore qyteti është rritur shumë në sipërfaqen e tij.

Fakte shkurt

Kryeqyteti:

Taipei:

Gjuha zyrtare:

Gjuha e Kinës Veriore (Mandarin)

Sipërfaqja 36.000 km katrorë, ku përfshihet edhe ishulli Pescadores, por duke përjashtuar Matsu dhe Kuimoi

Lartësia

Maja më e lartë Yu Shan 3.99 7m mbi nivelin e detit

Popullsia

Në një studim të 1991 ka patur një dendësi 1.505 për metër katrorë. Shtrirja 75% në qytete dhe 25% në fshat.

Flamuri

Flamuri tajvanez ka fushë të kuqe. Një diell i bardhë ndodhet në anën e sipërme të majtë. E kuqja simbolizon lirinë dhe sakrificat, ndërsa e bardha ndershmëri.

Prodhimet kryesore

Bujqësia: banane, shpendë, qitro, kërpudha, ananas, oriz, kallam sheqeri, çaj dhe zarzavate.

Peshkimi: karkaleca dhe peshk ton. Industria: makina llogaritëse, veshmbathje dhe tekstile, çelik dhe hekur, letër, ushqime të konservuara, radio, anije, pajisje sportive, sheqer, televizorë elektronikë dhe lodra fëmijësh.

Njësia monetare

Dollari i ri tajvanez ose yuan.

Përgatiti: Entela Bejkollari

SHKARKO APP