Enton Abilekaj: Azemi citon se “Frika ka qenë gjithmonë demoni i popujve, demoni i intelektualëve, demoni i partive”

(Botuar me 14 dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Enton Abilekaj-

“Dua t’ju përçoj mesazhin e ndryshimit të sindikatave”, deklaroi dje Presidenti i BSPSH, Azem Hajdari, në një tubim të shtatë sindikatave shqiptare. Qindra vetë të mbledhur në aneksin sportiv pranë stadiumit Qemal Stafa, kanë protestuar dje kundër Drejtorit të TVSH dhe njëanësisë së këtij institucioni, kundër korrupsionit dhe kundër politikes ekonomike të Qeverisë. Protesta e djeshme e sindikalistëve iu nënshtrua pengesave të shumta të policisë. Megjithëse leja nga Komisariati nr.1 u dha për aneksin sportiv “Dinamo”, që ishte aneksi sportiv ranë Stadiumit Kombëtar të futbollit, policia u mundua ta zhvendosë tubimin në Stadiumin Selman Stermasi, megjithëse ajo zonë nuk i takonte këtij komisariati. Shumë makina policie dhe policë kishin rrethuar stadiumin, autobusët e linjave interurbane ishin zhvendosur në Kinostudio, dyqanet ishin mbyllur, por sindikalistët u mblodhën para Televizionit. Flamujt dhe pankartat që kërkonin luftë kundër korrupsionit, filluan të shpaloseshin para ndërtesës së TVSH, ku ndodhej Sakajeva. Me ardhjen e Hajdarit, turma filloi të zhvendosej drejt vendit të mitingut, në një fushë me baltë, të ngjashme me oborrin e konvikteve të shkollës së Gjuhëve të Huaja, ku gjashtë vjet në parë studentët përlesheshin me policinë dhe baltosnin këpucët. Ndërkohë që tubuesit zhvendoseshin qetësisht, një makinë policie u alarmonte drejt tyre dhe policët i kërkuan Hajdarit të zhvendoste tubimin drejt Tiranës së Re. Hajdari e shpërfilli tendencën e policisë për të prishur tubimin, ndërkohë që në Qytetin Studenti ishin bllokuar të gjitha daljet, një ditë pasi qindra studentë vendosën të përkrahin tubimin para TV. Në këto kushte u zhvillua mitingu me qindra vetë, një pjesë e të cilëve rrinin jashtë hekurave rrethuese të fushës, pa e thyer frikën nga policia. Ndoshta kjo i detyroi pjesëmarrësit të bënin thirrje për t’u bashkuar dhe më vonë Hajdarin të kërkonte mposhtjen e frikës. Ibrahim Kërçiku, drejtues i BSPSH, kërkoi bashkim për lëvizjen sindikaliste në hapjen e tubimit. Pas tij, kryetari i BSPSH për Tiranën, Hysni Bardhi, i pakënaqur për pjesëmarrjen jo të madhe, e quajti indiferentizmin vrasës së demokracisë.

“Ne duhet të dimë të protestojnë për gjithçka, që ajo që nuk bëhet mirë të ndryshohet”, tha njeriu që rrëzoi Qeverinë e dytë Nano. Hajdari shpalosi ndryshimin e BSPSH në fjalën e tij. “Era e Ndryshimit ju fton të gjithëve, prandaj nuk duhet ta ulim kokën por të zgjohemi nga gjumi”, deklaroi ai. Më pas Presidenti i BSPSH, duke iu kthyer qëllimit të protestës tha: “Sakajeva është kthyer në një kriminel të medias shqiptare. Ai në 5 janar të vitit 1991 e quante PD mace të zezë.

Sot ai, jo me mjetet e Ramiz Alisë, por me mjetet tuaja ngre dorën kundër jush, kundër sindikalistëve, kundër punëtorëve, kundër të papunëve, kundër pensionistëve”. Duke u nisur nga këto fakte dhe nga njëanshmëria e TV Hajdari konkludoi: “I drejtohem kriminelit Sakajeva: Ik mor qen bir qeni, ik mor shkërdhatë e komunizmit, largohu nga TVSH, ai nuk të përket ty!”. Këto fjalë të Hajdarit, Drejtori i TVSH duhet t’i ketë dëgjuar pak metra më tutje në zyrën e tij. Hajdari e quajti të përfunduar luftën me Xhekën. “Sot fillon lufta për ndryshimin e sindikatave”, tha ai, duke vlerësuar suksesin e parë të BSPSH të drejtuar prej tij: “Pak ditë më parë u rritën 30 për qind pagat. Luftuat dhe morët 30 përqindëshin, luftoni që deri në 1997 të mermi 100 për qind.”

Edhe lideri i Dhjetorit ’90 nuk ishte i kënaqur nga pjesëmarrja. Ai përmendi pengesat që i ishin bërë tubimit dhe bëri thirrje që të mposhtet frika për protestat sindikaliste. “Frika ka qenë gjithmonë demoni i popujve, frika ka qenë gjithmonë demoni i intelektualëve, frika është gjithmonë demoni i partive”, deklaroi ai dhe gjeti me këtë rast momentin për t’iu drejtuar sindikalistëve që të vazhdojnë protestat. “Studentë, kthehuni në ballë të protestës se Shqipëria ju kërkon juve, njerëzit e shkëlqyer, engjëjt e demokracisë”, iu drejtua Hajdari studentëve që merrnin pjesë. Dhjetoristi i rrëzimit të komunizmit, iu drejtua gjithashtu ambasadave: “I bëj thirrje trupit diplomatik të SHBA, Gjermanisë, Anglisë, Italisë dhe gjithë komunitetit Europian, çështja e Sindikatave të Pavarura në Shqipëri nuk është çështje sindikaliste, ajo është çështje e demokracisë, është çështje e komunitetit Europian, u takon atyre të përfshihen për të luftuar në mënyrë të kulturuar për interesat e tyre”. Kështu Hajdari rikonfirmoi marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me Perëndimin dhe mbështetjen që i është dhënë për luftën e tij sindikaliste. Por kjo mbështetje e Perëndimit ka ndeshur në luftën që Hajdarit po i bën pushtetit dhe PD. Pezullimi nga Këshilli Kombëtar me dekretin e Shehut, për Hajdarin ishte një shenjë e keqe për demokracinë. “Para disa ditësh. – tha ai – Tritan Shehu, të cilit i mblidhen njerëz aq shumë sa më mblidhen mua kur bëj ndonjë gomë makine në kthesën e Shpalit, vendosi të më nxirrte mua nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Sot e ftoj të shoqen e tij të nxjerr një dekret për të më përjashtuar nga partia”. Kryetari i parë i PD-së deklaroi pakënaqësinë e tij për mënyrën se si po luftohet nga PD, duke përfshirë edhe Presidencën. Në fund të fjalës së vet dhe të tubimit, ai bëri thirrje për qetësi dhe gjithçka përfundoi pa incidente.

Enton Abilekaj

SHKARKO APP