Enton Abilekaj: Berisha ose “njeriu me top”

(Botuar me 11 tetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Enton Abilekaj-

Atmosferën e qetë elektorale që konkurrentët për Bashkinë e Tiranës kishin krijuar e ka prishur Presidenti. Sapo ka zbritur në kryeqytet, ai ka dashur të nxehë gjakrat. Megjithatë ka arritur të improvizojë vetëm një ndeshje basketbolli, mes rivalëve të shpallur, ku besohet se Fagu do të dalë fitues. Megjithëse tentativa e tij e djeshme mbeti invalide, ashtu si fjalitë, kryetari i shtetit ka hedhur para studentëve fyerjet që ishin harruar në kryeqytet, por që duket se te Berisha janë atavizma që ngjallen sapo ai ngjit pak metra mal. Zëri i ngjirur i Berishës ka paralajmëruar dje në sheshin e demokracisë edhe konfliktin e mundshëm shtetëror pas zgjedhjeve të 26 majit. Ai nuk dëshiron që Bashkinë e Tiranës ta fitojë opozita dhe kjo është arsyeja që me zërin e tij të ngjirur ai u shfaq atje ku është përzënë gjashtë vjet më parë, para studentëve. Nëse do të ndodhte që Fagu të fitonte, Presidenti ka të drejtën të dekretojë shkarkimin e socialistit nga kreu i Bashkisë. Pra Berisha është i gatshëm të nisë konfliktin institucional në Shqipëri, gjë që do të ndikonte padyshim në acarimin e krizës së gjatë politike. Këtë krizë e ka premtuar edhe kryeministri dy ditë më parë, duke premtuar se do të ndihmojë vetëm pushtetin lokal të PD-së. Presioni dhe fyerjet, dy pikat kryesore të fushatës së PD-së, nuk po gjejnë kundërshtim tek PS.

Ajo parti, e harruar mesa duket në mbledhjet e fansave në rrethe, nuk ka bërë asgjë për t’iu përgjigjur PD-së. Liderët e rinj të PS, duket se kanë filluar t’i pëlqejnë takimet me tifozët, ku vazhdimisht thirren me emrat e tyre të përkëdhelur. PS nuk ka mundur ose nuk dëshiron të sqarojë se pushteti që drejton Berisha, i cili fushën e basketbollit e ka parë në moshë të thyer, do të zgjasë deri në zgjidhjen e krizës politike. Berisha e quan Fagun topahedhës, megjithëse kur basketbollisti i madh shqiptar luante në parket, vetë hidhte gurë me bashkëmoshatarët në shkëmbinjtë pa bjeshkë të komunës së tij modeste. Megjithatë PS nuk kujdeset të flasë në mbrojtje të kandidatëve të saj, bile nuk kujdeset të flasë as në mbrojtje të fitores së saj. Figurat e reja socialiste, duke kopjuar Berishën, kanë vendosur të mësojnë politikën në male dhe në balta, duke u konsultuar me ish-kooperativistët e dalluar. Ata gjatë kohës që ishin të detyruar të qëndronin në qendër, nuk tentuan të bëjnë asnjë lëvizje të guximshme, duke iu ruajtur kornizave të Kongresit, për të ruajtur kokat e tyre pas zgjedhjeve lokale. Nëse socialistët flasin për zgjidhjen e krizës, ata kanë preferuar t’i shmangen asaj këto kohë, duke refuzuar ballafaqimin në kryeqytet me Berishën, apo duke mbledhur duartrokitje në vend të vëzhguesve të huaj, sigurisë së ruajtjes së votës. Asnjë nga liderët socialistë nuk e ka bindur elektoratin e PS, por as kandidatët e kësaj partie për pushtetin lokal se vota e tyre nuk do të vidhet. Ndërkohë shoku Sali Ram Berisha vazhdon të hedhë topa nëpër Shqipëri, i shoqëruar nga refreni i Brojkës “Topa bore hedhin shokët tanë”.

  1. Abilekaj

SHKARKO APP