Enton Abilekaj: Identiteti dhe dinjiteti

(Botuar me 9 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Enton Abilekaj-

Kënga e vjetër e koalicionit për Qeverinë, filloi të stonojë dukshëm menjëherë pas shpalljes së ndryshimeve. Zërat e partive të vogla që mbanin iso të bindura, filluan të ngjiren pa u kuptuar nëse ngjiteshin apo uleshin. Socialistët e dëshiruar për koalicionin filluan të mendojnë më shumë për votën, ndërsa partitë e vogla filluan të mendojnë më shumë për humbjen e thesarit pushtet, me të cilin po trukonin me kënaqësi përqindjet e fituara në 29 qershor.

Dje, tre ditë para se Nano të paraqesë në partinë e tij skemën dhe formulën e re të Qeverisë së ndryshuar, njëra nga pesë partitë e koalicionit, PAD, rigjeti mundësinë për të hedhur dorashkën, por vetëm nën tavolinë, që dueli të mos fillojë seriozisht. Në të njëjtën kohë që kundërshtuan mënyrën e ndryshimit të Qeverisë, liderët e Aleancës u ofruan për shtrëngim radhësh, duke kërkuar krijimin e një formacioni të përhershëm në Qeveri. Këto dy kundërshti që u shpalosën në të njëjtën sallë, në të njëjtën konferencë shtypi dhe nga të njëjtit njerëz, në fakt tentojnë drejt dy beneficeve të vetme që u ofron pushteti partive të vogla; dinjiteti i njerëzve që ka në Qeveri dhe interesat e atyre pak vetëve që u dukën në dyert e partisë ditëve të vështira, ato ditë kur u fitua edhe premtimi i PS për koalicion në Qeveri.

Me propozimin për krijimin e një grupimi të tipit Ulivo, ku të vendoset bashkërisht për gjithçka dhe të hyhet në zgjedhje me të njëjtën mbulesë, partitë e vogla, kanë hequr tashmë dorë nga ideja e hershme që mund të konkurrojnë dhe të fitojnë vetëm dhe duan të krijojnë një formulë që të kenë mundësinë për të patur të njëjtin fat me një parti të madhe, sidomos kur kjo është në pushtet. Kështu ato do të kenë të garantuara interesat dhe dinjitetin, por pa dyshim që do të humbasin identitetin. Nën hijen e PD, të gjithë aleatët e vegjël vetëm humbën dhe e njëjta gjë po ndodh me aleatët e vegjël të PS. Humbja e identitetit që ka qenë ëndrra më e madhe për partitë e vogla, megjithëse ofrohet për hir të dinjitetit, është e vështirë të pranohet prej tyre.

Pikërisht për këtë, ato ngrenë kokën sa herë që diskutohet ndonjë gjë e rëndësishme si ndryshimet në Qeveri, që nuk u takojnë atyre, por votave të shumta të PS. Kryeneçësia e djeshme e Aleancës tregoi turbullirën e partive të vogla që duan koalicion, por duke rebeluar për të gjetur edhe ndonjë shteg dinjiteti, që në fakt nuk ua ofron elektorati i tyre modest. Ky hepim i pashpresë do të përfundojë të shtunën, kur Nano do t’i ketë harruar konferencat e shtypit dhe do ta ruajë koalicionin duke mos sakrifikuar më vota./Enton Abilekaj/

SHKARKO APP