Enton Abilekaj: Miting i madh proteste në Tiranë. Dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë dhe sfiduan pushtetin e PD
(Botuar me 21 Janar 1997 në KOHA JONE)
Nga Enton Abilekaj-
Në rrugët kryesore të Tiranës që në orën 10.00, lëvizjet ishin shpeshtuar së bashku me grupet e policëve. Në bulevardin kryesor, në krah të djathtë të Hotel Tirana, lëvizja e madhe nuk tregonte asnjë shenjë anormaliteti. E njëjta gjendje ishte në Rrugën e Durrësit, të Kavajës, në kryqëzimin te Xhamia, ku shenja anomalie tregonin vetëm policët dhe furgonat e shumtë që kishin rrethuar Sheshin “Skënderbej”, atë vend që një politikan do ta quante “Sheshi ku shqiptarët vendosin se kush do t’i Qeverisë”. Vetëm hyrja te tregu i valutës, ku fillonte të zhurmonte qendra e zërit e Partisë Socialiste, jepte përshtypjen e një gjendjeje jonormale për kryeqytetin e fjetur prej kohësh. Në qendrën e zërit njerëz të ndryshëm lexonin deklaratat e SHBA, bënin thirrje për mitingun e orës 11:00, lexonin shkrime të publicistëve të njohur dhe akuzonin PD-në për gjendjen e krijuar. Aty njerëzit dhe policët krijonin një ndjesi jo të zakonshme, e cila shtohej dhe pakësohej në varësi të veprimeve të banorëve ushtarakë të Tiranës. Një lëvizje e organizuar e policëve i shtynte njerëzit drejt Postës Qendrore dhe tërheqja e tyre e rikthente aty për të dëgjuar nga afër qendrën e zërit. Një lëvizje e vogël në periferinë e Sheshit do të mjaftonte për të parë që rrethimi i policisë ishte i plotë. Megjithatë lëvizjet shtoheshin sa më shumë afrohej ora. Njerëzit e mësuar me protestat e majit dhe qershorit të ’96 ishin afruar te Partia Socialiste, por aty ishte një pjesë e pakonsiderueshme dhe për më tepër asnjë lider socialist. Këtë herë opozitarët kishin menduar të dilnin në qendër nga një rrugë tjetër. Ata u mblodhën te Rruga e Ambasadave dhe që aty u nisën për në Shesh. Te Lidhja e Shkrimtarëve ishte postblloku u parë i policëve dhe liderët e PS, Mejdani, Lakrori, Majko, Brokaj, Dade, Ulqini etj, u detyruan të shtyheshin pak me policët me skafandra për të arritur deri pranë Bankës Kombëtare, ku për ta ishte e pamundur të kalohej. Rreth 100 vetë që ishin vetëm pas tyre, nuk ishin të mjaftueshëm për të çarë gardhet e policëve që lëviznin vetëm pas liderëve socialistë. Por kur liderët e PS arritën te Tregu i Valutës, rreth orës 11:05, Brokaj, Ulqini, Dade e Legisi arritën ta çanin gardhin e skafandrave dhe të niseshin drejt Sheshit, pikërisht drejt “podiumit të ndaluar”, vendi ku Sheshi do të quhej i pushtuar, pikërisht atje ku Presidenti e kishte pushtuar disa herë si funksionar i Partisë Demokratike. Por katër socialistët e shkëputur ishin pak me vonesë. Nga krahu i djathtë i Hotel Tirana në bulevard, njerëzit e mbledhur kërkonin të çanin rrethimin policor që në orën 10.55. Gardhi i policisë ishte krijuar. Një grup gazetarësh mundi të krijojë një të çarë duke shfrytëzuar imunitetin, pikërisht në kohën kur te shatërvani i madh në qendër të sheshit rreth 200 vetë kishin filluar të thërrisnin: “Duam paret tona”. Ata dukeshin shumë pak dhe nga momenti në moment dukej se gjithçka do të dështonte, njerëzit do të ishin të pafuqishëm për të hyrë në Shesh dhe 28 maji do të përsëritej, duke rimbushur me gjak protestën e paarritur të shqiptarëve, këtë radhë jo për votat, por për paratë e vjedhura. Nuk mund të ndodhte kështu, kur Skënder Gjinushi, qytetari-kryetar i Partisë Socialdemokrate, bashkë me kolegun e tij Apostoli dhe dy shoqërues e shqyen gardhin e policisë, u nisën drejt Qendrës së Sheshit, tek shatërvani ku njerëzit kishin filluar të thërrisnin, me kravatat e anuara pas shtyrjeve me policët, me fytyrën nga njerëzit dhe nga “podiumi i ndaluar”. Pas pak u kthyen me fytyrë nga Hotel Tirana ku një masë e madhe njerëzish ishin bllokuar dhe u thirrën atyre të bashkoheshin, duke e çuar kështu dështimin e protestës në një fitore që do të ndihej më vonë. Njerëzit e thirrur nga Gjinushi, kur panë fytyrën e njohur të një politikani që i mbështeste, harruan të shihnin skafandrat dhe shkopinjtë e policisë dhe me vështrimin nga politikani që po mblidhte njerëzit shpërthyen gardhin dhe vrapuan për të pushtuar “tokën e premtuar” të protestës, zemrën e Sheshit Skënderbej, atje ku të pakënaqurit nga Qeveritë kishin rreth 5 vjet që nuk shkelnin. Vrapimi i Gjinushit drejt podiumit bashkë me njerëzit që ndenjën poshtë, ngjitja e tij në bordurën sipër, aty ku bëheshin koncertet dhe mitingjet e PD-së, e çau nga të gjitha anët e Sheshit gardhin e policisë, i bëri të gjithë të vraponin drejt “podiumit të ndaluar” dhe mblodhi aty rreth 7 mijë vetë. Ata që u mblodhën nuk dëgjonin, por vetëm thërrisnin sa për pesë vjetët e mëparshme, kërkonin paratë duke mos kursyer as Presidentin: “O Sali, o hajdut! Paret tona ku i ke fut”. Por protestën e vërtetë të njerëzve e konfirmoi thirrja “Liri Demokraci!”, e cila tregoi se jo vetëm humbja e parave i kishte sjellë ata në Sheshin Skënderbej. Gjinushi, Apostoli dhe më pas Brokaj, Dade, Legisi, Hajdaraga, Ulqini e Angjeli u bashkuan duke i lidhur krahët me njëri-tjetrin të ngjitur në bordurë vetëm dy metra vertikalisht mbi njerëzit dhe nuk mund të flisnin, por vetëm shikonin se si kishte triumfuar më në fund protesta. Përveç atyre që ishim mbledhur dhe thërrisnin, masa të panumërta njerëzit ishin rreth Sheshit nën kërcënimin e skafandrave të policisë. Mijëra njerëz ndërkohë prisnin hyrjen në sheshin e madh nga të gjitha hyrjet e Tiranës: nga rruga që vjen nga stacioni i trenit, nga spitalet, nga sheshi “Avni Rustemi”, nga bashkia, nga Banka, nga rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit, nën gardhin-pritë të forcave policore të veshura me mjetet e mbrojtjes e dhunës – skafandra, mburoja e shkopinj gome. Forcat speciale kishin filluar ndërkohë ndërhyrjen në “podiumin e ndaluar” për të hequr që aty politikanët që dëshironin të flisnin. Tentativa e parë e skafandrave që shtynin dhe qëllonin me kujdes, arriti të rrëzonte nga bordura vetëm shoqëruesit, por jo politikanët, të cilët kishin marrë në dorë megafonin dhe përpiqeshin të komunikonin me zë me njerëzit, por për protestuesit zëri ishte i panevojshëm. Ata vazhdonin të thërrisnin, drejtoheshin nga kamerat dhe mikrofonat e shtypit dhe ngrinin akoma më shumë zërin, duke kërkuar kështu ndihmë të gjithanshme. Aty ku dikur ishte monumenti i diktatorit komunist thirrjet bashkoheshin me ata që i kishin shpëtuar policisë, pasi largësia prej 20 metrash që i ndante dy grupet, nuk krijonte pengesa për marrëveshje. Çarje të herëpashershme shtonin grupin e njerëzve, ndërkohë që policia kishte filluar të ndërhynte te të mbledhurit poshtë podiumit, por edhe te shkallët e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku një grua dhe burrë plak humbën ndjenjat nga brutaliteti i skanfandrave dhe këmbëve të karrigeve që jo rrallë u përdorën. Në tentativën për të hequr politikanët nga bordura, nga turma e mbledhur nga pas në mbrojtje të tyre doli një njeri i gjakosur në të gjithë kokën dhe fytyrën. Dalja e tij e mblodhi të gjithë shtypin, ndërsa ai nisej për në spitalin nr.2. Gjaku i tij nuk pikonte, por derdhej në shkallët para Teatrit të Operas, derdhej nga koka dhe nga goja. Ai nuk mund të fliste ndërsa mbahej prej A. Angjelit dhe një gruaje, të cilët thërrisnin me të madhe për dhunën e ushtruar. Pamja e burrit të gjakosur risolli dhimbjen e 28 majit në Sheshin Skënderbej. Njerëzit që e panë nga larg, tek Hotel Tirana, e çanë rrethimin, u nisën me vrap drejt Sheshit dhe e shtuan numrin e protestuesve. Këtë radhë policët nuk qëlluan. Ata shtynin me mburojat plastike, u nisën sërish drejt politikanëve dhe këtë herë i hoqën nga bordura për t’i ulur në shesh. Rrëmbyen megafonin dhe e thyen, por tërheqja e protestuesve zgjati fare pak.
Përsëri Gjinushi e të tjerët u ngjitën në podium me një tjetër megafon dhe tentonin të flisnin. Thirrjet e protestuesve nuk pushonin gjë që bënte të mos dëgjohej asnjë fjalë e politikanëve nga megafonët me të cilët ata flisnin. Pas një mbledhjeje të një grupi drejtuesish të policisë, pikërisht pas shpinës së politikanëve, u vendos të ndërhyhej me forcë për shpërndarjen përfundimtare. Numri i forcave të policisë u shtua dhe një lumë policësh i hoqi përfundimisht politikanët nga podiumi. Me gjithë rezistencën e tyre, liderët e partive të opozitës humbën në turmë, të shtyrë nga policia. Protesta megjithatë vazhdonte. Policia u shtua për të tërhequr edhe njerëzit që thërrisnin në “tokën e protestës” dhe kishin bllokuar qarkullimin. Ora ishte 11.40 dhe tërheqja e grupit “fitimtar” po arrihej, por Sheshi nuk qetësohej. Thirrjet vazhdonin, ndërsa një grua që kishte mbetur në shkallët para Teatrit i fshinte duart me gjak te këmisha e operatorit të Televizionit shqiptar, ndërsa njerëzit përqafonin operatorët e televizioneve të huaja. Ndërkohë Mejdani, Lakrori, Majko, Islami e Demeti, nën shtyrjet e policisë nuk arritën të hynin në Shesh. Ata kaluan nga Hotel Dajti për të dalë më pas te Xhamia. Rruga u bllokua sërish dhe kjo i detyroi politikanët të kalonin në trotuarin tjetër, përballë hotel Dajtit. Tek bar “Nikolino”, dendësia e madhe e njerëzve e shtyu mjaft policinë e cila ndërhyri duke goditur me ç’të mundte njerëzit e radhës së parë, midis të cilëve Mejdanin me shkop gome, Majkon po ashtu, Lakrorin me shkelma, Sekretarin e PS të Tiranës me ç’të mundnin. Ajo ishte përleshja e vërtetë. Tek bar “Nikolino”, tavolinat u rrëzuan bashkë me gotat e filxhanët dhe njerëzit e ulur në to u larguan duke vrapuar. Goditjet nuk i larguan protestuesit. Liderët kryesorë të PS e vazhduan udhëtimin e tyre djathtas derisa dolën te Sahati, ku përsëri u bllokuan. Që aty, duke u përpjekur të çajnë gardhin e policisë kaloi një kohë e gjatë. Ora 11.55. Pas një ore protestuesit po shpërndaheshin nga policia. Qëllimi ishte arritur. Sheshi i bë i të pakënaqurve përreth 60 minuta. Frika u mposht. Edhe në Shqipëri njerëzit arritën të protestonin për të drejtat e tyre. Kjo protestë zgjati vetëm një orë, por i ngjante një përleshjeje që për fat të mirë nuk pati viktima. Në Sheshin “Skënderbej” policët kishin mbetur tashmë të vetmuar në mitingun e tyre. Rikthimi në normalitet nuk ishte arritur akoma vetëm në selinë e Partisë Socialiste, ku qendra e zërit falënderonte shqiptarët për kurajën e tyre. Të gjithë flisnin nga pak, për të përshëndetur njerëzit. Mejdani, Majko, Islami, Kadri Roshi etj. rrinin pranë mikrofonit për të përshëndetur protestuesit më të guximshëm qysh nga korriku i vitit 1993. Dhe një grup njerëzish vazhdonin të dëgjonin qendrën e zërit, të mbledhur pranë godinës së socialistëve. Policia ndërhynte edhe aty vazhdimisht për t’i larguar. Në pikat e qeta, shumë policë preheshin me sy mbyllur. Rreth orës 13.30 në selinë e partisë më të madhe të opozitës, kryesia ishte e mbledhur. Lakrori dhe Ruka po debatonin me njëri-tjetrin për numrin e këpucës që kishte qëlluar Sekretarin e Marrëdhënieve me Jashtë të PS.
Ndërsa Ruka e vlerësonte shenjën e këpucën me numrin 47, Lakrori i jepte vetëm 44 numra. Majko mungonte në kërkim të të ndaluarve nga policia, kërkim që e vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes. Një deklaratë paraprake për mitingun doli nga zyra e kryesisë, për të evidentuar dhunën e ushtruar gjatë protestës mbi liderët e PS dhe veçanërisht mbi protestuesit. “Këto veprime e vendosin regjimin aktual në pozita më antidemokratike se ai në Beograd i izoluar tërësisht nga Bota demokratike”. Në të njëjtën kohë Gjinushi mund të thoshte vetëm pak fjalë për atë që ndodhi: “Falënderoj popullin e Tiranës për kurajën që tregoi”.
Enton Abilekaj