Enton Abilekaj: Mitingu i opozitës në aneksin e Stadiumit “S. Stermasi” derdhet në Sheshin “Skënderbej”

(Botuar me 28 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Enton Abilekaj-

Demonstrim dhe dhunë ishte e diela që kaloi për kryeqytetin. Tirana doli sërish në Sheshin “Skënderbej”, gjithçka ndodhi si në ëndërr dhe më pas vazhdoi si një ëndërr e keqe, kur gurët filluan të thyenin xhama dhe policia gjakosi egërsisht. Pa prezencën e politikanëve të opozitës edhe në kryeqytet do të bëhej një luftë me gurë, e ngjashme me qytetet e tjera të shkatërruara, ku opozita është e bllokuar nga pushteti. Irritimi i njerëzve dhe provokimet e bëra nga njerëz me radio nxitën dhunën edhe në kryeqytet. Armët e zjarrit ushtuan nga ora 13:15 e më vonë, gjaku u derdh pa kursim dhe kryeqytetasit u trajtuan si kafshë në rrugët e tyre. Në aneksin e stadiumit “Selman Stermasi” rreth orës 11:00 ishin mbledhur mijëra vetë, të panumërueshëm, me flamuj e pankarta protestuese për mitingun e opozitës. Ai ishte një miting politik që protestonte për humbjen e parave në Fondacionet e “arrestuara”, por edhe për dhunën e ushtruar. Protesta për dhunën demonstrohej në prezencën e fotove të Edi Ramës, të rrahur barbarisht, ndërsa pankarta “Berisha mashtrues”, dominonte gjithçka. Majko dhe Gonxhja, dy studentët e Dhjetorit ’90, që ishin bashkë në rrëzimin e diktaturës së parë, denoncuan diktaturën e dytë. Bashkë me ta ishin Mejdani, Gjinushi, Ceka, Imami, Apostoli etj. të cilët i mbajtën për 45 minuta njerëzit në aneksin e Stadiumit “Selman Stermasi”, ku jo vetëm fusha, por edhe rrugët ishin mbushur me njerëzit e vjedhur. Majko hapi mitingun duke theksuar se ishte një protestë paqësore. Ai denoncoi vjedhjen që u është bërë shqiptarëve dhe parashtroi alternativën e opozitës për zgjidhjen e krizës së thellë. Këtë e plotësoi më pas edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Rexhep Mejdani, ndërsa liderët e qendrës së majtë e të djathtë u treguan më të ashpër. “Sali Berisha përveç TVSH po na mbledh edhe taksën e gjakut”, tha Blendi Gonxhja. “Ju bashkë me ne jeni pre e mashtrimit të PD-së”, vazhdoi ai, duke theksuar se në këto kushte opozita nuk kërkon pushtet nga dhimbja e njerëzve. Gonxhja kërkoi dorëheqjen e Berishës dhe e gjithë pushtetit të korruptuar. Në këtë kërkesë u bashkuan të gjithë liderët opozitës. “Nuk kanë falimentuar firmat, por ka falimentuar pushteti piramidal i Berishës”, tha Gjinushi. Kryetari i PSD fajësoi më shumë se fondacionet piramidën më të sofistikuar: “Fondacioni vampirës Demokracia e PD-së”.

“Paratë tuaja janë të pastra”, vazhdoi Gjinushi, “por Qeveria është e pistë”. Lideri socialdemokrat theksoi se Shqipëria në këtë gjendje nuk ndahet në të majtë e në të djathtë, por në hajdutë e të vjedhur.

Ceka vazhdoi më tej mitingun duke përshëndetur njerëzit me thinja në miting, të cilëve u është vjedhur e ardhmja. “Por në mënyrë të veçantë – vazhdoi Ceka – dua të përshëndes të rinjtë, të cilëve Qeveria u ka vjedhur të ardhmen, u ka vjedhur gjakun e derdhur në Greqi e Itali, u ka vjedhur shokët e vrarë në mërgim, u ka vjedhur rrugët e gjata në malet e Greqisë…”. Fjalët e Cekës u ndërprenë nga thirrjet e ngjashme me vitin ’91 dhe si atëherë njerëzit përshëndesnin me dy gishta. “Edhe dy gishtat na i kanë vjedhur”, tha Ceka, duke i rindezur kryeqytetasit që rrëzuan diktaturën komuniste. Pas përshëndetjes së Apostolit, kryetari i PS të Tiranës deklaroi mbylljen e mitingut, por njerëzit nuk shpërndaheshin. Ata thërrisnin për të shkuar në Sheshin “Skënderbej”, por kjo dukej e pamundur. Ndërhyrja e liderit të parë të Dhjetorit ’90, Arben Imami i cili e quajti veprimin e pushtetit për fajdetë “shtetëzim të dytë të Shqipërisë”. “Shtetëzimin e parë e bëri Enver Hoxha dhe shtetëzimin e dytë po e bëjnë komunistët e rinj. Ata kanë bllokuar edhe e rinj. Ata kanë bllokuar edhe Sheshin, por i kujt është Sheshi?”. Mjaftuan këto fjalë të Imamit që njerëzit të çanin gardhin e policisë, të rrëmbenin politikanët dhe të vërsuleshin nëpër rrugë, drejt Sheshit “Skënderbej”.

Pushtimi i dytë i “Skënderbeut”

Ajo masë e panumërueshme njerëzish që nuk pyeste as për policinë dhe asnjë institucion të shtetit, kishte rrëmbyer në krah politikanët e opozitës. Por këta ishin vetëm në mes të vargut të madh që drejtohej nga njerëz të panjohur dhe nga pankarta “Berisha mashtrues”. Postblloqet e policisë çaheshin nga të shtyrat e turmës dhe ndonjëherë duke përdorur edhe urët. Makinat e policisë ngjallnin irritimin e njerëzve, që me gjithë thirrjet e politikanëve të shndërruar në qytetarë nuk reshtin së godituri mbi to. Kur arritën pranë Hotel Dajtit, megjithëse policia e kishte rrethuar Sheshin me disa gardhe, njerëzit filluan të vrapojnë, duke thurur dhe duke hedhur gurë mbi mburojat plastike dhe skafandrat: Policia u ça edhe në gardhin e fundit dhe vargu i madh i njerëzve hyri në Shesh. Bashkë me politikanët në “bordurën e ndaluar” ishin ngjitur qindra të tjerë. Në krahun e majtë të tyre gjithçka ishte e mbuluar me njerëz. Ata që dëshironin të hynin nga rrugët e tjera që të çojnë në Shesh pengoheshin nga policia. Megjithatë Tirana e pushtoi sërish Sheshin, njerëzit u grumbulluan rreth politikanëve, ku Ceka dhe Imami, të ulur pak metra larg njëri-tjetrit ishin në qendër të vëmendjes. Ndoshta njerëzit e vitit 1991 ishin mbledhur për të protestuar sërish, këtë radhë jo vetëm për politikë. Zjarrfikëset që vinin për të shpërndarë njerëzit me ujë përziheshin me gurë. Liderët e partive në rolin e qytetarëve bënë thirrje për t’u ulur dhe njerëzit uleshin, por ngriheshin menjëherë për të thirrur, kundër pushtetit. Pas disa minutash një flamur iu mbështoll si shall rreth qafës Neritan Cekës. Bashkë me të ishin pothuajse të gjithë, Majko, Gjinushi, Apostoli, Legisi, Peshkëpia dhe pak më vonë edhe Meta. Përveç thirrjeve kundër pushtetit, kur u morr vesh mbledhja e parlamentit, njerëzit thërrisnin për të shkuar tek selia e ·legjislativit. Por Ceka i ndaloi duke thirrur: “Parlamenti është këtu”. Kjo thirrje u shpërnda në të gjithë Sheshin dhe pas kësaj u bë një kërkesë për institucionet e ligjshme dhe të paligjshme shqiptare. Për të biseduar u përgatit një përfaqësi me politikanë dhe protestues. Të gjithë besonin se kjo do t’i ngjante një proteste të Beogradit apo Sofies, ku manifestuesit mund të rrinë me ditë të tëra pa i prekur askush. Kjo ishte arsyeja që njerëzit uleshin vazhdimisht, kërcenin dhe pak më vonë kërcenin me një daulle Ramazani. Një plak me daulle u ngjit në bordurë dhe i binte asaj ndërsa njerëzit po e kthenin gjithçka në një festë të bukur proteste. Një tufë lulesh Mimoza erdhi drejt politikanëve, të cilët i rrëmbyen ato dhe i tundnin për të dhënë mesazhin e paqes. Pak më vonë përfaqësia e përbërë nga Pandeli Majko, Gaqo Apostoli, Arben Demeti, Ndre Legisi, Halit Bruci, Shefqet Lika, Ismet Varfi, Ervin Meçaj, Mark Gjoka dhe Jashar Uka u nis drejt Presidencës me shpresën e bisedimeve rreth kërkesave, që konsistonin në zgjidhje ekonomike e politike: Dorëheqje e Meksit, Qeveri teknike, tryezë e të gjitha partive, lejimi i Sheshit për protesta dhe dorëheqja e stafit drejtues të RTV. Festa vazhdonte në pritje të përgjigjes. Por jashtë kësaj rreth orës 14:30 policia do të kujtonte njerëzit që ngjarjet zhvilloheshin në Shqipëri dhe nën pushtetin e Partisë Demokratike. Një ndërhyrje e bërë nga krahu i Sahatit i irritoi sërish njerëzit dhe lufta me gurë rifilloi.

Luftë me gurë, armët godasin

Lufta me gurë filloi drejt Sahatit ku policia u tërhoq. Njerëzit e irrituar dhe të provokuar nga civilë me radio goditën me gurë mbi Pallatin e Kulturës duke thyer xhamat e tij, ashtu si në vitin ’91. Policia tërhiqej dhe njerëzit vrapuan drejt Bashkisë duke thyer xhamat me gurë. Një pjesë tjetër vazhdonte të godiste Pallatin e Kulturës dhe gurët fluturonin në shkallët e tij. Në të vërtetë ata nuk ishin gurë, por copa mermeri të shkëputura nga shkallët e Pallatit, përsëri si në vitin 1991. Këto copa mermeri fluturonin nga të gjitha anët dhe shiu i gurëve ndonjëherë prekte edhe protestuesit. Pas pak policia ndërhyri egërsisht.

Forcat speciale, zjarrfikësja dhe armët që shtinin në ajër nisën njëkohësisht të drejtoheshin mbi njerëzit e pambrojtur që po tërhiqeshin. Ceka dhe Imami vazhdonin të qëndronin tek bordura duke u thirrur njerëzve të mos godisnin, por ndërhyrja e policisë dhe tërheqja e njerëzve i largoi dhe ata, të shtyrë nga policia, por pa goditje. Policët megjithatë qëlluan rëndë mbi anëtarin e Presidencës së PAD, Shahin Kadare. Pesë policë u mblodhën rreth tij, dhe e goditën me radio e me ç’të mundnin duke i lënë shenja plagësh në fytyrë dhe në trup. Megjithatë Kadare nuk u tërhoq. Ai ishte i gatshëm të vazhdonte protestën, por njerëzit në Shesh ishin shpërndarë nga goditjet e policisë dhe nga sulmi i zjarrfikëseve. Një pjesë e madhe u larguan në drejtim të rrugës së Kavajës ku protesta vazhdoi gjatë. Ndërkohë në rrugën midis Pallatit të Kulturës dhe Hotel Tirana, kryeqytetasit masakroheshin nga policët. Në lulishten e Hotelit një grup i madh policësh godiste me ç’të mundte, shkelma, shkop gome, grushte dhe mburoja plastike, dhjetëra qytetarë që nuk arrinin të vraponin shpejt. Klithmat e dhimbjes së tyre shoqëronin gjakun që dilte nga koka. Në shkallët e Hotelit nuk lejoheshin njerëz, ndërsa klientët shikonin skenat e gjakut. Në rrugën e Kavajës vazhdonte lufta. Njerëzit me gurë dhe policia që përforcohej vazhdimisht sulmonin njëri-tjetrin. Zjarrfikëset që ishin zhvendosur aty pas boshatisjes së Sheshit, goditeshin me gurë duke humbur xhamat dhe shpërndarëset e ujit. Mbi ndërtesën e papërfunduar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve ishin ngjitur disa protestues që godisnin me gurë. Pas përforcimeve të shumta të policisë, ata u larguan. Një pjesë e tyre u godit dhe u mor në makinat e policisë. Një makinë policie me një ushtarak të veshur civil dhe me targë 262 mbante brenda një protestues të larë në gjak. Edhe përfaqësia që kishte shkuar në Presidencë nuk ishte pritur. Politikanët dhe protestuesit ishin shtyrë nga policia, ndërsa Luan Hajdaraga u rrah barbarisht. Gjithçka përfundoi me dhunë. Shteti tregoi se nuk ka ndryshuar. /Enton Abilekaj/

 

SHKARKO APP