Enton Abilekaj: Tritan Shehu peng në këmbim të “gjeneralit”

(Botohet me 26 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Enton Abilekaj-

LUSHNJE. Dështim i plotë dhe fatkeqësi e madhe për zv/kryeministrin shqiptar Shehu në qytetin e Lushnjes. Për rreth 7 orë, Shehu është mbajtur peng nga protestuesit, në këmbim të lirimit të “gjeneralit”. Kur protestuesit prisnin të zbrisnin nga helikopteri shokët e tyre të ndaluar, ka vënë këmbën në fushën e stadiumit z. Tritan Shehu, që është fishkëllyer nga “spektatorët” e revoltuar. Ardhja e njerëzve të rrahur, dalja e tyre nëpër rrugë për protesta, e kishte rritur tmerrësisht zemërimin e njerëzve. Tritan Shehu, i cili kishte dalë në krahun e djathtë të shkallëve të stadiumit të Lushnjes, përpiqej të fliste e të komunikonte me njerëzit, por nuk arrinte. Bashkë me Shehun, ishte dhe ministri i drejtësisë Kristofor Peçi, kryetari i Bashkisë Agim Fuga, i cili quhej fajtor për gjithë ngjarjet e Lushnjes, pasi nuk kishte njerëzit. Ishte ora 12.30 kur erdhën njerëzit. Tritan Shehu nuk lejohej të fliste. Mjaft prej tyre vinin këmbën mbi derën e garazhit të stadiumit, fyenin dhe godisnin Tritanin. Këta njerëz inkurajoheshin nga turma. Më vonë, Tritan Shehu goditet ashpër me gurë dhe me mjete të tjera rrethanore. Nga ky sulm u godit keq edhe kryetari i Bashkisë Agim Fuga, i cili gjendet në spitalin e Lushnjës.

Tritan Shehu arriti t’i shpëtonte sulmit të parë, ndërsa Kristofor Peçi, ministri i Drejtësisë, u fsheh. Disa banorë e kanë fshehur në një shtëpi pranë stadiumit. Tritan Shehu ndërkohë lëvizte nga shkallët e stadiumit por ishte i rrethuar. Nga momenti që ai doli në krahun e majtë të shkallëve të stadiumit, përsëri turma iu ndërsye dhe një gur e goditi në kokë. Rrobat e tij u gjakosën plotësisht. Shehu bashkë me disa qytetarë nga Lushnja kërkonin një vendstrehim, por ndërkohë një levë hekuri e goditi në shpatull. Zv/kryeministri shqiptar nuk e ka duruar dhimbjen. Nga sytë i rridhin lot. Së fundi gjendet një vendstrehim në stadium, ku Shehu u fsheh në një dhomë për të biseduar me njerëzit. Shehu propozoi një përfaqësi prej 20 vetësh të shkonte në Tiranë e të bisedonin për zgjidhjen e problemit. Lushnjarët nuk e pranuan këtë. Pak më vonë Shehu përpiqej të mbante kontakt me Tiranën dhe nuk arrinte për shkak të bllokimit të linjës së telefonit celular që ishte bërë që dje nga qeveria dhe nga telekomi. Jeta e tij ishte në rrezik. Njerëzit mendonin të sulmonin stadiumin e rikonstruktuar nga Xhaferri, donin të sulmonin stadiumin ku Shehu strehohej. Kështu pas pak kohësh Shehu tha që të vijë një përfaqësi për ta zgjidhur problemin e të hënën të fillojë shpërndarja e parave. Kjo nuk u pranua. Lushnjarët kërkonin “perëndinë” dhe “gjeneralin” e tyre, Rrapush Xhaferrin. Ai ishte vërtetë “gjenerali” i gjithë turmës së mbledhur, pasi mungesa e tij kishte krijuar një çorganizim kaq të madh. Ky kaos përpiqej të drejtohej nga disa njerëz, por nuk arrihej të kishte një drejtim. Bashkia ishte e shkatërruar. Banka u shqye dhe që andej dolën bonot e privatizimit. Hotelet, xhamat e të gjitha dyqaneve që janë në pjesën veriore të qytetit, janë të gjitha të shkatërruara. Vetëm në pjesën jugore vazhdon jeta, ku ka edhe bukë. Shehu nuk shkëputej akoma nga dara e turmës. Një skuadër policie prej 12 vetësh, nga Shijaku, zbriti me helikopter në cep të fushës dhe dy shefat e policisë kaluan pa u goditur, ndërsa 10 policët e tjerë, mbetën në mes të fushës të sulmuar egërsisht nga turma. Dy prej tyre u rrahën barbarisht, por arritën të futeshin në dhomat e stadiumit, ndërsa 8 të tjerët gjenden të shtruar në spital. Nuk dihet akoma nëse ata mund të jetojnë apo jo. Ndërkohë në spital gjenden edhe një pjesë e të rrahurve nga policia në Tiranë, nga njerëzit që janë zhdukur gjatë natës. Deri tani janë kthyer 18 vetë nga ata që kanë qenë në Tiranë, ndërsa shifra minimale mësohet të jetë 30. 12 vetë nuk janë kthyer. Qytetarët lushnjarë thonë se dy prej tyre kanë vdekur. Ministri i Drejtësisë deklaroi për shtypin se nuk është në dijeni as të falimentimit të “Xhaferrit”, as të zhdukjes së njerëzve, as të rrahjes së tyre. Ndërkohë Tritan Shehu është mbajtur peng që nga ora 12.45, kur ka zbritur në Lushnje deri në orën 19.00. Zgjidhja për Tritan Shehun vonohet. “Lironi Rrapush Xhaferrin, t’u kthejmë Shehun”, është kërkesa e protestuesve. Helikopteri i kuq erdhi dy herë në Lushnje për Shehun, por gurët e njerëzve nuk e lanë të ulej në stadium. Në dhomën ku strehohej Shehu, thyhen xhamat. Ata më të egërsuarit këmbëngulin ta djegin pjesën e zyrave ku strehohet Shehu. Njerëzit që kanë hyrë në dhomën e Shehut kanë qenë kryesisht të afërmit e të keqtrajtuarve nga policia dhe atyre që gjenden të ndaluar. Të gjithë e godasin. Një hakmarrje e egër mbi zv/kryeministrin shqiptar. Dëshmitarët okularë thonë se Shehu është zhveshur dhe në gojë i është vendosur një presh. “Ju po na detyroni të kthehemi përsëri tek preshi. Rrapushi na mbante me para”, “Ku janë paratë tona”, “Thuaji Berishës (presidentit) të lëshojë Xhaferrin”, por celulari i Shehut është Pa “gjuhë”. “Shehun nuk do ta lëshojmë gjallë”. Edhe kjo deklaratë e bërë me vetëdije të plotë nga të gjithë. Shehu i gjakosur qëndron në thonjtë e turmës së pakontrolluar. Disa infermierë të spitalit të Lushnjes kanë ndërhyrë për ta ndihmuar, kanë arritur t’i venë një fashë në kokë, atje ku ai është vrarë, por thonë se hemorragjia ka qenë e madhe. Kur Shehu ndërroi dhomën e tij, nuk ecte vetë dhe e mbanin njerëzit për krahu. Ndoshta jeta e Shehut është rrezikuar seriozisht.

Barrikadat dhe policia

Ajo që ndodhi dje në Lushnje do të ishte një luftë civile në qoftë se shteti nuk do të ishte inekzistent. Qytetarët lushnjarë kanë pushtuar jo vetëm Lushnjen, por edhe gjithë rrethinat e saj, me postblloqe dhe njerëz të armatosur me gurë nuk kanë lejuar të hyjë asnjë tjetër përveç gazetarëve. Me vështirësi kanë hyrë edhe gazetarët. Nga postblloku i parë në qytetin e Lushnjes, i cili nuk ka pushuar që pardje, dje niste që nga 15 km larg Lushnjes një postbllok i vogël që do të dukej shumë qesharake që ai postobllok aq i vogël të bllokonte makinat e policisë dhe makinat e tjerat. Por ai ishte vetëm fillimi. I ruajtur nga njerëz me gurë që thërrisnin “O Sali, o hajdut, paret tona ku i ke fut”, nuk lejohej kalimi i makinave përveç gazetarëve. Ai që tentonte të hynte me forcë provonte dhunën e tyre. Më pas një postbllok shumë i madh ishte ai i fshatit Dushk, i cili nuk lejonte as makinat më të blinduara të policisë të kalonin. Aty ishte ndezur dhe një zjarr, rreth të cilit qëndronin fshatarët e Dushkut, mjaft të egërsuar. Ata kërkuan që të publikohej gjithçka që po ndodhte në Lushnje, kërkuan dorëheqjen e Sali Berishës dhe të Qeverisë Meksi dhe lirimin e menjëhershëm të Rrapush Xhaferrit. Fshatarët e Dushkut në përgjithësi ishin të mendimit se qeveria duhet të njoftonte më parë për mashtrimin dhe falimentimin e Xhaferrit shumë kohë më parë. Ndryshe ishte atmosfera në Lushnje ku kishte dy postblloqe të tjera në hyrje të saj. Postblloku i parë ishte i ndërtuar me një mur gurësh dhe postblloku i dytë ishte me një shtyllë hekuri. Aty përsëri nuk lejohej askush dhe në të vërtetë nuk kishte hyrë asnjë makinë, as ato të shtypit.

Makinat tona i lamë jashtë Lushnjes dhe hyrja në qytet në këmbë ishte e sulmuar nga njerëzit, të cilët akuzonin vazhdimisht Berishën. Një nga protestuesit që deklaroi se ka ndihmuar PD në të gjitha zgjedhjet dhe kanë ndihmuar manipulimin e votave më 26 maj 1996, siç deklaroi vetë, i quajtur Bujar Dervishi, tha: “Ia kam dhënë pushtetin me gjak zagarëve të Berishës dhe më kanë qëlluar dje, kur unë po shmangia turmën”. Ai përsëri kërkoi që të lirohej Rrapush Xhaferri dhe deklaroi se “lekët tona i ka Berisha”. Shumë njerëz filluan të kërkonin që Rrapush Xhaferri të lirohej deri sa të kthejë paratë. Por kjo nuk ishte asgjë. Revolta e djeshme kryesisht kishte qëllim lirimin e njerëzve të arrestuar parmbrëmë gjatë gjithë natës. Menjëherë pas shpërndarjes së demonstruesve, policia e Tiranës dhe e Lushnjes ka shkuar në shumë familje lushnjare, ka arrestuar dhe rrahur mjaft njerëz. Shifra e dhënë nga lushnjarët është jo e saktë, por edhe policia nuk jep ndonjë numër të saktë. Lushnjarët, disa pretendojnë se janë arrestuar 30 veta, disa 50, disa 100 dhe disa 130. Sidoqoftë asnjë shifër nuk është më e vogël se 18, aq sa u kthyen sot në stadiumin e Lushnjes, të cilët ishin të gjithë të rrahur. Marrja e njerëzve, tregohej nga shumë lushnjarë, të cilët tregon se aty ku policia nuk gjente njerëzit e piketuar, godiste e rrihte njerëzit e tjerë të shtëpisë, duke përfshirë dhe pleqtë e fëmijët. Disa nga emrat që u thanë se janë marrë në Tiranë janë, Kujtim Shuli, Gazmend Bega, Petova, i cili është rrahur keq në shtëpinë e vet dhe u rrah përsëri keq në Tiranë, Muharrem Tulaçi dhe Adriatiku 19-vjeçar, të cilit policia i ka nxjerrë syrin e djathtë. Të tjerët janë Fatos Pepa, Margarit Pepa, Gentian Metushi, i cili është vetëm 15 vjeç, Eduart Hoxha, Dritan Kanxhiu etj., të cilët ishin dje në Tiranë. Dhe e vërteta kështu ishte. Njerëzit kërkuan lirimin e tyre në qendër të Lushnjes, por e gjithë beteja për lirimin e këtyre njerëzve bëhej në hyrje të Lushnjes.

Policia detyrohet të lëshojë të ndaluarit

Menjëherë sapo hyn në Lushnje, në afërsi të qendrës, pranë komisariatit të policisë, lushnjarët luftojnë për të pushtuar komisariatin. Ata thërrisnin “Lironi shokët tanë”, shanin “O Berisha, o hajdut”, por këto thirrje ishin vetëm në kohën kur turma ishte shumë e qetë. Në kohën kur turma acarohej, nuk nguronte të shante sa më ashpër të gjithë pushtetin në Shqipëri dhe veçanërisht Berishën. Bashkë me këta protestues kishte dhe të tjerë të dalë nëpër ballkone dhe fëmijë që bërtisnin “Lironi shokët tanë”. Pas një beteje me policinë me gurë, ku dhe policët me skafandra godisnin me gurët që hidhnin njerëzit, një numër forcash speciale hipën në katin e pestë të një pallati përballë degës së policisë, pikërisht në kryqëzimin e rrugës. Këta godisnin me tulla dhe me gurë duke plagosur shumë demonstrues. Ky veprim i sampistëve u shoqërua më pas me një kundërpërgjigje të lushnjarëve, të cilët hipën në pallat dhe i përzunë. Nuk dihet fati i sampistëve, të cilët u përzunë me gurë dhe me ç’të mundnin, nga tarraca e pallatit. Pas daljes së lushnjarëve në tarracën e pallatit përballë komisariatit, policia u tërhoq. U mor vesh, sipas fytyrave të njerëzve dhe nga prezenca e Arben Prrenjasit, se aty ishin forcat speciale të Tiranës. Arben Prrenjasi në momentin e tërheqjes kërkoi që të pushohej lufta me gurë. Kjo luftë me gurë nuk u pushua plotësisht, megjithatë Arben Prrenjasi arriti të kontaktonte me disa njerëz dhe i pyeti ata se çfarë kërkonin. Ata i thanë në barrikadën që kishin ngritur se kërkonin lirimin e shokëve të tyre dhe të Rrapush Xhaferrit. Prrenjasi deklaroi se do të lironte shokët e tyre, por jo Rrapush Xhaferrin. Në këtë moment shumë gurë u hodhën drejt Prrenjasit, gurë që goditën edhe qytetarë lushnjarë, pranë Përrenjasit. Pas kësaj fillimisht policia u mbyll dhe nuk dilte asnjë polic, vetëm nga oborri i policisë njerëz që nuk dukeshin godisnin me gurë. Përrenjasi lajmëroi se në stadiumin e qytetit të Lushnjes do të vinin njerëzit e arrestuar. Fillimisht erdhën dy helikopterë. Në një nga këta helikopterë ishin 7 nga njerëzit e marrë nga Tirana dhe me 1 helikopter të kuq vinte vetë Tritan Shehu.

Shehu lirohet në errësirë

Ndërkohë në spitalin e Lushnjes vazhdon të ketë mjaft policë dhe mjaft qytetarë lushnjarë. Dje janë rrahur mjaft policë. Para se të errësohej një helikopter ushtarak është përpjekur të ulej, por pa sukses. Natën pushtetin e merr policia, prandaj demonstruesit shpërndahen nëpër shtëpi. Dalëngadalë stadiumi boshatiset. Pasi kanë shkaktuar një dëm prej 4 milionë lekësh në anekset e stadiumit, turma është shpërndarë. Kanë mbetur me Shehun vetëm një numër i vogël protestuesish.

Një makinë është afruar dhe më pas është ndërprerë energjia elektrike. Njerëzit që janë futur dhe kanë marrë Shehun në errësirë, sipas dëshmitarëve duhet të kenë qenë oficerë të shërbimit sekret. Pas kësaj makina është nisur në drejtim të Fierit ku një helikopter e ka nisur në drejtim të Tiranës. Policët që do ta lironin, Ibrahim Çela 45 vjeç, Ilir Fortuzi, 27 vjeç, Astrit Bushi, 32 vjeç, Hysen Goxhi, 27 vjeç, Maliq Tabaku, 27 vjeç, janë në gjendje të rëndë. Ndërsa Sinan Braho 27 vjeç, së bashku me kryetarin e bashkisë Agim Fuga janë dërguar me helikopter në Tiranë. Shehu rreth orës 19.30 ka lënë pas Lushnjen e djegur dhe të gjymtuar, njerëzit që kërkojnë paratë, Xhaferrin,… askush nuk e di se si do të rrjedhin ngjarjet. Ndoshta dikush do të dalë në krye dhe do të thotë: mjaft me shkatërrime, por akoma era e tymit nuk është larguar.

Enton Abilekaj

 Lushnjë, 25 Janar 1997

 

SHKARKO APP