Esmeralda Gjoka: 30 ballistë zihen me grushte në Kongres, ndërhyn policia për të vendosur rregullin
(Botuar me 2 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Esmeralda Gjoka-
TIRANË – Ka përfunduar në grushte dita e parë e Kongresit të nëntë të Ballit Kombëtar. Seanca e fundit e ditës së djeshme i ka gjetur ballistët në sherr pa kufi. 30 vetë kanë lënë sallën e Kongresit në mbrëmje vonë dhe e kanë kthyer hollin e TOB në një arenë gladiatorësh.
Delegatët ballistë të nxehur si mos më keq janë rrahur paq me njëri-tjetrin, madje dyshohet se kanë qenë të gjithë të armatosur, pavarësisht se nuk i kanë përdorur armët. Sherri ka qenë kaq i madh sa për të ndarë atë nuk kanë mjaftuar liderët e partive, por ka ndërhyrë policia me mjete të forta. Militantët në sherr kanë qenë thjesht përkrahës respektivë të Ermenjit dhe Selfos. Të ndarë në dysh ata gjatë gjithë punimeve të Kongresit kanë bërë tifo për liderët që kishin për zemër. Por pikërisht kjo tifo i ka kaluar në mbrëmje caqet e “fair-play” it. Ata nuk kanë duruar dot të shohin gjatë njëri-tjetrin nga larg, ndaj janë afruar për ta vazhduar luftën e brendshme politike të partisë së tyre në luftë fizike.
Pas këtij momenti Kongresi është shthurur për t’i mbyllur punimet e një dite normale dhe për t’i lënë radhën ditës së sotme. Mendohet që punimet e këtij Kongresi sot do të jenë të përforcuara me polici për të siguruar rregull dhe qetësinë, ndërkohë që askush nuk garanton pasojat e gjaknxehtësisë së militantëve.
Megjithatë kronika balliste për dje ka nisur me fjalën e hapjes të mbajtur nga kryetari i kësaj partie, Abaz Ermenji, i cili është i vetmi përfaqësues i lartë i Ballit, që ka marrë pjesë në të gjitha kongreset e kësaj partie. Me tone të ashpra Ermenji ka mbrojtur vijën e vet politike, madje është shprehur fare qartas se partia që ai drejton e gjen veten në DBSH, formacion politik i papreferuar për një pjesë të madhe të kësaj partie, e cila kërkon bashkimin me aleancën e PD.
Vetë Selfo është treguar i patundur në qëndrimin e tij dhe ka kërkuar aleancë me “Bashkimin për Demokraci”. Shumë nga përkrahësit e tij nuk kanë hezituar të tregojnë haptas të njëjtën preferencë për partinë e Berishës dhe formacionin që drejtohet nga PD. Dje është folur për dështim të politikës së ndjekur nga Balli deri më sot. Shumë prej diskutantëve shprehën pakënaqësinë ndaj lidershipit të partisë, i cili u tregua i ngathët dhe nuk mori përsipër të dalë në krye të revoltave të marsit. Debati dhe konfliktet në kryesi, kriza e besimit në radhët e BK, ishin problemet që dolën më tepër në pah gjatë gjithë seancës së diskutimeve. Dita e parë e Kongresit ballist është shoqëruar me ilaritet të madh në sallë. Kjo e fundit ishte e ndarë pothuaj në dy pjesë të barabarta, ku fansa të Selfos dhe Ermenjit shanin me sa mundnin njëri-tjetrin dhe i jepnin zemër liderëve që kishin për dëshirë. Do të jetë pikërisht dita e sotme, e cila do të vendosë fatet e kësaj partie dhe të ardhmen politike të saj. ESMERALDA GJOKA