Et’hem Ruka: Klonimi, dilema mes vdekjes dhe përjetësisë

(Botuar me 28 nëntor 1999 në KOHA JONE)

Nga Et’hem Ruka- 

5 qershori i vitit 1996 është një datë historike në bioteknologjinë e klonimit. Ishte ora pesë mbasdite kur në një kapanon të Institutit Roslin në Roslin të Skocisë lindi qengji i parë i klonuar. Ai u quajt Dolly. Në atë çast nuk pati as gazetarë, as shkrepje aparatesh fotografikë dhe as kamer për të filmuar. Punimi duhej mbajtur i fshehtë deri sa Ëilmut t’i dorëzonte patentën sponsorit të studimit. Në dukje asgjë e veçantë, një qengj si gjithë qengjat e tjerë në Skoci. Një qengj, lëkura e të cilit mbulohej nga një push gri i qartë dhe me turinj të bardhë si dëbora. Peshonte 6.6 kg. Në këtë lindje ishte i pranishëm krijuesi i tij J.Ëilmut si dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij. Ëilmut, ky kërkues i fushës së embriologjisë, një burrë i qetë me moshë rreth 52 vjet, nuk është në gjendje të kujtojë shumë hollësira dhe të shpjegojë se çfarë ndjeu kur pa me sytë e tij frytin e punës së lodhshme, frytin e një pune që erdhi mbas të paktën 300 dështimesh. Edhe një shishe shampanjë që kish përgatitur për ta hapur në çastin e lindjes nuk e hapi.

Krijimi i Dollit nuk ishte një akt magjik. Punimet kërkimore të Ëilmutit dhe bashkëpunëtorëve të tij zgjatën 10 vjet. Dhjetë vjet duke punuar, të paktën nga nëntë orë në ditë. Një punë skrupuloze që kërkonte shumë durim dhe qetësi. Ëilmutit i duhej të rrinte me orë të tëra kërrusur mbi mikroskop dhe pjatat e tij të petrit për të vëzhguar ecurinë e qelizave të vëna në kultura in vitro me shpresën për të krijuar klone. Kjo punë nuk do të mund t’u pëlqente shumë kërkuesve të tjerë. Ne dukje ajo të ishte monotone dhe frytet shumë të diskutueshme. Qetësia e Ëilmutit dhe durimi i tij i pafund përkonin në mënyrë të përkryer me natyrën e këtyre kërkimeve. Gjithmonë në orën gjashtë të mbrëmjes ai linte laboratorin për të shkuar në shtëpinë e tij, ku e priste gruaja dhe tre fëmijët: Helena, Naomi dhe Deani. Qyteza ku jetonte Ëilmut ishte e vogël dhe nuk tërhiqte shumë vizitorë.

Atë ditë askush nuk foli për këtë gjë, as gazetat as televizionet, madje edhe autorët e këtij punimi heshtën për gjashtë muaj rresht deri sa bënë publikimin e rezultateve të tyre në revistën Nature. Por lajmet përhapen shpejt shumë shpejt. Askujt nuk i shkonte ndërmend se emri i këtij qengji, Dolli do të shkruhej në mijëra artikuj, do të përmendej po kaq shumë në debate televizive, do të përmendej kaq shumë në konferenca shkencore, do të përmendej në parlamentet e shumë vendeve si dhe të gjitha rrethet fetare. Ëilmut, ky kërkues skrupuloz dhe modest për punën e tij titanike e inteligjente arriti të vriste heshtjen dhe indiferencën dhe t’i jepte një emër të madh institutit Roslin që deri atëherë shumica e kërkuesve të kësaj fushe nuk e dinin ku binte. Aty lindi Dolly, emrin e së cilës do ta mësonin miliona e miliona njerëz në të gjithë kontinentet e rruzullit tokësor. Një kërkues i asaj kohe shkruan: “Tashmë nuk do të ketë më kufij. Fantazia shkencore është bërë realitet”. Tabuja e pamundësisë së klonimit të gjitarëve të rritur ishte thyer përfundimisht. Hapi i parë drejt pavdekësisë së individit ishte hedhur. Deklarimi i Solterit, një studiues i kësaj fushe, për pamundësinë e klonimit nga transferimi i bërthamave të rritura i është bërë copë e thërrime. Është normale. Historia e njerëzimit është e mbushur plot e përplot me shembuj të tillë. “Dikur të gjithë besonin se toka ishte e sheshtë. Mendonin që masa ishte masë dhe nuk mund të transformohej në energji. Besohej se ekzistonte një forcë në kiminë organike, një forcë jetësore, e cila ishte e aftë të krijonte molekulat organike” shkruan Ronald James, drejtuesi i firmës farmaceutike PPL, sponsorizuese e punimeve të Ëilmutit për klonimin e gjitarëve, duke komentuar surprizën e lindjes së deles Dolly. Tashmë jeta e Ëilmutit kish ndryshuar. Ai nuk kishin kohë të lexonte letrat e shumta që i arrinin në laborator. Telefonat nuk pushonin. Ftesat për konferenca shkencore nuk kishin të mbaruar. Ky kërkues arrin deri në atë pikë sa numrat e telefonit t’i mbajë sekret.

Megjithatë pati edhe disa kërkues që shprehën dyshime për saktësinë shkencorë të klonimit të Dollit. Duheshin prova për të qenë fare transparent në vërtetësinë e rezultateve. Ëilmut e kish parashikuar në mënyrë inteligjente gjithçka. Si dëshmi. Për këtë shërbenin qelizat e gjirit të përdorura për klonim, që akoma ruheshin në ngrirje të thellë. Tashmë askush nuk mund të hidhte as hijen më të vogël të dyshimit për saktësinë dhe rigorozitetin e këtij punimi shkencor. Janë bërë shumë zbulime të mëdha në fushën e fizikës, të kimisë e biologjisë, janë zbuluar e emëruar kontinente të reja, janë zbuluar e emëruar planetë të rinj, është vizituar hëna dhe po sundohen planetë të rinj, zbulime që kanë tronditur nga themelet shoqërinë njerëzore dhe i kanë shërbyer progresit të saj. Dolly, kjo krijesë e laboratorit të Ëilmutit, krijesa që do të ngjallte shpresa të mëdha për të kthyer mitin e pavdekshmërisë së individit në një realitet konkret, krijesa me përmasa mbinatyrore, krijesa që hapi perspektiva të paparashikuara për mjekësinë humane dhe shtazore, do të përbënte një eveniment po kaq te rëndësishëm sa dhe gjithë zbulimet e tjera të mëdha. Specialisti amerikan i biotikës në Universitetin e Ëiskonsinit e quan lindjen e Dollit po aq të rëndësishëm sa zbulimet e Kopernikut, Darvinit apo Frojdit. Ky zbulim jo vetëm që tronditi profanët, por edhe vetë kërkuesit.

Dolly ishte një krijesë identike e deles që e lindi. Por nuk mund të thuhet se ajo është bija, motra apo diçka tjetër, siç mund të jemi mësuar të cilësojmë raportet shekullore të farefisnisë dhe familjes sonë. Që nga ky çast raportet familjare asgjësohen, bashkë me të edhe identiteti personal.

Lindja e Dollit ngjalli një debat të paparë si në rrethet shkencore, ashtu edhe ato publike, fetare, biotike, politike etj. “Bota nuk është më e njëjta që kurse lindi Dolly” shkruan Xhina Kolata në librin e saj “ Klonimi nga Dolly te njeriu”. Imagjinoni se çfarë shkruhej më 5 mars 1972 në revistën “The Neë York Times Magazine”: “Mund të imagjinojmë të marrim një qelizë nga lëkura e dorës së njeriut, por edhe nga dora e një mumieje (nga çasti që një qelizë nuk është as e gjallë dhe as e vdekur por e pa dëmtuar) dhe prej saj të ndërtojmë një ind të lëkurës. Por mund të imagjinojmë që një qelizë mund të formojë një gisht, më tej një dorë, një embrion dhe deri një individ të tërë”. E pra deri atëherë flitej e shkruhej si për fantazma që krijohen nga fantazia dhe shëtisin në mënyrë të padukshme rreth nesh, por sot flitet për Dollyn, që lindi, shikohet, preket dhe dëgjohet kur blegërin, flitet për krijuesin e saj, kërkuesin, britanikun Jan Ëilmut.

Dolly filloi të rritej nën një përkujdesje të veçantë. Ajo nuk kulloste në natyrë si të gjitha shoqet e saj, madje nuk kish provuar as të këpuste një tufë bari. Dolly mbahej në një mjedis të veçantë, ushqehej me ushqime të parapërgatitura dhe ishte nën një kontroll të rreptë mjekësor. Po ta linin në natyrë kishin frikë se mos infektohej nga kontakti me delet e tjera. Meqë kurioziteti për ta parë këtë qenie ish shumë i madh, Instituti priste shumë vizitorë. Në këtë mënyrë Dolly filloi të mësohej me njerëzit dhe të sillej si një dele manare. Ajo nuk ishte aq e egër me njerëzit, saç janë delet e tjera, të cilat nuk të lenë t’u afrohesh. Për njerëzit e thjeshtë të Roslinit ende nuk kish ndonjë kuriozitet të madh. Një dele është një dele thoshin ata, duke mos e kuptuar që delja e tyre do të trondiste jo vetëm shkencëtarët, por gjithë opinionin publik ndërkombëtar.

Klonimi filloi të bëhet objekt i shumë laboratorëve kërkimorë në botë. Të dielën më 5 janar 1988 një ekip kërkuesish japonezë arritën gjithashtu të klonojnë një lopë. Më 16 shkurt 1998 shkencëtarët amerikanë arritën të klonojnë një lopë Holstein. Fillimisht ata klonuan një embrion, të cilin e zhvilluan deri në moshën 30 ditë. Pastaj avancuan një klon tjetër duke përdorur si qelizë donatore qelizën e embrionit 30 ditësh. Në këtë mënyrë ky ekip realizoi një transferim të dyfishtë bërthamash. Suksesi i metodës qe i lartë përderisa u arrit të fitohej një klon në vetëm 15 dështime. Viçi i lindur në këtë rrugë u quajt Gene.

Më 22 qershor 1988 ekipi i Dr. Yanagimachi i Universitetit të Havait arritën të klonojnë rreth 50 minj duke modifikuar procedurën që u përdor për delen Dolly. Shtatë nga këta minj janë klone të klonit. Në dhjetor të vitit 1998 u arritën suksese të tjera. Biologët japonezë arritën të përdorin një teknikë të re klonimi për të prodhuar tetë lopë identike me origjinë nga një lopë e vetme. Rezultatet e këtij punimi u botuan më 9.12.1998. Sot është bërë pothuajse e zakonshme të lexosh raportime të ditëve të fundit që bëjnë fjalë për klonime gjitarësh në këtë apo atë vend të botës. Kështu gjatë një qëndrimi tranzit në aeroportin e Zyrihut në Zvicër, fillova të shfletoja gazetat e mëngjesit të datës 27 prill 1999. Në një nga faqet e gazetës “Le temps” lexoj një shkrim të shkurtër me titull: “Lindje të reja të viçave të klonuar në Japoni”. Këtë radhë kërkuesit japonezë kishin arritur të krijonin dy viça të klonuar, origjina e të cilëve merrej nga bërthamat e kulloshtrës së gjirit të lopëve të sapolindura. Lindja ishte realizuar një javë më parë dhe njoftimi zyrtar vinte nga Ministria e Bujqësisë së Japonisë.

Ideja e njeriut për përjetimin e vetvetes është shumë e vjetër. Atë mund ta gjesh në shumë përralla dhe mite të vjetra. Megjithatë shkrimet e shenjta njohin vetëm një krijues: Zotin. Ideja për të anashkaluar zotin, apo për t’i marrë atij këtë eksluzivitet i ka trazuar vazhdimisht shpirtrat e njerëzve dhe i ka bërë të vuajnë kompleksin e mëkatit. Imagjinoni mitin e Prometeut të krijuar nga grekërit e vjetër. Ky hero guximtar, simbol i martirit të përjetshëm, sfidues i perëndive, rebel në llojin e vet u vjedh zjarrin perëndive duke kryer një mëkat te rendë, që prej kohësh e ka bërë njeriun të vuajë pasojat për arrogancën e tij “Akti i Prometeut, që u ngrit kundër Zeusit për hir të njerëzimit të përbuzur prej hyjnive, merr një ngjyrë edhe më sublime për shkak se ai shkon drejt rebelimit i ndërgjegjshëm për flijimin e vet”, shkruan I. Kadare në parathënien e tragjedive të Eskilit të botuara në shqip.

Ideja e ndëshkimit të zotit në përgjigje të mëkateve e veçanërisht ndaj bëmave të prometeve të tjerë e ka shoqëruar vazhdimisht shoqërinë njerëzore. Progresi i kësaj shoqërie është shoqëruar vazhdimisht nga dyluftim shpirtëror. Të njëjtën ide e gjejmë edhe te Frankenshtain novela më horror e shkruar nga autori anglez Mary Shelly qysh në vitin 1818. Emri i novelës është “Frankenshtain ose Prometheu i lidhur. Frankenshtajni, një student ne mjekësi betohet para varrit të saj se i duhesh dhenë fund vdekjes që këput jetën njerëzore. Ideja e pavdekshmërisë e udhëhoqi atë gjatë gjithë studimeve. Më në fund ai vendos të veprojë dhe krijon një njeri duke bashkuar pjesë të trupit të kadavrave të ndryshme. Nga dikush merr zemrën, nga një tjetër gjymtyrët, nga një tjetër trurin e kështu me radhë. Mbas eksperimentesh të “sofistikuara” ai arrin të krijojë të parën qenie njerëzore të gjallë, një qenie që nuk e dinte se kush ish, një qënie që nuk kish as babë as nënë dhe as të afërt. Trupi i tij ish një montatorë që u ngjallte frikë të gjitha qenieve normale njerëzore. Kjo qenie u krijua aq e gjatë, aq e fuqishme, me gjini mashkullore, pra ashtu siç dëshiroi krijuesi i saj Frankenshtajni. Por Frankenshtajni ky Promete modern guxoi t’i vjedhë zotit misterin e krijimit të njeriut dhe t’i heqë atij të drejtën e ndëshkimit të të ngjashmëve të vet me vdekje. Guximi i tij prometenian nuk mund të mos ndëshkohej. Njeriu “Askush” i krijuar në laborator kish parametra të tjerë. Ai nuk mund të qëndronte brenda kontrollit njerëzor. Në rrugën e tij të krimit, njeriu Askush vret të vëllain e krijuesit të tij e më pas edhe të dashurën e Frankenshtajnit. Ndëshkimi qe i pamëshirshëm.

Autori kërkon ti kujtojë njerëzimit se lakmia e madhe për të kontrolluar natyrën mund të shpaguhet madje shumë rendë. Ideja e fajësisë që goditi edhe Frankenshtajnin vjen që nga lashtësia, që nga miti i famshëm i Prometeut.

Ndjenja për të pasur një të ngjashëm si vetja takohet edhe te miti tjetër i Narcisit. Në qendër të këtij miti qëndron dashuria për veten, ide që në një farë mënyre për kohët tona përkon me dëshirën për klonin e vet. Por sa përralla të tjera ka krijuar njerëzimi, në të cilat imagjinata e transformon fukarain ne mbret, frikacakun në trim dhe aq më tepër kur kjo imagjinatë bën shartesa të tmerrshme duke krijuar qenie mitologjike gjysmë njerëz dhe gjysmë kafshë. Të gjitha këto krijesa fantastike nuk kanë projektues zotin por fantazinë njerëzore. Kujtdo do t’i pëlqente të ishte një zot për të krijuar, por sapo fantazia ia le vendin realizmit, njeriu fillon t’i trembet ndëshkimit të kreatorit universal. Në këtë xhungël pështjellimesh koha e Prometeut nuk është aq e largët nga Promete të tjerë, të cilët me teknikën e klonimit guxojnë të prekin pushtetin e plotfuqishëm të zotit. I krijuar sipas imazhit të Zotit, njeriu tashme ka radhën të krijojë sipas imazhit të tij. Kjo “është etapa e parë serioze drejt unitetit të njeriut më zotin” shkruan R.Seed, një mbrojtës fanatik i klonimit, një guximtar i tipit të Frankenshtajnit.

Teknika e klonimit kërkon dy qeliza, njëra prej të cilave duhet detyrimisht të jetë një qelizë vezë e pafekonduar. Paraprakisht vezës duhet t’i hiqet bërthama. Meqenëse informacioni gjenetik ndodhet në ADN dhe ky i fundit në bërthamë, kjo do të thotë që veza është e përjashtuar nga mundësia e transferimit të këtij informacioni tek organizmi që do të lindë nga klonimi. Qeliza donatore ose qeliza e marrë nga individi që dëshirojmë të klonohet parapëlqehet të jetë e padiferencuar. Përmes operacionesh shumë të holla qelizës donatore i hiqet bërthama, e cila vendoset te qeliza femërore vezë. Qeliza e re e përftuar për qëllime klonimi është një shartesë midis qelizës vezë dhe qelizës trupore ose somatike. Ajo vendoset në një terren ushqyes dhe pritet që të fillojnë fazat e para të zhvillimit embrional. Gjithë procesi i zhvillimit do të programohet në përputhje me informacionin gjenetik të mbartur në zinxhirët e AND. Në një stad të caktuar të këtij zhvillimi embrioni vendoset në mitrën e një femre, që tashmë shërben si një inkubator biologjik për zhvillimin e krijesës së re deri në lindjen e tij. Kjo krijesë s’është gjë tjetër veçse një klon, pra një individ që gjenetikisht është i njëjtë me individin nga u mor bërthama e qelizës somatike ose donatore.

Më 14 dhjetor 1998 një ekip koreano-jugor, që punonte në Klinikën e Sterilitetit të Universitetin Kyunghee të Seulit i drejtuar nga profesori Lee Po Yon arrin të prodhojë të parin embrion human deri në fazën e katër qelizave. Veza u mor nga një grua 30-vjeçare, kurse bërthama po nga një qelizë trupore e te njëjtit individ. Në raportin e hartuar për këtë punim shkruhet: “ Ne arritëm të realizojmë ndarjen deri në stadin e katër qelizave. Ky stad është i mjaftueshëm për ta vendosur embrionin në mitrën e gruas, dhe në vazhdim të japë fetusin”. Punimet e këtij ekipi i dhanë shkas një serë protestave para spitalit ku u kryen eksperimentet. Shumica e protestuesve u përkisnin organizimeve katolike si dhe grupeve ekologjike, të cilët iu drejtuan mjekëve që të “kërkojnë ndjesë për njerëzimin”.

Mund të imagjinohet një kërkues që tenton të klonojë një kafshë bujqësore, por a mund të imagjinohet një i tillë që tenton të klonojë një subjekt njerëzor? Si mund të jetojë një jetë normale me kopjen e tij identike?

Është njësoj sikur të shikosh vetën në pasqyrë, pra të jesh pa identitetin tënd, pa “unin” tënd, pa mundur të thuash unë dhe ti.

Është një ide e guximshme dhe po kaq e frikshme. Një ndërmarrje e tillë prek vetë thelbin e qytetërimit të sotëm. Kjo ide përkon me fantazmën që sillet rreth nesh prej kohësh dhe na fton të bëhemi të pavdekshëm. Të gjithë ne njerëzit jetojmë ciklin e tyre jetësor: lindin, bëhen fëmijë, maturohen, martohen, lindin fëmijë, gradualisht plaken dhe në fund vdesin. Kjo është ligjësia jonë e përjetshme. Një rregull absolut, të cilit nuk i shpëton askush. Klonimi njerëzor është një guxim i marrë për të dalë jashtë kësaj ligjësie. Përkundrazi kloni ynë i dashur që gëzon vetëm gjenet tona personale bëhet i pavdekshëm.

Bioteknologjia mund të shihet vetëm si një djallëzi që kërcënon njerëzimin. Kjo teknikë ofron një numër të pafund zbatimesh të mrekullueshme, të cilat sot për sot duken thjeshtë si ëndrra. Kështu nëse një njeri lind i klonuar, ai do të mund të evitonte shumë gjera të padëshiruara. Shkurt ai do të kishte një pasaportë të dhënash mjekësore, në të cilën do të shënohej se çfarë ai do të duhej të përjashtonte gjatë jetës së tij. Ai do të dinte se ky lloj regjimi ushqimor i kishte shkaktuar një sëmundje të caktuar individit prej nga u klonua, se këto lloj preparatesh mjeksore nuk do ti rekomandoheshin e etj. Jo vetëm kaq por ai do ta dinte që më parë se cili ishte talenti i tij e në këtë mënyrë jo vetëm që do ti kursente shumë kohë vetes, por do të bënte një zgjedhje më të saktë në jetë.

Teknika e klonimit e mbështetur në transferimin bërthamave ka hapur dritën jeshile për zgjidhjen e një sërë problemesh ende të pakapërcyeshme përmes riprodhimit in vitro. Një shpresë e re po shfaqet për ata që nuk kanë fëmijë, dhe që praktikisht kanë shpenzuar kaq shumë lekë dhe kohë para dyerve të klinikave të specializuara.

Fantazia e zbatimeve perspektive të klonimit s’ka të mbaruar. Idetë e guximshme asnjëherë nuk duhen parë me dyshim. Për të përftuar një embrion do të mjaftonte të transferonim një vezë të zhbërthamëzuar, bërthamën e një qelize me origjinë nga njeri prej partnerëve të çiftit. Me tej bërthamat e qelizave të këtij embrioni mund të përdoren sipas së njëjtës teknikë për të prodhuar në laborator tetë apo dhjetë embrione të reja. Një pjesë e tyre do të vendosen në mitrën e gruas me shpresën për të zhvilluar barrën deri në fund. Një pjesë e embrioneve të krijuara në këtë rrugë edhe mund të ruhen në ngrirje të thellë e më pas të përdoren për të njëjtin qëllim për tu përdorur më vonë.

Në mbretërinë e shpresave klonimi do të shërbente një ditë për të shpëtuar llojet në zhdukje.

Lista e kafshëve dhe bimëve që po shkojnë drejt zhdukjes është e madhe. Biologët, por jo vetëm ata e shikojnë me shqetësim një dukuri të tillë. Ndoshta një ditë, shumë kafshë do ta shohim veten në figura apo në makete plastike si ato të dinozaurëve që sot i shohim në filmat për fëmijë. Teknika e klonimit krijon mundësi potenciale për të ruajtur llojet ekzistuese, pse jo edhe ato të zhdukura, të cilat rastësisht mund t’u jetë ruajtur materiali biologjik. Në se një ditë një kafshë e një lloji të zhdukur gjendet e konservuar në akull, qelizat e saj fare mirë mund të përdoren për klonim, e në këtë rrugë ta rikthejmë atë në realitetin e sotëm duke e zgjuar nga gjumi mijëravjeçar. Me sa duket dinozaurët edhe mund t’i shohim një ditë jo vetëm në ekrane filmash apo maketesh plastike, por edhe në parqet zoologjike.

Klonimi mund të përdorej edhe për të lidhur të kaluarën me të sotmen e shoqërisë njerëzore. Është fjala për të ruajtur materialin biologjik të figurave të shquara të fushës së artit, shkencës etj. me qëllim që ata të klonohen. Në këtë listë personalitetesh do të trajtoheshin shumë nobelistë. Teknika e klonimit pra do të përdorej për njerëz ekzistues apo për ata që kanë ekzistuar më parë. Në këtë mënyrë bioteknologjia e klonimit të njeriut do të kontribuonte dukshëm për ruajtjen dhe përjetësimin e elitës intelektuale njerëzore, e cila do ta çonte shoqërinë më shpejt përpara. Përmes kësaj teknike Ajnshtajnët, Bethovenët, Shekspirët dhe gjithë korifenjtë e njerëzimit do të mbeteshin të përjetshëm, pra të pavdekshëm.

Babai i fiziologjisë së riprodhimit, britaniku R. Eduart, ai që me ekipin e tij realizoi beben e parë epruvetë, më 1979 hodhi idenë e krijimit të një banke organesh. Ai mendon se çdo individi mund t’i paraqitet nevoja për të zëvendësuar organet e dëmtuara me organe të rregullta dhe funksionale. Në mungesë të këtyre “pjesëve të këmbimit” individi i sëmurë ose duhet të futet në listën e pritjes që mund të zgjasë edhe me vite ose duhet të bashkëjetojë më sëmundjen deri në një vdekje të parakohshme.

Eduart mendon dhe propozon ndryshe. Ai sugjeron krijimin e një banke me organe të ndryshme njerëzore. Këto organe do të ruheshin në ngrirje të thellë, dhe pastaj sipas nevojës mund të përdoreshin për transplantim, pra për të zëvendësuar organet që janë dëmtuar. Ndërkaq ka shumë kërkues dhe kritikë që nuk e miratojnë propozimin e Eduarts duke e quajtur atë edhe delirante. Një i tillë është edhe nobelisti F. Jacob, i cili shkruan: “Ideja e Eduart për të rindërtuar një tip kloni, nga i cili do të merrnim mëlçinë ose zemrën është tërësisht delirante. Unë jam kundër. Absolutisht kundër”. Por nuk është i një mendje “krijuesi” i Dollyt, Ëilmut, i cili po për të njëjtin problem shprehet: “Bëhet fjalë për një fushë kërkimi me zhvillime shumë të shpejta. Në të ardhmen do të kemi mundësi të disponojmë një rezervë qelizash për të zëvendësuar ato që kemi humbur për shkak të një sërë sëmundjeve siç është humbja e qelizave të zemrës ishemike, palcë për disa forma kanceroze, qeliza të pankreasit për diabetin e sheqerit, neurone për sëmundjen e Parkinsonit etj”.

Sot lista e pritjes për njerëzit që kanë nevojë për një organ si veshka, mëlçia, zemra ejt. është shumë e gjatë. Disa duhet të presin me vite të tëra dhe në këtë pritje të gjatë vdekja mund të fitojë mbi jetën. Atëherë pse të mos kemi një bankë me organe të gatshme dhe t’i përdorim ato në çastin që kemi nevojë? Këto organe fare mirë mund të prodhoheshin përmes rrugës së klonimit. Si burim potencial i këtyre kloneve do të shërbenin embrionet humane. Pra secili prej nesh do të kishte një embrion të vetin, të cilin do ta ruante në gjendje të ngrirë për aq kohë sa t’i nevojitej. Kështu p.sh. nëse dikush do të prekej nga kanceri i gjakut, leucemia do ta kishte shumë të vështirë të bënte një transplant të palcës kurrizore.

Kjo teknikë mund të përdoret për prodhimin qelizave nervore për një tru të dëmtuar, lëkurë për ata që digjen, qeliza për palcën kurrizore për paraplegjikët etj. Kështu embrioni gjashtëjavësh i njeriut i ka të gjitha aftësitë për të shërbyer si një koleksion qelizash për trurin. Në këtë mënyrë teknika e klonimit do të shërbente për të shpëtuar miliona jetë në rrezik. Sipas këtij skenari futurist të tipit fantastiko-shkencor, embrioni do të përdorej edhe për shartime të tjera.

Në debatin për lejimin apo moslejimin e klonimit deri në subjektet njerëzore janë përfshirë një numër gjithmonë e më i madh shkencëtarësh me reputacion ndërkombëtar. Debati i tyre është interesant aq më tepër që ai mbështetet mbi argumente dhe kundërargumente të shëndosha.

Në këtë debat shumë kërkues marrin pozicione skajore duke qenë plotësisht pro ose plotësisht kundër ashtu siç ka edhe të tjerë të cilët janë të kujdesshëm duke ia lënë disa qëndrime dhe vendime kohës. Për nobelistin R. Dulbeko një embrion që është prekur nga një sëmundje gjenetike e pashërueshme përfaqëson dikë që është i dënuar me vdekje. A duhet lenë ky njeri të vdesë apo duhet gjetur një mënyrë për ta shëruar përmes teknologjisë së inxhinierisë gjenetike dhe klonimit. Për partizanët e klonimit human, kjo bioteknologji duhet parë si të gjitha teknologjitë e tjera në shërbim të njeriut. Edhe pse ndërhyrja te embrioni i njeriut është e ndalura shumë kërkues po i përgatisin laboratorët e tyre. Për ta bioteknologjia e klonimit të njeriut është çështje kohe. Një grup kërkuesish në Çikago ka krijuar të gjithë infrastrukturën për të filluar me klonimin human.

“Gabojmë,- thotë një studiues për kolegët e tij që e gjykojnë klonimin human si një perspektivë e largët, mua më duket sikur ai do të realizohet vetëm pas disa javëve”. Për të kuptuar se çfarë rreziqesh mbart keqpërdorimi i shkencës kundërshtarët e klonimit sjellin argumente nga më të ndryshmit dhe që janë të prekshëm për cilindo. Ata e shohin lindjen e deles Dolly si një qenie apokaliptike, si një shëmbëlltyrë të ndërhyrjes së njeriut në një sferë që prish rregullin e vendosur nga natyra. Entuziazmi për zbulimin e energjisë atomike thonë ata nuk zgjati shumë. Vetëm pas Hiroshimës shkencëtarët e kanë kuptuar se çdo të thotë keqpërdorim i shkencës.

Rreziku që mbartin punimet në fushën e klonimit interpretohen si një fitore e biznesit mbi arsyen. Sidoqoftë arritjet e shkencës as nuk duhen injoruar dhe as nuk duhet hedhur poshtë apriori.

Psikiatri dhe specialisti i familjes G. Salam shkruan në revistën “Hebdo” më 15 janar 1998 se klonimi është “ një rrezik për mbijetesën e llojit”. Kloni konsiderohet si një koloni alienësh pa identitet. Çfarë mund të jetë një njeri pa ekzistencën e unit. Tek një klon uni është thërrmuar Ne jemi rezultat i një historie. Por një njeri i klonuar është rezultat i asgjëje. Nga pikëpamja antropologjike është shumë e vështirë të konsiderosh një qenie të klonuar vëlla, motër, baba apo binjak. Identiteti është i lidhur gjithmonë me relacionet që vendos me dikë tjetër. Imagjinoni veten tuaj në dhjetë kopje. Për ta kuptuar këtë shikoni veten në dhjetë pasqyra për njëherësh. A ndryshon njeri imazh nga tjetri?

Absolutisht jo. Të gjitha këto imazhe që janë fotokopje e njëra-tjetrës nuk mund të kenë identitet. Sipas filozofit M. Buber, ajo që e bën të ndryshëm “unë” dhe “ti” është pikërisht mënyra e këtyre marrëdhënieve, njohja e ndërsjellë. Sipas këtyre pikëpamjeve klonimi do të kishte një kosto të lartë për të gjithë shoqërinë njerëzore. Si mundet të zëvendësohet riprodhimi seksual me klonimin, si mund të përjashtohet ndjenja e dashurisë që është kaq e fortë te njeriu?

Në këtë debat u përfshinë jo vetëm qarqet shkencore, por edhe qarqet politike. Filluan menjëherë projekt ligje për ndalimin e klonimit human. I ndodhur në një situatë të tillë Presidenti amerikan Bill Klinton i kërkon Komisionit Kombëtar të Biotikës që të përgatiste shumë shpejt një raport e në përputhje më të, të adoptonte një qëndrim zyrtar. Ndërkaq mediet e ndryshme filluan të bëjnë sondazhe për të parë qëndrimin e publikut lidhur me klonimin human. “Times” bën sondazhin e parë dhe konstaton se 74% e amerikanëve shprehen se klonimi human shkon kundër vullnetit të shenjtë e për pasojë ai duhet të ndërpritet nga qeveria. Pas tre muaj pune mblidhen të tetëmbëdhjetë anëtarët e Komisionit Kombëtar të Biotikës.

Ata dëgjuan me kujdes një numër të madh shkencëtarësh, juristësh, si dhe teologësh myslimanë, katolikë, ortodoks, çifut protestantë. Mbas një debati energjik me argumente dhe kundërargumente të shumta u arrit në përfundimin se ka klonimi dhe klonim. Shkurt edhe po edhe jo për klonimin, por që ne fund të fundit u arrit një konsensus. Komisioni vendosi për hartimin e një ligj, i cili do të ndalonte klonimin njerëzor, por jo në mënyrë përfundimtare. Afati i kësaj ndërprerje do të ishte tre deri në pesë vjet. Argumenti kryesor etik për këtë ndërprerje lidhet me pasigurinë e metodës, si dhe me pasigurinë e marrjes përsipër të lindjes së bebeve me keqformime apo me mangësi të renda gjenetike.

Më 4 mars 1997, Presidenti SHBA Bill Klinton në ceremoninë e organizuar në Sallën Vezake të Shtëpisë së Bardhë gjatë aktit të nënshkrimit të dokumentit për ndalimin e klonimit, deklaroi se “nuk do të kishte asnjë financim federal për klonimin e njeriut”. Rreptësia e kontrollit të kërkimeve në këtë fushë ka bërë që shumica e sukseseve për klonimin të mos vijë nga SHBA, por nga vende të tjera, ku britanikët janë pionierë. Nuk është çështje shansi, por britanikët janë shumë të avancuar në biologjinë qelizore dhe në disa drejtime të saj më të avancuar se kërkuesit amerikanë. Por sipas partizanëve të klonimit, politikanët duhen kuptuar realisht në vendimet që marrin. Ata nuk mund të arrijnë të kuptojnë se e keqja nuk qëndron thjesht tek propaganda, por tek mosdija gjenetike.

Francezi Fransua Jakob është nobelist në fushën e mjekësisë. I pyetur nga gazeta “Liberation” për klonimin më 18.03.1997 i pyetur nëse mund të këtë një kufi ndarës midis kërkimeve shkencore që duhet të lejohen për të mirën e njerëzimit dhe atyre që janë në dëm të tij shprehet: Duhet kuptuar se ku qëndron dallimi midis asaj që quhet “të dish” dhe asaj që quhet “të bësh.” Dija në nivelin e kërkimit nuk mund të ketë kufi.

Besoj se nuk duhet të pengohet përparimi i gjenetikës. Kush mund ta merrte përsipër mbylljen e laboratorëve të gjenetikës?

Nuk mund të mendohet një gjë e tillë. Nëse ju i mbyllni këtu ato do të hapen diku tjetër.

Përkundrazi “ të bërit”, pra zbatimet e shkencës duhet të kontrollohen nga shoqëria. Për sa i përket klonimit duhet thënë jo.

Nëse do ta kuptonin kështu, atëherë ata do të duhej të përpunonin politika për t’i hapur rrugë njohjes dhe për të çrrënjosur një lloj besimi të gënjeshtërt të ngulitur në ndërgjegjen njerëzore”. Edhe F. Jacob në një farë mënyre është për të shpallur një moratorium për klonimin. Përderisa ka shumë aspekte që ende nuk i njohim mirë le të mos nxitohemi. Koha mund të ishte këshilluesi më i mirë, “Unë, shkruan ai, jam kundër çdo ideje të klonimit njerëzor, të paktën për sot, por edhe për shumë kohë, për aq kohë sa të ketë objektiva të qartë, të saktë dhe shumë të përcaktuar. Është e vështirë të thuhet kurrë.

Ndoshta është e mundur që pas pesëdhjetë vjetësh të ketë arsye të shëndosha për ta bërë atë. Për momentin as që bëhet fjalë. Unë kam dyshime shume shumë serioze për ta bërë atë aktualisht.

Pra nuk është për nesër në mëngjes. Te delja eci, por vetëm një rast në treqind prova të tilla”.

Shkenca ecën shumë shpejt. Por çfarë do të rezervonte e ardhmja për të thyer më tej mentalitete dhe dogma të të sotmes? Kjo nuk mund të konsiderohet si një humbje e busullës morale të shoqërisë. Megjithatë shkencëtarët punojnë në laboratorët e tyre. Ata janë duke vëzhguar në mikroskop, duke punuar mbi pjatat e tyre të Petrit për kultivime in vitro. Ata shikojnë se çfarë ndodh në tavolinën e tyre të punës. Filozofia shpesh nuk bën pjesë në fushën e tyre të pamjes. Megjithatë ata nuk mund të marrin vendime personale. Demokracia dhe shkenca kanë lindur së bashku. Janë rritur së bashku dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën. Në këtë rrafsh edhe kërkimet nuk mund dhe nuk duhet t’i shpëtojnë kontrollit të publikut./Et’hem Ruka/

SHKARKO APP