Fadil Paçrami shkruan për KOHA JONE shkrimin: Duhet mentalitet ndryshe për drejtimin e vendit
(Botuar me 5 mars 1999 në KOHA JONE)
Nga Fadil Paçrami-
Më ka ndodhur që më 27 shkurt 97-të, në prag të ngjarjeve tragjike të mars-qershorit të atij viti të botoja në gazetën “Koha Jonë” artikullin me titull “Jo kështu… ndryshe zoti president!”, që ndiqte artikullin tjetër “Disi ndryshe…” të botuar në gazetën “Poli i Qendrës” në qershor të ’96-ës, ku theksoja se dalja nga kriza e asaj kohe s’ishte punë politikanësh diletantë që luftojnë për fuqi e lavdi, as demagogësh… dhe se vendi kish nevojë për ekipe njerëzish të aftë e të përkushtuar për çështjet e kombit. Mirëpo atëherë gjithçka binte në veshë të shurdhër. Dhe ndodhen ato që dimë.
Më vonë, duke ndjekur e parë se kriza po vazhdonte, më 11 dhjetor të ’98-ës po në “Koha Jonë” shkrova një artikull tjetër me titull “Koha thërret: ndryshe…”. Ndodhi që po atë dhjetor me takimin Majko-Berisha u dha një sinjal për ndryshe. Dhe njerëzit pritën. Por ç’po ndodh? Veç ndonjë shenje sa për fasadë, po vazhdohet prapë me gërr-mërret, kushtëzimet për këtë e atë, pavendosmëritë e demagogjitë që nuk flasin për gatishmëri, përgjegjshmëri dhe ndërrim kursi me të vërtetë. Kjo më bën t’i rikthehem përsëri thirrjes për ndryshe. Duke lënë sferat e tjera të çështjeve ku duhet e mundet vërtetë të ecet, ndryshe do përqendrohem në ato drejtime që mendoj se vendi sot kërkon e ka nevojë të ndryshohet kurs pa u zgjatur e vonuar më tej: përparësi ekonomike, politika partiake me politikanë të përgjegjshëm, kulturë civile e demokratike, rend e qetësi. (Për Kosovën si çështje primare kam folur herë të tjera). I ndodhur në një rreth miqsh jopartiakë e partiakë të vëmendshëm, i shqetësuar për fatet e vendit si janë njerëzit tani, ndodhi që dikush i quajti ato “kanceri i Shqipërisë” sot. Unë nuk isha dhe nuk jam me këtë, kanceri, se atëherë duhet t’i pranojmë si të pashërueshme. E përsërit: nuk jam, se nuk i quaj të pashërueshme. Por që janë sëmundje të rënda as që diskutohet.
Vijmë konkretisht
- Përparësi e ekonomisë. Fjala është për t’i dhënë ekonomisë, zhvillimeve të saj, përparësi në programet partiake e qeveritare në të gjithë veprimtarinë e tyre dhe jetën e vendit. Na duhet të pranojmë se në vitet e kësaj dekade nuk ka qenë kështu, se në lëmin e ekonomisë janë bërë edhe hapa prapa, gabime e mëkate me pasoja katastrofale në shkatërrimin e moszhvillimin e sektorëve prodhues, pa folur për vonesat nga mungesa e një strategjie, orientimeve e projekteve perspektive për të ardhmen. Mjaft të sjellim në mend ç’ndodhi me të ashtuquajturat “terapi e shokut” dhe “kuotës zero”, kur u shkatërruan e u mbyllën e shumta e ndërmarrjeve prodhuese, minierave etj. rënien drastike të prodhimit industrial dhe atij bujqësor, si dhe rritjen galopante të papunësisë.
Qeverisja Berisha – Meksi, njeri mjek e tjetri arkeolog, tregoi jo vetëm se ata s’merrnin vesh nga ekonomia, por edhe se disi inatçe u vunë kazmën keqas të gjithave që qenë ngritur me djersën e gjakun e këtij populli. Kjo është revoltonjëse. Po pse ranë kaq poshtë edhe ekonomistë si Pashko, Ruli me të tjerë, të pozitës edhe këta në atë kohë, ishte kjo paaftësi apo për interesa të caktuara brenda vendit e ndikime të jashtme? Pse edhe opozita e asaj kohe me ekonomistë si Nano, Malaj etj. nuk bënë atë që duhej për të lëshuar alarmet e paraqitur alternativat e mundshme? Pse edhe pas qershorit të ’97-ës, kur këta erdhën në pushtet, sado që në fillim u duk sikur parashtruan programe e alternativa me përparësi ekonominë, gjithçka mbeti në deklarata vetëmburrëse me fjalime kilometrike dhe kaq? Përgjegjësitë dhe fajet këtu bien mbi partitë e tyre të dy palëve pa diskutim. Le të thonë si të duan e vërteta kështu flet. E rëndësishme është të nxirren mësime dhe të veprohet ndryshe tani e në të ardhmen. Kohëve të fundit flitet shumë për domosdonë e një strategjie globale të studiuar e argumentuar për zhvillimin e ekonomisë së vendit me objektiva e projekte të përcaktuara e konkrete. Flasin për këtë qeveritarët e drejtuesit partiakë të pozitës dhe të opozitës, janë botuar edhe artikuj e materiale të tjera nga specialistë të ekonomisë me plot mendime që mund të shërbejnë, kanë këmbëngulur edhe organizma ndërkombëtarë si FMN-ja, Banka Botërore, BERZH-i e të tjera. Po ç’bëhet?
Ja, prej kohësh flitet për privatizimin e sektorëve strategjike si ato energjetike, minerale, të infrastrukturës, industrisë përpunuese të metaleve etj. Është e njohur, vendi ynë ka burime me vlera në këto fusha, që mund të tërheqin investitorët e jashtëm dhe të bëhen faktor të fuqishëm për zhvillime të përshpejtuara afatmesme e afatgjata të vendit në tërësi. Prapë, po ç’bëhet? E vërteta është se mbetemi te fjalët. Ngadalësi, vonesa. Pse kështu?
Kjo pyetje të çon larg, që nga pavendosmëritë e ministrisë Bufi, te lëkundjet me tërhiq e mos këput të qeverisë Majko në detajimin e zbatimin e programit të saj të miratuar në Kuvendin Popullor. Koha nuk pret, më pak fjalë: më shumë punë. Politika rutinë me hidh e prit, akuza e kushtëzime të ndërsjella opozitë-pozitë t’i lerë vendin e t’i hapë rrugë ekonomisë. Parlamenti të miratojë ligjet, qeveria të organizojë e drejtojë më mirë punët, partitë të debatojnë kryesisht për ekonominë, edhe të dëgjohet më shumë zëri i specialistëve.
Mendoj, pra edhe po ngul këmbë kaq, se duke u marrë më shumë dhe të gjithë me ekonominë-industrinë, bujqësinë e sektorët e tjerë prodhues e të shërbimit, do forcojmë vendin në tërësi (të dalim nga kriza politike, ekonomike e morale që po kalojmë), demokracinë me ekonominë e tregut, shtetin ligjor, rend e qetësi, për të cilët flasim shumë por… E keqja është, themi të drejtën: u mësuan keq disa në këto vite duke u pasuruar pa punuar, por me mashtrime e vjedhje, korrupsion e kontrabandë dhe rrugëve e mjeteve të tjera amorale.
Njëherë mendoj se sot një rëndësi të veçantë marrin raportet shtet-punëdhënës-punëmarrës, deri tani me qëllim ose jo të injoruara, por të domosdoshme për peshën që mban secili nga këta komponentë në zhvillimin e ekonomisë dhe jetën e vendit. Në ekonominë e tregut shteti vepron me ligjet e rregullat e lojës si drejtues, arbitër e ndërmjetës me protagonistët punëdhënës-kompanira, firma e biznesmenë të veçantë që kanë në duar e drejtojnë sektorë të ndryshëm prodhues, dhe punëmarrës-punëtorët, fshatarët e shërbimit që venë në lëvizje mjetet prodhuese e japin të mirat materiale që na mbajnë gjallë. Ky është tashmë një realitet, nesër do të jetë edhe më shumë. Nëse shtetarët s’duan ta njohin, më keq për ata. Edhe që do të ketë kundërshti e konflikte në mes tyre me punëdhënësit e punëmarrësit, si dhe të punëmarrësve me punëdhënësit edhe këto do ndodhin. Mjaft të sjellim në mend grevat e herëpashershme, edhe përplasjen e fundit në mes të biznesmenëve me shtetin për ligjin e tatimit mbi të ardhurat. Por e vërteta është se shteti nuk po e kryen këtë funksion, nuk dëgjohet fjala e tyre dhe nuk përfillen. Këto janë dy forca të fuqishme dhe të organizuara me të cilat shteti duhet të bisedojë e të jetë në marrëdhënie edhe para se të marrë vendime të rëndësishme në lëmin e ekonomisë. Fjala është për shoqatat e biznesmenëve si BOBS-ja edhe Sindikatat që ekzistojnë prej kohësh por pak u ndihet zëri se mbeten duke u grindur në mes tyre.
Ndryshe pra, ndryshe… në këtë drejtim
- Politika partiake me politikanë më të përgjegjshëm. Politika është shkencë dhe art e punëve publike, e qeverisjes së vendit, e marrëdhënieve ndërshtetërore, e luftës ndërpartiake ideologjike, ekonomike etj. në mbrojtje të interesave të palëve për objektivat që i kanë vënë vetes, si dhe i përplasjeve të personave të veçantë për pushtet. Por ka që e quajnë edhe prostitutë se e dredh sipas rastit dhe dinakëri të politikanëve të cilët e luajnë atë sipas interesave të tyre për t’u ngjitur lart e më lart në pozita shtetërore e partiake me qëllime pasurimi. Për fat të keq, por edhe për fajet tona si komb, në këtë periudhë tranzicioni nga diktatura në demokraci ka ndodhur kështu edhe sepse dolën në krye të politikës disa nga këta të fundit që bënë edhe shumë marrëzira, të cilat i kushtuan shtrenjtë këtij vendi. Prandaj jo politika e politikanë për interesa të ngushta partiake e madhështira personale. Jo partira sa për emër, thonë se tek ne sot ka mbi 50 parti, shumica e të cilave nuk përfaqësojnë shtresa shoqërore të caktuara por klane e persona të veçantë. Jo retorika e demagogjira spekulative të atyre që veç thërrasin për demokraci dhe interesa të kombit, por nuk e duan as shtetin ligjor dhe i përdorin ato për të mbuluar korrupsionin, kontrabandën e hordhiqe të tjera gjithfarëshe. Jo politikanë të tillë që kur bien nga fiku (pozitat që mbanin) nisin të gjuajnë me gur e çfarë t’u vijë për mbarë nga të gjitha anët, duke sharë e mallkuar zot e dreq, veç jo nga vetja e para, pse hipën kur s’qenë të zot; e dyta, pse tani, ku ishin më parë? Jo edhe shkrime e fjalime në shërbim të palëve ose njërit e tjetrit pa çka se në kundërshti me të vërtetat që duan e presin të dinë njerëzit, mbrapshtira këto që njollosin demokracinë dhe gërryejnë shtetin, institucionet, ekonominë e me radhë deri edhe vetë njeriun. Jo edhe me dasitë, grindjet e akuzat e ndërsjella në mes të partive dhe politikanëve. Mjaft, kemi afro 10 vjet.
Kështu para ngjarjeve të mars-qershorit ’97 dhe pas tyre. Kështu para se të miratohej kushtetuta edhe më pas. Kështu edhe për çështjen kombëtare si rasti i Kosovës tani së fundi lidhur me Rambujenë kur dikush përshëndet e miraton punën e vendimet e përfaqësisë shqiptare atje, dikush bën të kundërtën. Dhe pse të gjitha këto? Për bajraktarizma dhe kapital politik në dobi të kësaj e asaj partie, këtyre e atyre të vetëquajtur politikanë, sado që në dëm të vendit e të kombit në tërësi. Po bëhet përherë e më e qartë dhe më bindëse se kështu, me të shumtët e këtyre udhëheqësve partiakë nuk ecën më, nuk dilet nga ai qorrsokak ku janë futur partitë që drejtojnë dhe ato vetë, nuk dilet nga kriza ku ndodhemi. Pra le të vijnë në krye të tyre e të vendit forca e njerëz të tjerë më të aftë, të zhveshur nga mendësi të tilla, të rinj edhe në moshë si duken disa shenja kohëve të fundit, për çka të vjen mirë.
Nuk po qëndroj në këtë çështje lidhur me të rinjtë, se dikur jam akuzuar keqas, siç dihet për atë që u quajt “teori e brezave”, prandaj… Por, duke folur me mjete figurative lidhur me portretin e bëmat e asaj “race” politikanësh për të cilët u fol më lart po shtoj se kohëve të fundit, i shqetësuar për këto lloj mbrapshtira kam shkruar një dramë me titull “Marrëzia e madhështisë” me personazh kryesor një nga këta që në fillim e quajti paradoks e si diçka absurde një thënie të urtë andej nga Bjeshkët e Namura që i kish lënë porosi i ati: “ngjitu, ngjitu lart e më lart, por kurrë mos arrij në majë!”, kuptimin e së cilës e nxori vonë, pasi kish bërë shumë marrëzira deri edhe krime, se pas “majës” vjen “rënia”, “gremisja” edhe “thyeqafja”, si edhe i ndodhi atij në fakt. Cili është pra fundi për këta, si e zgjidh atë edhe unë në dramë? Me pak fjalë kështu: faji duhet dënuar. Si? Ka dënime fizike, morale e historike. Për të parën – me gjyq, bëni si të doni ju që e pësuat u thuhet spektatorëve në sallë. Moralisht e damkos me turp. Historia të bëjë të vetën. Pra të dalim nga skena politike, mos ta zgjatin, nuk mbulohet dielli me shoshë.
Edhe këtu: ndryshe pra, ndryshe…
- Shoqëri civile dhe demokratike. Që na mbetet shumë për të bërë në këto drejtime, edhe që flasin për to partitë, politikanët, aktivistë të shoqatave të ndryshme, intelektualë dhe qytetarë të të gjitha shtresave, kjo është e vërtetë.
Por cila është gjendja? Shqetësuese edhe kjo. Për çfarë normash morale mund të bëhet fjalë kur ato nuk përfillen dhe përçudnohen, secili bën sipas kokës e në dobi të vet, nuk zbaton rregullat qytetare, mungon respekti i ndërsjellë, kanë marrë udhë vjedhjet, korrupsioni e krimi në përmasa të papara.
Për çfarë etike flitet kur shkelen normat morale dhe veprojnë dhunshëm vullnetet e njërit e tjetrit edhe anarkia? Po kështu edhe për çfarë kulture demokratike kur ajo na ka munguar dekada të tëra, kur edhe sot në marrëdhëniet politike e shoqërore na dëgjojnë veshët kaq shumë grindje, fyerje e akuza të ndërsjella? Ku vemi kështu? Përgjegjës jemi të gjithë, por faje e mëkate të rënda bien për këto mbi partitë politike, drejtuesit e tyre dhe ata shtetërorë, për gjithë sa bënë në këto vite me nëpërkëmbjet, konfrontimet e luftërat inatçore për pushtet, edhe të tjerëve për pasurim të shpejtë jashtë normalitetit. Po kështu edhe mbi shtypin e median televizive që flasin si t’u teket, vrapojnë pas sensacioneve për qëllime biznesi, kurse filmat e huaj me banda mafioze, vrasje e krime, spekulantë të të gjitha llojeve, që u punon mendja veç për para e ndyrësira gjithfarëshe mbushin programet televizive.
Kështu do të ndodhte edhe derisa vendin e qendrave kulturore, mijëra shtëpive e vatrave të kulturës në qytete e fshatra, klubeve të Bashkimeve Profesionale, bibliotekave deri në lagjet, kinemave e muzeve, si dhe të festivaleve, olimpiadave e dekadave të grupeve artistike teatrore, muzikore e të tjera që ndiqeshin me interes dhe kanë një ndikim të ndjeshëm në jetën e njerëzve do ta zinin diskot e bingot. Teatrot në mbyllje, pjesët që luhen në ato që kanë mbetur janë pothuaj vetëm të huaja. Jemi i vetmi vend pa kinema. Ndonjë film shqiptar që prodhohet është sa për të marrë pjesë në festivale jashtë. Krijimtaria letrare e artistike e ka të vështirë të mbijetojë. Të gjitha këto përse flasin, ku vemi kështu? Pse edhe këtu, si në ekonomi, duhej të vepronte teoria e “kuotës zero”? Ja pra shkaqet, t’i thërrasim mendjes!
Koha nuk pret
- Rend e qetësi. Për këto kemi kohë që thërresim, i kërkojmë të gjithë. Flasin edhe partitë e politikanët partiakë e shtetërorë që drejtojnë sot vendin. Po ku jemi, ç’bëhet? Rendi e qetësia lidhen drejtpërdrejtë me shtetin, e theksoj me shtetin ligjor, shtetin me liri, ligje e forcë, që realizon ekuilibrin e këtyre tre komponentëve përbërës në demokraci, respektimin e institucioneve të tij.
Që t’i biem shkurt: shtetin ligjor me rend e qetësi e duan të shumtët, atë nuk e duan të paktët, ata që nuk i duan ligjet, që mungesën dhe shkeljen e tyre e përdorin për dhunën, vjedhjet, kontrabandën, korrupsionin, njerëzit e krimit. Dhe nga kjo kategori ka kudo, më keq akoma kur mbajnë vende drejtuese. E keqja e madhe qëndron se tjetër flitet e tjetër bëhet, se nuk goditet fort kundër tyre. Se bie fjala, vetë të korruptuarit s’ka si ta luftojnë korrupsionin. Kohëve të fundit bëhet shumë zhurmë rreth një pakti për rendin, janë bërë dhe vazhdohet me propozime plot pika e kushtëzime për mënyrat, rrugët e mjetet, duke e kthyer edhe këtë në një mollë sherri ndërpartiake. Njëra palë flet për tryeza të rrumbullakëta partiake, tjetra ngul këmbë brenda institucioneve. Dikush e quan një domosdoshmëri edhe të vonuar, të tjerë një lojë e hile jo për të vendosur rendin por për të justifikuar e i hapur rrugë më të gjera destabilitetit nga se mungon një pakt për rendin. Mirë, të dialogohet dhe të arrihet tek ai. Po ja s’u arrit, çdo bëhet? Kush e ndalon shtetin me institucionet e tij, parlamentin, qeverinë, organet gjyqësore etj. të veprojnë, të bëjnë punën e tyre? Kush i ndalon edhe partitë e ata politikanë që çirren për rend e qetësi të marrin vendime e të deklarojnë hapur veç e veç pa tryeza partiake e pakte të veçanta se janë dhe i mbrojnë ato, se dënojnë dhunuesit e shkelësit e ligjit dhe se nuk i marrin në mbrojtje. Qëndrime të tilla mund të mbahen edhe pa një pakt, ato me siguri do ndihmojnë për vendosjen e forcimin e rendit, mund të shërbejnë edhe për pakte dhe çdo masë tjetër që duhet për këtë. Të lihen llafet boshe me akuza e lodra të dala boje, të punohet vërtetë për rend e qetësi.
Ndryshe pra, ndryshe…/Fadil Paçrami/