Fatos Baxhaku: Jeta më e fortë se vdekja
(Botuar me 16 dhjetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Fatos Baxhaku-
Vdekjes me vdekje. Kjo është parulla më e fundit që po dëgjohet jo vetëm në shtëpitë e thjeshta të shqiptarëve, të përfshira dhe të nxirosura nga dhuna e egër, por edhe në ambientet politike. Tashmë, pas shumë e shumë zhgënjimesh ka dalë në skenë një skemë e re: vetëm dënimi me vdekje e largon frikën nga jeta jonë e përditshme, përndryshe…
Që vdekja është një bashkudhëtare e vjetër e shqiptarëve, për këtë nuk ka nevojë që të dëshmojnë historianë, apo të tjerë njerëz të kënduar që vazhdojnë ende të “humbasin rrugën” nëpër librat e vjetruar nga koha. Vdekja është shtruar këmbëkryq jo vetëm në vitet e “Shqipërisë demokratike”, ajo është një nga emrat më të përmendur të Shqipërisë në të gjithë historinë tonë. Si i bëhet që vdekja të fshihet nga faqja e dheut shqiptar?
Si i bëhet që ajo të largohet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët e thjeshtë? Përgjigja e kësaj pyetjeje ka hyrë sakaq në politikë. Si çdo gjë në Shqipëri, edhe për raportin më të fortë, atë mes jetës dhe vdekjes, duhet të vendosin politikanët, pra njerëzit për të cilët kemi vendosur që tu delegojmë një të drejtë të cilën, ende nuk e dimë nëse e meritojnë apo jo. Pra a mund të vendosin këta njerëz për fatin tonë të ardhshëm? Politikanët janë të mendimit se duhet të vendosin. Ky është profesioni i tyre. Një palë prej tyre, krerët republikanë, kanë vendosur të luajnë fort me kartën e dënimit me vdekje. Sipas tyre, Godos, Mediut, dhe krerëve të tjerë republikanë, për zgjidhjen e çështjes më të madhe në Shqipëri, atë të kriminalitetit, ka vetëm një zgjidhje: Kush ka vrarë duhet të vdesë. Pra dënimi me vdekje, megjithë parullat e sheqerosura të Evropës së sotme, duhet të vazhdojë ende të funksionojë në Shqipëri. Kuptohet menjëherë se kemi të bëjmë me një lëvizje të mençur politike.
Për këtë nuk mund të kemi as më të voglin dyshim. Një kriminel i varur do të ishte më shumë se sa një mijë e një kuti votimesh të mbushura me vota pro. Këtë duket se e kanë kuptuar pasardhësit e plakut të urtë Godo. Por të gjithëve u lind pyetja: A mjafton vetëm kaq? A mundet që kriminelët të luftohen vetëm në emër të vdekjes? Këtë Godo dhe të tjerët, që janë pro dënimit me vdekje duhet ta thonë me plot gojën. Madje duhen t’u përgjigjen edhe disa pyetjeve të tjera më të ndërlikuara, sikurse është: A e ka ulur kriminalitetin dënimi me vdekje në vende të tjera ku ai ende mbahet? Sigurisht, në këtë rast duhet të merren parasysh plot e plot faktorë, duke u nisur, nga kultura dhe historia jonë. Por që t’i përgjigjesh vdekjes me vdekje, kjo është një tezë që do vërtet guxim, guxim në të gjitha pikëpamjet.
Përse të mos merremi më mirë me problemin se si zbatohet Drejtësia. Nëse kjo zbatohet qoftë me burgim të përjetshëm, apo qoftë me dënim me vdekje, nuk do të ketë edhe aq rëndësi për pasojat sociale. Përndryshe, një shtojcë e kulturës sonë të vjetër, sipas parullës “vdekjes me vdekje”, mund të na çojë, duke qenë gjithnjë një vend i vogël, në një qerthull tjetër të përgjakshëm, ku fjala vdekje do sundojë jetën dhe buzëqeshjen. Duhet shpresuar se jeta, qoftë kjo edhe ajo e trishtuara që jetojmë përditë, është shumë e shumë herë më e fortë se vdekja. Përndryshe ç’kuptim do të kishin të gjitha hapat e fundit të politikës? Prandaj më mirë le ti rregullojmë hallet tona, pa fjalën vdekje. Boll e kemi dëgjuar deri më tani./Fatos Baxhaku/