Fatos Baxhaku: Loja e kontrabandës

(Botuar me 27 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Fatos Baxhaku-

Kontrabanda. Këtë fjalë shqiptarët e kishin të stërdëgjuar, por deri në muajt e fundit nuk e mendonin se ajo do të shndërrohej në njërën prej termave më shigjetuese të fjalorit të politikës e të mass medias. Ndërsa kanë lexuar akuzat e ndërsjellta nëpër gazeta, shumë vetë kanë nisur të kruajnë kokën e të pyesin veten apo të tjerët: More po kjo ç’lidhje ka me fatin e gjithsecilit? Ata që pinë duhan janë përgjigjur sakaq: Si nuk ka lidhje? Kjo ndikon në çmimin e cigareve që tymosim çdo ditë. Nisur nga numri i madh i njerëzve që përditë nxijnë mushkëritë e tyre me tymin që mban erë nikotinë lajmi duket i madh, por me sa duket ka edhe një lojë tjetër… një lojë që duhet të mundohemi ta kuptojmë.

Më parë Ceka, lideri i njohur i Aleancës Demokratike, njeriu që duket sikur nuk i ka edhe aq qejf kompromiset e vogla për të fituar para në kurriz të shtetit, njeriu që mund ta bënte këtë gjë kur dhe sa herë të donte, ishte i pari që lëshoi akuza të rënda mbi njerëzit që normalisht duhet të ishin kolegët e tij të punës, përveçse aleatët e tij politikë. “Kanë fshehur një dosje që i akuzon”, kjo ishte fjalia që peshoi për disa muaj me radhë mbi shtypin shqiptar. Ceka më pas u zëvendësua në postin e tij dhe historia u mbyll me kaq, ndonëse akuzat dhe përgjigjet e ndërsjellta vazhduan dhe vazhdojnë. Duket sikur një lojë që nuk dihet se ku do të çojë ka nisur në gjirin e aleatëve. Ceka sulmon, Malaj dhe njerëzit e tij mbrohen dhe vetëm ajo që ka rëndësi në këtë jetë, e vërteta pra, humbet në një lëmsh tipik nga ata tanët, në qerthullin shqiptar.

Dje i ka ardhur radha një tjetër njeriu të flasë. Ndre Legisi, ndonëse pa emra ka akuzuar ashpër njerëzit e pushtetit. Ish-zëvendësi e ka mbështetur ish-ministrin edhe në këtë pikë duke i rikthyer edhe njëherë polemikat mbi lidhjet mbi trekëndëshin tashmë të njohur kontrabandë-pushtet-politikë. Ç’ka ndodhur realisht? E vetmja përgjigje logjike sa kohë që shtypi ende nuk ka në dorë të dhëna faktike, është një e vetme. Beteja e vërtetë e politikës nuk është ajo mes kundërshtarëve politikë, por ajo për të fituar sa më shumë nga një status quo që vazhdon prej shumë kohësh. Akuzat politike, lufta politike dhe demagogjitë e tjera duket se janë një lojë fjalësh. Përndryshe përse duhej ky acarimi i fundit? Duket se ekuilibrat e brendshme diku janë prishur dhe kështu kanë nisur të lëshohen shigjetat e hidhura. Të tjerat do të mësohen më vonë. Të paktën kështu shpresojnë shumë vetë./Fatos Baxhaku/

SHKARKO APP