Fatos Lubonja: A mund ta ndriçojë kjo klasë politike tragjedinë e vitit ‘97

(Botuar me 15 Shkurt 1998 në KOHA JONE)

Fatos Lubonja: A mund ta ndriçojë kjo klasë politike tragjedinë e vitit ‘97

Fenomeni kujtesë – harresë hyn në enigmat e natyrës njerëzore, që vështirë se do ta zhbirilojë ndonjëherë deri në fund shkenca. Disa gjëra, megjithatë, njeriu i ka mësuar tashmë. Psh, ka mësuar se kujtimet e rinisë ruhen shumë më mirë sesa kujtimet e moshës së thyer apo që ngjarjet mbresohen në kujtesë aq më qëndrueshëm sa më të forta të kenë qenë emocionet që i kanë shkaktuar ato.

Njeriu ka mësuar edhe një veti tjetër të kujtesës: aftësinë për të kujtuar ato gjëra që lidhen me emocione të gëzueshme, momente që e bëjnë atë të ndihet mirë, se ka treguar burrëri, fisnikëri, bujari dhe, nga ana tjetër, aftësinë për të “harruar” ato ngjarje që e bëjnë të ndjehet keq sepse është treguar dobët, apo i poshtër ndaj ë tjerëve. Përveç këtyre “harresave” me kujtesën ndodhin edhe fenomene të tjera: për shembull, shtrembërimi i akteve apo i ngjarjeve të një epoke në mënyrë të tillë që t’u shërbejnë interesave të çastit, punë që shpesh bëhet nëpërmjet një ndërhyrjeje brutale tek faktet, por jo rrallë nëpërmjet një dinakërie të hatashme të kujtesës që i shtrembëron aktet gati-gati në mënyrë të pavetëdijshme.

Të gjitha këto teorizma e të tjera s’ke se si të mos i mendosh kur shikon se si po trajtohen ngjarjet tragjike të vitit të kaluar në shtypin dhe median shqiptare dhe veçanërisht aktin e fundit të këtij trajtimi: referimin në parlament të komisionit Ngjela dhe komentet e shumta rreth tij. Nga referati dhe debati doli se në pritje të punës së këtij komisioni, prokuroria paska ndenjur duarlidhur, ndërkohë që pas dy-tre muajsh punë, komisioni ka shpuar vetëm një metër thellësi drejt së vërtetës e cila, sipas gjasave të kryetarit të tij, ndodhet edhe dy metra më thellë. Po të kemi parasysh parimin se sa më thellë të shkosh aq më i vështirë bëhet shpimi, për të kryer edhe dy metrat e tjerë do të na duhet të presim gjatë. Ndërkaq, sipas dokumenteve që disponon deri tani, kryetari Ngjela ende nuk është i qartë se nga anon fajësia, nga opozita apo pozita e djeshme.

Pyetjet që të lindin vetvetiu pas asaj seance të gjatë parlamentare dhe reagimit të shtypit ndaj saj janë: si ka mundësi që edhe disa të vërteta krejt të dukshme, që i kemi jetuar dhe i kemi parë me sytë tanë si ujkun, mund të vishen me një mjegull bizantine dhe të shndërrohen në gjurmë të dyshimta, të padukshme që do t’i ndjekim gjithë jetën dhe nuk do t’i kapim dot? Pse është krijuar ky komision, për ta ndihmuar zbulimin e së vërtetës apo për ta penguar atë? Kjo vonesë dhe zvarritje ka të bëjë me paaftësi apo me një strategji të caktuar politike?

Nga shumë të dhëna duket se më shumë sesa me paaftësi dhe mefshtësi, kemi të bëjmë me një strategji të vetëdijshme apo gjysmë të vetëdijshme të klasës politike aktuale. Dhe kjo ka logjikën e vet, e cila buron nga vija politike dhe morali politik i kësaj klase, i shpalosur tashmë qartë, veçanërisht në kohën e zhvillimit të ngjarjeve tragjike të 1997-s.

Në ngjarjet e vitit të vjetshëm ka një moment shumë domethënës për opozitën shqiptare sot në pushtet. Kjo është marrëveshja e 9 marsit. Të gjithë shqiptarët panë më 9 mars një opozitë që u soll e përunjur, pa dinjitet, pa trimërinë që kërkonte momenti historik. Në një kohë kur populli që vritej përditë kërkonte shporrjen e Berishës, opozita nuk pati kurajën të mos e nënshkruante atë marrëveshje që e linte Berishën në pushtet, por disa ditë më vonë nënshkroi edhe poshtërimin e saj të dytë, thirrjen e ushtrive të huaja duke vërtetuar përfundimisht se politikanët shqiptarë ishin të gatshëm për çdo kompromis në kurriz të principeve dhe të vendit, vetëm e vetëm që të bënin karrierë. Ndërkaq, disa parti të tjera, sot në krah të PD apo në opozitë me PD, jo vetëm nënshkruan atë marrëveshje dhe thirrjen e ushtrive të huaja, por në ato momente tragjike ishin në krahun e Berishës duke luajtur një rol tepër të rëndësishëm për mbajtjen e tij në pushtet. Kuptohet se handikapi i tyre moral dhe politik është edhe më i madh.

Ndërkaq nuk duhet harruar se krimet e shëmtuara që shkatërruan Shqipërinë ndodhën pikërisht pas krijimit të qeverisë së pajtimit kombëtar, pra pasi Berisha e ndau përgjegjësinë me opozitën. Nuk duhet harruar, gjithashtu, se marrëveshja e 9 marsit nuk është pasuar vetëm nga tmerret e hapjes së depove, por edhe nga një apo dy amnisti që i ka propozuar qeveria Fino, sipas të cilave askush nuk mund të dënohet për ato çka ndodhën, me përjashtim të atyre që kanë kryer vrasje direkte. Kuptohet pra se politika e sotme shqiptare dhe bashkë me të edhe transparenca e ngjarjeve të 1997-s janë peng i këtij handikapi të opozitës së djeshme dhe në përgjithësi të klasës politike shqiptare. Kjo klasë politike që ka nënshkruar këto marrëveshje dhe aprovuar ato amnisti jo vetëm s’ka të drejtë morale të kërkojë sot llogari për krimet e djeshme, por s’ka as të drejtë ligjore. Prandaj duhet të jesh shumë naiv të besosh se klasa e sotme politike do të mund të hedhë dritë mbi ato ngjarje. Më e logjikshme është të besosh se në vend që t’u kthjellojë njerëzve dyshimet, ajo do t’u turbullojë atyre edhe të vërtetat e sigurta. Gjithçka flitet e bëhet lidhur me tragjedinë e vitit 1997 është pjesërisht një shou për të qetësuar zemërimin e popullit ndaj kriminelëve dhe pjesërisht një lojë e ndërsjellë shantazhesh në luftën për pushtet. Vetëm drejtësi dhe principe nuk ka në këtë lojë. As dhimbje për mijëra shqiptarët e vrarë dhe të mbytur. Kjo shpjegon vonesën, paqartësinë, mospërmendjen e përgjegjësve konkretë etj. Kjo shpjegon edhe faktin që në një kohë kur parlamenti pret të dëgjojë Komisionin Ngjela, presidenti bën thirrje që Berisha dhe Nano t’i japin dorën njëri-tjetrit.

Njerëzit e kanë parë në dritën e diellit se ishte partia e Berishës ajo që inkurajoi dhe mbrojti piramidat; që shtypi me dhunë protestat paqësore dhe e refuzoi dialogun derisa dështoi në përdorimin e të gjitha mjeteve të dhunës, që armatosi anëtarët e saj duke u kthyer në një parti të jashtëligjshme, që hapi depot e armatimeve në Tiranë dhe në Veri vetëm për ta zhytur vendin në kaos. Njerëzit e dinë se si ia mbathën jashtë shtetit shumë nga ata që gatuan katrahurën pikërisht sepse e dinin se qenë fajtorë. Njerëzit i njohin edhe me emra kriminelët kryesorë. Kemi të bëjmë me një nga rastet më të pastra e më pa ekuivoke për drejtësinë, ku provat nuk ka nevojë t’i kërkosh në thellësi sepse të dalin parasysh vetë, në sipërfaqe, ngado që të kthesh kokën. Mirëpo politikanët në pushtet kanë nënshkruar marrëveshjet e kastrimit të tyre politik në zyra të fshehta dhe në zyra të hapura.

Dhe, ndërkohë që vetë janë të siguruar nga të katër anët me bodyguarde, populli vazhdon të vritet e kërcënohet përditë nga kriminaliteti dhe të jetojë nën terrorin se kriminelët politikë do ta destabilizojnë përsëri vendin për ta zhytur Shqipërinë edhe një herë në banjën e vjetshme të gjakut. Në kushtet e këtij kaosi ligjor dhe moral, ku hajduti bërtet kapeni hajdutin, spiuni kapeni spiunin dhe vrasësi kapeni vrasësin; ku besohet më shumë gënjeshtra se e vërteta, ku drejtësia dhe krimi nuk janë kundërshtarë të njëri-tjetrit, por bashkëshokë që ecin përkrahu e puthen rrugëve për diell, historianët e gjuetarëve vazhdojnë të punojnë në interes të turbullirës. Pak nga pak bindja e patundur e shumicës së shqiptarëve se fajtore për ngjarjet e vitit të kaluar është pozita e djeshme me në krye Berishën, po sfumohet.

Berisha dhe shtypi i tij, me një zë të lartë dhe të fuqishëm e quajti Komisionin Ngjela, komision i kriminelëve për të hetuar viktimat e tyre. Nuk është çudi që pas ca kohësh ky popull që është në pikë të hallit, i mërzitur e i inatosur edhe më shumë me qeverinë, mund të fillojë t’i besojë këto dokrra skizofrenike. Çdo gjë mund të ndodhë në këtë Shqipërinë tonë. Mund të ndodhë edhe që pushtetarët e sotëm, në një fazë tjetër të luftës për pushtet, t’ia ngushtojnë lakun Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe t’u venë prangat. Veçse një gjë ka shumë pak gjasë të ndodhë, që njerëzit të binden më në fund se Shqipëria është një vend ku triumfon e vërteta dhe drejtësia./Fatos Lubonja/

SHKARKO APP