Fatos Lubonja: Artikulli i Dritëro Agollit, “Gjynahet e qeverisë”, ishte një ngjarje në shtypin shqiptar
(Botuar me 1 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Fatos Lubonja
Artikulli i Dritëro Agollit, “Gjynahet e qeverisë”, ishte një ngjarje në shtypin shqiptar që i entuziazmoi shumë njerëz, veçanërisht me gjetjen e fjalës: shkërdhatokracia, e cila sipas një mendimi tepër të përhapur i vuri emrin kësaj periudhe qeverisjeje. Ishte një fjalë që bëri edhe për të qeshur. Mirëpo nuk është koha për të qeshur. Kjo fjalë ngre disa probleme tepër të mprehta dhe akute të tilla si: Çfarë kuptojmë me shkërdhatokraci? Cilët janë tipikët që i vunë këtë emër pushtetit? Çfarë duhet bërë për të shpëtuar prej tyre?
Sikur t’ia thuash një të huaji këtë fjalë ai nuk të kupton edhe po të shpenzosh tërë fjalorin e anglishtes, frëngjishtes dhe italishtes bashkë. Kurse shqiptarët menjëherë do të të thoshin se neologjizma më e re agolliane nënkupton pushtetin e atyre njerëzve që karakterizohen nga mungesa e idealeve, paturpësia për të gënjyer, për ta dredhur e për të bërë marifete, e kombinuar kjo me fudullëkun dhe shikimin vetëm të interesave personale.
Në jetën politike, kjo përkthehet me papërgjegjshmëri, mungesë karakteri dhe serioziteti në raport me hallet dhe interesat e qytetarëve. Cilët janë ata që i vunë emrin shkërdhatokraci kësaj periudhe? Agolli nuk heziton të vërë në krye të listës kryeministrin dhe vartësit e tij kryesorë. Dhe pikërisht këtu qëndron e keqja më e madhe. Punët nuk rregullohen dot duke i bërë thirrje Nanos, sepse peshku është qelbur nga koka. Ata që vazhdojnë ta mbrojnë Nanon, përpiqen t’i banalizojnë akuzat ndaj tij duke thënë: pse këtu qenka e keqja se qeveritarët tanë pinë dy apo tre gota apo që i kanë qejf restorantet? Jo, shqetësimi nuk është këtu, por tek ajo se, sikurse dëshmojnë shumë maçokë restorantesh, kur mblidhen të hanë zyrtarët tanë të lartë dhe këshilltarët e tyre, nuk i dëgjon të flasin me pasion për hallet e Shqipërisë, por për zhdoganime, ekskluzivitete, tankera nafte, ndërhyrje për miq biznesmenë, fatura blerjesh nëpër butikë të shtrenjtë të Evropës, shtesa katesh e të tjera punë si këto. Kjo është fryma që rrezaton qeveria, sado të përpiqen apologjetët e saj të thonë se këto janë thashetheme keqdashësish, ambiciozësh apo të dështuarish. Që të bindesh për këtë mjafton të shikosh se si degradimi urbanistik i Tiranës po vazhdon me të njëjtat hapa galopante si në kohën e Berishës.
Problemi më i madh është çfarë duhet të bëjmë që të shpëtojmë nga shkërdhatokracia? Sikur Shqipëria të ishte një vend me stabilitet ekonomik dhe social, fare mirë Parlamenti mund të kërkonte votëbesimin e qeverisë apo mund të kërkohej dorëheqja e kryeministrit. Mirëpo stabiliteti tepër i brishtë i vendit bën të ndihet e rrezikshme kjo lëvizje. Nga ana tjetër nuk mund të lejohet të vazhdohet kështu. Duhet të vihen në lëvizje të gjithë mekanizmat e mundshëm shtetërorë dhe partiakë që këta njerëz të kontrollohen. Parlamenti dhe Presidenti duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë më të rreptë dhe më të pavarur. Partia Socialiste dhe partitë e tjera të koalicionit duhet ta analizojnë dhe të marrin masat e veta. Opozita e përgjegjshme duhet të veprojë edhe më fort, shtypi të investigojë dhe informojë edhe më mirë. Përndryshe nesër do të jetë përsëri vonë.