Fatos Lubonja: Borgjezia kriminale dhe politikanët mafiozë
(Botuar me 31 Maj 1998 në KOHA JONE)
Nga Fatos Lubonja
Për kujtesë
Shqipëria komuniste provoi barazitizmin më të skajshëm në krejt vendet e Lindjes. Nëse në vendet e tjera të kampit lindor, pas kolektivizimeve të dhunshme staliniane, pati një kthim drejt liberalizimit për sa i përket pronës private dhe interesit personal, në Shqipëri procesi i kolektivizimit dhe i tkurrjes së interesave personale erdhi duke u thelluar sa më shumë që shteti izolohej dhe synonte të bëhej autarqik.
Nëse mund të flitet për diferenca apo hierarkizim social në periudhën e komunizmit dallimi më i madh ekzistonte midis shtresës së familjeve komuniste, e cila gëzonte disa privilegje, siç ishin punët në administratë, mundësitë më të mira për shkollim dhe disa mundësi për të studiuar jashtë shtetit, veçanërisht deri në kohën e prishjes me kampin e Lindjes, dhe shtresës së persekutar, e cila erdhi duke u rritur gjatë pesëdhjetë vjetëve për shkak të politikës gjithnjë e më represive që ndoqi Hoxha. Midis këtyre dy ekstremeve shtrihej masa e gjerë, e cila dallimin kryesor kishte atë midis qytetit dhe fshatit.
Nëse do të kërkojmë shtresat sociale që u përfshinë në lëvizjen antikomuniste brenda vendit mund të themi se aty u përfshinë disa syresh. Po t’i paraqitnim sipas radhës në kohë të ndikimit në këtë lëvizje, do të përmendnim: pjesën më të ndriçuar të komunistëve, që ishte e zhgënjyer nga sistemi dhe e lodhur nga liderët dogmatikë e injorantë, intelektualët pa parti dhe rininë studentore me aspirata për hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit; masën e gjerë të njerëzve që ishin të lodhur me varfërinë ekonomike dhe izolimin e gjatë; të persekutuarit politikë, të cilët kishin vuajtur nëpër burgje dhe internime; diasporën, veçanërisht shqiptarët e SHBA, të cilët kishin humbur lidhjet me atdheun me dekada dhe që aspironin kthimin aty; rrugën, në kuptimin e atyre forcave që ndiheshin më mirë në shkatërrim dhe anarki sesa në ndërtim dhe shtet.
Më 1991 e gjithë kjo masë e madhe u gjend përballë nomenklaturës komuniste dhe organeve shtypëse të shtetit komunist, të cilët qenë të paktë dhe të pafuqishëm për ta përballuar. Ndërkaq, nëse do të vlerësojmë nga pikëpamje ekonomike, të gjitha këto shtresa nuk kishin pasuri. Ato e filluan luftën për pasurim dhe shtresëzim social pas rënies së komunizmit. Në këtë luftë një pjesë e mirë e elitës komuniste, veçanërisht brezi i dytë i shkolluar, u gjet më i favorizuar, me më shumë kontakte dhe me më shumë përgatitje për t’iu përshtatur ekonomisë së tregut. Megjithatë në përgjithësi mund të thuhet se jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe më gjerë, rënia e komunizmit e përmbysi jerarkinë shoqërore që ishte krijuar gjatë komunizmit dhe e la vendin në një kaos shoqëror i cili filloi të strukturohet dalëngadalë duke ndjekur rrugë mjaft të veçanta.
Zhvillimet postkomuniste
Nëse do të kërkojmë dinamikën e procesit të shtresëzimit të shoqërisë shqiptare postkomuniste duhet të vëmë në dukje disa fenomene që kanë luajtur një rol përcaktues në këtë proces.
Së pari, se një nga lëvizjet më të rëndësishme pas rënies së komunizmit ishte emigrimi masiv.
Së dyti, se i vetmi sektor i ekonomisë botërore ku shqiptarët mund të ishin konkurrues, ishte sektori i ekonomisë së paligjshme.
Së treti, se në periudhën postkomuniste filloi procesi i privatizimit të pasurive shtetërore i kombinuar me procesin e rikthimit të pronave pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.
Së katërti, se klasa politike që filloi lojën e re të luftës për pushtet nuk kishte asnjë pronë dhe asnjë pasuri.
Së pesti, se një rol përcaktues për mbijetesën dhe ndërtimin e një ekonomie tregu në Shqipëri ishte mbështetja perëndimore.
Sipas të dhënave të studiuesve të ekonomisë shqiptare të tranzicionit, rreth 25 për qind e të ardhurave të vendit vinin nga emigracioni, një tjetër 25-përqindëshe vinte nga ekonomia e paligjshme, ndërkohë që ndihma ndërkombëtare arrinte në jo më shumë se 10 për qind.
Gjithë sipas tyre, në mënyrë paradoksale, deri më 1997 Shqipëria ishte vendi që kishte një prodhim më të ulët se në vitin 1989 dhe njëkohësisht vendi që shënonte rritjen më të madhe ekonomike që prej vitit 1992. Ky paradoks shpjegohet me faktin se brenda pak vitesh, ekonomia shqiptare kaloi nga kolektivizimi i shfrenuar në një ekonomi të plaçkitjes moderne, në të cilën sfera e qarkullimit monetar mbizotëronte mbi ekonominë reale, ku pasuritë e mëdha krijoheshin e shembeshin nëpërmjet lojës financiare, korrupsionit politik e paligjshmërisë. Në këtë kontekst duhet parë zhvillimi i procesit të shtresëzimeve shoqërore në Shqipërinë postkomuniste. Ky kontekst nxjerr në pah, si kriter prioritar në dallimin e këtyre shtresëzimeve, kriterin ekonomiko-politik.
Borgjezia kriminale
Ligjet e ekonomisë së plaçkitjes bënë që në Shqipëri të mund të pasuroheshin lehtë kryesisht dy kategori: ata që merreshin me punët e paligjshme dhe politikanët, të cilët mund t’ua lehtësonin apo t’ua pengonin atyre këto punë. Kështu u krijua lidhja midis politikanëve dhe grupeve kontrabandiste e mafioze dhe filloi të lindë një shtresë shoqërore të cilën mund ta etiketojmë pa hezitim si “borgjezi kriminale”.
Kjo rrethanë, e kombinuar me mungesën e traditës demokratike, bëri që natyra e shtetit që u ndërtua të ishte e tillë që metodat e vjetra autoritariste të kombinoheshin thjesht me lakminë e klasës së re politike për të nxjerrë përfitime vetjake, dmth, ndërtimi i një shteti mafioz. Edhe procesi i privatizimit u mbështet në këtë filozofi. Përveç kontrabandës së karburantit, të drogës dhe të armëve, fitimet më të mëdha, kjo shtresë shoqërore filloi t’i krijonte edhe duke blerë prona të tilla si truaj, hotele, fabrika, pjesë të bregdetit me potencial turistik etj. etj. (që pushtetarët i shisnin atje ku kishin interesa politiko-ekonomike), për të bërë investime ose për t’i shitur pastaj me çmime shumë herë më të larta se ai i blerjes.
Me përjashtime të pakta pjesa më e madhe e shtresës së pasur shqiptare që u krijua gjatë viteve 1992-1997 i përket pikërisht kësaj borgjezie kriminale. Është e vështirë të dallosh në këtë shtresë se ku mbarojnë politikanët, gjyqtarët e policët dhe ku fillojnë mafiozët. Karakteristikë e tyre është se ata nuk e kanë të deklaruar pasurinë, dhe shpeshherë e kanë të fshehur ose të derdhur në bankat perëndimore. Gjithashtu tek ata nuk gjen të zhvilluar ndonjë ndjenjë përgjegjësie për ndërtimin e shtetit, të infrastrukturës, pagimin e taksave etj. etj.
Këto karakteristika u shfaqën në mënyrën më dramatike gjatë krizës së vitit 1997 me rënien e piramidave, të cilat ishin një nga format politikës me krimin. Në këtë periudhë, kjo klasë politiko-ekonomike tregoi një përgjegjshmëri të skajshme. Një pjesë nxitoi të rendte jashtë shtetit duke marrë ç’të mundte nga paratë e grabitura; kurse një pjesë, veçanërisht politikanët, e zhytën vendin në kaos dhe anarki në tentativën për të ruajtur pushtetin me çdo kusht dhe për të mbuluar gjurmët e krimit.
Pas zgjedhjeve të 29 qershorit kjo borgjezi kriminale, që nuk kaloi nëpër asnjë lloj procesi transparence dhe drejtësie, (me përjashtim të disa bosëve të piramidave), duket se ka mbetur e ndarë më dysh. Një pjesë e saj vazhdon të ruajë lidhjet me Partinë Demokratike që i pasuroi, një pjesë po krijon lidhjet e reja me pushtetarët e rinj. Nga ana tjetër një pjesë e këtyre të fundit duket se i është përgjigjur pozitivisht këtyre lidhjeve dhe duket se po tenton të kontrollojnë rrjetin e vjetër të trafiqeve ilegale, të vjeljes së ryshfeteve e mundësitë e tjera të pasurimeve të shpejta dhe të paligjshme. Shumë nga të afërmit e liderëve të rinj kanë zënë vende kyçe nëpër dogana dhe vende të tjera prej nga fillon korrupsioni dhe kontrabanda.
Disa prej tyre e justifikojnë këtë edhe me faktin se vetëm kështu mund të kenë një parti të fortë që mund që mund të konkurrojë me të pasurit e PD-së. Ndërkaq niveli i pagesës së taksave nga kjo kategori vazhdon të mbetet i vajtueshëm. Sipas të gjitha shenjave, shtresa e të pasurve shqiptarë do të vazhdojë të jetë rezultat i bashkëpunimit të krimit me politikën. Pasojat e këtij bashkëpunimi i provuam në mënyrën më dramatike vitin e kaluar. Një dramë e tillë aq e rëndë vështirë se mund të përsëritet, megjithatë përqendrimi i pushtetit ekonomik dhe politik në duart e një klase të tillë paraqit rreziqe të mëdha. Një klasë e tillë nuk mund të zhvillojë kurrë një politikë të ndershme, të hapët dhe transparente, ajo nuk mund të ngjallë besimin e humbur, as të frymëzojë dhe motivojë njerëzit; ajo gjithashtu përbën një rrezik për konkurrencën e lirë dhe më gjerë për votën e lirë dhe demokracinë.
Shtresa fshatare
Me rënien e komunizmit ndodhi shkatërrimi i kooperativave bujqësore dhe fermave private si dhe heqja e shtrëngimit për lëvizjen e lirë. Këto shkaktuan ndryshime të thella dhe të menjëhershme në popullsinë fshatare që gjer më 1991 përbënte 65 % të popullsisë. Një pjesë e madhe emigroi jashtë shtetit, një pjesë tjetër erdhi nëpër qytete. Të dyja këto lëvizje u kryen në një mënyrë të pakontrolluar duke krijuar probleme të panumërta sociale dhe ekonomike. Zonat e largëta, veçanërisht, pësuan një shkatërrim të madh të infrastrukturave të ndërtuara nga shteti komunist ashtu sikurse edhe të sistemit arsimor dhe shëndetësor.
Sot pjesa e kësaj popullsie që ka mbetur në vendbanimin e dikurshëm është pjesa më e varfër e popullsisë fshatare. Familje të shumta i janë kthyer ekonomisë së mbyllur ku gjithçka që u duhet për të konsumuar, duke filluar që nga buka, e prodhojnë vetë. Mbijetesa e këtyre familjeve u dedikohet mjaft edhe ndihmave që u sjellin pjesëtarët e familjes që kanë emigruar. Të pakta janë familjet fshatare që kanë ngritur ferma rentabël dhe që mbijetojnë në sajë të tregtimit të prodhimit të tyre bujqësor e blegtoral. Shqipëria vazhdon të importojë produktet kryesore ushqimore nga jashtë shtetit. Tendenca e familjeve fshatare është të largohen nga vendet e humbura ku banojnë dhe të vendosen nëpër qytete ose të emigrojnë jashtë shtetit. Ndërkaq mbijetesa e tyre po shoqërohet me një shkatërrim të madhe dhe të pakontrolluar ekologjik ku mbi të gjitha spikat shkatërrimi i pyjeve i shoqëruar me erozione dhe ndotje.
Dhe migrimi i brendshëm
Gjatë pesë vjetëve postkomunizëm pjesa më vitale e popullsisë fshatare kreu migrimin e brendshëm aq sa mund të thuash se Shqipëria krahas tranzicionit të dështuar nga një sistem komunist në një sistem kapitalist po përjeton edhe tranzicionin e dështuar të kalimit nga një vend rural në një vend urban. Shumë fshatarë janë vendosur në rrethinat e Tiranës ku kanë zaptuar pa leje toka dhe kanë ndërtuar kush një kolibe dhe kush një shtëpi. Po këtë kanë bërë edhe në rrethinat e qyteteve të tjera si Durrësi, Shkodra etj., ku jetojnë me mungesa të mëdha të infrastrukturës. Shumica e tyre duke qenë të varfër kanë përdorur të gjitha mjetet për të mbijetuar.
Ndërkaq mungesat e mëdha të mundësive të arsimimit kanë bërë që në gjashtë vjetët e fundit një pjesë e madhe e fëmijëve të këtyre familjeve të mbeten të paedukuar dhe të futen në botën e krimit. Plaçkitjet e mëdha që u kryen në qytetet kryesore të vendit gjatë kohës së kolapsit të shtetit në gjysmën e parë të vitit 1997, si ato të bankave, universiteteve, magazinave dhe depove të ndryshme të tregtarëve, qenë kryesisht vepër e kësaj kategorie të shpërngulurish.
Edhe pas zgjedhjeve të 29 qershorit, kjo shtresë të shpërngulurish vazhdon të mbetet në fatin e vet. Mungesa e kushteve për mbijetesë, mungesa e punës si dhe ajo e arsimimit, e bën këtë shtresë të jetë burimi kryesor i kriminalitetit dhe një rrezik i vazhdueshëm për sa i përket stabilitetit politik dhe social.
Borgjezia e vogël
Një shtresë tjetër e dallueshme në shtresëzimet shoqërore postkomuniste është ajo e borgjezisë së vogël. Kjo u krijua kryesisht nga pjesa qytetare e popullsisë që gjatë komunizmit ishte e punësuar në shtet në punëra të ndryshme si administrata dhe shërbimet publike. Një pjesë e tyre mbetën përsëri pjesë e administratës së re, me rroga tepër të vogla, kurse pjesa më vitale ishin tregtarët e vegjël të cilët privatizuan dyqanet e dikurshme shtetërore dhe filluan tregtinë me pakicë ose të hapin punishte të vogla, furra, restorante, kioska, kafe, bare etj. Kjo është pjesa më stabël e shoqërisë, më profesionalja, më e lidhura me vendin dhe më e përgjegjshmja për sa i përket respektimit të ligjeve të shtetit dhe normave të jetës shoqërore. Tek kjo shtresë hyn edhe pjesa më e madhe e atyre që rëndom quhen “njerëz të ndershëm”.
Megjithatë jo rrallë edhe kjo shtresë është e lidhur me botën e krimit, veçanërisht nëpërmjet korrupsionit dhe mospagimit të taksave dhe, nga ana tjetër, vuan pasigurinë e stabilitetit dhe të jetës. Edhe në radhët e kësaj shtrese ekziston shumë e fortë prirja për të ikur nga vendi. Gjatë krizës së vitit 1997 ajo u përpoq të ruajë atë çka kishte investuar dhe jo në pak raste e pa veten të plaçkitur ose të shkatërruar,
Refugjatët ekonomikë
Përgjithësisht të privilegjuarit e parë të tranzicionit postkomunist konsideroheshin ata që kishin mundësi të iknin nga Shqipëria. Më 1991 shumica nuk linin në vend asnjë pronë përveç një apartamenti i cili ishte pronë shtetërore. Qysh prej asaj kohe një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare vazhdojnë të jenë refugjatë ekonomikë. Në Greqi ka rreth 300000 syresh. Rreth 70000 janë në Itali. Shumë kanë kaluar në Amerikë. Një pjesë janë të vendosur në mënyrë definitive, por shumica, veçanërisht ata të Greqisë, shkojnë e vijnë.
Pjesa më e madhe e refugjatëve janë moshat e reja. Sipas anketave të bëra me rininë moshat nga 20 deri në 35 vjeç janë moshat që e shprehin më të theksuar dëshirën për ikje. Sikur t’u krijohet mundësia thuajse mbi 90% e tyre shprehen se do të iknin. Kriza e vitit 1997 pati një ndikim shumë të fortë në rritjen e prirjes për të ikur jashtë shtetit.
Refugjatët kanë luajtur një rol të rëndësishëm për mbijetesën e shqiptarëve gjatë periudhës postkomuniste. Fenomeni i emigrimit ka qenë gjithashtu edhe një valvolë shkarkimi e problemeve të mëdha ekonomike dhe sociale që ka kaluar vendi pas rënies së komunizmit. Por, nga ana tjetër, ky ka qenë edhe një humbje e madhe e burimeve njerëzore, intelektuale dhe morale. Nëpërmjet këtij fenomeni shoqëria shqiptare vazhdon të pësojë një humbje të madhe të trurit dhe në përgjithësi një rrjedhje të pjesës më vitale të saj. Përveç të tjerash ky fenomen, veçanërisht rrjedhja e trurit, ka bërë që në vend të mbetet një boshllëk që vjen e mbushet gjithmonë nga pjesa më e paedukuar dhe më e paaftë e shoqërisë më e prirë për nga krimi politik dhe ekonomik, për nga ndërtimi i një shteti mafioz.
Si përfundim mund të themi se pas gjashtë vjetësh tranzicioni postkomunist Shqipëria vazhdon të mbetet në gjendjen e një kaosi shoqëror, i cili do të duhet kohë që të strukturohet dhe të shndërrohet në një kozmos shoqëror. Por nuk është pa gjasa që kaosi të vazhdojë të mbretërojë për një kohë të gjatë dhe fenomeni i akutizimit të tij në mënyrë vrastare, si më 1997, të përsëritet. Është, prandaj, detyrë e krejt institucioneve të shoqërisë shqiptare të ndërgjegjësohen për këtë gjendje dhe të gjejnë rrugët e strukturimit të saj sa më të shëndetshëm dhe sa më të shpejtë./ Fatos Lubonja/