Fatos Lubonja: Është kriza e mendjes, jo e barkut
(Botuar me 26 shtator 1998 në KOHA JONE)
Intervista/Fatos Lubonja: Është kriza e mendjes, jo e barkut
Në gjithë këtë kaos dhe çorientim total a mund të bëhet fjalë edhe për kulturë?
Për mua në thelb të kësaj krize është çështja kulturë. Në kuptimin më të gjerë të fjalës, si dije dhe aftësi për të kuptuar realitetin ku jeton dhe projektuar të ardhmen, për të zhvilluar frymën kritike, për të zotëruar emocionet, për të respektuar tjetrin e ndryshëm. Unë jam i bindur se shqiptarët nuk janë aq të varfër ekonomikisht, për mua më shumë sesa krizë e barkut kjo është një krizë e mendjes.
Nga ana tjetër pyetja juaj ka edhe kuptimin: a të le kjo situatë të bësh kulturë?
Besoj se e keni dëgjuar atë mallkimin kinez: “ jetofsh në kohë interesante”.
Duket disi paradoksale: përse të quhet mallkim?
Shumë njerëz do të thoshin se është interesante të jetosh në kohë interesante. Mirëpo duhet të vish në Shqipëri të kuptosh vërtetësinë dhe thellësinë e këtij mallkimi aziatik. Njeriut që jeton në kohë interesante, si këto që po kalojmë ne, ku agresiviteti i njerëzve ngjall frikë deri në panik, ankthe deri në pasigurinë e jetës, nuk i jepet mundësia të kthjellojë mendjen. Ai nuk mund të fitojë atë urtësinë që e bën të futet më thellë në kuptimin e gjërave, çka nuk është vetëm dobiprurëse, por edhe një kënaqësi e veçantë shpirtërore, kënaqësia e ushtrimit të organit më superior që ka njeriu, mendjes, që e bën atë të ndryshëm nga kafsha. Duhet të futesh dhe të jetosh në këtë vorbull të pareshtur instinktesh të verbra kafshërore për ta kuptuar këtë fatkeqësi. Duhet të vish e jetosh këtu për të parë se si vendeve të ndëshkimit të Ferrit mund t’i shtoheshin edhe disa të tjerë të marrë nga eksperienca shqiptare e këtyre viteve. Një nga këto vende do të ishte p.sh. një vend ku njerëzit dalin çdo ditë në demonstratë me parulla nga më absurdet dhe më makabret që ndjellin kobe dhe pasiguri për të nesërmen. Pra jemi në një rreth vicioz, kjo situatë irracionale pengon kulturën, si mendim, si krijimtari, si komunikim me të tjerët, kurse mungesa e kulturës gjeneron këto situata.
Cili duhet të ishte pozicionimi i njerëzve të kulturës dhe cili është ai realisht në këtë rreth vicioz. A nuk duhet të dëgjohej më shumë fjala e tyre sesa e politikanëve?
Mjerisht, të sundosh në Shqipëri do të thotë të zotërosh mjetet e dhunës dhe frikës dhe nëpërmjet tyre të nënshtrosh të tjerët. Si rrjedhim jetën publike shqiptare vazhdojnë ta dominojnë jo dashuria, por urrejtja, jo krijimtaria, por ndrydhja, jo guximi, por frika. Kjo shpjegon se përse për Sali Berishën nuk kanë shumë rëndësi parullat që hedh, siç është parulla absurde “poshtë komunizmi”, por numri i njerëzve rreth tij që janë të gatshëm të ushtrojnë dhunë me çfarëdolloj parulle që t’u hedhë ai. Ky është ende thelbi i qytetërimit tonë i bazuar jo mbi respektin, por mbi epërsinë e më të fortit dhe nënshtrimin e më të dobëtit. Kuptohet se në një terren ku luftohet me armë, pena e humbet vlerën. Ky është edhe pozicioni i kulturës në Shqipëri ndaj politikës. Politikën te ne e dominon urrejtja, ndrydhja dhe frika; ndërkaq kultura është produkt i dashurisë, krijimtarisë dhe guximit. Mirëpo më duket e cekët të thuash se politika dhe kultura duhen parë ndaras në Shqipëri, se do të shpëtonim kollaj po qe se, sikurse thatë ju, do të dëgjohej më shumë fjala e njerëzve të kulturës. Vërtet në Shqipëri ka shumë njerëz të urtë dhe të mençur, dhe shumë të tjerë që edhe në mos qofshin aq të kulturuar janë në gjendje ta kuptojnë se i duhet dhënë fund kësaj marrëzie. Ata duket sikur janë shumë më tepër sesa ai grusht politikanësh që po e çorodit Shqipërinë. Mirëpo e keqja është se kur i futen fushës së pasionit më të madh të shqiptarëve, politikës, shumë nga këta njerëz shpërnderohen në dema për t’iu përshtatur rregullave të arenës politike ose tremben nga pjesa e sivëllezërve të tyre të shpërndërruar dhe dalin jashtë arenës, struken e heshtin. Sipas mendimit tim, pjesa u urtë e shoqërisë shqiptare, ku nuk fus vetëm shumë njerëz të kulturës, por edhe ato qindra mijëra familje që jetojnë me djersën e ballit, edhe ato familje të varfra që pranojnë të jetojnë me 10000 lekë në muaj dhe nuk bëhen as vrasës as hajdutë, është ende e pafuqishme ndaj pjesës së dhunshme dhe kriminale të shoqërisë. Por edhe kjo pjesë e dhunshme ka shkallëzimin e vet. Kampion i dhunës si mjet sundimi dhe dominimi është lidershipi i PD-së dhe, sipas mendimit tim, vetëm me largimin nga skena publike të këtij lidershipi mund të hidhet një hap i ri në procesin e uljes së mendësisë së dhunës dhe rritjes së mendësisë së respektit ndaj tjetrit në Shqipëri. Megjithatë ky do të jetë një proces i gjatë. Nëse më kërkoni se cili duhet të jetë vendi i njerëzve të kulturës në këtë proces do të thoja fjalët e Diogjenit që thotë: dhunës i kundërvini guximin.
Shteti po i përgjigjet edhe me arrestime. Meqë folët për shkallëzim, a nuk ju duket se arrestimet nuk duhet të fillojnë nga gazetarët apo njerëzit e kulturës, siç ndodhi?
Kur flas për dhunë nuk kam parasysh vetëm njerëzit me kallashnikovë që shtinin kundër institucioneve dhe as vetëm ata që i plaçkitën këto institucione më pas së bashku me dyqanet e Tiranës. Dhuna që u ushtrua ishte rezultati i një ultimatumi politik i cili erdhi pas një fushate nxitjeje për dhunë dhe gjak të shpërndarë nëpërmjet shtypit dhe medias elektronike afër PD-së. Këta njerëz që nxitën dhe amplifikuan thirrjet për dhunë nuk mund të shmangen nga përgjegjësia morale dhe ligjore. Ata nuk mund të fshihen pas gjoja zemërimit të shfrenuar të njerëzve për vrasjen e Azem Hajdarit. Ata e treguan një ditë më parë se sa në dorë e kishin t’i jepnin urdhër kësaj turme të kthehej mbrapsht.
Një ministër i brendshëm italian këto ditë dha dorëheqjen vetëm sepse dy policë të tij i shkaktuan infarkt vdekjeprurës një emigranteje nigeriane në tentativat për ta ndaluar. Sipas logjikës së kësaj dorëheqjeje, që është logjika e një njeriu që njeh përgjegjësinë e postit të tij, këta pseudointelektualë edhe sikur të mos ishin nxitësit e vërtetë të turmave, pas asaj që ndodhi, duhet të zhdukeshin nga skena publike me një ndjesë të madhe publike. Kurse një pjesë syresh, siç ve re në shtypin e lidhur me PD-në, vazhdojnë të nxisin e të bëjnë dhunë verbale edhe pas asaj që ndodhi. Për mua, këtu kemi të bëjmë me një vullnet politik kriminal që nuk do të reshtë po qe se dhunës së tyre nuk i kundërvihet ligji dhe guximi qytetar. Vetëm kur të frenohet sipas ligjit ky vullnet politik kriminal, ata instrumente të mjerë të dhunës që plaçkitën institucione dhe dyqane do të kthehen në botën e nëndheshme të krimit nga kanë dalë. Në këtë kuadër më duken më të rrezikshëm nxitësit sesa ekzekutuesit e asaj që ndodhi.
Si e vlerësoni rolin e mediave private gjatë momenteve të krizës?
Pa dyshim duhet t’i jemi mirënjohës medias private që na informoi mjaft hollësisht për ato që po ndodhnin. Ishte më mirë që i pamë sesa sikur të mos i kishim parë ato skena, sepse qenë një mësim i madh. Këtu nuk kam parasysh TV Shijakun dhe radio Kontaktin që më shumë sesa informues ishin dizinformues dhe manipulues. Meqenëse jemi duke folur për dhunën dhe efektin e saj deformues dhe shpërfytyrues mund të shtoj, nëse nuk gabohem, se në mediat e tjera private ra në sy një gjë që më trishton pa masë sa herë e shoh. E kam fjalën për faktin se si në situata krize të fortë, ku dhuna imponohet me gjithë egërsinë e saj prandaj dhe duhet t’i kundërvihesh me maksimumin e kurajës, shumë njerëz tërhiqen apo mbajnë qëndrime dyfytyrëshe, për të qenë të gatshëm që nesër të hidhen në kampin tjetër fitimtar pa u hyrë një gjemb në këmbë. Të njëjtën fytyrë m’u bë sikur mori edhe media private në kulmin e krizës. Edhe gazetarët e saj më dukeshin si të pushtuar nga frika gjatë gjithë mëngjesit të 14 shtatorit. Më duket se vetëm kështu mund të shpjegohet edhe një deklaratë e bordit të medias së pavarur e cila nxitoi të bëjë të njohur botërisht se refuzon t’i japë prokurorisë kasetat ku ishin filmuar sulmet mbi institucionet e shtetit. Unë mendoj se gazetari para se të jetë gazetar është qytetar. Në Greqinë e Lashtë ka pasur një ligj, sipas të cilit një njeri që shikonte një person duke i rënë në qafë një tjetri kishte të drejtë të ngrinte padi kundër agresorit. Kjo jo vetëm për shkak të ndjenjës së drejtësisë që duhet të ketë çdo njeri i vërtetë, por edhe pse ajo që pe sot në kodër mund të të bjerë nesër në votër.
A keni ndonjë koment për sherrin e gazetarit Fevziu ndaj drejtorit te përgjithshëm, të RTSH Klosit?
Të them të drejtën unë nuk arrij dot ta imagjinoj se si në këtë situatë që po kalon Shqipëria, kur njerëzit i ka pushtuar një ankth dhe pasiguri maksimale lidhur me fatin e jetës së tyre, ka njerëz publikë që gjejnë kohë për të çuar më tej meskinitetet dhe ambiciet e tyre të vogla. E vë re këtë jo vetëm në rastin e Blendi Fevziut i cili qenka zemëruar se nuk iu dha rasti të na bëjë një nga ato show-t e tij të quajtura “E Djela Debat”, që, meqë ra fjala, janë kritikuar në këshillin drejtues të televizionit, jo vetëm një herë, për arsye se në shumicën e tyre në vend se të kthjellojnë të vërtetat i kanë mjegulluar ato, sepse kanë ricikluar në jetën politike përgjegjësit e tragjedisë së vjetshme, se kanë rritur protagonizmin e politikanëve në një kohë kur publiku mund të kishte nevojë për mendje më të ftohta si dhe pse e kanë reduktuar jetën politike shqiptare në PS-PD.
E ve re këtë jo vetëm në rastin e Eduart Mazit, që megjithëse, siç thonë, iu rrezikua jeta nga bandat e kriminelëve, gjen kohë të hakmerret ndaj Klosit që kërkoi para disa javësh, në një mënyrë shumë të qytetëruar, largimin e tij për paaftësi. Mjerisht e shoh edhe në nivelet e politikanëve të cilët vetëm pse kanë inate me Nanon apo me dikë tjetër devijojnë në gjykime dhe veprime nga ajo që është thelbësorja në momentin që po kalon Shqipëria. Personalisht më kap një trishtim i thellë kur shoh dhe dëgjoj këto gjëra. Kuptoj se ai që e kemi quajtur fenomeni Berisha, i cili në thelb është errja e syve nga pasioni apo interesi deri në humbjen e vizionit të së tërës dhe të së nesërmes, nuk është vetëm një karakteristikë e tij, por e shumicës prej nesh, prandaj dhe e keqja dhe irracionalja shpesh triumfon në vendin tonë. Në sulmin që iu bë RTVSH u hoq nga ndërtesa flamuri kombëtar dhe u vendos flamuri i PD-së. Kjo është sëmundja kryesore e shqiptarëve, që sa herë u preken interesat ngrenë flamurin e tyre apo të grupit mbi flamurin kombëtar. Fatmirësisht vura re plot burra të pjekur, si presidenti Mejdani, Agolli, Gjinushi, Milo etj. që në ato momente i panë gjërat sipas shkallës së rëndësisë që kishin në funksion të interesave të Shqipërisë duke lënë mënjanë mëri apo kritika ndaj Nanos apo qeveritarësh të tjerë. Por më ka tronditur edhe diçka tjetër në sulmet e Fevziut ndaj Klosit: ideja se shqiptarët që mund të vijnë nga jashtë shtetit nuk e njohin Shqipërinë prandaj më mirë të rrinë atje ku janë sesa të aspirojnë të kthehen e të japin një kontribut për vendin e tyre. Kjo më ngjeth mishtë sepse më kujton sesa shumë është përdorur nga të paditurit ksenofobia si mjet ruajtjeje të pushtetit. Për të mos përmendur kohën e Hoxhës kujtoj se edhe në kohën e Zogut, qeveria më përparimtare që ngriti ky, ajo e Mithat Frashërit, me njerëz të shkolluar në Perëndim, e pati jetën shumë të shkurtër dhe fill pas rrëzimit të saj u aprovua një ligj që ndalonte ardhjen në poste të rëndësishme të atyre shqiptarëve që ishin të martuar me gra të huaja (Kuptohet përveç mbretit). Pa dyshin një njeri që vjen nga jashtë shtetit nuk i njeh ose i ka harruar shumë ligje të kënetës shqiptare në të cilën notojnë gjithfarë përbindëshash të cilëve u shohim vetëm kokën, por nuk ua gjejmë dot se ku i kanë këmbët e rrënjët. Këtë e vërtetoi edhe Klosi kur me naivitet i çoi atë letrën e famshme Mazit. Por kjo s’do të thotë se ata nuk i duhen Shqipërisë, përkundrazi. Prandaj më duket se në një kohë kur shumica e shqiptarëve me tru e kanë braktisur Shqipërinë dhe të tjerë vazhdojnë të paguajnë qimet e kokës për viza, të hedhësh këtë ide do të thotë të të jenë errur sytë fare nga ambicia personale.
Mendoni se këtij vendi i kanë mbetur pak idealistë dhe shumë hajdutë?
Më duket shumë e vrazhdë dhe pesimiste kjo që thoni. Në fakt shumë gjëra që pamë treguan se sa e ulët është ndërgjegja qytetare, se sa i madh është mosbesimi te shteti, se sa e fortë është frika se shteti do të mbetet përsëri një pre e bandave politike të ashtuquajtura parti. Akoma shqiptarët përpiqen se si të mos paguajnë taksa. Ata ende nuk e kanë kuptuar se këto taksa janë pikërisht për të paguar më mirë ata policë që do të ruajnë nesër pronën e tyre dhe ata politikanë që do të vendosin nesër në emër të interesave të tyre. Nga kjo pikëpamje ka shumë hajdutë dhe pak idealistë.
Shumë njerëz i dëgjon të thonë: pse politikanët tanë duhet t’u binden këshillave të të huajve. Por pak janë ata që kanë ngritur çështjen: a kam bërë gjë unë për ndërtimin e një shteti që të mbahet me këmbët e veta dhe jo me paratë e këtyre të huajve?
Në kërkim të optimizmit duhet të themi se me gjithë dobësinë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë shqiptarët panë një pamje tjetër të shtetit të tyre. Shteti i dobët mblodhi fuqitë e fundit që i kishin mbetur për t’u hedhur në veprim kundër banditëve politikë dhe atyre ordinerë që u vërsulën ta plaçkitnin edhe një herë vendin. Mbi këtë pikë duhet reflektuar shumë. Ky është një moment ku mësimet se shteti duhet të jetë garant i jetës dhe pronës së qytetarëve dhe jo uzurpues i të mirave dhe privilegjeve në interes të një klike del më i qartë se kurrë.
Intervistoi: MIMOZA DERVISHI