Fatos Lubonja: Jo vetëm të mbrapshtë

(Botuar me 6 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Fatos Lubonja

Viti i ri erdhi me krisma fishekzjarrësh dhe armësh përzierë. Nuk arritëm t’i dallonim mirë njërën nga tjetra. Fishekzjarrët shpesh na ngjallën frikë sepse na dukeshin si krisma armësh. Por edhe kuptimin e krismave të armëve nuk mundëm ta kapnim qartë. A ishin krisma gëzimi? Po ç’lloj gëzimi është ky që shprehet duke shkrehur mitralozin e rëndë që tronditi një lagje të tërë? A ishin krisma kërcënimi apo krisma marrëzie?

Nëse pyesje botën më 1991 se çfarë i kujtonte emri shqiptar, shumica sillte ndërmend anijet e rrëmbushura me njerëz që kacavirreshin në to. Pamjet e eksodit u bënë simbolike jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe në përfytyrimin tonë.

Viti që sapo lamë nxori në pah një simbol tjetër: Kallashnikovin. Sot shqiptari përfytyrohet me një kallashnikov në dorë me të cilin vret, vjedh, kërcënon apo luan. Nëse imazhi i parë, ai i njeriut që kacavirrej në anije e paraqiste shqiptarin të mjerë, por paqësor dhe plot shpresa, ky i dyti e paraqet agresiv dhe shpresëpakët. Këto dy imazhe simbol do të mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën tonë dhe të botës.

Thuajse përditë dëgjojmë lajme se si shqiptarë të ndershëm keqtrajtohen sapo zbresin në dhè të huaj, vetëm për shkak të këtij imazhi. Thuajse përditë dëgjojmë për punë të mbrapshta që bën në vendin e tij shqiptari me kallashnikov. Këtë imazh e kemi të gjithë të damkosur në shpinë. Prandaj ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi fort se duhet të kërkojmë me ngulm fshirjen e kësaj vule. Dihet se kjo është një punë e mundimshme, që s’do të përfundohet dot nga një brez. Por kjo nuk e justifikon mefshtësinë dhe dëshpërimin që ka zaptuar disa.

Kemi edhe gjëra pozitive ku mund të kapemi për t’u ngritur moralisht. Vitin që sapo kaloi shumëkush e pagëzoi “të mbrapshtë”. Por 1997 nuk ishte vetëm një vit i mbrapshtë që duhet harruar. Viti 1997 ishte viti i rrëzimit të një diktature të neveritshme, vit ku shqiptarët sfiduan dhunën shtetërore me një trimëri që s’e kishin treguar kurrë më parë. Viti 1997 ishte viti kur për herë të parë parti të majta e të djathta u bashkuan mbi disa principe më të larta se interesat e ngushta partiake. Viti 1997 ishte vit ku megjithëse të armatosur gjer në dhëmbë shkuam në votime në mënyrë të qytetëruar. Viti 1997 ishte viti i krijimit të një qeverie koalicioni që ndoshta është më e hapura që kemi pasur deri më sot. Viti 1997 ishte mbi të gjitha vit që tregoi forcën mbijetonjëse të shqiptarit. Shumë shpesh e kemi bërë thirrjen “të bëhemi si Evropa”. Ka ardhur koha të themi “Të bëhemi shqiptarë!”, me çka të kuptojmë shqiptarin që e ndërton jetën të bukur dhe të denjë në vendin e tij, që e do këtë vend, që ia mbron vlerat kulturore dhe natyrore dhe që nuk ndruhet, kudo qoftë, të thotë se është shqiptar.

SHKARKO APP