Fatos Lubonja: Ku jemi me shtetin?

(Botuar me 5 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Fatos Lubonja

Është e njohur ideja se për të pasur një demokraci të vërtetë kërkohet harmonizimi i tre elementëve: i lirisë, ligjit, por edhe i forcës apo autoritetit për të bërë që ligji të respektohet dhe liria të mbrohet. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti kaluam një gjendje ku ligji humbi zërin, ku liria degjeneroi në frikë dhe ku jetën e vendit e dominoi dhuna e banditëve politikë dhe ordinerë.

Ishte një gjendje aty diku midis anarkisë dhe barbarisë. Ku jemi sot nëse u referohemi këtyre tre parametrave? Sot gjithkush mund të thotë se në Shqipëri ka liri. Për këtë mjafton të kujtojmë se ka më shumë se dy javë që një grup PD-istësh zhvillon mitingje dhe parakalime në Tiranë me parullat “poshtë diktatura”, “poshtë kriminelët”, pa marrë leje as në polici.

Nuk mund të thuhet, gjithashtu, se në Shqipëri nuk ekzistojnë ligjet. Madje parlamenti aprovon përditë ligje të reja. Por, gjithkush e ndjen se elementi autoritet, i cili mbron lirinë e njerëzve nëpërmjet imponimit të ligjit është ende tejet i brishtë. Sot problemi i parë i mprehtë, krahas problemeve të panumërta që ka vendi, mbetet mungesa sa duhet e autoritetit të shtetit. Nuk mund të mohohet se eliminimi i disa bandave të rrezikshme është një nga arritjet më të mëdha për sa i përket ndërtimit të këtij autoriteti.

Nuk mund të mohohet se gjer më sot gjuha e politikanëve në pushtet tregon përgjegjshmëri kombëtare. Por shumëkush e ndjen se këto nuk janë të mjaftueshme për të na dhënë ndjenjën se kemi hyrë në një rrugë të sigurt dhe të pakthyeshme. Nuk mjaftojnë për të na dhënë këtë ndjenjë as mbledhjet me fjalime programatike të shumëduartrokitura, as vënia me insistim në dukje e mbështetjes së huaj që gëzon qeveria, dhe as përsëritja pa fund se kjo qeveri është shansi i fundit që u jepet shqiptarëve.

Ka disa faktorë që po e rrezikojnë ndjeshëm ndërtimin e autoritetit të shtetit. Faktori i parë është puna shkatërruese e opozitës, e cila po ve përditë në dukje pafuqishmërinë e shtetit për të respektuar aktivitetin e ligjshëm politik dhe për të dënuar banditizmin politik.

Një grup njerëzish, që, sipas të dhënash të pakonfirmuara nga prokuroritë dhe gjyqet, janë shkaktarët kryesorë të hapjes së depove të armatimeve dhe burgjeve dhe marshon sot në mënyrë të paligjshme nëpër Tiranë duke u premtuar njerëzve që brenda dhjetorit do ta fusin vendin në krizë. Reagimi i shtetit është indiferentizmi. Ndoshta duhet ndryshuar ligji që thotë se duhet marrë leje. Por, përderisa ky ligj ekziston është detyrë e shtetit të bëjë që ai të respektohet. Përndryshe shëtitja hapur e krimit politik nëpër qytet, (ka zëra se edhe i armatosur), e komprometon rëndë besimin e njerëzve se kanë një shtet që mund t’i mbrojë prej të keqes.

Eksperienca e këtij viti tregoi se krimi ordiner shpërtheu dhe e shkatërroi vendin pas destabilitetit politik. Një faktor tjetër që e kërcënon forcimin e autoritetit të shtetit është fakti se Shqipëria për herë të parë në historinë e saj po eksperimenton njëfarë ndarjeje të pushteteve. Sot ndjehet se ka edhe pole të tjera në pushtet, veç Nanos: Mejdani si president, Partia Socialiste si bazë apo figura të tjera politike, ku më dukshëm dhe ku më fshehur, lënë të kuptojnë se mendimet dhe qëndrimet e tyre nuk janë të njëjta. Në kohën e Berishës të gjithë e dinin se pushteti dhe autoriteti ishte i përqendruar në një dorë të vetme; kështu edhe përgjegjësia. Ka shenja se ky diversitet, që përmban në thelb diçka shumë pozitive, ende nuk po punon për të rritur autoritetin e shtetit dhe kjo sepse nuk po punon si duhet rregullatori i vetëm: vendosja e ligjit dhe e principeve mbi interesat politike të çastit apo të grupeve.

Ka shumë rreziqe të tjera për autoritetin e shtetit: korrupsioni, për të cilin ka filluar të flitet gjithnjë e më shumë, klientelizmi dhe miqësitë në emërime, që po shfaqen dukshëm, lënia e gjykatave në vartësi politike, zvarritja në krijimin e transparencës lidhur me firmat piramidale etj, etj.

Duke marrë parasysh vështirësitë e jashtëzakonshme ekonomike dhe shoqërore që ka vendi çdo lëshim ndaj këtyre sëmundjeve mund të marrë ritme galopante në shkatërrimin e autoritetit të shtetit, prandaj është koha të kërkohet më shumë energji dhe guxim në luftën për vendosjen e shtetit të së drejtës.

FATOS LUBONJA

SHKARKO APP