Fatos Lubonja: Nga liri e kërcënuar në liri të dhunuar

(Botuar me 18 Qershor 1996 në KOHA JONE)

Intervistë me Fatos Lubonjën

Cili është reagimi emocional i Fatos Lubonjës tani pas përfundimit të zgjedhjeve?

E gjithë jeta ime është e mbushur me episode dhune dhe padrejtësie që shqiptari injorant i dhunshëm dhe i armatosur me fuqinë e shtetit i ka bërë ndaj shqiptarit të çarmatosur, shqiptarit të pranguar, shqiptarit të kallur në burgje dhe biruca… Ato episode vazhdoj t’i përjetoj si trauma të cilat më riaktivizojnë sa herë ndesh me skena të ngjashme. Ndaj tyre përgjithësisht kam reaguar në dy mënyra, emocionalisht dhe racionalisht. Pra fillimisht kam ndjerë trupin dhe shpirtin të më rebelohet; ndërsa më pas mendja ka ndërhyrë për të vendosur, me sa ka qenë e mundur, qetësinë dhe ekuilibrin shpirtëror pa të cilin është e pamundur të jetohet (ndonëse shpesh këto situata më kanë bërë të shtroj pyetjen nëse ia vlen të jetohet kështu apo është më mirë t’ia lësh shpirtin në dorë banditëve që jo rrallë, pikërisht kur ti kalon në këtë vetëflijim zbulojnë se sa të dobët janë). I njëjti kompleks ndjenjash më pushtoi edhe pas përdhunimit që pësuam nga bandat e rrugaçëve të Berishës ditën e zgjedhjeve si dhe më pas. Nga njëra anë, ndieja rebelimin ndaj dhunës së njeriut mbi njeriun, ndaj vjedhjes së njeriut ndaj njeriut, kurse nga ana tjetër, ndoshta nga pafuqia për t’i rënë me grusht këtij mali injorance dhe barbarie e për ta bërë copë, mundohesha të kuptoja se çfarë po ndodh në këtë vend, që vazhdon të na helmojë jetën e të na bëjë ta quajmë të mallkuar.

E cili mund të ishte sipas jush “ilaçi” i qetësimit të shpirtrave?

Duke menduar se kjo nuk është  thjesht punë e një grupi banditësh, por se populli shqiptar historikisht ka qenë njëherësh xhelat dhe viktimë e vetvetes. Tërë ata njerëz që shkonin votonin nga një zonë në tjetrën, tërë ata policë dhe shikas që manipulonin dhe kërcënonin, tërë ata deputetë të PD të cilët pranojnë të ulen mbi karrige që mbajnë erë mashtrim dhe krim, tërë ata gazetarë që për të mbuluar këtë vjedhje bërtasin “kapeni hajdutin!”, janë bërë pjesë e popullit shqiptar, një pjesë e konsiderueshme madje… Shqipëria do të jetë tjetër kur nuk do të ketë më të tillë xhelatë-skllevër apo skllevër-xhelatë quajini si të doni. Talmudi ka një koment që i bëhet kapitullit të Biblës, ku përshkruhet qëndrimi i çifutëve në shkretëtirë për 40 vjet. Përse hebrenjtë duhet të qëndronin 40 vjet në shkretëtirë kur tokën e premtuar gjeografikisht e kishin larg vetëm 2 javë rrugë. Sipas Talmudit duhej të ndodhte kështu pasi të gjithë ata që kishin lindur dhe jetuar në skllavëri, duke përfshirë edhe vetë Moisiun, nuk mund të shkelnin në tokën e premtuar. Edhe shqiptarët që jetojnë sot në këtë truall janë skllevër bij skllevërish, që bëhen trima vetëm kur shteti u jep kobure e pendrekë në dorë dhe i urdhëron të rrahin njerëz të çarmatosur. E keqja është se njerëzit që kanë në dorë fatin e tyre e në vend që t’i emancipojnë, përpiqen t’i mbajnë në këtë gjendje, prandaj dhe nuk di të them saktë nëse tani jemi në shkretëtirë apo kaluam sërish në skllavëri. Kujtoni se në SHBA, vetëm për një vendim gjykate, që shpalli të pafajshëm tre policë që kishin tejkaluar dhunën ndaj zezakut të thjeshtë Don King, u ngrit në këmbë një masë e pafundme zezakësh dhe i vuri flakën Los Anxhelosit. Kurse në Shqipëri rrihen deputetët e popullit si pa të keq dhe pjesa më e madhe e miletit nuk shqetësohet për këtë më shumë se sa sikur të bëhej fjalë për derra që kishin hyrë të kullotnin pa leje në bahçen e Ministrisë së Brendshme. Kjo që ndodhi tregoi se Shqipëria nuk e kaloi provën e demokracisë, se liria e 90-ës ishte një liri e dhuruar dhe jo e fituar, ashtu si liria e atij hajduti të burgosur që ja hapin derën për të dalë, dhe ky, sa del shkon e vjedh përsëri.

Mos duhet parë në këtë kontekst edhe mbështetja që i dha Europa këtij regjimi gjysmëdiktatorial?

Përkrahja që i dha Europa kësaj padrejtësie është vërtet një nga zhgënjimet më të mëdha të shqiptarëve, megjithatë, mendoj se duhet ndalur e menduar më me gjakftohtësi rreth saj. Para së gjithash ne duhet të shohim pjesën tonë të së keqes. “Të tjerët të flasin për turpin e tyre, unë flas për timin”, thotë Brehti. Perëndimi e sheh atë që po ndodh në Shqipëri në një tjetër kontekst nga ai në të cilin e shohim ne. Sipas mendimit tim, Perëndimi nuk e mbështeti ndërrimin e pushtetit kryesisht për arsye gjeopolitike: stabilitetin e Kosovës, ku hyn edhe lidhja Rugova-Berisha; kurse ndërgjegjja e tij demokratike e qetësoi me argumentet se shqiptarët kaq meritojnë, se edhe opozita nuk do të mund të paraqiste një alternativë më të mirë. Mos harrojmë se edhe në vitet 60, po për arsye gjeopolitike, Perëndimit i pëlqeu prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, në një kohë kur për popullin shqiptar kjo prishje pati kuptimin e ruajtjes së diktaturës staliniste, në vend të përqafimit të një socializmi më njerëzor. Megjithatë, ne na takon të përqendrohemi mbi ato dobësi që sheh Perëndimi tek ne. Më duket se ne nuk jemi treguar të aftë t’i shprehim bindshëm Perëndimit se shqiptarët e duan Shqipërinë të jetë një dhomë në shtëpinë e Evropës dhe jo nevojtoren e saj, ku perëndimorët të hyjnë të bëjnë shurrën tre herë në ditë dhe të dalin. Një pjesë e përgjegjësisë për këtë i bie edhe opozitës që nuk ka ditur të ndërtojë një alternativë më bindëse si dhe të gjithë ne kundërshtarëve të Berishës, që nuk kemi ditur t’i tregojmë bindshëm Perëndimit se regjimi i Berishës nuk është as antikomunist dhe as demokratik, sikurse pretendon, por mutacioni i fundit i komunizmit në Shqipëri. Nga ana tjetër Perëndimi nuk mund të identifikohet me qëndrimet e burokracisë shtetërore apo me ambasadat e tyre në Tiranë. Një miku im gjerman më tregoi se më 28 Maj kishte shkuar në ambasadën e tyre, së bashku me një tjetër koleg gazetar, të cilit i kishin rrëmbyer aparatin fotografik dhe shkulur prej tij filmin. Donin t’i informonin  dhe t’u qanin hallin për çka po ndodhte. Trokitën në portë tepër të shqetësuar, kurse diplomati i kollarisur i kishte pritur ftohtë, dhe kur ata i kishin shprehur shqetësimin: “thuhet se ka pasur edhe të vrarë” , u ishte përgjigjur: “po këtu në Ballkan jemi. Këta edhe dasmat i bëjnë me të shtëna”. Sigurisht ky cinizëm dhe fjala “këta” duhet të na bëjnë të mendojmë se si na sheh e gjykon Perëndimi zyrtar, por nga ana tjetër, gjesti i miqve gazetarë duhet të na kujtojë se Perëndimi është edhe Helsinki Ëatch dhe Federata e Helsinkit që u kërkoi qeverive perëndimore të mos i njohin zgjedhjet, se Perëndim janë edhe tërë ata gazetarë që i treguan botës dhe vetë shqiptarëve ato që s’i tregoi Televizioni Shqiptar dhe që i detyruan politikanët e tyre t’i ndërrojnë sado kudo qëndrimet ndaj Berishës. – Megjithatë, a mos duhet të themi se fundi i fundit shqiptarët kaq meritojnë? – E përsëris: ka me mijëra shqiptarë që janë gati të bëhen shërbëtorë për 500 lekë (i pamë ata gjatë fushatës së zgjedhjeve); ka me mijëra shqiptarë që i hyjnë politikës për të fituar një dhomë e një kuzhinë apo një copë tokë që u ka konfiskuar Enver Hoxha; ka me mijëra shqiptarë që, po nuk siguruan një punë në shtet ku të mund të marrin ndonjë rrogë e ndonjë ryshfet, nuk kane me çfarë të ushqejnë familjet; ka me mijëra të paditur që mund të të linçojnë në emër të demokracisë pa ditur se ç’kuptim ka fjala ashtu sikurse të linçonin dje për fjalën socializëm… Mirëpo ka dy mënyra për t’i trajtuar ata; njëra është t’i emanciposh, t’i çlirosh nga injoranca dhe varfëria, tjetra është t’i mbash në injorancë dhe varfëri për t’i përdorur kundër kundërshtarëve politikë. Për fat të keq të gjithë sundimtarët shqiptarë deri më sot kanë bërë këtë të dytën. Këtë e provon edhe fakti se në Shqipëri pushtetarët janë “nderuar” sa kanë pasur në dorë dajakun dhe pastaj mbi ta është pështyrë, kurse nderimi i vërtetë i popullit shqiptar ka rënë mbi ata që janë persekutuar prej tyre. Kujtoni Nolin, Gurakuqin, Maleshovën etj. Kishim shpresë se kësaj here do të ndodhte ndryshe. Shqipëria tentoi pas rënies së komunizmit të implementonte institucionet demokratike. E kam fjalën për gjëra të tilla si pavarësia e gjykatave, e policisë, krijimi i partive politike, i lirisë së shtypit, i shoqatave jo qeveritare, votimi i lirë dhe i fshehtë etj. I gjithë problemi me të cilin u ndeshëm ne, në thelb ishte ky: a do të mund të mbinin e të lulëzonin në truallin e ashpër shqiptar fidanët e institucioneve demokratike të sjella, si të thuash, nga Perëndimi, apo të thaheshin. Dihet se vetëm lulëzimi i tyre do ta kthente shkretëtirën kulturore sociale dhe politike shqiptare, ku mbijetonin zvarranikë e reptilë të pështirë, në një vend të banueshëm nga një larmi individësh të ngritur me këmbë. Ramiz Alia, në kushtet e kolapsit të sistemit të tij, i la të mblidheshin këto fidanë. Mbeti detyrë e Berishës t’i ndihmonte të kultivoheshin. Mirëpo ai nuk e ndihmoi kultivimin e tyre. Ai ju përshtat botës së reptilëve dhe zvarranikëve, të cilët sigurisht përbënin shumicën në këtë shkretëtirë dhe ishin më të aftë për të mbijetuar. Kështu që ushtria e tyre, me një aftësi të jashtëzakonshme shumëfishuese, u hyri fidanëve të sapombjellë diku me sëpatën e druvarit, diku duke u tharë burimin dhe shpejt po e kthen përsëri terrenin në shkretëtirë. Fidani i fundit që lëshoi përtokë sëpata e tyre ishte institucioni i votës së lirë, të cilit ja kishin vënë syrin për ta prerë qysh me Referendumin e 1994. Shumë njerëz që kishin filluar të ngriheshin në këmbë, pas kësaj goditje të fundit, po kanë prirjen të zënë përsëri pozicionin e zvarranikut duke bërë që ushtria e reptilëve zvarranikëve dhe kameleonëve të mbetet thuajse e gjithëfuqishme në Shqipëri. Çfarë s’po  na dëgjojnë veshët gjatë  këtyre ditëve për ato që kanë ndodhur gjatë votimeve, por ajo që më ka trishtuar më shumë është një fakt që lidhet me një edukatore fëmijësh. Gjatë gjithë kohës para zgjedhjeve ajo u mësonte fëmijëve të thërrisnin : “Do fitojmë apo jo? Po, po, po”. Fëmijët e gjorë s’bënin punë tjetër, veç thërrisnin me të madhe këtë frazë. Kur mbaruan zgjedhjet ata e pyetën edukatoren se çfarë do të thonin tani dhe ajo shpejt gjeti për  ta një rimë tjetër: Kjo “larje trush” e fëmijëve shqiptarë, kjo prirje për t’i kthyer ata në reptilë të vegjël, njësoj si në kohën e Hoxhës, është një nga gjërat më të trishtueshme që kam dëgjuar këto ditë.

Kush është sipas jush shkaku kryesor i përkeqësimit (në vend të përmirësimit) të gjendjes së institucioneve demokratike në vend?

Shkaqet janë të shumta, por mendoj se duhet vënë në dukje një e keqe e madhe që ndodhi në Shqipëri pas kolapsit të komunizmit. E kam fjalën se ajo që ndodhi nuk qe një revolucion në kuptimin e daljes në pah politikisht të një klase të re, e cila kishte zhvilluar ndërkaq bazën e saj ekonomike (siç qe, për shembull borgjezia franceze në Revolucionin e 1789). Këtu tek ne përmbysja politike e komunizmit e gjeti shoqërinë shqiptare në gjendjen e një lukunie ujqërish që duhej të gjente rrugët për të mbijetuar. Shumica e tyre që i hynë politikës ishin njerëz që u vërsulën të babëzitur drejt pushtetit politik sikur do të rrëmbenin një hanxhar me anë të të cilit do të prisnin llokmat nga trupi i Shqipërisë. Shumë shpejt ata panë se si ndodhi mrekullia. Nga njerëz pa brekë në bythë panë se po të futeshin nëpër dogana, policira, bashkira, ministrira, kryeministrira, apo të mbanin lidhje të mira me pushtetin, mund të bëheshin pasanikë, deri edhe milionerë. Dhe ashtu, me atë grykësinë dhe pangopësinë e tij që më në fund i jepet mundësia për të ngrënë, u vërsulën ta mbushin stomakun me ç’të mundnin dhe ç’të gjenin, mundësisht të hanin në mëngjes edhe atë që duhej ta hanin në drekë dhe në darkë. Dhe kuptohet se privilegjin më të madh në këtë luftë nuk e kishin ata që kishin ideale në kokë, por ata më të paturpshmit. Këta grykësia ishin gati të gjenin çdo motiv për t’i larguar njerëzit e urtë nga politika dhe rezultati është ky që shihet.

Çdo të thotë sipas jush një kompromis si ai që është kërkuar, për përsëritje të pjesshme të votimeve në 20-30 zona?

Kjo është njëlloj sikur edhe pasi të zbulohet se një boksier e ka hedhur kundërshtarin nokaut, ngaqë arbitri ishte i blerë dhe e kishte lejuar të fuste copa hekuri në dorezat e boksit, ndeshja të mos anulohet, pra ai të mbetet përsëri kampion, por të mundurit t’i jepen edhe disa pikë më tepër. Le të flasim pa metafora. Gjatë zgjedhjeve ne na panë sytë gjëra të tmerrshme që paralajmërojnë kohë edhe më të zeza për Shqipërinë, sikur personat përgjegjës të mos ndëshkohen. Tek figura e rrugaçëve anonimë që ndihmuan në manipulimin e zgjedhjeve, që duke i vënë makinës një flamur të PD mund ta ngisnin atë pa patentë, pa targë dhe me çfarë shpejtësie të donin, duke terrorizuar miletin në rrugët e qytetit, ne pamë se jetojmë në një vend, shtetarët e të cilit nuk arrijnë të kuptojë se “liria e një qytetari mbaron atje ku fillon liria e një qytetari tjetër”, por që mendojnë se liria e tyre shtrihet deri atje ku fillon nënshtrimi dhe poshtërimi i tjetrit. Ata rrugaçë nëse e do të dalin nga anonimati dhe do të zënë vendin e oficerëve dhe policëve “të butë” duke ndihmuar që dhuna shtetërore në Shqipëri të përshkallëzohet. Një Parlament me 30 deputetë opozitarë më tepër, nuk ndryshon asnjë në këtë situatë, veçse do t’u shtonte atyre disa preh gjahu. Shqipëria gjatë kësaj periudhe tranzicioni ka njohur dy mënyra qeverisje: anarkinë e kohës së Ramiz Alisë dhe autoritarizmin apo diktaturën e kamufluar të Sali Berishës. Në të dyja rastet ajo nuk është treguar e aftë të tregojë se mund të ndërtojë dhe të ruajë një shtet ligjor  pasi në anarkinë e Ramiz Alisë shteti nuk ishte  në gjendje të mbronte ligjin, kurse në autoritarizmin e Sali Berishës vetë shteti e nëpërkëmbi ligjin. Kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe mendoj se Shqipëria duhet të gjejë forca për ta ndryshuar. Jam për kërkimin e rrugëve të kompromisit, por ai duhet të ngrihet mbi disa kushte të paluajtshme, ndër të cilët themelore më duken: rivendosja e institucionit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri si dhe depolitizimi i Gjykatës Kushtetuese, të Kasacionit, Policisë dhe të SHIK-ut, nëpërmjet ngarkimit në krye të këtyre organeve të njerëzve vërtet të pavarur që kanë treguar se janë në gjendje të venë interesat e kombit dhe respektin ndaj ligjit mbi interesat meskine personale apo të klanit PD-ist.

Edhe pse duket se kjo ka pak gjasa të ndodhë… si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë nëse Presidenti Berisha mbetet në pushtet me një parlament të dominuar prej tij?

Po ndodhi kështu, më duket e vështirë që gjendja të vazhdojë, siç shpresojnë disa, ashtu siç ka qenë gjatë 4 vjetëve më parë, pra me një liri relative të siguruar më shumë nga ndërhyrjet e Perëndimit. Po nuk patën rezultat përpjekjet e tanishme për të rivendosur shtetin ligjor, tendenca diktatoriale në Shqipëri do të rritet në mënyrë gjithnjë e më të zbuluara dhe Berisha, po nuk e pëlqeu më Perëndimi, do të kërkojë të tjerë aleatë. Ndërkaq, sa më shumë që do të dalë hapur fytyra e diktaturës, aq më shumë politikanët e PD, që deri dje dilnin nëpër kioska e kafenera, do ta fshehin fytyrën e tyre prapa makinave me xhama të zinj, do të shfaqen vetëm në televizorë, kurse kontaktin direkt me ta ne do ta kemi nëpërmjet fytyrave të policëve dhe të agjentëve të Shikut. Pra, parashikoj rritjen e hendekut midis popullit dhe pushtetit. Në këto kushte, në rastin më të mirë, do të kemi pasurimin e klanit politik që ka pushtetin, konsolidimin e tij në formën e një mafieje politike dhe për të ndërtuar demokracinë, duhet të presim ardhjen e një brezi tjetër, domethënë të fëmijëve të tyre, që mendoj se do të kenë jo vetëm një pasuri të paluajtshme, që do t’ju japë siguri dhe liri, por edhe një tjetër edukatë. Pra, diçka e ngjashme me diktaturën e Frankos në Spanjë. Këtë do ta quajë megjithatë lumturi, por kam frikë se vështirë të ndodhë kështu. Në rastin më të keq, mendoj se ata kurrë nuk do ta arrijnë krijimin e një klase borgjeze të stabilizuar, pasi nuk janë aq të aftë ta bëjnë këtë, (paaftësinë e treguan së fundi ku nuk ditën as t’i manipulojnë me lezet zgjedhjet). Mbajtja e babëzitur e pushtetit nëpërmjet rrugësh të paligjshme (“krimi ndjell krimin”) do të bëjë që njerëzit me një ndërgjegje më të qartë politiko-morale të largohen ose të bëhen gjithnjë e më pasivë dhe kështu shteti shqiptar do t’i mbushë administratat, policitë dhe gjykatat, me njerëz gjithnjë e më të pafat e gjithnjë më të dhunshëm, nga të cilët, për fat të keq, Shqipëria ka dhe prodhon pa fund. Edhe sikur Berisha të kishte qenë një Papadhopullos, për të cilin thuhet se me ndihmën amerikane ndërtoi të gjithë autostradat e Greqisë, unë do të kisha qenë në anën e Teodoraqisit dhe Gavrasin. Jo më që qeveria e Berishës për 5 vjet ka ndërtuar vetëm 6 kilometra autostradë?! Ajo është një qeveri që pushtetin politik nuk po e përdor për të rindërtuar të paktën këtë vend, por për të vjedhur sa të jetë e mundur. Ajo ka akumuluar dhe do të akumulojë probleme të mëdha juridike sociale dhe morale që rrezikojnë të sjellin një çast historik kur siç ka ndodhur tashmë dy herë në historinë 86-vjeçare të shtetit shqiptar të pavarur, gjithçka të rifillojë nga një destabilizim i madh.

A gjykoni se rezultati i zgjedhjeve erdhi edhe për shkak të gabimeve dhe dobësisë së opozitës?

Padyshim. Para së gjithash duhet thënë se opozita shqiptare ka jetuar në kushte jo normale të krijuara enkas nga shteti për ta shpartalluar atë. Mjafton të kujtosh faktin se Partisë Socialiste iu fut në burg kryetari, i cili ishte njeriu më reformator i kësaj partie, ai që mund t’i artikulonte më mirë idetë dhe të fliste më bindshëm me Perëndimin. Mjafton të kujtosh luftën dhe diskriminimin që i ka bërë media e kontrolluar nga shteti liderëve të Aleancës Demokratike dhe të gjithë atyre që më vonë u ndanë nga PD. Nga ana tjetër, duke patur parasysh se kjo që ndodhi më 26 Maj nuk erdhi menjëherë, por ishte rrjedhojë e një pune sistematike nga ana e PD, gjatë së cilës opozita e majtë e djathtë dhe e qendrës ka treguar mefshtësi politike duke menduar se për të marrë pushtetin atyre u mjaftonin gafat e panumërta të Berishës dhe vota e lirë. E majta, e djathta dhe qendra nuk arritën të kuptojnë se këtu nuk bëhej fjalë për ideologji, por për konsolidimin e themeleve të demokracisë mbi të cilat do të ngrihej pastaj e majta, e djathta dhe qendra e vërtetë. Ata, deri para zgjedhjeve nuk kanë treguar asnjëra se janë në gjendje të kapërcejnë interesat e ngushta partiake apo të shtresës shoqërore që përfaqësojnë për të dalë qoftë edhe një herë së bashku në ndonjë aktivitet politik, ndonëse shpesh është bërë më se e qartë se në Shqipëri rrezikon të ndodhë ajo që ndodhi me partinë e së majtës dhe të së djathtës në Itali në kohën kur Musolini kreu marshimin mbi Romë. Ne shqiptarët që jetojmë përditë këtu nuk i besojmë ato përrallat për reformim ose joreformim, të cilat i thuhen aq shumë Perëndimit për PS, pasi ne e dimë mirë që, nëse ka ndonjë parti që evokon më shumë Partinë e Punës së Enver Hoxhës, kjo është Partia-shtet e Sali  Berishës, në të cilën nuk kuptohet se ku m baron partia dhe ku fillon policia dhe Shiku, në të cilën udhëheqësi kryesor  drejton partinë, shtetin, gjykatat, policinë, ushtrinë dhe ku “udhëheqësit” e tjerë, ashtu si dikur merhumët poli-byroistë të Enver Hoxhës, nuk kanë detyrë tjetër veçse të perifrazojnë shokun Sali. Megjithatë, qoftë edhe për hir të opinionit të jashtëm, që dihet se e mbështeti Berishën edhe me këtë argument, PS mund të kishte krijuar një koalicion paraelektoral me qendrën, në krye të të cilit të ishte vënë një lider i qendrës, çka do t’i jepte shumë më tepër kredibilitet opozitës jashtë dhe brenda vendit.

Ju ishit një ndër nënshkruesit e pro-memories që u dërgohet shteteve perëndimore. Ndonjë koment më tepër…

Pro-memorien e kam nënshkruar pasi e ndjeva si detyrë qytetare. Dikush na ka bërë vërejtjen se parashikimi që bëjmë për Shqipërinë është tepër i zi. Ata që na bëjnë këtë vërejtje po të lexojnë ato që kemi shkruar unë dhe disa nga nënshkruesit e saj gjatë këtyre 5 vjetëve, do të shohin se ne e kemi parashikuar atë që do të ndodhi më 26 Maj dhe me shkrimet tona s’kemi bërë gjë tjetër veçse jemi përpjekur që ajo të mos ndodhte. Edhe pro-memoria po këtë qëllim ka. Por ajo që ndodhi tregoi se demokracia nuk mund të ndërtohet vetëm me shtyp të lirë. Thuhet se zinxhiri është aq i fortë sa ç’është hallka e tij më e dobët. Zinxhiri i institucioneve demokratike shqiptare e ka shumicën e hallkave prej balte. Ndoshta do të çuditeshit po t’ju thosha se sipas mendimit tim përgjegjësi kryesor për këtë që ndodhi nuk është Berisha – pasi Berishën ne tashmë e kemi marrë si përfaqësuesin e një zulme instiktive, të dhunshme dhe me pritje transgresive. Përgjegjësi kryesor pra, janë ato hallka të zinxhirit që s’bënë atë rezistencë që duhet për ta frenuar këtë forcë transgresive, dhe, në krye të listës unë do të vija kryegjyqtarët e Shqipërisë, Rustem Gjatën me shokë. Historiani i famshëm francez, Andre Morua në librin e tij “Historia e Anglisë”, të parin ndër faktorët kryesorë që e ruajtën Anglinë nga trazirat dhe luftërat civile në periudhat e krizave të saj ekonomiko-politike, vendos pavarësinë e gjykatësve. Kuptohet se Rustem Gjata e qetëson ndërgjegjen e tij duke thënë me vete apo me ndonjë mik, nëse i ka mbetur, se sikur të kishte bërë rezistencë do ta kishte pësuar si Maksim Haxhia apo si Zef Brozi, por mendoj se shqiptarët duhet më në fund t’i thonë ndal këtij rrethi vicioz që i ka bërë njëherësh xhelatë dhe viktima të vetvetes.

A i ndryshon rezultati i zgjedhjeve projektet tuaja për të ardhmen?

Edhe me fitoren e opozitës, unë do të mbetesha po në të njëjtin pozicion që kam patur. Domethënë në opozitë. Por do të ndihesha ndryshe, pasi të paktën do të kisha ndjesinë se fjala ime mbetej e lirë dhe mund të ndikonte sadopak. Mirëpo kjo që ndodhi më bën të kem ndjesinë e kotësisë së armës sime të vetme, fjalës së lirë. Gjer dje kisha ndjesinë se jetoja në një liri të kërcënuar; sot se jetoj një liri të dhunuar, çka sigurisht të krijon frustrim. Nganjëherë mendoj të krijoj një botë paralele që të mos ketë asfare pika kontakti me botën shtetërore shqiptare, çka, në një farë mënyrë kam filluar ta bëj. Për shembull, tash e mbrapa kam vendosur që të mos e hap më absolutisht radio televizorin shqiptar dhe gazetat pro qeveritare. Mirëpo edhe kjo më duket një iluzion. Një shkrimtar i njohur thotë se “urtësia e personave të veçantë është iluzion, nëse e tëra është e çmendur. Ndërkohë që artisti, që ka frikë nga jeta, ndërton për vete një botë artificiale, forcat spontane shpërthejnë, bëjnë mynxyra e gjëma, shtypin dhe copëtojnë”. Të shohim se ç’do të ndodhë, megjithatë. Le të shpresojmë se gjërat nuk do të shkojnë kaq zymtë sa ç’i parashikoj unë në këtë intervistë.

Intervistoi: Jonila Godole

 

 

SHKARKO APP