Fejton nga Filip Çakuli: Një ditë pune e zotit Everts
(Botuar me 3 shtator 1998 në KOHA JONE)
Nga Filip Çakuli-
Te dera e zyrës së tij në një vilë pranë bllokut, e priste, që në pikë të sabahut, kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, zoti Idajet Beqiri. Partia jonë numëron dhjetëra mijëra anëtarë – u prezantua Idajeti, pa llogaritur qindra mijëra simpatizantët e gjithë diasporës.
– Urdhëroni, çfarë kishit, ia preu hovin Everts.
Në një fshat të Tepelenës, një bandë demokrate rrahu kryetarin e degës së partisë sonë atje. Si të veprojmë? Ta rrahim edhe ne atë, apo do të ndërhyni ju të OSBE-së.
– Jo, po e mbaj shënim, tha Everts dhe hyri në zyrë. Pa zënë vend në karrige bie zilja e telefonit. Alo, jam kryetari i Partisë Komuniste. Alo më dëgjoni? Sot në mëngjes çetat tona, zunë dy ballistë të gjallë. Çfarë të bëjmë me ta?
Lërini të lirë – iu përgjigj Everts.
-Jo more, t’i lirojmë. Po ne bëmë gjithë atë plan për t’i zënë! Duket se ju të Evropës i ushqyet dhe i mbajtët gjallë këta plehra, tradhtarë të kombit. Po, do ta shihni edhe ju të Evropës…
E ndërpreu sekretarja. – Ka ardhur Fatos Nano…
Po nuk mbaroi mirë fjalën kur brenda u dha kryeministri shqiptar.
-Shoku Everts, erdha të të raportoj për punët e djeshme të qeverisë. Veç kësaj kam edhe një problem personal: Dje Sali Berisha më shau dhe më fyeu rëndë …
– Po shaje dhe ti? buzëqeshi Everts.
– Nuk m’i nxë goja ato fjalë banale që përdor ai, unë jam kontemporan. Ai është histerik, psikopat, destruktiv, i çmendur, delirant…
– Boll, e mora vesh, e ndërpreu Everts. Ja po e thërras dhe po i tërheq vëmendjen.
– Jo, jo, mos e thirr tani që jam unë këtu, se ai ta fut me grusht. Është i papërgjegjshëm…
Mirë, mirë, po si vajti puna e atyre të gjashtëve?
– Janë shkëlqyer brenda në burg. I kanë të gjitha kushtet e nevojshme. Sot dhashë urdhër që t’u lejohej edhe gazeta “55” brenda. Dje thirra prokurorin e përgjithshëm dhe i tërhoqa vëmendjen, megjithëse ai është i pavarur…
– Si, i pavarur, nga unë? ia bëri Evertsi.
– Jo, jo, nga ju s’ka asnjë të pavarur, po e kisha fjalën nga qeveria…
Pasi folën edhe për planin e punës së ditës së nesërme, kryeministri doli nga zyra e OSBE-së. Pas pak atje trokiti Berisha.
– Mos ka qenë ai krimineli këtu para meje? Cili kriminel? – u tremb Everts.
Ai pra, vrasësi, banditi, zagari, hajduti, mashturesi, gjakpirësi, zjarrvënësi, armiku ynë i betuar në këtë dhe atë jetë…
E keni fjalën për vëllanë tuaj opozitar, shokun kryeministër? – ia bëri Everts.
E pra, ai fytyra më e zezë e kombit, këtej e matanë kufirit, të cilin shumë shpejt e pret vdekja. Vdekja? – u habit Everts.
-Për këtë duan edhe miratimin tuaj.
Nuk lejon Evropa pushkatim…
S’ka gjë ka edhe mënyra të tjera vdekjeprurëse më se të buta, si varja në litar. Këtu Berisha fërkoi duart dhe u ngut – kaq kisha unë.
Sa doli kryetari demokratik hyri Arben Imami.
– Zoti Everts, ç’e pranon në zyrë atë të lojturin. Pse nuk sillni ndonjë mjek psikiatër nga Evropa për t’i dhënë ilaçet e duhura.
Urdhëroni – tundi kokën Everts.
– Kemi ngelur tek neni 369 i projektkushtetutës. Nuk biem dakord për një fjalë, ia lexoje vetë. Arbeni i zgjati ca fletë. Everts i mori, bëri një korrigjim dhe ia ktheu prapë.
Shumë të faleminderit – u përkul Arben Imami, por po ta them prapë, atë malokun mos e qas më në zyrë. Everts porositi një kafe, po në vend të saj hyri brenda Zef Bushati, kryetari demokristian.
– Ç’e fut në derë atë aktorin e dështuar? Për kë e kishit fjalën? Për atë pra, Arben Imanin, na bën poza, ka qenë i veshur gjeneral në Jug në kohën e trazirave. Po ju ku e dini?- E ka thënë Berisha. Ai i di mirë këto punë.- Po edhe ju aktor jeni, mesa di unë – ia bëri Everts.- Aktor, por luaj me Bashkimin për Demokraci dhe jo me Aleancën për shtetin…
Urdhëroni, me se mund t’ju ndihmoj?- Jo, s’kam ardhur për ndikim. Desha vetëm t’ju kujtoj se në qoftë se do të vazhdoni të përkrahni qeverinë socialiste, partia jonë do ta bojkotojë Evropën fare… Atëherë ta shikoni ju sa ju vlen lëkura…- Jo, të lutem, s’ka faj Evropa, – u mbrojt Everts. Të lutem, mos na braktisni si parti. Po vazhduat kështu, thashë, do t’ju tregojmë vendin se partia jonë me dhjetëra mijëra anëtarë nuk pyet…
Sekretarja u ndërpreu bisedën në mes. – Ju kërkojnë.- Një minutë – i tha Everts. A mund të më sjellësh listat e anëtarëve të partisë shqiptare. Ta di me kë flas… Sekretarja ia solli shpejt, ndërkohë që Bushati doli. Everts pa vetëm numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që aderonin në 10 partitë kryesore: 33 milionë anëtarë, pa llogaritur këtu simpatizantët. Në atë çast hyn kryetari i partisë Republikane Fatmir Mediu. Por Everts, pa orën dhe u çua me nxitim.- Dale, desha të konsultohesha për çështjen e dënimit me vdekje – i tha Mediu. Ika unë se kaloi ora – ia ktheu Everts. Duhet të vete t’i raportoj ambasadës amerikane për planin e ditës së sotme… Se edhe ne s’jemi krejt të pavarur… Filip ÇAKULI