Fenomeni Edi Rama dhe vlerat e tij

(Botuar me 5 mars 2003)

Nga Polo Cakalli, Doktor i Shkencave

Duke analizuar në kompleks veprimtarinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nga pozitat e një intelektuali të paanshëm, mund të arrish në disa konkluzione dhe të besh për të një vlerësim. Objektivi i tij për të transformuar Tiranën në një metropol bashkëkohor, të cilin, siç duket, do ta realizojë me sukses, përbën për të një meritë të madhe historike. Koha kur ai po e kryen këtë transformim, e cila karakterizohet nga kriza e përgjithshme dhe e stërzgjatur që kalon vendi, me pengesat dhe vështirësitë e pafundme që rrjedhin prej saj, tregon se ai është një patriot i madh dhe një guximtar i pamposhtur.

Më në fund, mjedisi që e rrethon atë, i cili karakterizohet nga luftë klanesh e individësh gjithfarësh, për t’u pasuruar me çdo kusht e me çdo mjet, dhe vetëm demagogji e mashtrime për interesat e vendit, tregon se ai, veç të tjerash, është njeri me ideale të pastra dhe humanizëm. Duke e parë në këtë kontekst veprimtarinë e Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, mendoj se ajo përbën një fenomen të rrallë me vlera të jashtëzakonshme, prandaj meriton vëmendje, mbështetje, vlerësim dhe punë për ta përgjithësuar këtë përvojë. Më poshtë po trajtoj disa momente kryesore që tregojnë se ku qëndrojnë vlerat e veçanta të këtij fenomeni, i cili nuk përbën shkëndijë apo dritë kandili, por është një prozhektor i fuqishëm për ata që duan të shohin dhe të punojnë.

Së pari, ajo qëndron në punën gjigante që po bëhet, e cila i kundërvihet rrymës regresive për shkatërrimin deri në zhdukje të pronës publike dhe degradimin deri në degjenerim të punës së njerëzve të zënë në këta sektorë. Dihet mirë që, si rezultat i shoqërizimit ekstrem të pronës e punës në sistemin e kaluar, ishin krijuar premisat e para të alergjisë dhe shpërdorimit e dëmtimit të pronës shtetërore, si dhe të indiferentizmit e të pakënaqësisë për nivelin e shpërblimit të punës. Nga ana tjetër, dihet gjithashtu se, si rezultat i orientimeve vandaliste që dhanë partitë e reja, të cilat u krijuan pas shpalljes së pluralizmit politik dhe mosveprimit të shtetit, në këto drejtime u krijuan veprime shkatërruese të pashembullta dhe të pakonceptueshme nga askush në botë. Ishin këto origjinale dhe thjesht shqiptare. U kthyen në zero kombinate, uzina e fabrika të vjetra e të reja, si dhe çdo objekt pronë e pasuri tjetër e paluajtshme dhe e luajtshme shtetërore e kooperativiste, duke përfshirë rezervat e mëdha të shtetit, të cilat ishin llogaritur për disa vjet aktivitet e jetesës të vendit. Grabitja, shkatërrimi fizik dhe shpërdorimi i pronës u krye në përmasa të papara e të padëgjuara. Ndërkohë që, këtë krim kaq të rëndë kombëtar, deri më sot, askush nuk e ka marrë mundimin ta evidentojë, si dhe ta vlerësojë e publikojë dëmin. Megjithatë, shifrat e këtij studimi të pabërë do të jenë tronditëse dhe shkaktarët kryesorë nuk janë të panjohur.

Kjo situatë, që u inskenua dhe u realizua për pronën, bëri që në vend të fillimit mbarë të startit të ri, për në ekonominë e tregut, masa kryesore e njerëzve të moshave më aktive e të kualifikuara të qytetit dhe të fshatit të marrë arratinë, duke tronditur mbarë botën, kurse më të shkathëtit shfrytëzuan rrëmujën dhe hodhën bazat e sigurta për një pasurim galopant të pamerituar. Këta, gjithashtu, po e çudisin botën me nivelin rekord të pasurimit për një kohë të shkurtër. Grabitjet masive që u bënë dhe vazhdojnë të bëhen, duke përfshirë edhe atë të tokave më të mira të vendit, janë rrjedhojë e atyre orientimeve dhe qëndrimeve të pakorrigjuara për pronën. Për të pasur fushë të lirë veprimi në këtë drejtim, u veprua sipas proverbit, “ujku mjegull do”, prandaj pronat që shpëtuan u bënë as të shtetit e as të pronarëve të ligjshëm, por të më të fortëve. Të njëjtën rrokullimë alarmante, gjatë tranzicionit, mori edhe qëndrimi ndaj punës e detyrës. Kudo në aparatet qendrore të shtetit dhe në ato të bazës, si dhe në institucionet e të gjitha degëve e kategorive dominon apatia, indiferentizmi dhe menefregizmi. Një dukuri e përgjithshme në këtë fushë është fakti që, puna në aparatet dhe institucionet publike, megjithëse shpërblehet relativisht ulët në krahasim me të suksesshmit në sektorin privat, lakmohet dhe nuk braktiset lehtë. Por kjo ndodh jo se ekziston predispozicioni për ta kryer atë me devocion. Fatkeqësisht, është krijuar dhe dominon një mentalitet tjetër, për ta përdorur vendin e punës në shtet për të nxjerrë përfitime të jashtëligjshme në forma nga më të ndryshmet. Forma më masive në këtë drejtim është ajo e sorollatjes së njerëzve pa fund nga nëpunësit e thjeshtë dhe jo vetëm të thjeshtë, anembanë vendit, deri sa të sigurojnë ryshfetin e caktuar. Në këtë kategori hyjnë blerja e vendit të punës, blerja e vizitës dhe e operacionit në mjekësi, blerja e notës dhe e diplomës në arsim, si dhe blerje të tjera pa fund për ata që kanë para. Kurse ata që nuk kanë para, të cilët përbëjnë shumicën e popullit, vdesin ose mbeten pa i zgjidhur hallet. Ndërsa forma më e rëndë është përfshirja padyshim e politikanëve, e pushtetarëve dhe e nëpunësve të rangjeve të ndryshme në afera korruptive, duke përfshirë edhe ato që lidhen drejtpërsëdrejti me kontrabandën dhe krimet e tjera të rënda.

Por kriza më e madhe, më alarmuese dhe më e thellë që po kalon shoqëria shqiptare, në këtë periudhë është ajo e mosgjetjes së të drejtës. Është humbje përfundimtare e shpresës, kur padrejtësia flagrante dhe krimi i rëndë gjykohet, jo sipas kandarit preciz të drejtësisë, po sipas parimit të biznesit, kërkesës dhe ofertës. Dhe kjo situatë në drejtësi nuk është një fenomen i rrallë, përkundrazi, është shumë i dendur e masiv. E njëjta gjendje për qëndrimin ndaj punës e detyrës vazhdon në mjekësi, në arsim, në degën e tatimeve, si dhe kudo gjetkë në shërbime.

Nga sa thamë e nuk thamë për këtë problem, tani çështja është plotësisht e qartë për mbarë opinionin publik të vendit, problemet e pronës dhe të punës publike kanë pësuar një degradim e degjenerim të shkallës më ekstreme, ndaj së cilës nuk mund të pritet asgjë tjetër veç dështimeve katastrofike. Ndërkohë shteti, prona e puna publike do të ekzistojnë. Me gjithë predispozicionin e madh që po tregohet nga shteti sot, për të kaluar nga ekstremi në ekstrem, dmth nga çdo gjë shtetërore që kishim në sistemin e kaluar, në çdo gjë private tani. Kjo nuk mund të realizohet për shumë arsye. Në këto kushte, problemi shtrohet si të ndalet revanshi, orteku i llahtarshëm që ka objektiv të gllabërojë jashtë destinacionit e ligjit çdo pronë e pasuri publike dhe, sidomos, pjesët e buxhetit që destinohen për investime dhe funksionimin e shtetit dhe të të gjitha hallkave të tij. Po ashtu, lipset që puna e punonjësve të aparatit shtetëror dhe e institucioneve të tij të hyjë në rrjedhën normale, duke plotësuar me përkushtim e korrektësi detyrat funksionale e të programuara.

Për ta bërë këtë kthesë në të dyja drejtimet kapitale, në atë të pronës publike dhe të punës, vendi tani ka një përvojë, një model origjinal. Ky është modeli i Bashkisë së Tiranës, modeli Edi Rama. Sipas këtij modeli, i cili tashmë shkon drejt konsolidimit të plotë e të sigurt, prona publike jo vetëm që nuk mund të preket, dëmtohet e grabitet, por ajo duhet të rehabilitohet, të rikonstruktohet duke u përmirësuar, modernizuar dhe hijeshuar në mënyrë të dukshme, në krahasim me moçalin ku ish katandisur. I gjithë ky transformim gjigant pozitiv i pronës realizohet me punën e vullnetshme të kualifikuar dhe të programuar, të kontrolluar të punonjësve të Bashkisë, të cilët drejtohen me kompetencë nga kryetari i tyre, me ndihmën edhe të stafit që ai ka krijuar.

Megjithëse nuk mund të thuhet se qëndrimi ndaj punës e detyrës i punonjësve të Bashkisë së Tiranës, ka arritur plotësisht ato parametra që kërkohen, gjykuar nga puna e madhe që ata përballojnë e materializojnë në objektet konkrete dhe në shërbimet e ndryshme, ajo qëndron shumë më lart nga administratat e tjera apatike. Kështu p. sh., abuzimi përmes tenderave njihet si një nga rrugët kryesore të korrupsionit dhe të shpërdorimit të fondeve të caktuara nga buxheti për investime dhe për funksionimin e administratës. Veç të tjerash, për këto krime një shteg të hapur lë ligji i prokurimeve. Kur e lexon, ai të lë shijen e një përkthimi të keq të ligjeve të vendeve perëndimore, të cilat këto etapa i kanë kaluar prej kohësh, pra është i papërshtatshëm për kushtet tona. Veç kësaj, me mballomat që i janë ngjitur, me anën e shtesave të ndryshme, ai është kthyer në një labirint të vërtetë, të paqartë, edhe për ata që e kanë hartuar.

Logjikisht reforma për t’u prerë rrugën abuzimeve me tenderat, duhet të fillonte me ribërjen e jo me shtesa, e stërshtesa të ligjit ekzistues. Mendoj se ai, për ne shqiptarët, duhet të bëhet me më pak nene dhe strukturë të thjeshtë. Rëndësi ka që, në të gjitha nenet të nënvizohet me germa të mëdha që, përgjegjësinë për çdo abuzim e shpërdorim të fondeve e ka vetëm titullari i institucionit dhe askush tjetër. Kështu, duke e zënë “demin prej brirësh”, fondet me siguri do të shpëtojnë nga abuzimet masive dhe, titullarët, duke i menaxhuar vetë fondet, nuk do të dalin të palarë siç ndodh sot. Kjo, sepse për ta nuk ka tjetër detyrë më të rëndësishme sesa menaxhimi i fondeve. Ja edhe një aspekt tjetër, ku mund të gjykohet për diferencën që ekziston midis nivelit të punës së Bashkisë dhe asaj të administratës shtetërore. Në doganat tona, nga ana e institucioneve ndërkombëtare, u krye një reformë e thellë, duke i ngritur e vendosur ato, punën e tyre, në një nivel bashkëkohor në të gjitha aspektet.

Mirëpo, kjo formë e përparuar e ndërtimit të administratës mbeti e izoluar vetëm në dogana, në vend që të zgjerohej me shpejtësi edhe në administratën e tatimeve dhe, hap pas hapi, edhe në institucionet e tjera. Krejt ndryshe qëndron puna ne administratën e Bashkisë së Tiranës, ku përsosja e formave të organizimit është një proces i pandërprerë.

Së dyti, kur bisedon me njerëz, të cilët në jetën e tyre kanë pasur raste të përballojnë detyra të vështira punë, vlerësimet për punën e Edi Ramës janë maksimale. E kundërta ndodh, kur bisedon me njerëz, që nuk u ka rënë rasti për punë të tilla dhe nuk dinë si lidhet gomari prej huri, por meqenëse ata kanë dijeni të mira për gjuhët e huaja dhe për kompjuterin, në të shumtën e rasteve, shprehen se ajo që bën Edi Rama, nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme. Edhe ne thonë ata, po të na ngarkohet një detyrë e tillë, e bëjmë që ç’ke me të.

Edhe më interesante janë mendimet e politikanëve, të cilët aktivitet kryesor të tyrin kanë pasur shitjen e dokrrave nëpër konferenca shtypi. Ata e anashkalojnë çështjen e vështirësive të mëdha që paraqet kjo kthesë, që realizohet në Tiranë dhe i mëshojnë më shumë korrupsionit që bëka Rama dhe, në mënyrë të veçantë, pastrimit të parave të pista. Me sa duket, ata i ha meraku se mos rrugët, trotuaret, lulishtet dhe objektet e tjera që ringre Rama, duke u ndërtuar me para të pista do të kutërbojnë erë të keqe përgjithmonë. Ë vërteta e madhe është se këtë përmbysje pozitive, që bëhet në Tiranë, nuk mund ta realizojë askush tjetër veç Edi Ramës. Ekzistojnë për këtë të vërtetë faktorë e të dhëna të pakundërshtueshme.

Në fillimet e tranzicionit, Edi Rama, për shumë njerëz konsiderohej një ri me fiksime psikopatike, një futurist me teorizime abstrakte dhe boshe. Mirëpo, menjëherë sapo filloi të merret me detyra konkrete, ai manifestoi cilësi pozitive të veçanta, pse jo edhe të paarritshme. Ai është një njeri i talentuar, me vizion të gjerë dhe fantazi shumë të zhvilluar. Me sa duket, profesioni i artistit këto cilësi ia ka konsoliduar fort.

Një e veçantë karakteristike e tij, siç duket, është vullneti i papërkulur dhe këmbëngulja prej mushke për të realizuar ato që mendon. Nga ana tjetër, në punën e tij, Edi Rama na shfaqet si një organizator e drejtues i talentuar, konkret, i matur dhe i rreptë, por edhe reflektues ndaj gabimeve e sugjerimeve që i bëhen. Më në fund, por jo gjithçka, ai është dhe një trim, sypatrembur dhe i zoti për t’i lërë ballë gjithë pengesave, kërcënimeve dhe rreziqeve. Pra, Edi Rama, sipas pikëpamjes time, është një njeri i kompletuar me dy cilësi kryesore: Mençurinë dhe trimërinë, çka ndodh shumë rrallë në jetë, por që prodhon vlera të mëdha. Për këto arsye, ai dhe njerëz si ai mund të marrin përsipër dhe të realizojnë transformime rrënjësore, siç po ndodh në Tiranë. Pikërisht në këto cilësi e bëma qëndron esenca e fenomenit Edi Rama, me vlerat e tij të shumta. Mirëpo, zbulimi i këtyre tipave nuk është aspak një gjë e lehtë, sepse ata nuk e dinë as vetë çfarë janë. Në shumicën e rasteve, është vetëm rastësia që i nxjerr ata në dritë. Për këto arsye, njerëzit me këto karakteristika, kur zbulohen, duhen të trajtohen si pasuri kombëtare. Të metat e tyre, të cilat sigurisht nuk mungojnë, duhet të izolohen dhe të luftohen në forma të ndryshme. Në këtë aspekt mendoj se nuk është aspak rastësi, vlerësimi i lartë që i bëhet Edi Ramës nga institucione ndërkombëtare. Ata dinë më mirë se ne për të çmuar aftësitë, talentet dhe vlerat e njerëzve të veçantë. Duke analizuar me qetësi dhe objektivitet punën dhe rezultatet e dukshme të Edi Ramës e të Bashkisë së Tiranës, nuk është e vështirë të arrish në përfundime, për t’u rekomanduar kundërshtarëve politikë të tij që, para se ta kritikojnë dhe ta akuzojnë, t’i njohin vlerat. Në këtë drejtim, të gjithë ne duhet të orientohemi nga filozofia e popullit, e cila thotë “Kije hasëm, por jepi hakun”.

Parimisht, një njeri si Edi Rama, që ka marrë përsipër të bëjë punë të mëdha, e pse jo edhe karrierë të madhe, nuk ka pse të bjerë në pozitat e një hajduti dhe mafiozi. Por, meqenëse parimet jo gjithnjë respektohen edhe nga njerëzit e mëdhenj, nga ana tjetër, duke qenë se në opinion të gjithë politikanët dhe pushtetarët shqiptarë quhen të tillë, është normale dhe logjike që kjo çështje t’u kalojë organeve përkatëse të drejtësisë. Edi Rama të lihet rehat, të na rindërtojë Tiranën e sakatuar nga politika. Ndërkohë, t’i lutemi Zotit që, shorti për të gjykuar Edin t’u bjerë atyre pak gjyqtarëve që kanë mbetur të pakorruptuar. Kjo zgjidhje s’ka dyshim që është më e mira, sepse edhe po rezultoi që Edi Rama ka abuzuar, mbas përfundimit të çështjes gjyqësore ndaj tij, do të ketë përfunduar edhe rindërtimi i Tiranës. Në këto kushte, e keqja e Ramës, në krahasim me politikanët dhe pushtetarët e tjerë, të cilët nuk kanë realizuar asgjë të dukshme për vendin, kurse korrupsion kanë bërë, do të jetë e keqja më e vogël.

Së treti, veç vlerës së brendshme, e cila duhet të zgjidhet me masa komplekse nga vetë shteti, por edhe të gjitha strukturat e tjera që funksionojnë në vend, për ta injektuar këtë përvojë dhe bërë pjesë të jetës e të veprimtarisë, ajo ka dhe një rëndësi tjetër tepër të madhe, për të korrigjuar imazhin e deformuar të vendit tonë në botë. E vërteta historike ka treguar se populli ynë nuk është me shumë anë negative, ashtu siç tregohet shpesh nga qarqe të huaja jodashamirëse. Përkundrazi, megjithëse ai ka qenë dhe është më i varfëri dhe më i ndrydhuri i Evropës, pra edhe i Ballkanit, kurrë si ka munguar gjallëria, shpirti shpërthyes, dashuria për punën dhe jetën, dijen kulturën si dhe bujaria, fisnikëria, mikpritja dhe trimëria.

Fjala e urtë e popullit thotë “Pyll pa derra nuk ka”. Prandaj, edhe tek ne, si kudo, njerëz me vese e prirje të këqija lindin ose krijohen dhe i manifestojnë ato. Megjithatë, nuk ka dhe nuk mund të ketë studime që të vërtetojnë se ne shqiptarët kemi raporte me të këqija midis njerëzve të mirë dhe të këqij sesa të tjerët.

Ndërkohë, veçoria jonë e qëndrimit më gjatë e më rëndë nën regjimin totalitar, si dhe hapja jo vetëm kaotike, por dhe e orientuar keq nga politika, ndikojnë negativisht në krijimin e imazhit në botë. Kjo, edhe për shkak të shpërthimeve të pakontrolluara dhe të nxitura, që u manifestuan gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, në gjithë periudhën e gjatë të tranzicionit torturues, askush nuk ka marrë përsipër të kuvendojë e të këshillohet me popullin brenda e jashtë vendit, qoftë edhe nëpërmjet formave moderne të komunikimit. Pushteti i katërt, shtypi dhe mediat në tërësi, duke propaganduar me zell të madh politikën konfliktuale të partive kryesore të vendit, dhe duke pasur si bosht kryesor të punës së tyre pasqyrimin kryesisht të anëve negative të ngjarjeve në shoqërinë tonë, i kanë bërë dhe po i bëjnë dy herë keq vendit, duke demoralizuar në ekstrem popullin, dhe duke u dhënë material të bollshëm atyre që na urrejnë. Për t’i dhënë fund kësaj katrahure që kemi krijuar në këtë drejtim, tani kemi shansin të mbështetemi te fenomeni Edi Rama, te kthesa e madhe që ai po realizon, duke menaxhuar me sukses një armatë të madhe punonjësish, prej rreth 800 vetësh, dhe të një metropoli të tërë në rrugën e transformimit të tij.

SHKARKO APP