Filip Çakuli: “Nuk i duam paratë tona”

(Botuar me 28 Shkurt 1997 në KOHA JONE)

Bisedë me Filip Çakulin, nënkryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë

Edhe Filip Çakulin nuk mund të mos e gjesh te pashqetësuar në këto kohë, por prapë mbahet. Është shumë e lehtë që ta gjesh. Pothuaj gjatë gjithë ditës është në zyrën e tij, në një nga kthinat e ish-godinës së madhe të Hostenit, e cila tashmë mban RD-në brenda. Megjithëse i shqetësuar, ai ende nuk ka rënë nga pesha. Por nuk do të thotë se një rrezik i tillë nuk ekziston, madje ai është më i afërt se kurrë për Filip Çakulin. Beteja e fajdeve me sa duket është për të shumë më e madhe se betejat që ai ka kaluar gjatë gjithë historisë së tij në monizëm, në ndryshimet demokratike dhe tani në tranzicionin që s’po i duket fundi. Sapo futesh në paradhomën e zyrës së tij e ndjen që je te Hosteni. Së pari është një rrëmujë e madhe dhe së dyti në mure ka shumë postera me faqe të botuara ose planifikuara për t’u botuar nga revista. Filip Çakuli rri në një karrige lëvizëse dhe gjatë gjithë kohës lëviz. Kjo është patjetër jo vetëm natyrë e tij por dhe shprehje e një gjendjeje të shqetësuar.

Megjithëse mund të mendohet se Filipi, si njeri i humorit që është, do të jetë i papolitizuar, sidomos në këto kohë ai nuk e pranon absolutisht këtë gjë. “Jam që çke me të, thotë,- unë marr rrogën në RD”. Arkivi i tij, qoftë grafik, qoftë fonik është shumë i veçantë. Kështu ne kemi mundësi që të shohim dhe fotomontazhin me Presidentin, që nuk u botua kurrë dhe për të cilin Filipi kaloi ca orë në birucë. Por surpriza është pikërisht një këngë e një grupi folklorik nga Përmeti kushtuar gjeneral Rrapush Xhaferrit. “Hë,- thotë, – e sheh ç’popull të mrekullueshëm kemi”. Dhe Filipi vë në dyshim këngët e tjera popullore që nga koha e Tanzimatit, se mos janë bërë me pagesë. Ai gjen megjithatë argumente për humor dhe në këto kohë. “Nuk ka ndodhur asgjë thotë, unë punoj në RD dhe ajo thotë se gjithçka është normale, prandaj nuk kam pse shqetësohem”. Por shumë gjëra e tradhtojnë fytyrën. Nuk ka dyshim që dhe ai duhet të ketë humbur në fajde. Kështu që e pyesim me siguri…

Filip, ti dukesh dhe burrë i zgjuar si ka mundësi që e hëngre atë tek dhe fute para me fajde?

Po natyrisht që do ta haja, kam dhe unë grua. Por më shumë më morën në qafë disa miq të mi, të afërm e punonjës të ambasadave të huaja, të cilët kishin futur lekë me fajde. E përderisa të huajt e dinin më mirë këtë punë (dhe në qafë të huajt na kanë marrë gjithmonë) edhe unë i thashë gruas të shesim shtëpinë dhe t’i fusim paratë me fajde. Por i futëm nga pak në të gjitha firmat. Dhe kështu mbeta pa shtëpi. Por, me këtë qeveri që kemi, prapë unë i pastrehë jam, si një shoku im s’ka marrë kurrë shtëpi nga shteti. Unë kam marrë, e shita dhe tani jam me më precedencë se ai, se unë kam qenë i guximshëm dhe vura në lojë shtëpinë. Dhe qeveria jonë i respekton njerëzit e guximshëm.

Me një fjalë t’i duhet të jesh tani anëtar në disa komisione kreditorësh apo jo?

Patjetër, madje jam në Komisionin Koordinues të Komisioneve. Po punojmë për t’i ardhur në ndihmë qeverisë me propozimet tona. P.sh. kemi menduar që të thërrasim 36 miset e Europës që të punojnë nga 6 muaj për ne me Greqi ose në Itali dhe kështu do të lahet borxhi i firmave.

Si po e përcjell situatën Filip Çakuli, me seriozitet apo me të qeshura?

Nuk mund të qeshësh. Ja për shembull marr gazetën tuaj dhe gjej shkrime të Frrokut. Frrok Çupin tuaj e nxorën poliagjent me gjykatë dhe prapë nuk ka asnjë problem. Këtu asnjë gjë nuk është e besueshme. Të dalë nesër një agjent vërtet hajde kush ta besojë. Që të dyja palët tek ne bëjnë sikur. Ose po marr një shembull. Zotin Tritan Shehu e kam mik. Kur ndodhi ai incidenti në Lushnjë, që ishte një akt terrorist i dënueshëm nga të gjitha anët, Shehu tha se ishte një bisedë pak e zgjatur me miqtë e mi lushnjarë. Kur e pyetën Presidentin pikërisht për këtë ai tha se “ishte një akt i shëmtuar”. Tani kush ishte një akt i shëmtuar, biseda e zgjatur? Në deklaratat publike ke shumë gjëra të tilla me të cilat nuk ke se si të mos qeshësh. Ose bëhet përvjetori i Vefës dhe dekorohen kryetari i Kuvendit Popullor e me radhë zyrtarë të tjerë që shkojnë e marrin dekoratën gjithë gaz.  Me një fjalë në skenën politike shqiptare është e vështirë që të gjesh gjëra serioze, se për të qeshur mund të gjesh sa të duash.

Televizionin shqiptar vazhdon ta ndjekësh?

Oh e ndjek me shumë kënaqësi. Jo për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur por për të qeshur ose për të parë se për çfarë u ka shkuar mendja të bëjnë ndonjë gjë nga ato që nuk duhet të bëhen. Si të mos qeshësh, kur televizioni ynë një ditë lajmet nga Vlora i shoqëronte me figurë të, EuroNews, sepse nuk kishte ardhur grupi i xhirimit akoma. Ose, jepet me figurë konferenca e Presidentit në Peshkopi dhe konferenca e Forumit për Demokraci që ishte bërë në Tiranë, s’kishte ardhur akoma në Televizion. Dy gazetarë të RTSH, që jepnin lajmet kryesore të ditës, kur unë thashë të dëgjojmë emisionin e tyre, më thanë, “Aman të dëgjojmë BBC, të marrim vesh të vërtetën se ç’bëhej”. Dhe me gjithë mend dëgjuam BBC.

Shumë formacione politike kanë dalë dhe kanë ikur…

Është kohë paradoksesh, po dhe vend paradoksesh xhanëm. Këtu tek ne bashkohen ish të persekuturarit me ish-komunistët. Sepse dhe unë mendoj që PS-ja ka ndërruar vetëm emrin. Dhe tani janë një front të persekutuar me socialistë. Në një front para disa kohësh ishte Partia Republikane me Legalitetin.

Njëra kërkon republikën dhe tjetra kërkon monarkinë. Dhe bashkëpunojnë bashkërisht të arrijnë në qëllimin e përbashkët. Se ku do të arrijnë vetëm ata e dinë. “Kemi disa dallime të vogla tha atëherë Godo,- por do t’i kapërcejmë”. Dhe harrohet kryesorja, forma e pushtetit.

Po për dialogun mes palëve çfarë mendon Filip Çakuli?

Dialogu është një tjetër çështje e cila ka të sajat. Secila palë e akuzon tjetrën si kriminele terroriste, të korruptuar e të tjera. Pala jonë e quan PS-në dhe udhëheqjen saj si një grup kriminal. Kurse socialistët e quajnë PD-në uzurpuese të pushtetit etj.

Pas kësaj, ata bëjnë ftesa për dialog, debatojnë, pranojnë ose jo. Me një fjalë (po t’i besosh deklaratat e tyre) del një dialog mes grupesh terroriste.

Po Europa ç’bën…?

Atë e ka gjetur belaja më e madhe. Shiko nga Partia Demokratike ka vërejte sa të duash. Shiko nga opozita keq e më keq. Ja, Europës është për t’i qarë hallin që çfarë të bëjë me ne. Dhe pastaj e ka gjetur, bëni dialog thotë, merruni vesh vetë. Çfarë dialogu të bëhet këtu. Rrezik kur shkojnë jashtë secila palë hipën në avionin e vet ose kur bëjnë takime me dikë, kur të dalë njëra vetëm atëherë futet tjetra, asnjëherë të dyja bashkë. As Europa e as perëndia nuk ka çfarë bën këtu.

Po gazetat si po i prijnë situatës?

Dhe me gazetat vazhdojnë paradokset. Dy gazetat e pavarura “Albania” dhe “Koha Jonë” janë në ballë të luftës në frontin që u është caktuar. Pas u vijnë Rilindja Demokratike dhe Zëri i Popullit që janë më të ekuilibruara. Madje Koha Jonë, kur Zëri i Popullit dhe Partia Socialiste janë në përgjumje, i kujton dhe i kritikon me editoriale “zgjohuni ju çfarë bëni, ku i keni platformat, planet, lëvizni”. Një gjë të tillë nuk guxon që të bëjë as Zëri i Popullit. Sa për RD-në nuk ka ç’i duhet të jetë aq e politizuar. Ka televizionin ajo.

Mitingjet nuk po reshtin megjithëse policia nuk jep shpesh leje?

Puna e mitingjeve është si ajo fjala e urtë: “Kërkoja nuk ta jep, merrja se nuk thotë gjë”. Me mitingjet. Në Tiranë ku kërkohen leje policia nuk i jep. Kurse në Vlorë s’ka nevojë për këto formalitete. Madje policia u thotë protestuesve në çfarë ore do të dilni ju që të rakordojmë oraret dhe mos ngatërrohemi. Ose kur i tha njëri policit “a ta lë pak makinën këtu para këtij institucioni?”. “Jo”, i tha polici, në asnjë mënyrë. Po ai tjetri tha pse e ka lënë”. Po ai nuk më pyeti mua?” Nga këto shembuj gjen plot.

Në Bathore për shembull nëse ata që janë vendosur aty po t’ia kishin kërkuar qeverisë atë tokë nuk do t’ua kishte dhënë askush. Kur e bënë fakt të kryer atëherë “e mo rrini tha qeveria, ta gëzoni”. Për shembull kisha dy shokë dhe që të dy donin leje për kioksë. Njëri që para pesë vjetësh depozitoi lejen në bashki, kurse tjetri e bëri pa leje. E takova një ditë të parin dhe i thashë hajde të shkojmë të pimë kafe tek ai tjetri. Kur ç’të shohim. Ai e kishte bërë tre katëshe atë kioskën e fillimit. Hë i tha këtij tjetrit e more lejen, jo iu përgjigj ky, po pres, se jemi shtet ligjor dhe respektoj ligjin.

Për mitingjet policia po tregohet vërtet e pavarur edhe PD-së nuk po i jep leje?

Me sa duket ka një marrëveshje mes partive. Sapo njëra çon kërkesën policia i thotë tjetrës po ti ku e ke. Hë mo bëje – i thotë ajo tjetra dhe pastaj policia i refuzon që të dyja.

Fajdetë, bota i kishte provuar me kohë. Pse ramë ne në këtë kurth?

Këtë ne e kemi nga shoku Enver. Me forcat tona. Dhe kapitalizmin duam ta mësojmë me forcat tona. Pse të marrim shembull nga bota, kur mund ta mësojmë vetë. “Ethet e arit” ne i provuam tashti në fund të shekullit të XX dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse “ethe ari” që përkoi dhe me psikologjinë e shqiptarëve, që të fitojmë pa punuar, gjë që na e ka rrënjosur në shkallën më të lartë socializmi.

Ministria e Brendshme i ka shtuar njoftimet për shtyp dhe televizion…

E di si është puna, ti Henri, me Ndrekën po pija në një lokal pranë Ministrisë së Brendshme. Kur çohet njëri nga një tavolinë tjetër dhe thotë: “Merrni një gjë nga unë. Ore, Ndrekë i thashë unë, ku e kam parë atë fytyrë. Lëre, më tha Ndreka e ke parë mbrëmë tek kronikat e zeza, si kriminel shumë i kërkuar. Ndërkohë Ndreka psherëtiu. E mor Gim Neza, ç’më bëre”. E kishte fjalën për mikun tonë, zëdhënësin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili mbulon dhe gjykatat, dhe që jo rrallë liron ata që kap Ndreka.

Në zërin e politikanëve të opozitës që flasin në mitingje antiqeveritare a nuk sheh ndonjë shqetësim, se mos ata kanë futur para me fajde?

Te politikanët unë nuk po dalloj një gjë. Tani që dhe ata sigurisht kanë humbur para me fajde, nuk e kuptoj, kanë vënë interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak apo interesin vetjak mbi atë të përgjithshëm. E kam fjalën nuk dallohet gjithë kjo luftë e tyre, bëhet për ideale të larta demokratike, apo për parat e tyre të humbura.

Filip, po me termat e të shkuarës ke mbetur, politikanët e kanë ndërruar me kohë fjalorin.

Dakord, po ata nuk kanë ndryshuar vetë.

Po botohen shumë ditarë sponsorizimesh a mos do të gjejmë dhe emrin tënd diku?

Me këta ditarët është bela e madhe. Dhe unë mbaj shumë ditarë. Për shembull kam shkruar para disa kohësh që sot do të kap një femër të bukur. Po ajo nuk ma ka varur pastaj. Por, në ditar po ta kapë policia, ajo quhet e kapur. Ose një herë kam shkruar “nuk jam dakord me qëndrimin e Bushit në Shtëpinë e Bardhë dhe thirra shoferin tim të mbante qëndrim ndaj Bushit”. Dhe kjo është shënuar në ditar. Nga këta ditarët çfarë nuk mund të presësh.

Bisedoi: Henri Çili

SHKARKO APP