Fjala e Pjetër Arbnorit në këshillin kombëtar të PD. Diskutimi nuk është pranuar të botohet në gazetën “Rilindja Demokratike”: Ne (PD) as fituam, as merituam fitoren- thotë Arbnori

(Botuar me 19 Tetor 1997 në KOHA JONE)

-Nga fjala e Pjetër Arbnorit në PD-

Tani ka njerëz që shiten si profetë. Unë përkundrazi kam qenë i bindur që do të fitonim zgjedhjet, nuk isha bërë gati për humbjen. Ndoshta ka ndikuar entuziazmi shkodran por edhe realiteti në Shkodër. Disa muaj më parë në bisedë me anëtarë me rëndësi të udhëheqjes së Partisë Demokratike dhe të shtetit, duke kritikuar shumë aspekte të punës sonë kam thënë: “Ne do të fitojmë përsëri por nuk e meritojmë fitoren”.

Ne as fituam, as merituam fitoren. Për shkak të rebelimit të armatosur por edhe për shumë arsye të tjera ne humbëm dhe humbëm keq, kjo nuk ndryshon asgjë në thënien time. Shkaqet janë të shumta. Disa analizën e nisin me shkaqet jashtë PD, jashtë Shqipërisë. Pa e mohuar ekzistencën e tyre, unë them se gabohen. Shkaqet duhet t’i kërkojmë brenda nesh, brenda PD. Po e filloj nga vetja ime. Gjatë viteve kam vënë re gabime, të meta, dobësi e faje. Një pjesë të këtyre gabimeve i kam vënë në dukje, duke folur publikisht, kam bërë vërejtje në kryesi, në Këshillin Kombëtar, në kuvende të Partisë ose në Kuvendin Popullor. Nuk kam folur shumë, por kam folur. Ka qëlluar që fjalime të rëndësishme, siç ishte fjala ime kritikuese për votëbesimin e Qeverisë është censuruar, madje është hequr fare nga programi i televizionit, sado që u dhanë diskutimet e plota të të gjithë deputetëve të tjerë. Jam ankuar ku duhej dhe më janë përgjigjur me rrudhje krahësh. Për gabime e të meta të tjera u kam shkruar instancave të ndryshme dhe titullarëve përgjegjës. Faji im është se nuk kam ngulur këmbë për ndreqjen e gabimeve për të cilat kam shkruar. Kopjet e letrave i kam. Nga data 30 qershor deri më 14 korrik kam kërkuar disa herë mbledhjen e Kryesisë së Partisë dhe Këshillit Kombëtar për të filluar analizën e humbjes dhe masat që duhen marrë. Asnjëri s’e vuri atë ujë në zjarr. Edhe përpara nuk janë bërë mbledhje të rregullta të Partisë, sidomos në momentet kyçe.

Vazhdimisht hartimi i listave të kandidatëve për deputetë dhe sidomos i listave shumemërore ka qenë një rrëmujë e vërtetë që të mos themi një seri pazarllëqesh jashtë forumeve të Partisë. Dhe prapë ditën e fundit dalin lista me ndryshime që as i merrnim me mend e që nuk dihet se si janë hartuar. Pse u la jashtë liste Ali Spahia? Disa njerëz thonë pa u menduar se është konsumuar. Komunistët janë përpjekur që nga fillimi i viteve ’50, jo ta konsumojnë po ta bluajnë me gjithë kocka Ali Spahinë dhe nuk ia kanë dalë dot. E futën në burg në vitet ’60 ku qëndroi me dinjitet. Që në ditët e para të demokracisë u bashkua me PD dhe gjithmonë ka qenë shtyllë. Po pse nuk merret parasysh qëndrimi i tij i palëkundur në zgjedhjet e para pluraliste kur Shkodra solli në parlamentin komunist 1/5 e deputetëve demokratë të të gjithë Shqipërisë? Pse nuk merret parasysh qëndrimi i tij i paepur e dinjitoz më 2 prill 1991 dhe në të gjitha momentet vendimtare të PD? Pse nuk merret parasysh barra tejet e rëndë e kryetarit të grupit parlamentar të PD që jo një herë ka qenë si fole grerëzash dhe duhej heroizëm për ta mbajtur bashkë? Pse nuk merret parasysh roli i tij i rëndësishëm si anëtar, pastaj si kryetar i delegacionit të përhershëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Është e saktë që Ali Spahia e ka shpesh fjalën e rëndë, ta thotë mendimin troç gjë që e bën armik me njerëzit, shpesh ka një ironi deri në sarkazëm. Këto janë negative por që jo një herë i ka përdorur me hak. Mendoj se duhet mbajtur parasysh pjekuria, zotësia, vendosmëria dhe mbi të gjitha besnikëria e tij.

Herë pas here ka pasur kritika të drejta ndaj punës së PD, udhëheqjes së saj. Fatkeqësia është se në shumicën e tyre këto kritika i kanë bërë njerëz me më shumë të meta se vetë të kritikuarit ose që i kanë bërë nisur nga motive personale karrigesh ose mllefesh. Sidoqoftë, ka shumë gjëra që duhen ndrequr lidhur me demokracinë në forumet, lidhur me politikën personale të kuadrit dhe me përqendrimin e pushtetit në duart e pak njerëzve. Zgjedhjet sa për formë sjellin demokraci sa për formë. Secili duhet të marrë pjesën e fajit të vet dhe të meritave të veta. Demokracia duhet të zbatohet pikë për pikë. Forumet duhet të funksionojnë në rregull. Jam kundër zgjedhjeve me një kandidat, jam kundër zgjedhjeve pa diskutim kandidatësh. Ka pasur zgjedhje jo të fshehta ose sa për formë. Jam kundër mbylljes së diskutimeve pa filluar analiza e vërtetë. Jam kundër praktikës që kur vjen koha e votimeve, një e treta e delegatëve kanë ikur me kohë.

I them këto gjëra jo që të përfitoj nga rasti dhe të sulmoj djathtas e majtas për të dalë shpëtimtar i situatës. Unë jam për përgjegjësinë kolektive të Kryesisë së Partisë dhe të Këshillit Kombëtar. Si mund të justifikohemi kur nga 19 anëtarë vetëm tre fitojnë direkt në zgjedhje dhe gjashtë fitojnë me listë. E nderoj Shkodrën, Malësinë për fitoren gjithmonë të bujshme por demokracia në Shqipëri pësoi një disfatë dhe ne duhet të përgjigjemi për të. Kur rrokulliset guri do të shkojë deri në fund. Pastaj njerëzit me vullnet do të fillojnë ta ngrenë nga e para. Të dobëtit dhe frikacakët do të gjejnë shkaqe për t’u larguar. Ai që vret veten nuk ia ka borxh gjakun kujt – thotë Kanuni. Mua do të më keni gjithmonë anëtar të Partisë Demokratike dhe deputet besnik të saj, por gjërat do t’i them siç i ndiej. Politika e kuadrit ka qenë plotësisht e gabuar. Nuk kemi pasur zyrë kuadri me përgjegjësi të plota në PD, por emërime mbi njohje personale miqësi, nepotizëm. Zëri i PD dhe i zgjedhësve lidhur me kritikat për kuadrot qendrore duhej sjellë lart. Disa ruhen se mos prishin qejf. I kam thënë gjërat që nga i pari deri tek i fundit, herë me zë të ulët herë me zë të lartë.

Zhulali – Kam folur qartë e prerë: sa mori votën e parlamentit as u duk në Kuvend, le që nuk foli një herë. I kam hequr vërejtjen që të vinte, i kam thënë se duhet të sajdiste ata që i kishin dhënë votën. Grupi parlamentar votoi kundër tij, pati vetëm 9 vota pro. Kryeministrit as i ka dhënë llogari as ka marrë pjesë në KM. Reformën e kishte bërë të gënjeshtërt. Me disa përjashtime gjithë oficerët demokratë i kishte bërë komandantë togash, kompanish e shumta batalionesh.

I jam ankuar Presidentit: Ushtria në mënyrë demonstrative ka votuar kundër në Referendum. Nuk ishte punë fasulesh. Derisa gjendeshin mijëra e mijëra dollarë për pritjet dhe udhëtimet, duhet të ishin gjetur edhe disa qindra thasë, fasule për ushtarët. Tradhtia e tij ishte e hapur. Personalisht kam refuzuar të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Mbrojtjes derisa ai bënte pjesë akoma aty. Nuk reagon njeri.

Po Serreqin kush e mbronte? Edhe atij nuk i besonte grupi parlamentar. Unë flija në hotel me dy yje, ai me pesë. Unë pija ujë, ai çdo natë shishe shampanje me pritje, pa pritje. Jam ndeshur me të në sy të Presidentit kur propozoi ambasadorë, njerëz që të vetmen vlerë kishin se ishin njerëz të tij të afërt. Po të ishte ashtu emëroja në poste gjithë kushërinjtë e mi që i kam shumicën pa punë e për të cilët nuk kam ndërhyrë që të futen as shoferë.

Kam pasur rezervat e mia për shumicën e ministrave të brendshëm, sepse nuk arritën të vendosin rendin si duhet.

Në fund të fundit dy gjëra janë vendimtare në një shtet: rendi mbështetur në ligjin dhe pagesa e taksave. Ne bëmë përmirësime po pastaj patëm rënie. Policin nuk e kish më frikë njeri, polic demokracie! Vitin e fundit pagesa e taksave arriti në 20 për qind. Një popull që nuk paguan taksë për tokën, për të ardhurat, për doganat, për gjobat, për dritën, ujin, plehrat, jo vetëm nuk bëhet nënshtetas korrekt, por edhe nis e kupton shtetin vetëm si një lopë që duhet mjelë.

Kanë nisur tani të thonë disa për t’i dhënë zemër vetes: Hajt se Nano nuk jeton as tre muaj, as gjashtë muaj. E kanë gabim. Nano do të ketë dorë më të fortë. Edhe rendin do ta vendosë, edhe taksat kanë për t’i paguar njerëzit. Ai ka gati strukturat e sigurimit, me emra të ndërruar, ka edhe përvojën e komunizmit kur merrnin tatim për tokën, edhe mish, edhe lesh, edhe vezë dhe thoshin jemi shteti i vetëm pa taksa në botë.

E si mund të dalë me sukses ligji për kthimin e pronave kur për këtë ngarkohen dy njerëz të kundërt në natyrë e armiq me njëri tjetrin në koncepte: Bashkim Kopliku e Petrit Kalakulla. Dëshira për t’ua bërë qejfin të gjithëve na bëri armiq me të gjithë, por na armiqësoi sidomos me ata që përfituan padrejtësisht dhe iu hap oreksi.

Në pamje të jashtme deputetët i kishim zgjedhur mirë: edhe doktorë, edhe profesorë, edhe artistë, edhe sportistë. Por në brendësi deputetit i duhet të jetë edhe aktivist e militant. Për fat të keq pak prej tyre kanë qenë të tillë. Ka ndodhur që tjetri të bëhet deputet pa qenë fare anëtar i PD, madje pa e ditur se ku bie selia e PD në rreth. Janë kultivuar njerëz pa iniciativë. Për politikën e kuadrit nuk janë marrë parasysh mendimet e Këshillit Drejtues në rrethe.

Në vend që të vazhdonim që të mbështesnim dhe të mbështeteshim te ish të përndjekurit politikë, në veprimet tona praktike u shkëputëm nga një pjesë e tyre dhe u lamë fushë të lirë të majtëve që t’i marrin nën sqetull ata. Të gjithë e dinë se sa u heq zemra komunistëve për të ndihmuar viktimat e tyre!!! Mbasi fituam në mënyrë të tepruar në zgjedhjet e 26 majit, në fillim të korrikut mbajta një fjalim në mbledhjen e kryetarëve të Parlamenteve të Këshillit të Europës në Budapest. Thashë që tani e kishin të hapur rrugën për Kushtetutën, të cilën duhet ta miratonim shpejt. Ne kishim shumicën, 50+1, apo 2/3 apo 3/4, po të doni edhe 4/5. Ç’na pengonte të bënim një Kushtetutë model të një republike parlamentare duke marrë parasysh edhe vërejtjet e opozitës dhe sugjerimet e Këshillit të Evropës?

Propozimi im këtu u quajt i parakohshëm. Ku u prish pozita me opozitën për Kushtetutën? Në themel kryesore ishin dy pika: pika 7, që fliste për qenien e detyruar të Kryetarëve të Komuniteteve fetare nënshtetas shqiptarë prej 20 vjetësh dhe mospranimin nga opozita i qenies së Presidentit Kryetar i Këshillit të Drejtësisë. E ç’na bëhej po t’i pranonim dy vërejtjet e opozitës? Asgjë.

Për pesë vjet nuk qemë të zotët të bënim Kushtetutën edhe pse nuk na mungonte gjë. Taktikisht gabuam kur u dhamë rast të gjitha partive të bashkohen kundër nesh, gjë që na çoi në humbje. U krijuam të gjithëve përshtypjen se nuk duam kushtetutë.

Ndërsa ne nuk qemë të zotët, tani u dhamë shansin kundërshtarëve tanë politikë që t’i afrohen realisht kushtetutës. A kish rast më të mirë që pas fitores së 26 Majit të falnim Fatos Nanon, t’u lëshonim sheshin Skënderbej demonstrantëve dhe të trajtonim me zemërgjerësi opozitën duke ia lënë hapur rrugën për veprimtari demokratike. Përse nuk pranuam propozimin e amerikanëve për të përsëritur zgjedhjet në 40 zona. E ç’na bëhej ne, fitoren e shumicës e kishim të sigurt. Kokëfortësi e pajustifikuar?

Tani na i morën të gjitha dhe na i morën pa faleminderit. Ne e liruam Fatos Nanon kur ai ishte në shtëpi, i dalë pa lejen tonë. Është folur shumë për të djathtën. Ajo doli flluskë, pa kurrfarë fuqie, pa bosht, me shumë udhëheqës të gjithë kandidatë për presidentë dhe pa asnjë njeri që ta përfaqësonte tamam këtë të djathtë. Ajo pati vetëm një fuqi reale: t’i bëjë dëm PD dhe ta ndihmojë direkt ose indirekt PS. Nuk është turp të jesh i majtë. Është turp që kur je i majtë shitesh i djathtë.

E majta ka qenë gjithnjë e mbështetur fort tek ekstremizmi, te komplotizmi, kryengritja e armatosur, ka pasur edhe krahun e vet të moderuar që ka qenë një realitet pa fuqi dhe të tjerët e kanë përdorur për kozmetikën e partisë. Ka pasur dhe ka shumë njerëz pozitivë, specialistë të shquar, shumica e tyre kanë hapsat e kashtës në dorë.

E Djathta e Bashkuar Shkodrane u krijua për shkak të gabimeve tona. Në Shkodër nuk ka as Ball, as Legalitet të fuqishëm në numër. Votuan për një kryetar bashkie të papjekur që nga njëra anë nxiti Vlorën majtiste në kryengritje, nga ana tjetër u bë major i Zogut. Ishte protestë ndaj alternativës sonë.

U zgjeruam si vaji në lakra duke futur në radhët tona edhe nga e majta, të cilët kurrë nuk bëhen me ne, sado që t’i trajtojmë mirë, edhe njerëz të ndryshkur, që nuk janë fare demokratë por që e kanë mendjen te privilegjet e vjetra. Edhe politika që doli si rezultat i këtyre kompromiseve qe e paqëndrueshme. Ne bëmë zhurmë me tamtame kundër ish-sigurimsave dhe kurrë nuk kafshuam: edhe se nuk i kishim me gjithë mend kërcënimet edhe se nuk kishim dhëmbë. Sa zhurmë u bë për ligjin e gjenocidit, brenda dhe jashtë nëpër botë? Sa u realizua? Pothuajse aspak. Vetëm dhjetë a pesëmbëdhjetë vetë u privuan nga e drejta reale për t’u futur në Parlament. Këtyre njerëzve ne veçse ua shtuam popullaritetin, i bëmë vetë të njohur.

Do t’ju them një bisedë konfidenciale që kam pasur me Peter Shiederin, Kryetar i Grupit Socialist në Asamblenë e Këshillit të Evropës. “Unë – tha ai nuk e njoh Fatos Nanon, nuk e di nëse ka vjedhur apo është i pafajshëm dhe i keni rënë në qafë ju. Po një gjë e di me siguri. Ju, duke e burgosur e keni kthyer atë në martir, i keni ndihmuar përkrahësit e tij që të mblidhen rrotull një idoli që do të vijë duke u forcuar. Kudo në botë ka çështje korrupsioni të qena e të paqena. Në raste të tilla, sidomos kur ishte fjala për kryetarin e opozitës hetimi bëhet në gjendje të lirë dhe është gjykata ajo që vendos.

“Jo më pak se tre-katër herë në praninë e udhëheqjes kryesore kam shtruar problemin: Do t’i përmbahemi ligjit të gjenocidit? -Po patjetër ka qenë përgjigja, madje do të ishte tradhti po të lëshonim pe. Dhe ç’ndodhi. Erdhi projektligji për amendimin e dytë të gjenocidit.

Ideja e këtij ndryshimi ishte që ta shndërronim atë në një rrjetë absurde që linte të kalonin peshqit e mëdhenj dhe zinte peshqit e vegjël. Unë votova kundër amendimit, por nuk e pengova atë. Tani do të kemi në krye të institucioneve trashëgimtarët e pastër të komunizmit, të sigurimit të shtetit, të frymëzuesve të kryengritjes së armatosur dhe kemi hequr nga radhët tona shumë njerëz të mirë, të vendosur, vetëm se kanë bërë gabime njëqind herë më të vogla, një mijë herë më të vogla se ata që i ligjëruam për në pushtet. Ne kemi ndjekur një politikë me arnime. Politika nuk bëhet duke mbyllur punë. Nuk ditëm të trajtojmë të mundurit. Të kuqtë me humbjen e parë e fjetën mendjen dhe një palë nisi të shikojë punët e veta, ne vazhduam t’i ngacmojmë me fjale, pa u bërë asnjë dëm real. Ata e quajtën nga kjo veten te përndjekur, u acaruan dhe kaluan në ofensivë.

Ne nuk kemi ditur të sajdisim aktivistet, militantët. Nuk flas për shpërblime materiale. Mund të viheshin në presidiume me raste festash, të merreshin jashtë shtetit në ndonjë delegacion, t’u kërkohej një mendim. Ne kujtoheshim për ta vetëm kur kishim nevoje. Ata i kishim pranë në çdo rast të vështirë, edhe tani. Shpesh pyesim pse ndodhi kjo apo ajo. Si duhej të vepronim, çfarë taktike duhej të ndiqnim. Do të them unë një nga arsyet kryesore përse humbëm: kemi pasur shumë pak njerëz që ishin të zotët të loznin gishtin brenda ligjit.

Ne nuk kemi pasur forcë prandaj kot përpiqemi të justifikohemi duke thënë se i zgjidhëm problemet me tolerancë. “I kemi falur fshatarësisë pesë vjet tatimet e taksat” Posi! Qemë zemërmirë! Jo, jo, nuk ishim të zotët për t’ua marrë. Mijëra ndërtime pa leje, pushtime pronash, kioska pa leje. Le të hanë një kafshatë bukë thoshim. Le të hanin, po gjobat pse nuk i paguanin, taksat përse nuk i lanin, lejet përse nuk i nxirrnin. Do ta shihni tani se si do t’ia paguajnë Fatos Nanos dhe Arben Malajt. Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë që para zgjedhjeve të majit 1996 kur u propozua që Presidenti të udhëhiqte fushatën kam thënë: “Ta ruajmë Presidentin, mos ta konsumojmë për fushatë”. Nga disa jam keqkuptuar, nga disa servilë jam sulmuar. Doli se Presidenti mbingarkoi veten, e mbingarkuan të tjerët, u gënjyem nga mitingjet e mëdha dhe dështuam keq.

Në zgjedhjet kundërshtarët e majtë na bënë pikërisht ato gjëra për të cilat u ankuan vetë aq shumë: Na vranë, na vodhën, bënë kërcënime, bënë mashtrime. Këto nuk janë justifikime, janë të vërteta. Megjithatë ne e merituam humbjen.

Një shembull: Dodë Doçi, kriminel në kërkim që grabiste me maska njerëz në Lezhë u caktua anëtar komisioni i Partisë Socialiste në kutinë nr 27. Tentoi të fuste me dhunë në dhomën e fshehtë dhe ta mësonte për kë të votonte Tom Zef Shtjefnin. Ky refuzoi dhe kur doli e vrau. Tani shëtit i lirë. Mundet që do të bëhet edhe kuadër në këtë demokracinë e re popullore.

Ne në Shkodër punuam e fituam. Fituam bujshëm sepse edhe Ali Spahia ka fituar pavarësisht nga komunikata. Ndaj tij kanë përdorur të gjitha mjetet e dhunshme që të mos i dëgjohej zëri në Parlament. Edhe fitimtari i vetëm i DBSH është demokrat i mirë, shqiptar i mirë. Në Shkodër punuam ndryshe. Së pari rindërtuam Partinë duke komanduar dy djem të mirë në krye të saj. Pastaj aktivizuam militantët e vjetër dhe veprimtarët. Kandidatët punuan edhe në zona të tjera duke ndihmuar shokët. Komisionet i zgjodhëm sypafjetur, nga ata që nuk bliheshin më parë. Aty ku na i blenë votat u rrezikuam. Edhe në degën e PD përpara është vepruar gabim. Janë hequr njerëzit pa gjetur të tjerë më të mirë e më të zotë se të shkarkuarit.

Marrim si shembull Ludovik Degën, ish Kryetar i PD në Shkodër. 28 vjet mësues malësive. Njohës i shkëlqyer i fshatit dhe i shpirtit njerëzor. Pjesëmarrës i demonstratës së parë antikomuniste të 14 janarit 1990 për rrëzimin e bustit të Stalinit. Unë sapo kisha dalë nga burgu, ai më lajmëroi për këtë demonstratë dhe për përgatitjen e saj. Që në fillim nuk i është ndarë punës për forcimin e PD në Shkodër. Kur nuk e kandiduan më kryetar pati një protestë masive mes aktivistëve. Pas kësaj pati një rënie të dukshme të punës së PD në Shkodër.

Edhe pasi u hoq Ludovik Dega, të gjithë Kryetarët e Sekretarët dhe aktivistët edhe sot tek ai shkojnë për të pyetur si t’ia bëjmë, atij i kërkojnë ndihmë për çdo problem, ai ka njohje dhe afri me njerëzit e të gjitha shtresave. Thotë dikush se flet pak dhe nuk mban fjalime.

Ai vërtetë nuk shquhet për fjalime pa bukë, por dallohet për punë të gjallë me njerëzit. Ai dha ndihmesë të madhe edhe në këtë fushatë për fitoren e shumë deputetëve të PD në Shkodër. Jam i sigurt se edhe sot po të shtrohet çështja e tij, ai do të fitonte shumicën e votave në favor kudo që të zgjidhej.

Te këqijat në Shkodër i kemi pasur gjetiu. SHIK-un në Shkodër, sado që e kemi emëruar vetë e kemi pasur kundërshtar të tërbuar. Makina e SHIK-ut shpërndante materialet e DBSH që na shanin, oficerët e SHIK-ut propagandonin hapur kundër PD. Jam ankuar për këtë deri në shkallët më të larta shtetërore dhe në vend që të merreshin masa, oficerët kundërshtarë janë graduar në detyrë. Pasi të shqyrtojmë gabimet tona atëherë kemi të drejtë të shqyrtojmë edhe shkaqet që janë jashtë PD ose jashtë Shqipërisë, kundër nesh. Jo se nuk kishim edhe gjëra që na turpëronin po ato u panë me anësi, u fshehën anët tona të mira.

Policia i rrahu demonstruesit më 28 maj, bota u tund me të drejtë. Ne na vranë më 29 qershor, bota foli me hipokrizi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Këtu qëndron double-standardi i turpshëm. Humbja jonë sigurisht ka lidhje edhe me interesat e fuqive të mëdha e të vogla në Ballkan. Nuk është çështja se ne u bëmë befas armik me dikë, por është problemi se të tjerët kanë politika globale e strategjike që janë shumë më të mëdha se politika jonë, e cila e ka krahun e shkurtër. Një gjë është e vërtetë: Tani vihet re një dorë më e lirë për shtypjen e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni. Shumë muaj përpara i kam thënë ambasadores amerikane: “Disa gjëra i dimë se si janë, ca të tjera i marrim me mend se si mund të jenë, por ka edhe të tjera që do t’i marrim vesh kur të hapen letrat e fshehta pas 30 vjetësh”.

Lojtarët e shahut më përpara mbrojnë mbretin, mbretëreshën, kalanë etj. Ushtarët janë të parët që sakrifikohen e të fundit që mbrohen. Edhe ushtari mund të bëhet mbretëreshë por duhet të kalojë shumë peripeci më parë. Pasi të shqyrtojmë çështjet e gabimeve e fajeve tona drejt me sinqeritet e me guxim, atëherë do të kemi të drejtë të shqyrtojmë edhe shkaqet që realisht nuk vareshin nga ne dhe që çuan në humbjen e 29 qershorit.

Nuk kemi pse trembemi të themi se gjendeshim të rrethuar nga katër qeveri socialiste: Serbia, Maqedonia, Greqia e Italia, e para armike e deklaruar, e dyta me prirje negative ndaj nesh, ndërsa dy të fundit që duheshin trajtuar ndryshe dhe që nuk e fshihnin që me të majtën tonë merreshin vesh më lehtë se me ne. Kishim një Evropë në pjesën më të madhe me qeveri socialiste dhe kishim një Amerikë që për shkaqe të njohura favorizoi hapur më tepër se fshehur të majtën shqiptare. Një diplomat amerikan më ka pyetur në një takim zyrtar se çfarë mendoja nëse administrata e SHBA do të ndihmonte PS të reformohej. Unë i jam përgjigjur se administrata e SHBA kishte kohë që përpiqej për këtë reformim prandaj s’kishte përse më pyeste mua, por meqë kërkohej mendimi im do të sugjeroja që ndihma t’u jepej elementëve të moderuar dhe jo elementëve ekstremistë, gjë që për fat të keq ka ndodhur. Disa gjëra s’kemi ditur t’i bënim. Disa s’kemi mundur t’i bënim. Disa gjëra të tjera s’kemi dashur t’i bënim ndryshe.

Unë fola në njëjës fola edhe në shumës, por secili mund të flasë në vetën e parë, pastaj në të dytën njëjës e shumës. Kam thënë hapur në fjalim publik: Në rast se kudo më thonë me faj apo pa faj, Pjetër, na është mërzitur fytyra jote në televizor, largohu njëherë, zgjidhja më e mirë për mua do të ishte të thosha burrnisht: u largova, lamtumirë. Jo publikisht u kam kërkuar shokëve të afërm disa herë në momentet më delikate të shtetit: në rast se vlen dorëheqja ime për çështjen, unë jam gati që sot të jap dorëheqjen.

Më është thënë: Jo, Pjetër as që bëhet fjalë për ty. Kuptohet, kur flisja për vete, kërkoja të bëhesha shembull që të vepronin edhe të tjerët po kështu. Për sot kaq fola: ndoshta shumë, ndoshta pak. Në rast se më thonë fole pak, kam përsëri të tjera për të thënë. E rëndësishme është se kudo që të jem do të jem besnik i PD, besnik i demokracisë, besnik ndaj votës së popullit, i cili më nderoi duke më zgjedhur për të katërt herë deputet në Kuvendin Popullor.

Shënim i redaksisë: Diskutimi i mësipërm i zotit Pjetër Arbnori, ish-kryetar i Kuvendit Popullor dhe një nga themeluesit e PD është dërguar për tu botuar nga z. Arbnori në gazetën e partisë se tij “RD”, por redaksia në fjalë nuk ka pranuar. Redaksia e “Koha Jonë” duke qenë e hapur për çdo lloj mendimi të lirë vendosi ta botojë të plotë diskutimin e deputetit të PD.

SHKARKO APP