Flasin për 8 dhjetor 1990, Gramoz Pashko, Blendi Gonxhe, Edi Rama, Arben Imami, Pandeli Majko, Preç Zogaj dhe Frrok Çupi

(Botuar me 9 dhjetor 1998 në KOHA JONE)

-Flasin për 8 dhjetorin 1990, Gramoz Pashko, Blendi Gonxhe, Edi Rama, Arben Imami, Pandeli Majko, Preç Zogaj dhe Frrok Çupi- 

Si rrallëherë, ndodhi që politikanët u treguan të sinqertë mbrëmë për gati dy orë me radhë. Në liturgjinë e quajtur reflektim intelektual me rastin e 8 vjetorit të nisjes së revolucionit që solli demokracinë, nga kryeministri e deri tek anëtarët e kabinetit u shprehën të pakënaqur me bilancin e këtyre 8 viteve pluralizëm, por optimistë për ditët në vazhdim. Burrat më në zë të politikës aktuale dhe të mendimit intelektual bënë një kapërcim nga idealet e 90 e deri më sot, herë duke mbajtur frymën nga emocionet e herë duke lëshuar batuta “alla qeveritare”. Ishte pak e vështirë të dalloje se kush ishte sfondi e kush figura kryesore e mbrëmjes reflektimore. Si edhe herë të tjera në ekranin e madh dolën ditët e revolucionit, ndërsa nuk e kishin aspak të vështirë liderët e atëhershëm, shumica e të cilëve kanë sot barrën e rëndë të portofolit qeveritar. E nuk mungonte as kolona zanore e revoltës së para 8 viteve, repertori i zgjedhur i këngëve të “The Beatles”.

Ndërkaq, pasi këto imazhe ndërpriten, në skenë ngjiten njëri pas tjetrit, Gonxhe, Imami, Pashko, Zogaj, Rama, Çupi e Demeti. Kanë qenë shpotitës ndaj gjithë atyre faktorëve që sollën edhe bilancin e pakënaqshëm tani pas 8 viteve, ndonjë herë edhe ndaj njëri tjetrit. Duke listuar me kujdes ato gjëra që sot i mungojnë Shqipërisë. Arben Imami tha se padyshim një nga humbjet më të mëdha është vrasja e Azem Hajdarit. Ai shprehu keqardhjen për mosndodhjen e Hajdarit në atë sallë. Megjithëse, nuk mund të thuhet se lideri i dhjetorit nuk qe i pranishëm aty. Herë pas here ai shfaqej në ekranin e madh, me mikrofon përpara i flashkët e revolucionar duke iu drejtuar studentëve në mes të Qytetit Studenti. Gjatë reflektimit intelektual rezultoi se apelonte negativisht edhe e drejta më themelore e njeriut, ajo për të jetuar. Një e drejtë e kërcënuar nga kriminaliteti. Gjithashtu u fol shumë për baltë, për atë me origjinë politike, nga dheu, me origjinë mediatike etj. Diskutimin e fundit e bëri kryeministri Majko. Duke shtrënguar duart, të pranishmit premtuan se do të jenë aty edhe dhjetorin tjetër. Ndërkohë që qeveritarët morën rrugët të shoqëruar me eskorta, gjysma e Tiranës qe zhytur në errësirë duke përjetuar ndërprerjen e radhës së energjisë elektrike.

Blendi Gonxhe

Jemi këtu për të kaluar pak kohë së bashku, nën reflektimin intelektual për dhjetorin ’90 dhe e gjitha kjo nën vijën e ndryshimeve historike që kanë ndodhur në Shqipëri pas dhjetorit ’90. Ky nuk është aspak festimi i vetëm, më i miri dhe përfaqësimi më i saktë i lëvizjes studentore të viteve ’90. Jo nuk është aspak kështu. Dhjetori ’90 është një koncept shumë më i gjerë dhe e ka vendin e shenjtë në historinë shqiptare dhe ne sot duke qenë të pamundur për të organizuar një përfaqësi të plotë në përkujtim të kësaj date, të këtij muaji që ka hyrë në historinë tonë, menduam që të krijonim një bisedë bashkë me ju, me disa prej protagonistëve nga më të shquarit të kësaj lëvizje. Kjo duke mos dashur që të marrim përsipër të drejtën vetëm ne dhe vetëm këtu, dhe se vetëm kështu mund të festohet. Është e drejtë e të gjithëve dhe pjesëmarrja në këtë takim është e të gjithëve pa shkelur mbi të tjerët. Unë kam nderin që fjalën t’ia le një prej liderëve të asaj kohe, profesorit të Akademisë së Arteve që mori pjesë në latimin dhe në themelimin e asaj lëvizje që më pas, ndikuar edhe nga faktorë të tjerë, ndryshoi tërë jetën tonë.

Arben Imami

Miqtë e mi që aktualisht punojnë në Ministrinë e Kulturës më ftuan në këtë takim. Sigurisht që pata vështirësi për të ardhur dhe për të folur. Kjo për arsye se kam menduar se ne ishim disa njerëz, që ndoshta koha, rrjedha, rastësia, mbase një pjesë prej nesh e solli në atë vend dhe në atë pozicion. Së dyti sepse nga njëherë duke kujtuar ngjarje, njerëzit emocionohen dhe në vend që të flasin objektivisht për ngjarjen, flasin vetëm për veten e tyre. Dhe kësaj unë do të doja që ti shmangesha maksimalisht. E treta pasi nuk më pëlqejnë shumë këto momente tepër emocionale, të kujtimeve nga luftërat e shkuara. Megjithatë, pranova që të vij jo vetëm si një pedagog që u bashkua me studentët, për t’i dhënë dërmën e fundit monizmit në Shqipëri, por edhe për të folur dy fjalë ku jemi sot dhe çfarë duhet të bëhet nesër. Besoj se kjo do të ishte një qasje normale, një qasje e mirë. Nga ana tjetër sigurisht që lëvizja studentore më së shumti i përket Partisë Demokratike, pasi ishte partia që u lind dhe u formua nga kjo lëvizje. Por përfshi edhe partitë e tjera në të cilat jemi ne sot, sigurisht që janë pjellë e këtij pluralizmi. Nga kjo pikëpamje sot asnjë parti nuk i takon që të mbajë qëndrimet përjashtuese dhe nuk i takon që të pronësojë lëvizje të mëdha. Është bërë gabim në historinë tonë. Fjala vjen, lëvizja çlirimtare i është atashuar imazhit të një partie të vetme. Nuk është e vërtetë. Edhe gjatë luftës së dytë botërore ka patur më shumë se një forcë politike që ka dhënë kontribut në luftë. Është e sigurt se në atë rezistencë jo vetëm partitë politike, por kanë qenë më tepër se një shtresë se një klasë që kanë marrë pjesë në të. Mirëpo për fatin tonë të keq, ose për mallkimin tonë të përjetshëm gjithmonë përpiqemi që të përjashtojmë dhe kemi fatin e keq të madh të falsifikojmë historinë dhe ta instrumentalizojmë atë. Më së paku këtë gjë do të doja të bëja sonte. Mendoj që një lëvizje ka qenë në dy akse; nevoja për emancipim politik dhe liri politike dhe nevoja për emancipim civil, zhvillim, ajo që u përmblodh aq bukur në sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, jo vetëm një Shqipëri të lirë si Evropa e lirë, por edhe një Shqipëri të civilizuar si Evropa e civilizuar.

Natyrisht që kemi bërë shumë. Nuk jam i mendimit se është bërë pak në këto vite. Jam i bindur se nëse flasim përkrah emancipimit politik mundet padyshim që është fituar liria. Bile unë do të thoja sot, megjithëse jam anëtar i kësaj qeverie, se në Shqipëri aktualisht ka anarki. Ne nuk po dimë të miradministrojmë lirinë tonë, në mënyrë që ajo të bëhet e frytshme dhe të na japë mundësinë e bashkëjetesës në këtë komunitet të shqiptarëve dhe të këtij vendi. Padyshim që janë bërë hapa të mëdhenj në ekonomi. Lufta për pronën private ka qenë një nga themelet e lëvizjes së dhjetorit, një nga idealet e saj, ka qenë e lidhur kjo padyshim me dëshirën e studentëve për progres dhe për parim ekonomik shoqëror. Edhe në këtë drejtim padyshim që është bërë shumë. Nuk kemi më pronën e vjetër socialiste. Kemi shkuar drejt pronës private, por nuk po dimë ta organizojmë këtë ekonominë tonë të re, që shpesh është e shtrembëruar nga faktorët politikë, nga faktorët kriminalë, fjala vjen nga trafiqet e ndryshme dhe gjithsesi ende nuk po dimë që nëpërmjet kësaj prone të mund ta bëjmë këtë vend të jetueshëm. Të jetueshëm për vete, të jetueshëm për fëmijët tanë. Padyshim që është bërë shumë me të drejtat. Shqiptari nuk ka patur asnjë të drejtë para shtatë vjetësh. Padyshim që kemi një nga kapitujt më të mirë të të drejtave të njeriut. Problemi më i madh, e drejta themelore e barabartë për të gjithë ne, është e drejta për të jetuar. Në qoftë se secilit nga ne i pengohet kjo e drejtë, (kriminaliteti sot në Shqipëri është shumë i lartë, nuk dua të vazhdoj më tej të mbaj qëndrime politike pasi kam edhe bindje politike, por pa ia ngarkuar kujt mbi shpinë) mund të them se këto të drejta kanë nevojë të realizohen shpejt. Duke filluar nga kjo e më tej me Kosovën e cila ka qenë edhe pjesë e flamurit të lëvizjes studentore. Një nga sloganet e para të asaj lëvizje studentore, por edhe e programit të parë të PD-së. Kam përshtypjen se kjo ka ecur më mirë, sidomos këtë vit, por jo për shkakun tonë, për shkakun e shqiptarëve që jetojnë në shtetin shqiptar.

Le të shpresojmë se ky emancipim politik i shqiptarëve nga të gjitha këto drejtime, përfshi edhe Kosovën do të ketë një të ardhme të mbarë. Aksi i dytë ka qenë emancipimi civil që ne shqiptarët kemi kërkuar. Për fat të keq një pjesë e mirë e atyre djemve dhe vajzave që pamë aty nuk janë në Shqipëri, pjesa më e kulturuar e këtij kombi, gjaku i vërtetë i këtij kombi, mendja që duhet ta drejtonte këtë komb, dhe nuk janë këtu.

Në mënyrë të papritur ne shqiptarët, por në mënyrë të veçantë ata idealistë pa një mbështetje të mirë në realitetin shqiptar, e dinin që Shqipëria fillonte te stacioni i trenit dhe mbaronte te universiteti. Por nuk është kështu. Shqipëria paska pasur më shumë probleme, se dinim ne para tetë vjetëve. Këto probleme, këto plagë të mëdha sociale, kjo varfëri e tejskajshme që shqiptarët kanë jetuar për 50 vjet, u varfërua dhe shkoi më poshtë, duke bërë që këto vite, edhe ky emancipim social që do të ishte i nevojshëm mbështetur mbi parimet e komunikimit njerëzor, të mungonte në këto vite. Besoj se ka një të ardhme. Gjithmonë mendoj se nëse do të kishte një monument të madh për dhjetorin e ’90, për lëvizjen e studentëve do të ishte një përpjekje për tu ngjitur, ashtu si edhe lëvizja njerëzore në rrugën e përparimit, në rrugën e lirisë, progresit. Shembulli i studentëve që kapërcyen diktaturën komuniste, besoj mund të jetë një shembull një simbol, që edhe këto probleme që ne kemi sot të kalohen.

Gramoz Pashko

Do të dua të qëndroj në atë stil që e hapi Imami dhe të mos i kthehemi historisë për hir të historisë, sa më pak të përmendim kush ka qenë i pari dhe kush ka qenë i dyti, ra shi atë natë apo nuk ra shi atë natë, kush është akoma dhe kush nuk është më. Po të fillojmë të diskutojmë këto gjëra në një farë kuptimi do të jetë karshillëk. Unë dua të ndalem tek ato momente, ku sot tetë vjet më pas është bërë i qartë kuptimi i dhjetorit dhe ç’kemi fituar apo humbur në këto tetë vjet. E para gjë e rëndësishme e dhjetorit për mendimin tim ishte kuraja e jashtëzakonshme. Të gjithë ne patëm çuditërisht një kurajë që sot zor ne e shohim. Sot jemi më shumë apatikë. Ka plot momente që mund të kujtohen. Kishim një kurajë të habitshme, bile nganjëherë kujtoj dhe pyes veten kushedi se sa budallenj kemi qenë. Kështu qëndronin në sfidë dy botë.

Ndesheshin idetë e një shoqërie të re që po vinte me ato të një bote të vjetër dhe shumë pak konflikte për njerëz dhe emra, kush janë dhe kush nuk janë. Dhjetori pra bëri këtë gjë të rëndësishme; vendosi një agjendë, një program për të cilin studentët e hartuan, dhe që ka mbetur gjithë agjenda e shoqërisë shqiptare. Kalojnë qeveritë, bëhen zgjedhje, ndërrojnë partitë, ajo agjendë mbetet. Tre kolonat bazë; pluralizmi politik, të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut. Mund të bëhet diçka më shumë. Diçka më mirë, diçka më keq, apo edhe më pak, por agjenda mbetet po ajo. Edhe kjo i dedikohet asaj lëvizjeje. Atij grupi njerëzish që u mblodhën në kohën dhe momentin e duhur. Megjithatë në 8 vjet, Shqipëria padyshim ka fituar këtë agjendë, ka fituar prioritete, rrugë dhe është afruar më tepër drejt lirisë. Shqipëria afrohet shumë shpesh te kaosi shpëton dhe kapërcen. Po të kthehesh pas te dhjetori, mund të reflektosh ndryshe për gjërat që kanë ndodhur deri tani. Në konceptin se gjërat do të ishin bërë më mirë, po të ishin bërë më qetësisht, më gradualisht në mënyrë më me kompromise. Edhe kjo formulë mund të jetë e drejtë, por gjithkush që vjen pas ka të drejtë të gjykojë mbi atë që ka ndodhur dhe  reflekton mbi të. Ne që mund ta shohim sot, na bie përsëri barra për atë mesazh që dha dhjetori i ’90.

Le ta kujtojmë edhe një herë këtë mesazh dhe ta ruajmë atë parullë për të cilën dolëm, dhe kjo në mënyrë që Shqipëria të bëhet një vend i lirisë, një vend evropian, një vend i vlerave të shoqërisë civile. Ky mesazh, për fat të keq vazhdon të diskutohet. Vazhdojmë të ngelemi as në lindje e as në perëndim, as të lirë e as të palirë, as të hapur e as të mbyllur. Por mesa duket Shqipërisë i mungon një koherencë e brendshme, për të rifituar atë kurajë civile që e ndezi dhjetori. Unë jam si ata optimistët që them se gjithmonë ka një shpresë. Ka shumë rrugë ende për të bërë dhe do të doja që të gjithë ta kujtojmë këtë gjë.

Preç Zogaj

Nga mënyra se si kremtohen ngjarjet e dhjetorit në Shqipëri, të krijohet përshtypja se lëvizjen dhe pluralizmin e krijuan partitë dhe jo e kundërta. Unë po nxitoj ta korrigjoj këtë gjë. Pluralizmi hapi rrugën për lindjen e partive politike. Vazhdimi dihet. Nga ky këndvështrim, lëvizja e dhjetorit ’90 nuk mban përgjegjësi për deviacionet dhe përçudnimet e saj. Kjo lëvizje ka qenë dhe ka mbetur kombëtare dhe për këtë arsye ajo do të qëndrojë në histori. Tani po filloj refleksionin tim. Në datën 11 dhjetor të ’90, mijëra e mijëra njerëz u nisën për të shijuar momentin historik, atë ngjarje që në përfytyrimet tona të gabuara për kohën, mendohej se do të përkonte në epope të përgjakshme. Kishte rënë shi gjatë gjithë atyre ditëve dhe një miku im më tha: me baltë u bëmë, por me gjak jo. Nuk i pata dhënë rëndësi kësaj fjalie të cilën miku im ma tha me humor, por e kam kujtuar se balta në kuptimin konkret metaforik të fjalës u ngjit jo vetëm në rrugët e politikës dhe medias, por kudo.

Rikthimi plot patos i partive dhe individëve që kanë dalë nga ajo lëvizje duket se përmban jo vetëm atavizmin e shqiptarëve për të shtrydhur nga historia shumë heroizëm, gjë që ka bërë që e tashmja jonë të jetë kurdoherë e vështirë, ndërsa e djeshmja jonë kurdoherë e lavdishme. Por ky rikthim përbën në mjaft raste edhe thirrjen e gabimit të parë prej nga mund të ketë buruar balta në njërën anë, dhe konfliktualiteti në anën tjetër, si dy atribute negative. Jam tërësisht dakord me temën e këtij refleksioni që kërkon t’i shikojë ngjarjet e dhjetorit në perspektivën 80-vjeçare, dhe natyrisht ne që jemi tolerantë me kundërshtarët tanë, ne jemi tolerantë edhe me veten tonë. Nga një herë më lind në kokë një pyetje e tillë: çfarë do të ndryshonte sikur në 11 dhjetor, sikur mes nesh të kishim një orakull, apo një diell që sheh nën dritën e vet ardhmërinë. Dhe këta të na tregonin zjarret, shkatërrimet e ngjarjet e tjera që ka përjetuar tranzicioni shqiptar? Unë përgjigjem: studentët, intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë do të kërkonin përsëri pluralizmin, do ta kërkonin përsëri votën e lirë, pa të cilën nuk ia vlen të jetohet. Por ndërkohë ndofta do të kishim qenë të gjithë më realistë e më të urtë në përdorimin e lirisë. Për historinë tonë dhe për erën e përbotshme të ndryshimeve ku ishte edhe Shqipëria. Fakt është se ka pasur dhe ka pak parashikues dhe pak parashikime në politikën shqiptare. Sigurisht historia e zgjedh vetë shtratin ku rrjedhin ngjarjet e saj. Vështrimi tigërsirë i këtyre ngjarjeve nuk i ndryshon ato. Kjo është e sigurt, por ndofta na bën më autokritikë për të ardhmen.

8 vjet pas fillimit të protestave studentore, liria natyrisht nuk mund të mos japë rezultate, por sfida e burrave dhe grave të këtij vendi mbetet largimi i baltës. Largimi i konfliktualitetit dhe i varfërisë. Në këtë sfidë do të përfshihen të gjithë ata që më në fund, për shkak të edukatës apo edhe për shkak për pësimeve e ndjejnë thellë se vetëm shoqëria e rregullave e etikës në kuptimin e gjerë të fjalës mund të na çojë përpara. Politika konfliktuale që na ka ndjekur në këto vite po përjeton fazën e ezaurimit të plotë. Po ashtu edhe realiteti i deridjeshëm politik e ekonomik dhe mediatik, që ka synuar dhe synon të qëndrojë në skenë me devizën arrivizmi gjithçka, ligji dhe etika asgjë. Pa perspektivë është edhe urrejtja klasore e pjesës më të pagdhendur të ish-kastës komuniste të cilët duke e perceptuar gabimisht fitoren e socialistëve, kujtojnë se njerëzit e dhjetorit e të demokracisë të përfshirë në bashkëqeverisje u kanë hyrë në arat e baballarëve. Kundrejt një realiteti të tillë, një realitet i ri politiko-social dhe etiko-moral po kërkon të kristalizohet. Fjala është për një pol kulture, ndershmërie dhe shqiptarizmi ku përfshihen padyshim vektorët rinorë më të shëndoshë të qeverisë aktuale, një mori subjektesh politiko-shoqërore, si edhe mijëra e mijëra individë të lirë që punojnë dhe aspirojnë për një Shqipëri normale. Detyra e tij është shkëputja përfundimtare nga realitetet e vjetra politike që kanë dashur dhe duan kaosin dhe xhunglën. Realiteti i ri do ta mposhtë realitetin e vjetër, jo duke luftuar sipas zakoneve shqiptare, por do ta mposhtë duke e tejkaluar atë. Jam një nga ata njerëzit që e beson këtë. Unë shoh dritë në fund të tunelit. Ndaj mund të thuhet se lëvizja e dhjetorit ishte një lëvizje pa të nesërme, por jo pa të ardhme.

Frrok Çupi

Doja të theksoja faktin se sot festojmë një histori dhe për fat të mirë i largohemi historicizmit.

Mendoj se historia e këtyre viteve është historia e idealizmit në Shqipëri. E mira dhe e keqja burojnë te ky idealizëm. Mbase duket pak paradoksale por e vërteta është kështu. Në dhjetorin e ’90 u krijuan ato rrethana që të shfaqej idealizmi shqiptar me përmasa të tilla, dhe po tek idealizmi, te pjesa e dytë e tij vështrojmë tërë këto handikape që miqtë e mi parafolës i thanë. Nga vitet ’90 është fituar ai idealizëm që në filozofinë tonë njihet si idealizmi i kontekstit të parë demokratik dhe ky është normalisht një idealizëm mohues që kërkon përmbysje. Çfarë ndodhi më vonë? U përpoqëm me të gjitha kushtet e mundësitë tona të aplikonim idealizmin e kontekstit të dytë. Nga idealizmi pa demokraci në idealizëm demokratik në demokraci. Fakti që miqtë përmendin handikape të tilla në mënyrë realiste dhe poetike siç ishte dhe figura e gjetur e baltës tregon se idealizmi i kontekstit të dytë qe shumë i vështirë për t’u instaluar në Shqipëri. Idealistët shqiptarë në momentin kur duhet të bënin kthesën u shpërndanë, humbën, dhe s’u gjetën. Disa prej nesh ngelën me idenë e përmbysjes dhe vazhdojnë edhe sot me atë idealizëm. Një pjesë tjetër nuk qenë aq të zotët sa të aplikonin idealizmin e kontekstit të dytë sepse nuk ishin të përgatitur, ne dhe shoqëria. Praktikisht u ndodhëm përballë një ndjenje që krijon populizmi. Populizmi ishte ajo filozofi që mbështetej mbi bashkësinë fshatare. Nuk kuptuam se Shqipëria kishte kaq shumë fshatarë. Dhe pastaj nuk kuptuam se përdorëm koncepte tmerrësisht të egra që i egërsuam kështu fshatarët dhe i vumë mbi kokë. Nuk kuptuam se fshatarësia jonë kishte nevojë për informacion. Për fat të keq, shikojmë se shoqëria e sotme është e painformuar, shikojmë se është tmerrësisht e vështirë të informosh fshatarët.

Edi Rama

Të them të drejtën isha shumë mëdyshës për të marrë fjalën dhe për arsye që nuk është nevoja që t’ju marr kohën për t’ju thënë se cilat janë. Ndoshta arsyeja kryesore ishte që në këtë skenë unë kam hipur disa herë në një pozitë krejt tjetër dhe ka qenë goxha e kënaqshme që nga ajo pozitë unë përpiqesha për të demaskuar politikanët, politikën, klasën politike, skenën politike, e të tjera gjëra politike. Sot për fat të keq s’mund ta bëj këtë. Nga ana tjetër, s’mund të bëj zëdhënësin e skuadrës ku unë bëj pjesë. Nuk shkon as që ti bie rrugës më të lehtë e të ndërthur ca kujtime partizane e të rreshtoj me radhë të gjithë krahun “pozitiv” të idealistëve që sot janë dhe duke vënë të parin Majkon e duke vazhduar me të tjerët. As kjo nuk më shkon. Mund të merrja duartrokitje po të thosha për shembull: trëndafili i socialistëve në pushtet ka esencë dhjetori, ose po të thosha trëndafili në pushtet ka ngjyrën e gjakut të dëshmorëve dhe aromën e dhjetorit. Në këtë mënyrë do korrja me dhjetorin edhe duartrokitjet e atyre që ishin kundër dhjetorit në dhjetor. Por nuk shkon. Se kështu erdhi puna. Po shikoja këto videoklipet dhe është e qartë se varfëria e materialit lidhte edhe më një tendencë shumë të vjetër shqiptare dhe ideologjike për fshirjen e vazhdueshme të historisë, të dokumentit, të memories. E ky është një nga këto mësime të thjeshta që ne nuk e nxorën dot akoma nga historia. Historia duhet lënë aty ku është. Që fantazmat e saj nuk duhen provokuar nuk duhen ndjellë, që siç i thonë një fjalë skeletet në dollap nuk duhen ekspozuar, nuk duhen ndjekur në dritën e diellit se pastaj ato vetëm trazojnë shpirtin. Këtu në këtë skenë, tani po i lejoj vetes edhe unë një kujtim i qeshë përgjigjur një akuze që bënte Zëri i dikurshëm i Popullit, ose Zëri i Popullit të dikurshëm, që po hidhnim baltë mbi Enver Hoxhën dhe në mënyrë krejt spontane mua më erdhi të them se; ne nuk po hedhim baltë mbi Enver Hoxhën, por duam të heqim baltën që Enver Hoxha hodhi mbi ne.

Për fat të keq ne në vend që të ndihmonim njëri-tjetrin për të hequr baltën, ne; hiq nga vetja dhe bjeri tjetrit. Dhe fatkeqësia është se fitues doli ai, ai me A të madhe. Dhe vazhdojmë të jemi në këtë rreth vicioz duke treguar se jemi akoma të papjekur, jemi politikisht dhe shoqëri e papjekur. Dhe këtë papjekuri, infantilitet vuajmë. Këtë mungesë largpamësie për të parë, që duke luftuar pëllëmbë për pëllëmbë e shteg më shteg e humnerë në humnerë, praktikisht jeta po kalon dhe po humbasim shijen e saj. Tani do të them edhe një detaj tjetër. Duke parë skenat filmike në takimin me ish-presidentin dy-tre herë vura re Ilirin (zëvendëskryeministrin) dhe pyeta: është Iliri? Po patjetër edhe Iliri edhe Majko nuk flasin se: qengji i butë pi dy nëna. Do doja të ftoja atë qengjin e butë që na rri mbi kokë për të mbajtur fjalën.

Pandeli Majko

Ta paça borxh. Në fakt unë thirra Blendi Gonxhen dhe i thashë se nuk do të flas. Sepse këto përkujtime nuk janë për ata që quhen shtetarë. Sepse përpara se të vija këtu isha duke biseduar me Demetin për një punë. Demeti më drejtohej z. kryeministër, ndërsa unë z. ministër. Në fund fare; o Beno do shkosh në orën 7 atje, – do të shkoj. Pra pavarësisht se jemi shtetarë, vjen një moment ku fillon ai titulli njeri. Këtu po shoh Neritanin. E s’mund ta harroj se në ngjarjet e marsit, sapo ishte firmosur marrëveshja e 9 marsit që krijoi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar.

Ngelëm tre veta; Sali Berisha që po rrinte në krye, Neritan Ceka dhe unë. U çova dhe vajtja e i dhashë dorën presidentit të atëhershëm duke i thënë urime. Po arritëm vërtet diçka të madhe, ma ktheu Berisha. Unë nuk thashë urime për marrëveshjen, por kam marrë vesh se ke martuar gocën e unë si njeri po të them urime. Ndërkaq, u çua Neritani shumë herë më i prekur se sa unë dhe vajti te Berisha duke i zgjatur dorën e duke e përqafuar. Ne s’kemi harruar se dhe përballë kundërshtarëve tanë të ashpër në politikë, s’kemi harruar të mbrojmë titullin njeri. Sepse në thelb thirrja e dhjetorit ka qenë që shqiptarët t’i kthehen titullit njeri. Të shmangin luftën e klasave, përplasjen, konfliktin e të kthehemi te titulli njeri. Te kjo vlerë e pandryshuar për të cilën flitet shumë, por kur vjen pastaj për t’u përplasur në realitetin përkatës ne bazohemi te mekanizmi i urrejtjes. Kur isha në Bruksel me mjaft kolegë, anëtarë të qeverisë, me Pashkon në krah dikush më pyeti se a do të keni mundësi të bëni dialog me opozitën. I thashë mundësia ekziston dhe kjo është vërtetuar e vërtetohet. A keni mundësi përsëriti i huaji. I thashë: kam në radhën e opozitës njerëz që sado të ashpër të jenë, sado të egër të jenë, mishin mund të ma hanë, por kockën jo, vijmë nga e njëjta histori.

Përgatiti: P. GJATA, E. LESI

 

 

SHKARKO APP