Flasin për lirinë e shtypit; Preç Zogaj, Frrok Çupi, Ylli Rakipi, Armand Shkullaku, Andi Bushati dhe Fatos Baxhaku

(Botuar me 5 janar 1999 në KOHA JONE)

Në veshin e atyre që e dëshiruan aq shumë një shtyp të lirë, akoma shungullon si lajm i mirë, si ditë e mbarë 5 janari i vitit ’91. Ishte një ditë e ftohtë dimri, kur pas 45 vjetësh diktature edhe në media, u bë me tituj, u faqos dhe doli në treg gazeta e parë opozitare dhe e lirë. Dhe titulli i saj i shkonte shumë situatës. U quajt Rilindja Demokratike. Njerëzit që rendën atë ditë për të nxjerrë lajme, reportazhe e të tjera të këtij lloji, gëzojnë sot 8 vjet eksperiencë në shtypin pluralist. Gjatë kësaj periudhe ata kanë provuar thuajse të gjitha përvojat që të sjell media duke përshkuar rreziqe, pse jo edhe lavdi. Po si paraqiten sot standardet e profesionit ndër gazeta e në shtypin shqiptar në përgjithësi? Ku çalon e ku duhen shtuar përpjekjet? Përballë këtyre pyetjeve kanë reflektuar disa nga drejtuesit e shtypit.

PREÇ ZOGAJ, ish-kryetar i këshillit botues  në RD

Gazeta RD është e rëndësishme për historinë e saj si e para opozitare në Shqipëri. Me lindjen e gazetave të tjera, ajo mbetet si një nga gazetat e vendit. 8 vjet më parë gazetarët dhe botuesit nuk kishin njohuri për deontologjinë e shtypit. Gazeta qe e suksesshme për faktin se ishte e para opozitare dhe është e kuptueshëm suksesi i saj, por jo në lidhje me standardet profesionale. Gjatë këtyre 8 vjetëve shtypi ka shënuar progres shumë të madh. Por ka edhe mjaft probleme që lidhen më shumë me botuesit. Normalisht, shtypi në fillim lindi si pronësi e individëve të veçantë që kishin vetëm dëshirën dhe zellin për këtë punë, por jo aktivitet tjetër për ta mbështetur. Kështu, erdhi një ditë që lindi kontradikta e madhe pasi shtypi siç dihet në thelb nuk është fitimprurës. Ndaj në botë shtypi është pronë e firmave të fuqishme. Përpjekjet për të mbajtur gazetat të shkëputura nga biznesi çojnë në oscilacione të mëdha në vetë gazetat dhe në deformim të boshtit të tyre dhe rrjedhimisht në kriza që lindin pastaj kriza të tjera. Ky lloj shtypi e ka mbyllur një cikël e tani pritet të lindë një cikël i ri që është vendosja në kushte normale financimi. Sot ne kemi gazetarë profesionistë, por s’kemi një kuadër financiar ekzistent.. Kështu pronarët janë gjithnjë në ethe dhe kjo i detyron ata që ta godasin vetë pavarësinë e tyre, e nga e keqja të lëshohen nën influencën e grupeve të ndryshme. Mendoj se duhen gjetur zgjidhje të tjera si: shitje e aksioneve, krijimi i bashkëpronësisë dhe lidhje ligjore financiare me biznesin.

FRROK ÇUPI, kryeredaktori i parë i RD-së

Unë e nxora numrin e parë, tani le të flasin të tjerët.

FATOS BAXHAKU, pedagog në fakultetin e gazetarisë

Është bërë një përpjekje shumë e madhe për të arritur në standardet e duhura të shtypit. Por kjo është një rrugë shumë e gjatë dhe nuk ka se si shtypi të mos vuajë të metat që vuan e gjithë shoqëria shqiptare. Kështu shtypi është edhe protagonist, edhe viktimë e shoqërisë. Këtu kam parasysh gazetarët që janë njëkohësisht edhe qytetarë, pra kanë komplekset e tyre, kanë historitë e veta dhe janë të privuar nga uji, dritat e gjithë gjërat e tjera që nuk i kanë shqiptarët. Megjithatë, shtypi është sektori më i avancuar e më i emancipuar në krahasim me sektorët e tjerë të shoqërisë. Nisur nga kjo, njerëzit presin shumë prej tij. Kjo është edhe gurra nga ku burojnë gjithë ato kritika. Për mua janë të qarta disa nga të metat e shtypit. Kështu është rendja e tepërt ndaj lajmit politik, ka sjellë lënien në harresë të njerëzve të thjeshtë. Në shtypin shqiptar reflektohet vetëm jeta e kryeqytetit (aktiviteti i institucioneve kryesore të shtetit që ndodhen këtu). Në çdo organ të medias shqiptare mungon pasqyrimi i jetës së fshatit, kur dihet se 80% e popullsisë banojnë atje. Gjithashtu, rendja pas sasisë ka ulur cilësinë, kësisoj edhe besueshmërinë. E kjo është vërejtur sidomos vitin e fundit ku ka pasur një rënie të cilësisë në shumë zhanre gazetareske dhe në editoriale. Në fund të fundit ky është faji ynë kolektiv. Për sa u përket ditëve në vazhdim mendoj se shtypi do të jetë një faktor emancipues në shoqërinë shqiptare, dhe një ndër forcat kryesore të civilizimit. Kjo, jo e bazuar në shpresa, por në disa piketa konkrete dhe këtu kam parasysh gazetarët e rinj. Ka shumë gjëra që duhen rregulluar dhe nuk besoj se botuesit do të jenë më pak arbitrarë me gazetarët nga ç’kanë qenë deri tani. Ata do të jenë gjithmonë pronarë e kështu edhe arbitrarë. Përballë kësaj, gazetarët duhen organizuar dhe duhen vënë piketat e duhura profesionale, ashtu siç është urdhri i mjekut te bluzat e bardha. Pra, jo kushdo mund të ulet përballë një kompjuteri e të shkruajë kundër kujtdo e si të dojë. Para se të fillojë punën, një gazetar duhet të kryejë shumë prova e rregulla profesionale. E nëse rregullat profesionale nuk respektohen, duhet shkuar deri atje sa gazetarit t’i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit.

ANDI BUSHATI, kryeredaktor i Revistës Klan

Për mendimin tim, këta 9 vjet shtypi shqiptar ka kaluar në dy etapa. Në këta 9 vjet kemi kaluar nga një liri e munguar në një liri të shpërdoruar. Në periudhën e parë për gazetarët ka qenë tepër e vështirë të shprehnin atë që mendonin. Ne jemi dëshmitarë që shumë prej tyre ishin në konflikt të hapur me shtetin. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për Aleksandër Frangajn e Martin Lekën që u dënuan dhe përfunduan në qeli, por edhe për dhjetëra të tjerë, të cilët u ndeshën me pushtetin në gjykata e më të shumtët dolën me humbje. Në këtë mënyrë kemi ardhur deri te ngjarjet e marsit, ku duket se shtypi kaloi në një fazë të dytë. Kur media nuk ishte më nën trysninë e proceseve gjyqësore dhe ndoshta tamam nga kjo tregoi se i mungon sensi i autokontrollit. Në këtë periudhë, gazetarët treguan se s’dinë ta përdorin mirë lirinë e tyre dhe shpesh kanë rënë viktima të etjes për sensacion dhe të manisë së protagonizmit.

Mendoj se faza e dytë e lirisë së shpërdoruar është po aq e rrezikshme sa edhe e para, sepse në fund të fundit të dyja së bashku sjellin një dëm të vetëm; e vërteta arrin me vështirësi tek lexuesi. Ndërsa për ditët në vazhdim mendoj se pasi është kaluar etapa e parë, sa më shpejt që shtypi të çlirohet nga etapa e dytë, aq më mirë do të jetë për të.

YLLI RAKIPI, Kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë

Si paraqiten standardet në shtypin shqiptar sot?

Nëse do të flasim për standarde duhet të ndërtojmë raporte si me shtypin që ka qenë para vitit ’90 në Shqipëri, ashtu edhe me atë perëndimor. Këto raporte është më mirë t’i ndërtojmë me shtypin perëndimor. Po të bëjmë krahasimin me shtypin e mëparshëm të vendit tonë, pa dyshim që janë bërë hapa të jashtëzakonshëm. Ndërsa po t’i referohemi shtypit perëndimor duhet të pranojmë se shtypi ynë është i dobët. Ende s’kemi vlera të mirëfillta në këtë pikëpamje.

Nga anon raporti manipulim-informim objektiv?

Është një raport i vështirë për t’u përcaktuar, se shtypi ende nuk përbën një profesion dhe është subjektiv. Ekzistojnë shumë faktorë që janë përpjekur të marrin peng shtypin dhe më kryesori në këtë mes është politika. Përpjekja e shtypit për t’u ndarë nga politika ka qenë e madhe në fakt. Këtu kam parasysh gazetat e pavarura. Por kjo përpjekje duhet shtuar akoma më shumë që shtypi të shkëputet nga segmente të caktuara të shtetit dhe nga klane të caktuara. Në këta vjet, shtypi shqiptar ka bërë përpjekje serioze për t’u paraqitur si pushteti i katërt, por ende ka shumë për të bërë. E nuk mund të përjashtohet në këtë raport ana profesionale e gazetarëve. Shpesh ka qenë vetë shtypi që ka sjellë informacionin që i intereson dikujt duke i shërbyer partive politike që janë të interesuara të hedhin në opinionin publik programet e tyre. Në këtë mënyrë, partitë arrijnë ta fabrikojnë e ta manipulojnë opinionin.

A duhet të ndryshojë në favor të gazetarëve raporti botues-gazetar?

Është një raport i vështirë për t’u përcaktuar. Që kur ka lindur shtypi i lirë kanë lindur edhe interesat e kundërta të botuesve me gazetarët. Secila palë mbron interesat e veta në mënyrën e vet. Është për t’u thënë që botuesit duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj gazetarëve në aspektin ekonomik. Por nga ana tjetër, gazetarët duhet të kërkojnë më shumë te vetja për profesionalizëm.

ARMAND SHKULLAKU, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë

Po të flas nisur nga eksperienca ime duke qenë se kam punuar nga numri i parë i Rilindjes Demokratike e deri më sot, duke përshkuar rrugën shtyp partiak e shtyp i pavarur, në krahasim me vitin ’91, sot vihet re një përmirësim dhe progres për sa i përket profesionalizmit.

Pra, që shtypi këto vite ka rendur drejt informimit dhe respektimit të rregullave e kritereve profesionale. Në hedhjen e profesionale. Në hedhjen e këtyre hapave ka ndihmuar përvoja që ka ardhur në rritje, shkolla e gazetarisë si dhe kurse kualifikimi të bëra jashtë pa përjashtuar këtu referencën që u është bërë organeve perëndimore. Unë mund ta ndaja në tre periudha 8-vjeçarin e shtypit pluralist. Kështu nga viti 91 e deri në 94, shtypi ka gëzuar liri, por i ka munguar eksperienca e duhur profesionale. Në dyvjeçarin 94-96, shtypi ka arritur lulëzimin e vet. Kanë qenë këto dy vite ku janë shënuar kulmet gazetareske, ku janë evidentuar emrat e gazetarëve dhe tirazhet kanë kapur majën. Pastaj nga viti 96 e këtej vihet re një zhvleftësim i shtypit, një rënie. Tirazhet janë në ulje. Ka një mungesë të plotë të përgjegjshmërisë nga ana e reporterëve dhe redaktorëve në trajtimin që u bëhet lajmeve. Shkruhet sa për të marrë rrogë e honorare. Dhe pakkush punon për të përsosur stilin dhe anën profesionale. Për sa i përket raportit manipulim informim objektiv, them ka ardhur duke anuar nga informimi objektiv. Kjo vihet re në mungesën e fyerjeve, në shkuarjen drejt shtypit deontologjik si edhe në vendin që u lihet kundërshtarëve për replika. Pra shtypi po bazohet në kritere dhe rregulla profesionale./EDI LESI/

SHKARKO APP