Flet Arta Dade, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve: Nuk jam ministre reformash radikale
(Botuar me 12 Nëntor 1997 në KOHA JONE)
Flet zj. Arta Dade, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve: Nuk jam ministre reformash radikale
Arta Dade lindi në Tiranë, në mars ’53. Pas përfundimit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për anglisht, kreu kualifikimin pasuniversitar dhe më pas një kurs specializimi për metodologji, në Angli. Profesion të cilin vazhdon ta dashurojë, është mësimdhënia. Hobby i saj, letërsia dhe shëtitjet në natyrë. Nuk është supersticioze, sepse nuk i duket ta ketë përkëdhelur mjaftueshëm fati. Nuk ka asnjë ego të papërmbushur. Nuk i kushton mbivëmendje look-ut. Jeta e saj sentimentale ndërthuret mes realitetit dhe imagjinatës. Është nëna e dy djemve dhe së shpejti bëhet gjyshe.
Arta Dade, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për ju ky është post, përgjegjësi, apo përmbushje e egos?
E konsideroj përgjegjësi, obligim ndaj gjithkujt që votoi për ne, për partinë që përfaqësoj, por edhe ndaj gjithë shqiptarëve, pasi kultura është mbarëkombëtare. Ndërgjegje qytetare, ndihmesë në nxjerrjen e Shqipërisë nga kolapsi, sakrificë në vazhdën e sakrificave të shqiptarëve, në luftën për demokraci. Por në të njëjtën kohë është edhe privim i jetës private. Megjithatë kjo përgjegjësi sa më ngarkon me punë, po aq më dhuron kënaqësi.
Të qenit e pushtetshme ju bën të ndiheni e bukur, apo të qenit e bukur ju ndihmoi të bëheshit e pushtetshme?
Në jetën time përparësi kanë pasur gjëra më të rëndësishme sesa pamja, për të cilën, të paktën në rini nuk kam qenë shumë vetëdijshme. Pastaj më duket se bukurinë janë të tjerët që e konstatojnë. Këto kohë, gjej fare pak kohë për t’i kushtuar vetvetes dhe ndoshta kështu ka qenë ngaherë.
Sa e ndjeni veten të ndryshme nga koha, kur ju duhej të drejtonit vetëm një grup studentësh?
Në fakt, këtë ndryshim nuk po e provoj për herë të parë, tani që jam ministre. Që prej momentit, kur jam angazhuar në politikë, nuk kam drejtuar vetëm një grup studentësh. Qenia në opozitë, në kushtet kur opozita privohej, dhunohej, ndiqej, na dhuroi shumë përvojë pozitive, mua dhe politikanëve të opozitës, duke na ndihmuar të konstatojmë, të gjejmë rrugët e zgjidhjes dhe të përgatitemi për të drejtuar. Mandej të qenit pedagoge, auditori i madh në universitet, të jep mekanizmin e komunikimit dhe përcjelljes së mesazheve.
Posti i ministrit ka nevojë, sidomos për një komunikim më të njerëzishëm me gjithë personalitet që je e kushtëzuar të punosh në fushën e kulturës.
Kur u ulët në kolltukun ministror, ç’ndjetë t’ju mungonte nga koha kur bënit pedagogen?
Më mungonin studentët, auditori, lënda që e dashuroja aq fort. Sikur të isha pak më e lirë, do dëshiroja të shkoja sërish në fakultet, qoftë edhe me një numër orësh të reduktuar. Vitet e fundit pati një rënie të procesit mësimor dhe mua e kolegëve të mi na vinte keq, që mësimi nuk bëhej normal, studentët nuk ndiheshin të motivuar, që provohej një neglizhencë e theksuar në krijimin e kushteve të studentëve dhe veçanërisht në përzgjedhjen e pedagogëve, të cilët u morën në punë kohët e fundit.
Psh, nga nevojat që kishte katedra e gjuhës angleze janë marrë në punë edhe individë, që ndoshta nuk i përmbushnin të gjitha kushtet për të punuar në fakultet. Mendoj se shumëçka, me qeverinë e re do të rishikohet. Gjithashtu në rast se do të motivohen më tepër materialisht pedagogët, atëherë dëshira e njerëzve për të punuar në një institucion kaq të rëndësishëm, siç është Universiteti, do jetë më e madhe dhe individët më të kualifikuar do ta kenë vendin atje, e jo nëpër firmat private, ku bëjnë edhe punë të rëndomta, për një pagë më të madhe.
Kur e njohët politikën dhe pse pikërisht socialiste?
Unë mendoj se në formimin dhe karakterin tim jam socialiste, ose më mirë të themi e majtë. Pra nga natyra jam idealiste. Të qenit mësuese të bën të jetosh me shqetësimet e nxënësve. Pra, në përgjithësi janë disa veçori që lidhen me natyrën time dhe edukimin familjar, apo kohën në të cilën jam rritur e formuar. Jem edukuar me idealizëm, me dashuri dhe detyrim për sakrificë ndaj tjetrit. Këto janë vlera, që unë nuk i quaj antivlera, madje janë vlerat e vërteta, ku do të bazohet shoqëria për të cilën aspirojmë. Me hapjen e Shqipërisë, kontaktet me botën e jashtme i kemi pasur më të mëdha dhe e kemi prekur me dorë kontributin që realisht, socialistët e socialdemokratët japin në shoqëritë e civilizuara dhe demokratike.
Duan t’ju identifikojnë me një ministre reformash radikale. Kjo për shkak të shkurtimeve dhe ndryshimeve tuaja, në këtë dikaster?
Nuk e shoh veten si ministre radikale. Një ndër hapat konkretë që kam hedhur për reformimin e institucionit që drejtoj, ka qenë përzgjedhja e njerëzve që duhet të punojnë këtu, gjithmonë mbi bazën e profesionalizmit. Shpresoj të jenë emëruar persona të përkushtuar moralisht ndaj kulturës shqiptare dhe profesionalisht të aftë. Me ndërrimin e qeverive, më duket krejt i arsyeshëm dhe normal, rotacioni i drejtuesve të institucioneve kryesore, por nuk do t’i falja vetes që në vend të kujt lë detyrën, të vihen njerëz më pak të aftë, apo vetëm militantë. Deri tani kolektivat ku drejtuesit e rinj kanë filluar të punojnë, janë të kënaqur dhe jemi duke menduar si të fillojë funksionimi i çdo mekanizmi të këtyre institucioneve, nisur nga koncepte bashkëkohore.
Çdo jeni në gjendje ju të bëni më shumë se paraardhësit tuaj për kulturën shqiptare?
Është bërë zakon që ministrat pasardhës hedhin poshtë, apo nuk vlerësojnë punën e paraardhësve. Në rastin e qeverisë së re nuk bëhet fjalë për të sulmuar, por është realitet që ministrat e qeverisë së shkuar, mbajnë përgjegjësi për gjendjen në të cilën është zhytur Shqipëria. Unë si ministre dhe në mos ndërtofsha shumëçka, të paktën do pengoj shkatërrimin e mëtejshëm të vlerave kulturore. Në kulturë janë akumuluar shumë probleme të cilat kërkojnë zgjidhje emergjente, por ka edhe probleme që duhen studiuar e kërkojnë zgjidhje afatmesme e afatgjata. Kam parasysh debatin që do të nisë për politikat kulturore, për rrugët në të cilat do të ecin institucionet e do të ecin institucionet e rëndësisë kombëtare në kushtet e ekonomisë së tregut.
Pra, deri në ç’masë do të privatizohen, decentralizohen, do të jenë në varësi të pushtetit lokal dhe cilat do të jenë mekanizmat financiarë të funksionimit të tyre?
Në mënyrë që gjithçka, deri në imtësi të jetë e studiuar, pasi nuk kemi kohë për të humbur me eksperimente, do të bëhet një debat mbarëkombëtar për problemet e kulturës, ku do të ftohen shumë ekspertë të Këshillit të Evropës, madje edhe ekspertë të vendeve të cilët kanë kaluar në të njëjtat etapa, në të cilat po kalon së fundi Shqipëria. Tjetër nismë që do nisë konkretisht shumë shpejt, është hartimi dhe përpunimi i një platforme mbarëkombëtare për kulturën. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë personalitete nga gjithë trojet shqiptare, jo vetëm jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, kam parasysh Kosovën, Maqedoninë, por edhe arbëreshët, e nga vende të tjera ku banon emigracioni i hershëm dhe i ri. Do të identifikojmë vlerat e kulturës së gjallë, krijimet bashkëkohore në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët, të cilat pak njihen.
Problem tepër i mprehtë për ne është ai i kinematografisë, që është vënë në rrugën e zgjidhjes. Janë hedhur hapat konkrete për të rindërtuar kinematë në Tiranë dhe shpresojmë që brenda gjashtëmujorit të parë të ’98, kryeqyteti të ketë kinematë e munguara. Problem paraqet gjithashtu kthimi i objekteve të vjedhura nga muzeumet. Jam e kënaqur që disa objekte janë kapur nga policia greke dhe do të kthehen në Shqipëri. Ndërkaq jemi duke përgatitur katalogët përkatës me të dhënat e gjithë objekteve zhdukur nga muzeumet shqiptare.
Problem tjetër i mprehtë është zgjidhja e shqetësimeve që ka Teatri Kombëtar dhe krijimi i teatrit alternativ. Këto janë disa probleme që shpresoj të zgjidhen brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Sakaq kemi riaktivizuar marrëdhëniet me UNESCO dhe KE. Stafi i ri i marrëdhënieve me jashtë në Ministri ka riaktivizuar edhe shumë projekte të lëna në mes për shkak të situatës në fillim të këtij viti.
Ndiheni e përkëdhelur që jeni ndër të vetmet gra në qeverisje, apo mendoni se sa më shumë femra në pushtet, aq më mirë do drejtohej vendi?
S’kam si të ndihem e përkëdhelur, sepse këtë post nuk e shoh si një vend, ku mund të përkëdhelesh, por si detyrë me përgjegjësi e punë të jashtëzakonshme. Vazhdimisht unë dhe Ermelinda Meksi, jemi ndjerë keq që nuk kemi më shumë shoqe pranë vetes. Mendoj se politikës shqiptare i duhet me tepri prezenca, zëri dhe mendimi i gruas. Më vjen keq, që jo vetëm në qeveri, por edhe në parlament jemi fare pak gra. Me synimin që gratë të jenë prezente në administratën shtetërore, jam përpjekur që në institucionin ku unë drejtoj, të punojnë jo pak gra. Jam e bindur se po të ketë më shumë gra në bordet vendimmarrëse, ngjarjet në Shqipëri do të zhvillohen më normalisht e më mbarë.
Sa dëgjohet zëri juaj, kur bëhet fjalë për të kërkuar shtim fondesh për kulturën?
Në përgjithësi kultura ka qenë Hirushja e çdo qeverie. Unë do të përpiqem që qeveria e re, me gjithë kufizimin e tejskajshëm të buxhetit, të bëhet princi i Hirushes. Por koncepti është njëra anë, ndërsa materializimi është ana tjetër. Shpresoj që të ketë një trefishim të buxhetit për kulturën. Unë kam kërkuar më shumë, por sikur të realizohet edhe vetëm trefishimi, punët me kulturën nuk do të jenë dhe aq keq.
Nuk dukeni shpesh në Parlament…
Nuk jam gjithmonë e pranishme, por ndjek me vëmendje çdo seancë të tij.
Megjithatë ajo çfarë më shqetëson më tepër, është koha e mangët për të shkuar pranë elektoratit tim. Dua të besoj se njerëzit që më dhanë votën do e kuptojnë se për ne të gjithë është fillimi i një pune të panjohur, ndaj jemi më të ngarkuar se ç’duhet. Por, megjithatë shpresoj se edhe nga pozicioni i ministres problemet që ka ky elektorat mund të zgjidhen.
Duket se shumë prej ministrave të qeverisë Nano janë të dashuruar me celularin. Ju bëni përjashtim?
Celulari na është dhënë për të lehtësuar komunikimin për çështje pune. Unë shpesh herë ndihem e bezdisur dhe ka mjaft raste që e lë jashtë përdorimit. Nuk më pëlqen që në darka, apo takime zyrtare, kolegët e mi, apo njerëzit prezentë aty, ndërpresin bisedën për të folur në telefon. Mendoj se mund të bëhet edhe pa celularin.
Intervistoi: RUDINA XHUNGA