Flet Arta Dade, numri një i kulturës: Duhet krijuar një brez teknicienësh që të mos ndërrohen sa herë ndërrohen qeveritë

(Botuar me 3 Gusht 1997 në KOHA JONE)

Flet Arta Dade, numri një i kulturës: Duhet krijuar një brez teknicienësh që të mos ndërrohen sa herë ndërrohen qeveritë

Arta Dade ka “zaptuar” fronin e ministres së Kulturës. E para herë, një grua në këtë post, duket se ndjehet mirë kur rastësisht përmendet Melina Mërkuri. Dade shqiptare, jo vetëm nga flokët e verdhë, ngjan me ministren e famshme greke të kulturës. Nga një figurë e respektuar dhe simbol të gruas së emancipuar, ministrja e re nuk ngurron të përmendë momentin, kur Ministri grek i financave kërcënohet nga kolegja e tij me karrige. “Këtë fakt le ta ketë parasysh Arben Malaj”. Dade shfaqet e vendosur, që do të “rrëmbejë” me çdo kusht fondet e duhura për kulturën. Një grua e bukur, pavarësisht nga 44 vitet që ka mbi supe, e sheh si avantazh aparencën e saj.

“Padyshim kjo vlen vetëm për kontaktin e parë”. Dade, pretendon në qenien brenda saj të vlerave që janë domosdoshmëri për detyrën që ka marrë përsipër. Ndërkaq, shumë kohë në zyrën e re të punës, janë të pashmangshme dhe të domosdoshme për t’u hyrë në thelb problemeve që i duhet të zgjidhë.

Takimet e njëpasnjëshme, telefonatat (shpesh përshëndetëse dhe uruese) duhen bërë në zyrë, e ndoshta për këtë është i nevojshëm një mobilim. Pse jo, një mobilim që të shkojë më mirë me pamjen, të cilës një grua nuk ia mohon kujdesin. E detyruar të shkëputet disi nga pasionet e saj, muzika dhe libri, gjithsesi, numri një i kulturës shqiptare do të vazhdojë të kënaqet me udhëtimet. Jo vetëm ngaqë kjo gjë i pëlqen por edhe pse detyra ia bën të detyrueshme.

Prezantuesja e festivalit të 13 të këngës në RTV, me partner Esat Telitin, interpretuesja e teletregimit “Shqetësimi i Verës” krahas aktores Pavlina Mani, është kuadratuar tani në një pozicion krejt tjetër. Tashmë në postin e ministres, gjithsesi, si grua është jo ndryshe nga të tjerat. Nëna e dy djemve, ndihet mirë kur flet për të voglin që studion pikturë në lice, por edhe kur kujton se i madhi, së shpejti do t’i dhurojë kënaqësinë e të qenit gjyshe

Sa ndiheni e aftë për drejtuar Ministrinë e kulturës, ndërkohë që nuk jeni e fushës së kulturës?

Mendoj se të jesh drejtuese e një institucioni siç është Ministria e Kulturës nuk është domosdoshmëri t’i përkasësh sferave të kulturës, të letërsisë apo sporteve. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi kush je dhe çfarë përfaqëson, por çfarë bën dhe sa i interesuar je për të zgjidhur problemet. Kjo nisur nga fakti që ka pasur edhe drejtues të mëparshëm që i kanë përkitur sferave të kulturës dhe, megjithatë, nuk kanë arritur rezultate të ndjeshme. Këtu nuk dua të paragjykoj paraardhësit e mi, sepse problemet e kulturës janë të ndërvarura nga një sërë faktorësh, siç është buxheti dhe financat. Ndërkaq, kjo ka përkuar me tranzicionin, gjatë të cilit, shteti dhe qeveritë e mëparshme kanë pasur probleme më të emergjencës dhe kanë lënë pas dore kulturën. Mendoj se edhe profesioni im nuk ka qenë mjaft larg sferave të kulturës dhe të letërsisë. Pedagoge, e gjuhës angleze në UT, kam dhënë lëndën e analizës së tekstit, e cila ka të bëjë me trajtesat letrare dhe linguistike të teksteve. Pra lënda që unë kam dhënë kërkonte një përgatitje të gjithanshme kulturore. Veç të tjerash, emërimi im në këtë post, ka gjithashtu të bëjë me profesionin tim si pedagoge, gjë që më ka dhënë rastin të punoj me brezat e rinj. Njoh psikologjinë e moshës dhe jam e kënaqur, që në këtë ministri trajtohen e dhe problemet e rinisë, për të cilat duhet bërë mjaft.

Kultura është pothuaj e shkatërruar. Si ndiheni përballë këtij fakti?

Është e vërtetë se kultura kohët e fundit është bërë objekt shkatërrimesh. Dëmet e shkaktuara në fushën e kulturës kërkojnë një kohë të gjatë për t’u rikuperuar. Më shumë, do të thosha, nga ç’kërkon vendosja e rendit, apo neutralizimi i dëmeve ekonomike. Ka mjaft probleme edhe me veprat e trashëgimisë kulturore (të cenuara jo vetëm muajt e fundit por vitet e fundit). Kjo merr peshë, po të kujtosh se një komb prezantohet, së pari, me vlerat kulturore. Jam njohur me problemet që ka kalaja e Gjirokastrës, Krujës. Muzeumet janë shkatërruar, si p. sh. muzeu arkeologjik i Durrësit apo amfiteatri i Durrësit. I shoh problematike këto fakte. Por do të ndikoj që qeveria jonë të japë alarmin. Unë, jam duke këmbyer mendime me intelektualë të këtyre fushave. Kryesisht mendoj se duhet të sensibilizohet opinioni i organizmave ndërkombëtarë që janë të interesuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Janë shprehur, deri tani, një numër fondacionesh apo edhe UNESCO, për të marrë nën mbrojtje, dhe për të investuar në rehabilitimin fizik të këtyre objekteve. Një numër objektesh, janë vjedhur dhe janë nxjerrë jashtë Shqipërisë. Për këtë, detyrë parësore e qeverisë, është gjetja e rrugëve për të bashkëpunuar me organizma të specializuar, për të identifikuar maksimalisht, qoftë edhe jashtë shtetit, ku kanë shkuar këto objekte. Këtu kërkohet një bashkëpunim edhe me INTERPOL. Ministri që ka qenë para meje, ka hedhur disa hapa në këtë drejtim dhe na mbetet detyrë, të vazhdojmë, të kërkojmë rrugë të tjera, më efikase.

Si do ta mundësoni gjetjen e këtyre rrugëve?

Këto vite të angazhimit tim në politikë më kanë siguruar një përvojë në marrëdhëniet dhe kontaktet ndërkombëtare. Kam qenë, Shefe e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, jam e anëtarësuar në një numër organizmash ndërkombëtarë, siç është Forumi i Grave të Majta Europiane, apo Federata Botërore e Shoqatave të Kombeve të Bashkuara, që më kanë siguruar lidhje me një numër personalitetesh, të cilët janë edhe në krye të organizmave kulturorë. Shpresoj që nëpërmjet këtyre kanaleve, të mundësohet edhe thithja e fondeve për të rikuperuar në shkallën më të mundshme maksimale, objektet që rezultojnë të dëmtuara, apo bashkëpunimet për rikthimin e objekteve të vjedhura.

Folët më sipër, për problemet që ka shkaktuar fondi i pakët monetar, që i është dhënë kulturës në të shkuarën. Ç’do të bëni ju lidhur me këtë?

Së pari, do të ushtroj gjithë ndikimin tim, që të rritet fondi dhe buxheti i shtetit për kulturën. Me sa di unë, fondi i dikurshëm i kulturës ka qenë diçka rreth 1% të buxhetit të shtetit. Padyshim nuk mund të arrihet asgjë nëse s’ka fonde. Qeveria e re ka rast për të treguar një vëmendje më të madhe, në krahasim me qeveritë e mëparshme, ndaj këtij sektori kaq të rëndësishëm dhe jetik, për fatet e kombit dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Ende nuk është diskutuar mbi buxhetin…

Sigurisht, nuk është diskutuar akoma, por unë do të përpiqem të siguroj në kohën e duhur, një fond në këtë drejtim.

Deri në ç’kuotë pretendoni të rrisni përqindjen e buxhetit shtetëror për kulturën?

Kjo është e vështirë të përcaktohet. Vetëm dëmet e shkaktuara arrijnë vlerën 244 740 000 lekë. Përfshihen këtu dëmtime fizike ndërtesash, makineri rekuizita, gardëroba, objekte muzeale, ikona fonde librash etj., pa llogaritur shkatërrimet në qytetet e Gjirokastrës, Sarandës dhe Tepelenës. Për sa i përket fondit për të rikuperuar këto dëme, që është edhe fondi më imediat, dokumentacioni është kaluar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet për t’u miratuar në Ministrinë e Financave. Ky do të jetë një fond shtesë përveç buxhetit të shtetit për Ministrinë e Kulturës. Veç kësaj, nga kontaktet e para me ambasadorë të vendeve të ndryshme, kam marrë premtime, lidhur me gatishmërinë e tyre për të kontribuuar për rehabilitimin fizik të objekteve të dëmtuara, për sponsorizimin e një numri aktivitetesh artistike, kulturore, apo akordimin e bursave për të rinjtë.

Pasi të jetë zgjidhur problemi financiar… diçka më konkrete për programin tuaj si ministre kulture?

Përparësi e Ministrisë do të jetë, promovimi dhe nxitja e artit bashkëkohor. Ka disa fusha si artet vizuale, muzika, baleti modern për të cilat duhet bërë më tepër, për të ecur me ritmet kontemporane. Një moment tjetër, ka të bëjë me respektimin, studimin dhe përhapjen e vlerave shpirtërore, tradicionale dhe kombëtare. Vëmendje do t’i kushtohet inkurajimit të përpjekjeve, dhe sidomos ngacmimeve nga ana jonë, lidhur me muzikën popullore dhe të përpunuar, përhapjen e vlerave të letërsisë dhe arteve në Kosovë apo treva të tjera ku banojnë shqiptarë etj. Do të ketë hapësira më të mëdha të kontakteve më botën, por një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit me fondacionet kulturore të cilat kanë bërë mjaft për kulturën deri tani, siç është SOROS apo VELIJA, si dhe lidhje me fondacione jashtë vendit. Duhet të insistojmë dhe të jemi këmbëngulës, në lirinë dhe promovimin e zhvillimi të talenteve. Edhe në diktaturë por edhe gjatë këtyre viteve, krijuesit nuk kanë pasur liri krijimi, por kanë qenë të kushtëzuar nga diktati i pushtetit. Ne do të sigurojmë lirinë e pakufizuar të krijimit. Tjetër prioritet i Ministrisë, ka të bëjë me rishikimin e politikave fiskale të botimeve apo të medias private dhe shtypit të pavarur, nisur nga parimi që në një shoqëri të hapur dhe civile, realisht demokratike, shtypi i pavarur dhe mediat private, luajnë rol të dorës së parë, për sensibilizimin e publikut kundrejt problemeve të ndryshme.

Mendoni t’i ndihmoni financiarisht?

Duke lehtësuar tatimin e vlerës së shtuar, që me sa di unë është problem tani, duke rishikuar politikat fiskale, mendoj që do të lehtësohet shtypi dhe në përgjithësi botimet nga taksat e rënda. Dua të theksoj këtu, se ne ndeshemi me vështirësi të eksperiencës, sepse ndodhemi në një situatë krejt të re dhe struktura e kësaj ministrie i përket organizimeve të vjetra dhe ne duhet të shikojmë, të gjemë rrugët e reja për të përshtatur punën e këtij institucioni me kohën, duke adaptuar dhe përvojat botërore.

Cilët janë sektorët më problematikë në Ministrinë e Kulturës, që kërkojnë përqendrimin më të madh të vëmendjes?

Me sa kam parë këto pak ditë, që kam marrë detyrën e ministres, problematikë janë, pothuaj, të gjithë sektorët. Do të thosha se nuk ka vizione të qarta Drejtoria e Rinisë. Mendoj se për këtë duhet bërë një punë studimore duke thithur edhe përvojën e vendeve të tjera.

Problematik paraqitet sektori që ka të bëjë me botimet, për vetë faktin e taksave mjaft të larta. Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, ku llogaritja e vlerave të dëmtuara është tronditëse. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet (jo vetëm nisur nga lidhja me profesionin tim por edhe si domosdoshmëri që e kërkon koha) Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë. Kjo drejtori mund të ketë arritur rezultate, megjithëse ende nuk jam në gjendje të konstatoj shkallën e realizimit të tyre. Them se kjo është një pikë kyçe që kërkon jo vetëm arsimin përkatës por edhe aftësinë për të prezantuar në mënyrë bindëse dhe konkrete atë çka ne kërkojmë. Në përgjithësi, gjithë institucioni kërkon një riorganizim, i cili do të bëhet mbi bazën e aftësisë profesionale.

Cilat janë format që do të përdorni ju për realizimin e këtij riorganizimi?

Do t’u bëhet thirrje specialistëve që mendojnë se i kanë aftësitë, apo edhe dëshirën, për të punuar në Ministrinë e Kulturës. Mbi bazën e paraqitjes së autobiografive personale dhe aspak mbi bazën e bindjeve politike, do të jenë përfaqësues të intelektualëve që do të testohen. Mendoj se kjo qeveri e re e koalicionit duhet të japë mesazhe të tjera, dhe duhet krijojë një brez teknicienësh të cilët të mos ndërrohen sa herë të ndërrohen qeveritë. Mbi të gjitha flas për specialistët e drejtorive.

Spastrimi do të fillojë me ndërrimin e drejtuesve të drejtorive në ministri?

Mendoj se këtu nuk bëhet fjalë për spastrim por për reformë bazuar mbi kërkesa të larta profesionale, në mënyrë që problemet të hyjnë në rrugën e zgjidhjes.

Atëherë si do të procedoni lidhur me reformën e sipërpërmendur?

Natyrisht që stafi më i afërt i ministrit do të jetë me njerëz të përzgjedhur, profesionalisht të aftë. Do të thosha që nuk do të jetë një ndërrim 100% por do të ketë ndryshime. Në këtë institucion, do të punojnë vetëm profesionistë të aftë, pavarësisht nga bindjet politike. Kjo është në linjë edhe me kërkesat e grupimeve shoqërore apo intelektualëve të sferave të kulturës, artit dhe sporteve. Sigurisht detyrën e kam pranuar edhe si sfidë dhe do të jem tërësisht e angazhuar për ta realizuar me sukses.

Keni filluar të mendoni për emra konkretë të stafit tuaj më të afërt?

Ende jo, pasi dua t’u jap shanse të barabarta të gjithëve që kanë dëshirë dhe aftësi të punojnë. Përmes njoftimeve, edhe në shtyp, në një kohë të përshtatshme do t’i ftoj të gjithë të testohen dhe konkurrojnë, krahas njerëzve që punojnë këtu.

Flitet për aftësi organizative nga ana juaj. A do t’ju ndihmojë kjo për ato që mund të bëni në favor të kulturës shqiptare?

Angazhimet e deritanishme për konsolidimin e demokracisë dhe puna ime si pedagoge në Universitetin e Tiranës, janë përvojë pozitive që do të më ndihmojnë për të kanalizuar në rrugën e zgjidhjes së një sërë problemesh. Shpresoj ndihmën e personaliteteve, të cilët janë njësoj sikurse unë të interesuar për problemet e kulturës. Fillimi është premtues.

Intervistoi: ARTA MARKU

SHKARKO APP