Flet Carls Uolsh, përfaqësuesi i lartë amerikan në kryeqytetin shqiptar
(Botuar me 3 Korrik 1996 në KOHA JONE)
Flet Carls Uolsh, përfaqësuesi i lartë amerikan në kryeqytetin shqiptar
“Ne i kërkojmë në mënyrë urgjente qeverisë shqiptare të zgjidhë problemin e zgjedhjeve të 26 majit në Shqipëri. Qeveria Shqiptare duhet të përballojë problemet e përmendura edhe nga OSBE dhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare. Ne kemi qenë të qartë disa herë zyrtarisht se procesi i zgjedhjeve demokratike ka qenë dhe mbetet për ne një problem shqetësues. Tani ne i kërkojmë urgjentisht Qeverisë Shqiptare të rishikojë problemin e përmendur dhe të marrë masa për ta zgjidhur atë…”
“Ne nuk shkuam në Parlamentin Shqiptar pasi ky ishte vendimi i Qeverisë Amerikane”. Deklarata e fortë është bërë dje nga Carls Uolsh, zyrtar i lartë i diplomacisë së SHBA në kryeqytetin shqiptar. Kërkesë urgjente për Qeverinë Shqiptare që të zgjidhë problemin e zgjedhjeve në Shqipëri, përballimi nga ana e saj i problemeve të përmendura nga OSBE e organizata të tjera ndërkombëtare si dhe shqetësimi i vazhdueshëm i Uashingtonit mbi parregullsitë serioze të 26 majit, ja cili është preokupimi më i fundit zyrtar i përfaqësuesve amerikane në Tiranë. Uolsh flet për masat që duhen marrë në këtë drejtim dhe sqaron se hapi i parë për një zgjidhje të kënaqshme duhet të merret nga vetë qeveria shqiptare. Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë, asnjë diplomat i SHBA në Tiranë nuk ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së parlamentit të ri. Uolsh shpjegon arsyet.
Diplomatët amerikanë munguan në ceremoninë e hapjes së Parlamentit Shqiptar. Cilat janë arsyet?
“Ne nuk u paraqitëm në ceremoninë e parlamentit tuaj, pasi në zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri ka patur parregullsi serioze. Nuk duam të japim imazhin se procesi i zgjedhjeve demokratike ka përfunduar”.
A ishit ftuar zyrtarisht në këtë ceremoni dhe a është zyrtar refuzimi juaj?
“ Ne e morëm ftesën zyrtarisht dhe nuk u paraqitëm për arsyet që u thashë më lart. Unë flas kështu në emër të Qeverisë Amerikane. Vendimi për diplomatët tanë në Tiranë nuk ishte personal, por një vendim zyrtar i Qeverisë së SHBA. Nuk ishte e përshtatshme të paraqiteshim përderisa procesi i zgjedhjeve shqiptare nuk ka përfunduar. Natyrisht ne do të vazhdojmë kontaktet dhe nuk do të injorojmë individë brenda apo jashtë Parlamentit”.
A është një mesazh për Tiranën zyrtare, mosparaqitja juaj në Parlamentin Shqiptar?
“Ne i kërkojmë në mënyrë urgjente qeverisë Shqiptare të zgjidhë problemin e zgjedhjeve të 26 Majit në Shqipëri. Qeveria Shqiptare duhet të përballojë problemet e përmendura edhe nga OSBE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Ne kemi qenë të qartë disa herë zyrtarisht se procesi i zgjedhjeve demokratike ka qenë dhe mbetet për ne një problem shqetësues. Tani ne i kërkojmë urgjentisht Qeverisë Shqiptare të rishikojë problemin e përmendur dhe të marrë masa për ta zgjidhur atë. Ne nuk mund të injorojmë aspak këtë problem por përgjegjësia e parë është e Qeverisë Shqiptare për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për problemin.
Përveç shqetësimit tuaj, çfarë i propozoni Tiranës zyrtare?
Ne si miq të shqiptarëve jemi shumë të shqetësuar me situatën e krijuar. Ne i kemi rekomanduar Qeverisë Shqiptare të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare.
Departamenti i Shtetit deklaron “zgjedhje të pavlefshme”, Tirana zyrtare flet për vazhdim të Parlamentit deri në vitin 2000. A shihni ju një kontradiktë?
“Nëse ju shihni një kontradiktë, unë nuk mund ta kundërshtoj”.
Mosparaqitjen tuaj në hapjen e Parlamentit Shqiptar, a e përktheni me mosnjohjen e tij nga ana juaj?
“Unë besoj se veprimi ynë flet qartë. Ne nuk u paraqitëm në Parlament. Unë mendoj se hapi i parë nuk është në dorën tonë. Unë shpresoj se një zgjidhje do të ketë për këtë problem dhe kjo është së pari në dorën e Qeverisë Shqiptare dhe partive tuaja politike. Por them se ne nuk kemi mundësi të injorojmë ekzistencën e problemit të zgjedhjeve të 26 majit”.
Arian Çani