Flet Ilir Meta, anëtar i KPD të PS dhe kryetar i FRESSH: Kriza zgjidhet me qeveri teknike e zgjedhje të reja

(Botuar me 6 Shkurt 1997 në KOHA JONE)

-Intervistë me Ilir Metën kryetar i FRESH-

Në kohën që problemi i fajdeve ishte në rend të ditës, Meta shkon për vizitë në Amerikë. Vizitë urgjente apo indiferencë?

Unë u nisa në SHBA menjëherë pas pjesëmarrjes në mitingun e 26 janarit, kështu që nuk humba ndonjë miting të organizuar gjatë kësaj kohe nga opozita. Situatën, edhe pse qëndruam pak ditë në Amerikë, e kemi ndjekur me shumë shqetësim, veçanërisht aktet e dhunës ndaj militantëve socialistë, të cilat nuk kishin të bënin me ndëshkimin e atyre që shkatërruan e dogjën, por në shumë raste ishin hakmarrje e qartë politike. Ndaj një rrezik i kësaj situate është se ajo mund “të pjellë” edhe krimin politik, gjë që e bën akoma më emergjent përgjegjësinë e të dy palëve për të vendosur kontrollin mbi situatën, për të qetësuar sadopak ata qindra mijëra fatkeqë që humbën të ardhurat e tyre dhe për t’u rikthyer shpresën që diçka do të bëhet…

Megjithatë, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në Uashington javën e kaluar?

Javën e kaluar së bashku me as/Prof. Anastas Angjelin ishim të ftuar nga një Universitet i Uashingtonit për të zhvilluar një bisedë rreth zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Gjatë kësaj vizite ne patëm rastin të priteshim në takime të veçanta nga Nënsekretari i Departamentit të shtetit z. Timothy Ëorth, Ndihmëssekretari i Departamentit të Shtetit z. Rudolf Perina, Ambasadori Richard Schifter në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, z. Glen Lazarus, Drejtor rajonal në Pentagon, në Institutin Demokratik, Institutin Republikan etj. Në të gjitha takimet ne ndjemë një interes të madh për zhvillimet e fundit në Shqipëri, një shqetësim të veçantë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike, financiare e politike si dhe preokupimin e tyre për kapërcimin e kësaj situate, e cila kërkon një përgjegjësi të madhe nga të dyja palët.

SHBA pas 26 majit, janë shprehur për miratimin e Kushtetutës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në mënyrë konstante. A u qëndrojnë më këtyre hapave, ndërsa opozita tani kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të reja?

Pas 26 majit, SHBA kërkuan monitorimin ndërkombëtar të parregullsive dhe përsëritje të zgjedhjeve kudo ku do të konstatoheshin parregullsi të rënda. Meqenëse kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë, atëherë u kërkuan që zgjedhjet lokale të ishin të lira si hap i parë, bërja e kushtetutës si një hap i dytë e afatgjatë dhe zgjedhje të reja parlamentare për të mbyllur përfundimisht krizën në të cilën u fut Shqipëria në 26 maj. Edhe opozita ka qenë për këtë formulë për të zgjidhur krizën dhe i mbetet përsëri asaj. Eksplozioni i kompanive huamarrëse dhe pasojat e pallogaritura dhe të paparashikuara ka destabilizuar gjithçka, ka sjellë si emergjencë një zgjedhje të këtij problemi, një stabilizim sa më të shpejtë të sistemit makroekonomik, të cilat nuk mund të arrihen pa një ndryshim të klimës politike midis pozitës dhe opozitës dhe pa kaluar vendi në zgjedhje të përgjithshme si një mënyrë për të amortizuar pakënaqësinë e madhe të njerëzve ndaj qeverisë dhe parlamentit që mbajnë përgjegjësi të madhe për situatën e krijuar.

Por të gjithë e kuptojmë se një stabilitet afatgjatë mund të sigurohet nga një kushtetutë e ndërtuar dhe aprovuar me konsensus. Duke qenë se ngjarjet precipituan me një shpejtësi të tillë sa situata mund të dalë edhe jashtë kontrollit të të dy palëve, siç edhe ka ndodhur, sigurohej klima politike dhe koha e duhur për bërjen e vendit me kushtetutë para zgjedhjeve të reja. Ndaj një spostim i çështjes së kushtetutës pas zgjedhjeve të reja parlamentare jo vetëm që nuk e ndryshon në thelb formulën e zgjidhjes së plotë të krizës politike e konstitucionale, por lehtëson edhe procedurën e hartimit dhe miratimit të kushtetutës e cila me parlamentin e sotëm dhe dispozitat kushtetuese përbën një krizë më vete. Ndaj unë nuk shikoj ndonjë ndryshim thelbësor në qëndrimin e opozitës dhe PS-së për zgjidhjen e plotë të krizës.

Si e mendoni ju formimin e qeverisë teknike?

Unë mendoj që në këtë acarim të jashtëzakonshëm të situatës në vend ku është e vështirë të parashikosh zhvillimet në ditët që do të vijnë pasi edhe falimentimi i kompanive huamarrëse nuk po ndalet, kur transparenca e qeverisë gjithnjë e më shumë po mungon dhe nuk janë bërë hapat e duhura për të ndërtuar një dialog efektiv pozitë-opozitë, mendoj që të gjitha forcat politike duhet të jenë të ndërgjegjshme, e në radhë të parë PD, se nuk mund të qeveriset më në mënyrë demokratike vendi, pa bashkëpunuar dhe pa gjetur konsensusin me forcat politike. Një hap i rëndësishëm drejt këtij dialogu pozitë-opozitë, është dorëheqja e menjëhershme e qeverisë ekzistuese të PD, pasi ajo është edhe drejtuese kryesore për këtë situatë, në të cilën ndodhet vendi ynë dhe për këtë humbje të madhe të qindra mijë qytetarëve. Ajo nuk mund ta zgjidhë dot këtë problem, vetëm po përpiqet të fitojë kohë duke e acaruar edhe më shumë situatën. Po kështu edhe çdo qeveri tjetër e ndërtuar nga PD që nuk do të merrte në konsideratë dhe nuk do të siguronte bashkëpunimin e opozitës është e pamundur të qeverisë. Prandaj është fare e qartë se një qeveri teknike bazuar në ekspertë dhe tavolinë të rrumbullakët mes partive do të ishte e vetmja mënyrë për të stabilizuar përkohësisht gjendjen ekonomike-financiare në vend, për të vendosur rendin i cili është mjaft i rrezikuar nga tensione sociale dhe për të përgatitur zgjedhje të reja me gjithë klimën e duhur për të pasur zgjedhje vërtetë të lira e të ndershme. Pra, duhet një qeveri që të mos ketë mbështetjen e parlamentit, pasi ky është fare i pamjaftueshëm, por të ketë mbështetje të partive politike dhe të jetë transparent në raport me to.

Si e gjykoni qëndrimin e deritanishëm të kryesisë aktuale të PS për problemin e fajdeve?

Opozita duhet të kishte patur më shumë kurajë për të denoncuar problemin e fajdeve, por nën komplekset e moskuptimit të një denoncimi të tillë nga ana e elektoratit, veçanërisht kur ne kaluam edhe dy zgjedhje të njëpasnjëshme, nuk u arrit dot që opozita të paralajmëronte qartë këtë eksplozion të pritshëm të kompanive huamarrëse. Por megjithatë unë mendoj që qëndrimet e PS edhe në kuadrin e forumit për demokracinë janë qëndrime të qarta dhe të plota.

Sikur ju të ishit në kryesinë e PS çfarë qëndrimi do të mbanit dhe a do të kishit më shumë kurajë se aktualët?

Qëndrimi ynë lidhur me problemet që ka patur dhe ka PS nuk ndryshon. Ndërsa për sa i përket situatës së shkaktuar nga rrëzimi i kompanive huamarrëse, ne kemi jemi shprehur që në fillim se duhet një qeveri teknike, qeveri ekspertësh të dalë nga konsensusi i forcave politike, zgjedhje të reja, pas tyre edhe kushtetuta.

Gjithsesi, opozita ka dhënë disa zgjidhje teorike, kam parasysh mendimin e zotit Angjeli në BBC për këtë çështje. Por çdo zgjidhje konkrete varet nga sasia e parave të depozituara apo të ngrira nga qeveria për kompanitë e caktuara. Mungesa e vazhdueshme e transparencës nga qeveria dhe komisioni i ngritur për këtë qëllim e bën të vështirë që sot të kalkulosh një zgjidhje fikse të problemit konkret, prandaj edhe dorëheqja e kësaj qeverie dhe tryeza e menjëhershme e forcave politike do t’i shërbente krijimit të besimit të njerëzve për të ardhmen.

Krerë të PS ju kanë akuzuar se “vizitat tuaja jashtë shtetit janë të paautorizuara nga PS”. Meta e ndjen veten të persekutuar, apo punon në heshtje?

Mund të them që po punoj me përgjegjësi për të sotmen dhe për të ardhmen ashtu sikurse kam punuar edhe më parë. Këto “fletë-rrufe” nuk më shqetësojnë. Ka përpjekje të mëdha sikur unë shkoj në emër të PS dhe pa marrë lejen e saj në aktivitete të ndryshme.

Por unë u jam përgjigjur atyre në “Zërin e Popullit”, të cilat nuk janë botuar, ashtu sikurse nuk janë botuar edhe njoftime të tjera. Mund të them që pas Kongresit të gushtit, asgjëkund nuk kam shkuar në emër të PS sepse nuk jam ftuar në emër të saj, por kam qenë i ftuar si kryetar i FRESSH-it apo i ftuar individualisht në aktivitete të ndryshme të Internacionales Socialiste dhe kjo mënyrë ftese është në statutin e saj. Për sa i përket këtyre qëndrimeve, këto janë xhelozira dhe tregojnë formimin e ngushtë të personave që flasin, të cilat nuk më ndalojnë mua të bëj një aktivitet normal dhe intensiv që përsëri i shërben PS, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo dikujt në Kryesi.

Cilat do të jenë marrëdhëniet tuaja me PS në të ardhmen?

Unë jam anëtar i Komitetit drejtues të PS, kryetar i FRESSH-it dhe zhvilloj aktivitetin tim në përputhje të plotë me statutin e PS dhe atë të FRESSH-it. Mendoj se në këto momente është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në rritjen e rolit të PS për nxjerrjen e vendit nga kriza, që ajo të qëndrojë në pozita më konstruktive, që të forcojë bashkëpunimin me partitë e tjera të opozitës, por gjithmonë të ketë shpirtin e iniciativës si forca kryesore opozitare që është.

Po marrëdhëniet me kryetarin Nano?

Kryetari i PS, Fatos Nano po përjeton prej disa kohësh një gjendje të thellë izolimi, natyrisht edhe për efekt të këtij izolimi, kontaktet i ka me kryesinë e PS dhe me sekretarët e saj ashtu sikurse i ka patur me ne më parë. Nuk mund të flas për kontakte të drejtpërdrejta me të, pasi unë jam thjesht një anëtar i komitetit drejtues të PS. Natyrisht, ai është kryetar i Partisë Socialiste dhe padyshim që do të ishte edhe në interes të punës së partisë që ai të merrte pjesë aktive më shumë në publik lidhur me problemet që ka kriza në vend, me problemet që ka PS e të tjera…

A mund të hiqen paralele mes situatës aktuale politike të Shqipërisë dhe asaj në Bullgari, që pret zgjedhjet e reja, apo “zbutjes” më në fund të Milosheviçit në Serbi?

Krizat e fundit në të cilat u fut Serbia, Bullgaria dhe Shqipëria, që pavarësisht nga ndryshimet e tyre të theksuara, që të tria flasin për vështirësitë që hasin demokracitë e reja në rajon për t’u bërë solide dhe për të siguruar një prosperitet të tyre. Për sa i takon Bullgarisë dhe Serbisë duket se është hapur drita jeshile për të zgjidhur situatën, si nga socialistët në Bullgari edhe nga Milosheviçi në Serbi dhe të gjithë e dinë që këto u realizuan edhe me një përpjekje të vazhdueshme të opozitës në të dy vendet. Për sa i takon krizës në Shqipëri, pavarësisht se kjo është më e thellë dhe vazhdim i krizës politike në 26 maj, unë mendoj se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të saj pa një moderim të presidentit Berisha dhe PD në pushtet. Nëse ato nuk do të reflektojnë, nuk të pranojnë përgjegjësinë për situatën e krijuar dhe nuk do të bashkëpunojnë me opozitën për këtë krizë , atëherë do të mund të qeverisin vetëm në mënyrë represive çka do t’i izolojë më shumë brenda dhe jashtë vendit dhe do t’i fusë në një rrugë përfundimisht pa krye. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme që PD, qeveria dhe Presidenti të pranojnë përgjegjësitë e tyre për situatën e krijuar dhe t’i hapin rrugën një dialogu të plotë e të hapur me opozitën dhe jo të gjejnë pretekste për ta provokuar dhe larguar atë nga tryezat e rrumbullakëta, ashtu si opozita, pa këmbëngulje dhe alternativa të qarta e të besueshme, do ta ketë të vështirë të imponohet në kërkesat që ajo ka parashtruar për zgjidhjen e krizës.

Intervistoi: Jonila Godole

 

SHKARKO APP