Flet ish-kryeredaktori i “ZP”, Thoma Gëllçi: U mblodh njëherë kryesia e PS dhe nxori reklamën me humbje?!

(Botuar me 5 Tetor 1997 në KOHA JONE)

-Flet ish-kryeredaktori i “ZP”, Thoma Gëllçi-

Ish-kryeredaktori i gazetës “Zëri i Popullit” është kthyer nga Amerika për të qëndruar pak, apo për të marrë ndonjë post të porsaofruar?

Do të doja të rrija më shumë se ç’kam parashikuar, por nuk mundem. Por kjo nuk lidhet me ndonjë post të ofruar sepse unë tashmë e kam marre një vendim. Do të doja që të vija më parë, p.sh, atëherë kur u festua 55-vjetori i krijimit të gazetës “Zëri i popullit” sepse pesë vjet të jetës së kësaj gazete në opozitë kam qenë kryeredaktor i saj. Aq më tepër se ftesa nga redaksia ka qenë këmbëngulëse. Por kushtet familjare nuk më lejuan.

Ja që u dha rasti tani kur erdha për një aktivitet për gjendjen e Mediave në Shqipëri të sponsorizuar nga Këshilli i Evropës si President i Fondacionit për Informim të Lirë dhe Demokraci, fondacion të cilin e kemi themeluar para një viti. Jam i kënaqur që erdha, takova miqtë dhe pashë një realitet që prej tetë muajsh e njihja vetëm nga telefonatat.

Çfarë ka ndryshuar në këta tetë muaj sipas jush?

Janë shtuar plehrat. Jo se ato kanë munguar tetë muaj më parë, veçse tani nuk fshihen më mbrapa pallateve, por kanë dalë rrugëve. Dhe ç’më duket më e habitshme është se njerëzit janë ambientuar kaq shumë me plehrat, sa u duken pjesë e jetës së përditshme dhe nuk ngrenë as gishtin më të vogël për t’i zhvendosur.

Pra janë plehrat arsyeja bindëse, që ju pengojnë të rrini në Shqipëri?

Duke i lënë mënjanë plehrat, unë mund të them se kur vendosa të iki, kjo nuk m’u imponua nga regjimi i Berishës dhe as nga mendjelehtësia se në perëndim mund të gjesh gjithçka. Unë ika vetëm atëherë kur m’u krijua një mundësi serioze dhe kur u binda se po të ikja në atë mënyrë do mund të vija sërish. U largova pasi mora Green Card dhe u binda se rezistenca ime në një dhomë me qira, për 10 vjet bashkë me gruan dhe dy fëmijët, s’mund të shtyhej ende. Tani atje kam një status që këtu mund të duket i privilegjuar, por në fakt është njerëzor dhe e them me bindje se shqiptari ndihet shqiptar, (përjashto vendin e vet) vetëm në Amerikë.

A e kujtoni me mall kohën kur ishit kryeredaktor i gazetës më të madhe të opozitës në Shqipëri?

Për fatin tim, unë kam qenë kryeredaktor i “ZP” që nga prilli i ’92-shit, kur PS doli në opozitë dhe deri në fund të ’96-ës. Periudha e opozitës së Partisë Socialiste ka qenë periudha më interesante nga ana publicistike, më heroike nga ana politike dhe më solidare nga ana njerëzore. Padyshim kam mall për atë kohë.

Ju kujtohet të merrnit direktiva nga burgu i Bënçës?

Unë kam qenë i pari dhe i vetmi kryeredaktor i gazetës, që në përjashtim me traditën, nuk isha anëtar partie. Kjo s’do të thotë se isha kundër partisë, por mendoja se i jepja më shumë gazetës, duke mos iu nënshtruar urdhrave dhe direktivave të kryesisë së partisë. Unë nuk kam patur miqësi me Fatos Nanon. Kisha botuar në atë kohë gazetën “24 Orë”, kur ai më thirri dhe më tha: “A e bën dot kryeredaktorin e “Zërit”?

“E bëj”,- i thashë, dhe pas dy javësh u emërova në atë detyrë. Në një shkrim që kam botuar në kohën kur Fatosi ka qenë në burg shkruaja se urdhrat e Fatos Nanos ishin qëndrimi i Fatos Nanos, rezistenca dhe qëndresa e tij. Kurse marrëdhëniet me kryesinë e partisë ishin marrëdhënie punë dhe mund të them se leximi i gazetës dhe vërejtjet për të, si dhe mbledhjet për gazetën ishin nga veprimtaria kryesore e Kryesisë.

Kishte shumë mbledhje dhe urdhra?

Një miku im, i cili tani bën pjesë në strukturat e larta të pushtetit, më merr njëherë në telefon dhe më pyet në mërzitem në Amerikë. Përgjigja ime ishte; “Kur mërzitem, kujtoj mbledhjet për gazetën në kryesinë e partisë dhe i them vetes: Rri Thoma se je mirë këtu.”

Kjo është për humor, por jashtë kësaj mund të them se gjatë pesë vjetëve në opozitë PS ka bërë aq shumë mbledhje, në pjesën më të madhe të të cilave merrej me gazetën. Në mbledhje të tilla ngaherë ndesheshin dy mendime, të cilat po i përmbledh shkurt; Sipas të parit, gazeta duhej të ishte e ashpër, direkte , të zbulonte korrupsionin e pushtetit dhe ta dënonte, pra t’i bënte të gjitha në emër të partisë, ndërsa i dyti, paraqitur nga redaksia, paraqiste idenë se ne nuk ishim partia, por gazeta e partisë dhe duhej të mendonim sidomos për mbijetesën tonë, pra t’i shtonim gazetës faqe të reja me reklamë, sport, kulturë duke e bërë atë sa më konkurruese.

Nuk bëj humor kur tregoj se është paraqitur një material në Kryesinë e Partisë ku argumentohej se reklama del me humbje dhe nuk duhet të zinte vend në gazetë. Ky material u paraqit nga një grup pune dhe propozonin që të pakësoheshin faqet e gazetës. Për të bërë humor mund t’ju them se ata që propozonin rrudhjen e gazetës, vetë ishin të dobët, të thatë si fizik, ndërsa mendimin e gazetës e përfaqësoja unë që i kisha 120 kile.

Ç’është sipas jush “Zëri i Popullit” tani?

Unë kam shumë miq në këtë gazetë, por nuk mund t’i anashkaloj të vërtetës se gazeta sot, jo për faj të kolektivit dhe drejtuesve, po kthehet në një gazetë zyrtare. Gazeta “Zëri i Popullit” nëse do të përfaqësojë denjësisht emrin që mban prej 55 vjetësh, duhet të shkëputet nga ky status urgjentisht.

Ndërkaq ju jetoni në Amerikë me 400 mijë dollarëshin e lakuar nga gjyqet dhe polemikat e dikurshme?

Më duket se bëhet fjalë për 250 mijë dollarë dhe përderisa ngatërrohet shuma, duket që bëhet fjalë për një gjë fare të pavërtetë, nga ato që shpikeshin rëndom prej pushtetit berishian. Kështu që as unë, as ndonjë tjetër në gazetë s’i ka marrë këto para dhe s’ia vlen të flasim për shpikje të tilla që tanimë nuk sugjestionojnë kënd.

Si e siguroni atëherë jetesën në Amerikë?

Pak pasi u ambientova me ekzistencën në një vend të huaj, duke qenë gazetar në profesion mendova se nuk kisha konkurrentë për të hapur një gazetë dhe fillova të punoj për të hapur një gazetë në shtetin e Michiganit, ku nuk kishte asnjë gazetë në shqip. Madje në gjithë SHBA ekziston vetëm një gazetë shqip, “Iliria” e cila drejtohet nga Hajdar Bajraktari.. Kurse “Dielli” i famshëm i Nolit dhe Konicës tashmë mund të thuhet se nuk ekziston më. Kjo gazetë, e cila në dy vitet e fundit ka dalë 12 herë, është organ i shoqatës “Vatra”, me të cilën unë mendova të krijoj lidhje, duke qenë se sekretar i saj ishte njëri nga miqtë e mi, Naum Prifti. Por s’kaloi shumë kohë dhe kuptova se organizata “Vatra” jo vetëm nuk përfaqësonte asgjë, por në bisedat e mia me krerët e Vatrës, kuptova se ata kishin një mendim të paktën 100, apo 200 vjet mbrapa për sa i përket çështjes shqiptare.

Në Shqipëri flitet shumë për Lobin shqiptar në Amerikë. Sa e njihni ju këtë Lob?

Në Amerikë ka shumë shqiptarë dhe gjithmonë e me tepër ata po shtohen me të rinj nga lotaritë, bashkim familjeje etj. Ka shqiptarë te mençur e patriote, siç ka edhe shqiptare të pasur e biznesmenë te suksesshëm. Ka patur edhe një traditë të shkëlqyer të veprimtarisë patriotike shqiptare siç edhe ka shembuj të freskët të një pune të tillë. Por, Lob, në kuptimin e vërtetë të fjalës, që të ketë përfaqësuesit e tij në Kongres apo zyrë për marrëdhënie të institucionalizuara me administratën amerikane nuk ka patur për një kohë të gjatë. Vetëm para pak më shume se një viti u bë përpjekja e parë serioze dhe mund të them me plot gojën se Komiteti Kombëtar Shqiptaro-Amerikan sot përfaqëson atë organizëm serioz që mban kontakte të rregullta me administratën amerikane, bile edhe kanë bërë takime me presidentin Klinton, ku i kanë bërë prezent problemet shqiptare. Personalitete si Sami Repishti apo Ekrem Bardha kanë autoritet dhe njohje dhe janë rrugë e sigurtë ndërmjetësimi për autoritetet shqiptare në drejtim të administratës amerikane.

Ju jeni pjesëtar i këtij Komiteti?

Gazeta që kam krijuar unë “Albania House” si dhe shoqata me të njëjtin emër, që përmbledh në vetvete shqiptarë të profesioneve të ndryshme, mbështet këtë komitet.

Ç’është shoqata “Albanian House”?

Në Michigan ne shqiptarët themi me shaka: “Më thuaj një emër shqiptari të të them një emër restoranti dhe anasjelltas.”Kjo vjen ngaqë shqiptarët që kanë vajtur pa përkrahje dhe orientim, detyrohen të bëjnë punë të rëndomta, pavarësisht nga kualifikimi i tyre. Kjo vjen pse ata s’dinë gjuhën, s’dinë rrugët, s’dinë punët, s’dinë shtëpitë. Në të kundërt fëmijët e tyre të rritur dhe lindur në Amerikë, nuk e dinë ç’është Shqipëria dhe mund të mos dinë as shqip. Prandaj ne krijuam këtë shoqatë, me qëllimin që “të rriturit të mësojnë anglisht, të vegjlit të mësojnë shqip.” Kjo mbledh në vetvete, që nga tregtarë, juristë, punonjës sigurimesh, shitës shtëpish, pronash, biznesesh dhe makinash etj. Gjithashtu ne kemi katër radio që transmetojnë shqip dhe po bëjmë përpjekje për një televizion. Shtëpia jonë shqiptare “Albanian House” u ofron informacion falas të gjithë atyre që kanë nevojë dhe i rekomandon se ku të shkojnë. Numrin tonë të telefonit 13138238562, tashmë e dinë shumë vetë në Michigan dhe më gjerë.

Intervistoi Rudina Xhunga

SHKARKO APP