Flet Rexhina Nano, bashkëshortja e Fatos Nanos: Tani po kërkoj punë
(Botuar me 15 Gusht 1997 në KOHA JONE)
Flet Rexhina Nano për KOHA JONE: Tani po kërkoj punë
Në Durrës, Rexhina Nano na pret në një vilë buzë detit, që dikur përdorej për pushime nga familja e Aleksandër Meksit.
Nuk duket se i pëlqen shumë që shkojmë ta intervistojmë atje, jo pse vila është fare pak e mobiluar dhe e rregulluar disi pas shkatërrimit, por sepse nuk admiron paraqitjen si zonjë me pushime, ndërsa i shoqi është i zënë me punë. Madje rrëfen se nuk di si ta kalojë kohën kaq qetësisht dhe pas pak ditësh do kthehet në Tiranë. Zonja bionde me moshë të papërcaktuar, ndoshta për shprehjen e syve të jeshiltë dhe aftësisë për të komunikuar gjallërisht, është gjithsesi e vetëpërmbajtur gjatë intervistës. Nuk ngurron të përgjigjet, por flet pak. Nuk pranon ta quajmë first lady, duke qenë se e tillë për të është bashkëshortja e Presidentit, Lidra Mejdani.
Por nuk preferon gjithashtu ta pyesim shumë dhe gjatë për postin kryeministror të bashkëshortit. Ajo nuk pretendon të jetë porta e hyrjes për te Nano, edhe pse nuk janë të paktë ata që i trokasin në prag. Pasi provoi për katër vjet të bëjë bashkëpunëtoren e afërt të Nanos, tani kërkon për vete një pozicion tjetër…
Rexhina e vogël ju kujtohet?
Më vjen ndërmend një vajzë e ndrojtur dhe pa shumë iniciativë. Kujtoj një fëmijëri të varfër. Me shkollën kisha raporte të mira, pse isha natyrë e zellshme dhe e kisha fare mirë të qartë se të mësoje ishte detyrim. Por s’më duket se kam qenë aq ambicioze, sa të mos e lëshoja kurrë vendin e parë.
Mandej ju zgjodhi, apo e zgjodhët degën e ekonomisë?
Dega më zgjodhi mua, sepse mundësitë për të zgjedhur në atë kohë i kisha fare të pakta. Për një vit studiova ekonomi plani, ndërsa vitin e dytë, me hapjen e sferës së qarkullimit, më kaluan aty. Ndërkaq Fatosi studionte për ekonomi politike dhe gjatë dy viteve, grupet tona i merrnin bashkë leksionet.
Ju ishit një ndër vajzat bukuroshe të fakultetit?
Nuk besoj se bija në sy.
Kam qenë një vajzë e zakonshme sikundër tanimë jam një grua e zakonshme.
Atëherë si ju vuri re Fatos Nano?
Njohja jonë është më e hershme. Jemi njohur në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, ku ai për të vazhduar vitin e dytë, e la për gjysmë në një shkolle tjetër. Megjithatë nuk mund të them se menjëherë u bëmë shumë të afërt për njëri-tjetri, përkundrazi.
Kur e kuptuat që duheshit?
Interesimi për njëri-tjetrin ka lindur, pse të dy shkruanim bukur dhe shpejt u bëmë konkurrentë për hartimin më të mirë. Kjo ndikoi që të vëzhgoheshim reciprokisht me më tepër vëmendje. Më duket se Fatosin e tërhoqi pikërisht ky rivalitet artistik, (në mund ta quaj kështu), sesa buzëqeshja, apo ngjyra e syve të mi.(Qesh)
Veç interesimit për letërsinë, ç’tjetër ju dukej se kishit të përbashkët?
Unë dhe Fatosi u lidhëm, kur ende ishim adoleshentë, A mendon se ishim në moshë për të gjykuar çfarë na bashkonte dhe çfarë na ndante?
Madje më duket se dhe për dashurinë nuk kishim ndonjë ide të qartë. Midis nesh nuk ka pasur skena sentimentale, apo shumë romantike. Mua nuk më kujtohet, kur më ka thënë për herë të parë të dua, kam harruar madje dhe reagimin tim. Kjo pse nuk bëhej fjalë për një dashuri me shikim të parë, por për një miqësi të hershme, që normalisht dhe fare natyrshëm u shndërrua në dëshirën për të qenë bashkë, përherë pranë, aq pandashëm, sa kuptuam se jo vetëm nuk bënim dot pa njëri-tjetrin, por tashmë ishim bërë një njeri. Më kujtohet që kur mbaruam Universitetin, Fatosin e caktuan të punonte në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Ndërkaq dokumentet e mia ndodheshin në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. Ndërsa na dukej e paimagjinueshme një ditë larg njëri – tjetrit, për një kohë të gjatë as që bëhej fjalë, ndaj shkuam në ministri për të tërhequr dokumentet e mia dhe dërguar në Elbasan.
Ndërkaq kishit folur për martesën e ardhshme?
Prej kohësh ne ëndërronim dhe bënim plane për të ardhmen. Në mënyrë shumë normale ishim futur në shtëpitë e njëri-tjetrit, në fillim si miq dhe shtimi i ecejakeve, apo prezantimi ndryshe, u konceptua si fejesë. Mandej fejesa zyrtare u bë njëkohësisht me dasmën. Dasmën e bëra në shtëpinë time, e veshur me të bardha sipas zakonit, gjithçka e thjeshtë dhe… kaq.
Po një ditë pas dasmës ç’ndodhi?
Asgjë e jashtëzakonshme. Ndjeja gjithë ç’mund të ndjejë një vajzë kur ikën përfundimisht nga shtëpia e vet. Atëherë, sidomos, kam kuptuar se lidhja ime me atë njeri që quhej bashkëshort ishte gjithçka e rëndësishme që kisha pasur dhe do kisha në jetë. Pas martesës të dy shkuam të jetojmë në Elbasan, ku banuam për tre vjet në një apartament të porsandërtuar. Aty lindi dhe djali. Unë me gjithë vështirësitë e rritjes së tij, nuk e lashë punën si ekonomiste në një ndërmarrje tregtare. Në këtë kohë Fatosi ishte ekonomist në Metalurgji.
Njohët një Fatos tjetër gjatë tre vjet bashkëjetese në Elbasan?
Çdo ditë dhe vit njeriu njeh te bashkëshorti të tjera tipare, një tjetër njeri. E rëndësishme është që nuk u krijua ndonjë hendek pakënaqësish, apo boshllëk komunikimi në marrëdhëniet tona. Në punë, në shtëpi dhe në vajtje – ardhjet Tiranë-Elbasan, ne ishim gjithmonë bashkë. Kur lindi djali unë vura re se Fatosi dinte të ishte dhe baba i dhembshur. Kjo u përforcua me kalimin e viteve. Ai nuk mendonte thjesht për t’i ushqyer dhe veshur fëmijët, por për edukatën dhe kulturën, për gjuhët e huaja, lidhjen me letërsinë, njohjen e shumëçkaje. Nivelin që sot kanë djali dhe vajza, unë ia dedikoj sidomos komunikimit me të atin.
Ç’ndodhi pas kthimit në Tiranë?
Në Tiranë puna jonë nuk ishte më e përbashkët. Ai u emërua në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste, kurse mua më emëruan ekonomiste në Komitetin Ekzekutiv të rrethit.
Gazetat kanë përfolur lidhjet profesionale të Nanos me Nexhmije Hoxhën. Çfarë do të thoshit ju më shumë?
Puna që kryente Fatosi në ISML nuk ishte e tillë që t’i lejonte komunikimin e shpeshtë me zonjën Hoxha. Ai ishte thjesht një studiues i nënvarur nga shumë eprorë.
Ndërkohë ai ishte anëtar i Partisë së Punës?
Në fillim jo, por detyrimisht duke qenë se punonte në një institucion të rëndësishëm, iu desh të anëtarësohej në parti, pasi bëri stazhin në kooperativën e Priskës.
Po ndryshimin e sistemeve si e përjetuat?
Për mua ato ishin ndryshime që mund dhe duheshin të bëheshin. Atë kohë kur u krijua Partia Demokratike, ndiqja me vëmendje shtypin e përditshëm i cili nxori emra dhe shkrime bindëse. Por, pak nga pak nisa të ndjeja mes rreshtave të gazetës “Rilindja Demokratike” atë çka pritej të ndodhte më vonë.
A ju duk e pranueshme zgjedhja e Nanos Kryetar i Partisë Socialiste?
Nuk mund të them se u entuziazmova nga zgjedhja e tij në krye të Partisë Socialiste. Atë kohë, këtë e kërkonin me ngulm gjithë miqtë, kolegët dhe shokët e tij. Për Fatosin menjëherë nisi puna me intensitet. Pushoi qetësia, normaliteti, shtëpia gëlonte nga njerëzit, nuk gjendej kohë për të biseduar shtruar me njëri-tjetrin. Megjithatë dhe heshtur unë gjeja mënyrën për të komunikuar me të, për të miratuar, apo kundërshtuar vendimet e tij.
Sa i vështirë ka qenë për ju viti, kur Fatosi u bë kryeministër?
Më i vështiri. Fatosi ikte në mëngjes nga shtëpia dhe vinte vonë, shumë vonë.
Ajo që e mundonte më tepër ato kohë, ishte mungesa e shpresës te njerëzit. Pakkush besonte dhe kishte shpresë. Grevat e punëtorëve, revolta e njerëzve, të gjitha të bindnin se qeveria do të qe jetëshkurtër. Unë këtë e ndjeja, megjithatë mbështesja Fatosin, i cili jo për të treguar vlerat e veta, por për hir të ekuilibrit, vazhdonte të drejtonte qeverinë e porsaformuar. Mandej situata u rrokullis në mënyrë të tillë, sa e detyroi të mendonte dorëheqjen. Këtë vendim të tillë unë e ndjeja prej kohësh dhe kur ndodhi, m’u duk i pranueshëm, sepse nuk mund të rrish me zor në krye.
Nga kryeministër në burg. Si ndodhi?
Çdo gjë ishte e pritshme nga pushtetarët e rinj që e treguan shumë shpejt shpirtin hakmarrës. Megjithatë burgu ishte përtej çdo imagjinate. Më kujtohet mëngjesi, kur në shtëpi erdhën tre djem të rinj me një letër për paraqitjen në prokurori. Fatosi u vesh dhe iku me ta. Ishte 30 korrik, dita e tij e fundit në liri.
Nuk ju duk e rëndë akuza për korrupsion?
E rëndë sigurisht, por jo e papritur, sepse për korrupsion Fatosi ishte përfolur më parë në gazetën partiake “RD”, e cila e kishte vendosur në qendër të goditjeve dhe shpifjeve të Partisë Demokratike. Pastaj gjërat rrodhën shpejt, shumë shpejt.
Si e përjetuat burgimin e Fatos Nanos?
Me burgimin e Fatosit unë ndryshova kryekëput. U shndërrova si me magji në një tjetër njeri, në një grua që vendosi të luftojë për jetën. Atë kohë isha papunë, por nuk mund qëndroja në shtëpi duke gatuar për dy fëmijët e mi, dy prindërit e Fatosit dhe dy motrat e tij. Në fillim Fatosi ishte në burgun e Tiranës në izolim të plotë dhe fatkeqësia ishte se komunikimi ynë qe i pamundur. Unë kisha të drejtë ta takoja vetëm 10 minuta në dy javë, që për mua sidoqoftë dukeshin shumë. Megjithatë më ndihu fati dhe dy njerëz të mirë në burg, fshehtas më jepnin letrat e Fatosit. Ndërsa në burgun e Bënçës diçka ndryshoi, atje takoheshim një herë në javë.
Ndërkohë si ishte gjendja juaj ekonomike?
Ekonomikisht mund të them se ishim vërtet keq.
Edhe ato pak para që kishim mënjanë, për një muaj të Fatosit në burg, mbaruan.
Ndërkaq mua më duhej dhe të qëndroja gjithë ditën me tabaka në dorë për gjithë kategoritë e njerëzve që hynin e dilnin pa pushim në shtëpinë tonë dhe kërkonin të më takonin mua.
Jeni tip i dashur?
Nuk mund të mos tregohesha e dashur me kë vinte të takonte gruan e Fatosit dhe të pyeste për të.
Megjithatë isha shumë e lodhur dhe ndjehesha vërtet keq. Si mund të isha ndryshe? Por atëherë kam kuptuar se njeriu bëhet i fortë, kur duhet të jetë i tillë dhe zbulon te vetja cilësi që ndoshta s’i ka njohur më parë. Kështu më ndodhi mua. U transformova tërësisht. Atë kohë iu drejtova shumë grave të njohura në botë me letra. Të parës, iu drejtova Liri Berishës, sepse ajo ishte first lady shqiptar, por nuk mora kurrë përgjigje. Ndërsa më pas zonjës Lalumier dhe të tjerave personalitete femërore, që më dërguan përgjigje sa ngushëlluese dhe inkurajuese. Këto letra që dërgoja, letërkëmbimi me Fatosin në burg dhe gjithë ç’shkruaja netëve kur gjumi nuk vinte, janë nga më të rëndësishmet e të shtrenjtat për mua.
Ç’raporte ruanit me Partinë Socialiste?
Ndonëse s’më ka tërhequr kurrë politika dhe nuk kisha asfare lidhje me PS -në, gjatë kohës që Fatosi ishte në burg, m’u desh të përçoja zërin e tij. I komunikoja kryesisë së PS-së gjithçka më kërkonte Fatosi në letërkëmbimet, apo takimet me të. Këtë e bëra pse duhej. Në kam bërë mirë, apo keq nuk e di.
Ju e lajmëronit Fatosin për ç’ndodhte nisur nga pëlqesat personale?
Unë i komunikoja vetëm çfarë shikoja, pa u nisur nga asnjë pëlqesë apo mospëlqesë personale.
Pas daljes së Nanos nga burgu, ju u kthyet tek Rexhina e dikurshme?
Nuk mund të kthehesh sërish tek një pozicion i braktisur. Tani nuk ndihem shumë e qartë për ç’ndodh me mua dhe jam në kërkim të vetvetes. Pas 4 vjet jete të mundimshme, kur m’u desh të vishja pantallonat e të mos i hiqja gjatë gjithë kohës, kur nuk mund të mendoja vetëm për veten dhe Fatosin, por dhe për fëmijët e njerëzit e tij, unë zbulova gjithë forcën me të cilin njeriu lind, por në rast se nuk i paraqitet një vështirësi e caktuar, nuk e zbulon kurrë. Atëherë kam pasur aq punë, sa tani më duket i çuditshëm pushimi i gjatë. Nuk më pëlqen të pushoj, nuk më pëlqen qetësia, dua të punoj sërish.
Nuk ju mjafton qenia grua e kryeministrit?
Jo, aspak. Unë jam Rexhina dhe dua të jem vetvetja. Nuk më pëlqen të më marrin si një kukull, të më tregojnë një karrige dhe të më thonë: ulu këtu se je gruaja e kryeministrit. Nuk preferoj të jem sfond i Fatosit. Sepse ngaherë kam qenë shoqja dhe vitet e fundit edhe bashkëpunëtorja e tij. Së fundi, nuk janë pak rastet, kur e kundërshtoj, apo i bëj vërejtje, aq sa dhe djali ma vë në dukje se duhet ta mbroj më tepër, kur të tjerët e sulmojnë. Nuk është se bëhem e mërzitshme, dhe e kundërshtoj pa vend. Përpiqem t’i gjej momentin për t’i folur. Kur e shoh se është i nervozuar hesht, por kur është i qetë ndërhyj.
Cilën cilësi i pëlqeni më tepër burrit tuaj?
Aftësinë për të bërë humor. Madje humori atij s’i mungon kurrë.
Ku jeton së fundi familja e kryeministrit?
Ne vazhdojmë të jetojmë në një shtëpi të përbashkët me prindërit e Fatosit, ku kemi qenë prej vitesh. Shtëpisë i ka dalë pronari dhe gjatë kohës që Fatosi ishte në burg, ai na telefononte shpesh dhe apo vinte për të parë shtëpinë, gjë që është normale. Tani ka kohë që s’duket më. Unë para dy vjetësh kam çuar dokumentet në Bashki si e pastrehë.
Asnjëherë s’kam marrë përgjigje. Dokumentet vazhdojnë të jenë atje.
Ju nuk keni një vilë në Golem?
Është një pyetje që para shumë kohësh ma bëri dhe një njeri i afërt i familjes.
Qesha dhe i thashë se po të doja të ndërtoja vilë, njeriu i parë të cilit do i drejtohesha, ishte ai, pse unë nuk kuptoja asgjë nga tokat dhe ndërtimi.
Sa është rroga e kryeministrit?
Rrogën kryeministri s’e kam marrë asnjëherë deri tani. Vazhdon të marrë vetëm rrogën e Partisë Socialiste që shkon tek 250 mijë lekë të vjetra.
Duke qenë se ju jeni porta e hyrjes për te Nano, shumëkush ju vizitonte dikur për t’u interesuar, a vjen tani për të kërkuar?
Unë nuk jam aspak porta e hyrjes për te Nano. Njerëz? Padyshim vazhdojnë të vijnë. Është rralluar paksa numri i tyre, duke qenë se janë më të rezervuar përballë kryeministrit. Kërkojnë? Padyshim. Shumëkush, madje të gjithë e kanë nga një hall që mua më duket normal.
Nuk mund të them se di t’u jap zgjidhje, Fatosi gjithashtu. Megjithatë për këta njerëz, unë jam ajo që kam qenë. Nuk kam ndryshuar, i dua dhe i respektoj njësoj, madje i falënderoj për faktin që më kanë ndihmuar kur kam qenë e vetme dhe kam pasur aq shumë nevojë për ta. Ndjej ndaj tyre detyrim dhe mirënjohje.
Ju që dikur parashikuat dorëheqjen e Fatosit, tani çfarë parashikoni?
Gjithçka ka bërë deri tani, me duket se e ka bere mirë, edhe pse ka zgjedhur rrugën më të vështirë, si dikur me mocionin, që u desh kohë të pranohej dhe kuptohej. Unë besoj se ai do ta çojë deri në fund atë që ka nisur dhe ndjej detyrim që ta mbështes e t’i qëndroj afër si shoqe dhe bashkëshorte. Megjithëse më duket se gjej ngjashmëri me ’91, për nga intensiteti i punës, ajo që ndryshon nga ajo kohë është mbështetja dhe besimi. Tani të gjithë shpresojnë, dhe ç’më duket e rëndësishme, nuk mungon përkrahja nga jashtë.
Pse jeni kaq e vetëpërmbajtur dhe thoni vetëm 1/ 3 e asaj që dini?
Nuk është se jam kaq shumë e vetëpërmbajtur, por për të qenë e sinqertë nuk më pëlqen të intervistohem tani. Është një moment kur njerëzve që kanë aq shumë vështirësi dhe probleme jetike, pak u intereson të dinë për gruan e kryeministrit.
Madje unë ndihem disi e turpëruar që pranova të bëj publike disa intimitete të miat, të cilat do të lexohen në gazetë nga kush e blen dhe pret të shohë aty, plane e programe për rimëkëmbjen e Shqipërisë. Jo se jam kundër intervistave të këtij lloji, por ato lexohen nga pak njerëz dhe jo nga vlonjatet, beratasit, apo tepelenasit, etj në gjithë Shqipërinë, të cilët janë në pritje të një shprese për një jetë tjetër.
Intervistoi: RUDINA XHUNGA