Flet Tinka Kurti, Artiste e Popullit, për KOHA JONE

(Botuar me15 nëntor 1998 në KOHA JONE)

-Flet Tinka Kurti, Artiste e Popullit, për KOHA JONE-

Tinka Kurti sot jeton e vetme, në katin e tretë të një pallati pranë shkollës se Baletit, mes kujtimesh të shumta nga vitet e gjatë të jetës artistike. Edhe pse në pension, Artistja e Popullit thotë se të gjallë e mban vetëm puna: “Jam krenare që i kam shërbyer kombit dhe të gjitha rolet, personazhet dhe karakteret që kam realizuar, atij do i mbeten. Unë nuk do i marr me vete.

Nga fillimi i karrierës artistike e deri më sot, ajo ka shumë kujtime dhe detaje pas çdo xhirimi. Shumë shpejt artistja mendon që të jetë pranë publikut edhe në libër, të cilin shpreson se do e shkruajë Esat Oktrova. E lindur në Sarajevë, ajo ka shumë dëshirë që të shkelë edhe njëherë vendin ku lindi, madje ajo tregon se ka lindur diku pranë urës ku është vrarë Franc Ferdinanti. Duke qenë në korrent me situatën në vend dhe ngjarjet në Kosovë, artistja e madhe është quajtur edhe Presidentja emergjente e Kosovës. Ajo ka vizituar shumë familje dhe të ardhur në këto muaj të luftës. “Do të hyj në Kosovë dhe e ndiej për detyrë, – thotë Tinka Kurti, – nuk ka problem se bie borë apo bën ftohtë. Artisti nuk duhet të jetë larg dhimbjes së kombit”.

Vetëm disa ditë parë se të niset drejt Zvicrës për të marrë çmimin më të fundit, “Gruaja e shquar e shek XX”, Tinka Kurti dha këtë intervistë për gazetën.

Publiku i gjerë e njeh Tinka Kurtin me rolet e saj të realizuara si në film ashtu dhe në skenë. Por një pjesë ndoshta di shumë pak për ju jashtë botës së artit…

Mund të them se jam martuar shumë e re, me një njeri që e desha dhe më deshi shumë. Tashmë ka shtatë vjet që ai nuk jeton më. Më ka humbur një shok i ngushtë i jetës sime artistike, pasi e them me plot gojë se ai ka dashur më shumë artin tim se sa Tinkën. Dhe unë për këtë i jam mirënjohëse, sepse në qoftë se shikon në shtëpinë time të gjitha materialet e mbledhura nga ai, janë një mrekulli. Unë disa herë e kam lexuar jetën e Çaplinit dhe them se kush do të ketë fatin ta shkruajë këtë libër do të nxjerrë një vepër të bukur dhe kjo është vetëm meritë e Palok Kurtit, burrit tim. Ai ka mbledhur gjithçka duke shkruar rregullisht për çdo rolin tim, apo të gjitha ato se çka mendoja unë. Këtu po bëj një parantezë. Unë kam edhe dy biletat e premierës së filmit “Tana” në ish-kinema “Partizani”. Një pjesë e dramave të mia janë të regjistruara, që ai vetë i ka prerë shiritat, vetë i ka bërë bobinat, megjithse sot ato kanë shumë pak fjalë, pasi kanë skaduar, por janë të bukura ashtu siç janë. Tek ai më tërhoqi pozicioni që kishte pranë artit. Në fillim e kam patur mësues e jo burrë. Pastaj u bashkuam me njëri-tjetrin, dhe kur u martuam unë kam qenë shumë e re, 17 vjet e gjysmë.

Ku janë fillimet e para të karrierës së Tinka Kurtit?

Fillimet e karrierës sime, që sot ndoshta e them për të parën herë, janë në Dardhë të Korçës, të cilën unë nuk do e quaj fshat, por një kryeqytet. Babai im atëherë ishte kryetar komune. Unë isha shumë e vogël, dhe mbrëmë po e mendoja, pse kujtohem kaq vonë, për Dardhën, atë teatrin e hijeve që më merrnin dhe mua me atë gjuhën shkodrane që të bëja ndonjë rol. Me fëmijët e mëhallës unë luaja me një perde të zeze dhe me hije. Që në atë kohë nënën time e kisha kritizere. Nënë ime ka qenë hungareze. Ajo ishte aktore, këngëtare dhe balerinë shumë e mirë. Ajo na ka ushqyer tërë jetën që ne të katër fëmijët të merreshim vetëm me artin, meqenëse burri i vet ishte politikan antizogist. Ai më vonë u gjykua, u internua dhe pas çlirimit e dënuan edhe jugosllavët.

Pra rrugën e artit e keni trashëguar nga nëna juaj…

Nga nëna, por edhe nga gjyshja e babait, e cila ka qenë një malësore me potencë të madhe. Diçka epike kam marrë nga ajo. Ka qenë një grua poeteshë amatore, e cila ka vajtuar bukur. Dëgjoja në televizor për një Festival Ballkanik të Teatrit që organizohet nga Akademia e Arteve të Bukura. Për një moment, pasi unë jetoj vetëm në shtëpi dhe jo pa strese, thashë se prapë do të më harrojnë. Më ka ardhur keq që më kanë harruar. Në ’47 kam qenë nxënëse e parë dhe e vetme e Liceut Artistik të degës së dramës e porsahapur. Sigurisht nuk e kam vazhduar për arsye të ndryshme që nuk kam ndonjë kuriozitet t’i them, por kur u ktheva në Shkodër, atje vumë pjesën muzikore, “Dasma shkodrane”. Kjo ishte shkruar nga Andre Skanjeti, një regjisor i shkëlqyer, por që sot është i harruar. Unë isha koriste e thjeshtë, por Skanjeti në momentin që do përcaktonte për rolin e nuses, sytë i fiksoi nga unë dhe tha: “Nusja do të jesh ti”. Në Lice kisha bërë vetëm katër muaj shkollë dhe pyesja veten se si do t’ia bëj, por unë e mora rolin kryesor. Tek qëndroja në skenë, Skanjeti shikonte se unë nuk po këndoja, por po interpretoja. Ai e kuptoi dhe tha se nuk isha për kanto, por për teatër. Pasi bisedoi me nënën time, unë fillova bashkëpunimin me grupin amator të Shkodrës. Këtu njoha edhe Palok Kurtin.

Jeni nxënësja e parë e Liceut artistik, ç’kujtoni nga ato vite?

Mosha ime mban nostalgji për të kaluarën, por kjo nostalgji ka edhe një të vërtetë. Shkolla ka qenë jashtëzakonisht e përgatitur. Nuk them se sot nuk nxjerr aktorë shumë të mirë, pasi unë kam shumë respekt për të rinjtë, por liceu të përgatiste nga të gjitha anët. Unë them se një artist duhet të mësojë të jetë edhe boksier, pasi nesër mund të ketë një rol të tillë. Pra, ishte një shkollë shumë serioze që unë nuk pata fatin ta mbaroj.

Pse nuk e mbaruat shkollën?

Nuk e vazhdova shkollën pasi ishte vetë periudha politike. Ishte koha e Titos kur duhej të bëje një poezi të vogël: “Tito, nash Tito jehona/Tito, revolucion i ditëve tona” dhe unë thashë nuk dua, pasi babain e kisha në burg. Ishte një gabim fëminor që unë e hëngra dhe më përjashtuan nga shkolla.

Por megjithëse nuk e mbaruat shkollën, kjo nuk ndikoi në karrierën tuaj të mëvonshme artistike?

Jo, ndihem disi e harruar. Në atë kohë u përjashtuan nga shkolla një grup studentësh, mes tyre dhe unë, por jeta artistike vazhdoi. Them se më kanë harruar dhe kur dëgjova për Festivalin Ballkanik të dhjetorit, them se prapë do të më harrojnë. Jam nxënësja e parë e Liceut. Kur më morën për të luajtur Tanën, unë them se fitova rastësisht. Unë isha e nënta Tanë që u provova. Personazhi i filmit ishte një vajzë 16 vjeçe, ndërsa unë isha një grua e martuar dhe me fëmijë.

Pra roli juaj i parë është në filmin e parë shqiptar, “Tana”, i cili është realizuar në Bulgarec të Korçës. Çdo të kujtonit pas kaq vitesh?

Sigurisht ishte një befasi kur fitova. Ka peripeci që unë i kam të shkruara të gjitha. Regjisori Kristaq Dhamo mori guximin për të xhiruar këtë film. Kam kujtime shumë të bukura në Dardhë dhe në Bulgarec, dhe kështu unë do të quaja Korçën si qytetin tim të dashur, të dytin pas Shkodrës. Nuk mund të harroj atë ngrohtësi të popullit të Bulgarecit. Xhirimet ne i kemi kaluar si ditën dhe natën. Asnjëherë unë nuk hëngra në restorant, megjithëse ushqimet vinin për të gjithë grupin e xhirimit. Unë shkoja për drekë dhe për darkë në të gjitha shtëpitë e fshatarëve. Unë çdo natë isha mes familjeve, në fejesa, martesa, gëzime të bulgarecarëve, sidomos në një familje që më vjen keq që tani nuk e kujtoj, por që e kam të shkruar në kujtimet e mia. Vetëm para pak ditësh pas lajmit të TVSH, me kanë marrë në telefon njerëzit e kësaj familje për të më uruar.

Ç’ju lidh tjetër me Korçën?

Në Korçë kam luajtur edhe rolin e Nënë Pashakos në filmin “Yjet e netëve të gjata”. Për këtë rol them se ishte një dhuratë e madhe që më besoi regjisori. Ai nuk duhet të ma besonte. Pse? Kjo pasi së pari, unë isha shkodrane dhe do të luaja rolin e një nëne plakë korçare, pra, aksenti i gjuhës. Regjisori i kishte zgjedhur aktorët duke patur parasysh edhe portretet e djemve të nënë Pashakos dhe arsyeja tjetër ishte se unë isha shumë e re. Për këtë unë kujtohem pas kaq vjetësh në një intervistë në Pallatin e Kulturës, kur më pyet një grua se kur e keni luajtur këtë rol? Unë i thashë se jam e ’32, filmi është xhiruar në ’70 dhe dilte që 38 vjeçe unë kisha luajtur Nënë Pashakon. Pra, e mora vesh pas 30 e ca viteve. Sot kur keni realizuar kaq e kaq role, personazhe, karaktere si në skenë dhe në ekran, a e keni pyetur veten ndonjëherë: I kam realizuar unë të gjithë këto apo jo? Kur kam hyrë ne teatër në ‘49 kam filluar si gjysmë profesioniste.

Në këto vite gjithmonë i kam bërë pyetje vetes se a jam unë për këtë vend?

Kjo ndoshta ishte edhe edukata e nënës sime, e cila me kritikën e saj më ka ndihmuar shumë. Gjithmonë e them me bindje të plotë se kur kam luajtur në ’54 rolin e Files, te “Toka Jonë”, deri atëherë nuk kam qenë e bindur se duhet të rri në teatër. Dhe kjo duke patur një brez të fuqishëm aktorësh para meje. Me këtë rol mora edhe çmimin e parë në Festivalin e parë të teatrove dhe i kam thëne vetes rri në skenë. Por më duket se më ka thëne Filja që ta mbaja skenën, se rruga jote është këtu. Them se nuk jam gabuar, nuk e di se ç’thoni ju.

A do mund të veçonit rolin tuaj më të dashur pas gjithë këtyre vitesh punë?

Për artistin është shumë e vështirë që të bëjë ndarje, veçime. Rolet janë gjithmonë të dashur, sa do të mëdhenj apo të vegjël të jenë. Gjithmonë edhe nëse është rol i vogël, apo i dobët. Ja, unë konkretisht së fundmi kam luajtur tek “Dasma e Sakos”. Filmin nuk e kam parë dhe kjo nga frika se a jam brenda a s’jam brenda, por prapë se prapë unë vetëm për një batutë e kam marrë atë rol. Në skenar thuhet: “O bir, ne nuk vrasim”. Dhe kjo më ka mbetur në shpirt, duke i kërkuar regjisorit edhe këtë rol. Nuk i kisha thënë ndonjëherë regjisorit më jep këtë rol. Në jetën time artistike kam patur shumë role të bukura. Kam rreth 160 role që kam luajtur në teatër.

Në realizimet tuja në skenë dhe film spikatni me rolin e nënës…

Do thosha që ky art është i bukur te ne, megjithëse filloi vonë. Nuk ka gjë pse filloi vonë. Unë në moshë te re kam luajtur të vjetrën, kurse nganjëherë tani, në moshë të vjetër, më kërkojnë që të luaj të renë. Por nuk jam e penduar pasi i kam dashur shumë ato figura. Në rast se unë kam interpretuar Nënë Pashakon, regjisori më ndihmoi që ta njihja personazhin e vërtetë. Kam jetuar me Pashakon e vërtetë 15 ditë, kam hëngër bukë me të në një sofër dhe kam fjetur në një krevat. Disa herë më thoshin se ajo përsëriste jetën e saj duke vënë një plloçë në stomak. Ishte vërtet një grua e madhe, megjithëse me një trup të vogël. I jam shumë borxhlie asaj Nënë Pashakoje. Them se nuk ia kam arritur. Ajo ishte shumë më e madhe se sa unë. Dhe më duket vetja tepër e vogël përpara asaj Pashakoje të madhe.

Në rolin e Lokes them se jam ndier ngushtë, megjithëse kisha besim te regjisori Serafin Fanko. Unë kërkoja një Loke tjetër, një Loke që nuk flet. Deri në momentin e fundit para premierës, unë nuk isha Loke. Mund të them se nuk pata shumë sukses në skenë, por kur e regjistroi TVSH, kam marrë një letër nga Kol Jakova i cili më shkruan: “Kjo është Lokja ime”. Ai regjistrim nuk ekziston më. Megjithatë prapë them se nesër do ta kisha dëshirë këtë rol, po të punohej edhe njëherë drama. Do dëshiroja që edhe një herë të isha Loke. Por janë edhe shumë role të tjera. Do prekja këtu rolin te “Gjaku i arbrit” deri tek i fundit “Zemra e nënës”, që u fut në zemrën time. Regjisori ishte i ri dhe në fillim ndoshta nuk i besova, por më pëlqeu skenari dhe ishte burri im që më tha se “Ti ke qenë gjithmonë dashamirëse ndaj të rinjve dhe këtij do t’i shkosh”. E realizova këtë rol dhe nuk jam penduar.

A ka kaluar momente të vështira Tinka në jetën e saj artistike?

Posi. Shumë herë. Mund të kujtoj rolin te Baca i Gjetajve. Atje mua regjisori më dha një rol të ri. Në rolin e gruas që i vritet burri në luftë dhe m’u desh që të mbuloj shumë moshën time. Ishte rol që më futi në siklet, megjithatë sikleti nuk ngeli me kaq. Unë ndërhyra në vepër dhe krijova një skenë për të mos qenë aq e re dhe për të mos u vrarë burri në front, por djali. Dhe në këtë pjesë, unë isha në rolin e nënës që djali i mbetet në luftë.

Jeni ndër gratë artiste që jeni vlerësuar kaq shumë këto vitet e fundit jashtë. Pas disa ditësh niseni për në Zvicër. Si ndiheni përballë këtij vlerësimi dhe kësaj heshtje këtu brenda?

Edhe këtu jam vlerësuar. Titullin Artiste e Merituar e kam marrë kur kam qenë 28 vjeçe, më vonë Artiste e Popullit dhe në festivale të ndryshme jam vlerësuar. Fatkeqësia e jonë është se ne disa i parakalojmë, te disa ndalemi. Unë s’kam xhelozi për këtë, por tek unë le dhimbje, le hije dhe aq më tepër që mua më feston bota jashtë. Në Amerikë më duhet të shkoj, pasi, përveç çmimit që kam marrë, jam bërë edhe anëtare e bordit dhe firmos pa shkelur asnjëherë atje. Mendoj se në fund të vitit duhet të shkoj në Londër për ta marrë medaljen e akorduar. Para pak ditësh lajmin që e dha TVSH, ishte një rastësi, pasi të fillosh të marrësh çmime që në ’94 dhe në prag të ’99 të japë një lajm, të vjen vërtet keq.

Cili do të jetë roli i ri që do të sjellë Tika Kurtin pranë publikut?

Është një skenar i shkruar nga Natasha Lako, me të cilin presim që shumë shpejt të nisim nga puna. Unë gjithmonë e kam thënë se bashkëpunimi me të rinjtë nuk të vjetron. Dikush ma ka quajtur gabim, por jo.

A do dëshironit të ishit edhe njëherë e re, për të filluar gjithçka nga e para?

Jo nuk do të dëshiroja. Kur kujtoj jetën time jo të thjeshtë, por të mbirgarkuar, më lind ndonjëherë dëshira, por të jem e re dhe pa punë? Po të mos kem punë them, më mirë mos me qenë. Mbaroi puna, unë i them jetës boll kam jetuar. Do të punoj deri sa të kem këmbë e duar e mend. Ma andej nuk e mendoj të jetoj. /Përgatiti: PANDI GJATA/

SHKARKO APP